Poezi nga Gentjan Hasanas
Pikturë e gjallë
Bëra
një pikturë të gjallë:
ushtarin e plagosur
e mbylla në korrniza qiparisi.
Mbaje
dorën mbi plagë
dhe renko me zë të ulët!
Mos vdis!
Pas pak do të shperblehemi
dhe ti
s’do ta kesh më emrin Alfred!
Do të mbahesh mend si ushtar i Lirisë,
si engjëll i Paqes,
si Sakrificë,
Vetmohim!
Kur të vdesësh
do shumfishohesh ”copy-paste”
në mijëra piktura të tjera!
Do të gjendesh varur në zyrën e çdo ministri!
Në albumet Bashkisë!
Numri i serisë tënde
do bëhet medalion në qafën e të rinjve,
në grykët e pushkëve do të stampohet!
Do të bëhesh
personazh i lojërave ”video game”
aty do të fitosh saherë…
sepse ke 7 jetë!
Ndoshta… do të jesh
edhe poshtë jastekut të deputetes,
falë teje bën gjumin e qetë!
Mbaje dorën
te vrima e plumbit
dhe renko me zë të ulët!
”Kokat e mëdha”
me një gotë ”chivas” në dorë
vizitojnë Galerinë e Arteve!
Ata ecin pa vënë re ku shkelin…
Gjaku rrodhi nga tabloja!
Si kutitë e shahut pllakat e korridorit
të bardha,
të zeza…
Të gjitha
me një vulë gjaku në mes
nga këmbët e vizitorit…
Oh!
Ti po vdes!
Korrnizat e qiparisit
t’u bënë pëllumba mbi krye…
M’u lodh dora mbi plagë
dhe rënkimet si kandil m’u shuan.
Gentjan Hasanas