Lirika e autores Kaltrina VB Hoti, si formë dhe gjuhë e unisuar mes artit të shkruar dhe atij figurativ. / Nga: Agron Shele

kaltrina-5

Lirika e autores Kaltrina VB Hoti, si formë dhe gjuhë e unisuar mes artit të shkruar dhe atij figurativ.

 

Nga: Agron Shele

 

 

“Sot do ta pres mëngjesin në thellësi të heshtjes
Do zhytem në muzgun e parë
Më duhet të ndjej rrezet e natës
Para se të shndërrohet në amsh të ditës”

            Kaltrina VB Hoti

 

E nisa me disa vargje referimin rreth vëllimit poetik “ Puthje sekrete” të autores Kaltrina VB Hoti, vargje të cilat që në fillim përshfaqin atë botë krijuse, ndjesuese dhe lirizëm që prek me frymën e muzës në përthyerje të muzgut më të parë për t’ u shndërruar dhe rilindur më pas në amsh të agut më të bardhë. Leximi i poezive të shëtit nëpër një univers të tërë imazhesh poetike dhe eleokuencë vargjesh, të cilat vijnë krejt natyrshëm dhe me një lirshmëri që gjakon nga përtejshpirti për të shprehur dashurinë e madhe njërëzore, dashuri që vetëm arti di ta ngrejë në fronet më të larta hyjnore, si fuqi e përbrendshme dhe hapësirë e pafundme. Me brishtësinë e fjalës dhe shijen e hollë artistike autorja ndërton struktura poetike, të cilat si simbiozë e formave eliptike dhe figuracionit të përdorur e bën artin e saj sa beftësues për lexuesin po kaq të gjallë dhe indetifikues për stilin e përdorur. Poezia e sjellur kalon nëpër vështrimin tredimesional, atë të perceptimit poetik si formë krijimi përbrenda kornizimit letar ( mbisundim i formave postmoderne ), si formë dhe gjuhë ngjyrimesh ( ndikimi dhe gjurmët e pikturës) dhe ai metafizik ( referim rreth gjithë vizualitetit dhe konceptit jetë nëpërmjet ideimit filozofik). Në planin e parë vihet re një përnjohje e mirë e teknikave të shkrimit dhe mundësive shprehëse nëpërmjet vargut të lirë, i cili derivon drejt formave moderne, kryesisht tedencave më të fundit të artit bashkohor sot.

 

kaltrina

Kaltrina VB Hoti

 

Plan tjetër është gjuha e imazhit, ngjyrimit fjalë, që në tablon e telajos jetë mbizotëron me ngjyra të ndezuara, tejçim i përbrendshëm ndjenjash, por dhe emocion i fortë që jep mesazhe drithëruse dhe befason pareshtur me kontrastet e amplifikuara dhe ndërthurur tek ai figurativ. Së treti është këndvështimi metafizik, si ideim dhe koncept që ngrihet mbi një vizion të qartë dhe depërton gjer në vetëdijen e thellë për të shprehur ato impulse dhe mendësi, të cilat para së gjithash paraqesin potencën e një autoreje dhe personaliteti gruaje në referim me mjedisin dhe përpjekjen e vazhdueshme për unifikim të vlerave të pamohushme të kësaj figure madhore në shoqërinë e sotme.
I gjithë libri ndahet në katër cikle, por pavarësisht kësaj nëndarjeje ky vëllim mbizotëtohet nga tematika lirike ( Cikli: “Nusja pa unazë , Porta e dashurisë dhe Dua jetë “ ) dhe tema më prekëse dhe e dhimbshme, ajo e emigrimit ( Cikli i fundit: “ Unë erdha”) .

“ Do të mbetem aty përgjithmonë
Zjarri me ujin u bashkuan
Puthjen time sekret ta dorëzova. “

Poezia“ Puthja sekret” identifikon gjithë vëllimin poetik dhe e sjellur në këtë kontekst ajo vjen si mishërim i zjarrit dhe ujit, përflakjes ndjenjë gjer në shkrumbimin e të fundit yll dhe ujit si paqe hyjnore që mbetet në jetë si më i shenjti përjetim. Kaq sublime dhe e përkorë është kjo ndjenjë, sa dhe pse e fshehtë dhe mistike mbetet si shenjë dhe gjurmë e asaj drite vezulluese, atij ngjyrimi të kuq si vetë gjaku, që përshkon përherë dhe jetëson botën tonë njerëzore.

“Mundohesh zemrën time ta lexosh
Lulen e mëngjesit ende e kam në buzë
Ngjyra e kuqe u shpërnda nëpër trup
Emrin yt jehon në pëshpëritjen e parë
Më trego kur shiu purple të mbulon.”

Në prirjet lirike të kësaj autoreje ka shkrirje të elementeve me vetë gjendjen, e cila vjen në dykohësi dhe paralelizëm, simbolikë poetike: ( pika shiu-loti i syrit, feksje ylli-zjarr i zemrës, muzg i rënë- meditim dhe përhumbje në ëndërrime e puthje hëne, agu bardhë- tjetër ditë e re që rilind dhe rimëkëmb shpirtin ), si dhe epiteteve të përdoruara mjeshtërisht, ku skluptura ringrihet nga balta dhe merr formë e jetë për të gdhendur pavdekësinë e vetë dashurisë. Duke qenë se ky vëllimi poetik mbizotërohet kryesisht nga kjo tematikë, do shtoja se në gjithë këtë mozaik të kolorizuar ka një art të unisuar dhe ridimesionuar midis gjuhës fjalë dhe gjuhës imazh (pikturë), të cilat të ndërthurura nga një shpirt kaq ndjesues dhe fluid përshfaqin atë magji, atë thellësi që tejkalon dhe vetë përtejqenësinë.

“ Gjethet e shtatë stinëve
Rrugën e kishin mbuluar
Manat e egra i gjeta në gjumë
Lisat si krushqit me pritën
Pranë pragut e stolisur me fjalën tënde të fundit
Pres shtëpia të troket në zemrën time
E hapa derën
Muret u drejtuan
E dëgjova pëshpëritjen”
Erdhe bija ime “

Këto vargje përflasim shumë më tepër dhe shprehin atë mall që nuk shuhet kurrë, por mbetet përjetë në zemër. E endur në rrugët e jetës autorja, sikurse çdo emigrant rend bashkë me nostalgjinë për vendlindjen, mallin e patreguar për atdheun duke mbajtur përherë me vete pjesën e identitetit të saj, një pjesë Shqipërie.

Vëllimi poetik “ Puthje sekrete” i autores Kaltrina VB Hoti, është një vepër letrare që vjen me ngjyrime dhe koloritë të pafundme vargjesh, të cilat sikurse janë të natyralizuara dhe shkrirë në poezi, përshfaqin jo vetëm ndjesinë e hollë estetike dhe artistike rreth dashurisë si prelud dhe ndjenjë e dlirë, por tejçojnë dhe atë botë të madhe artistike që e bën përëherë e më intriguse për lexuesin dhe kritikën letrare.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s