Fundi i natës së verbër / Nga Kujtim Mateli

Fundi i natës së verbër 

 

 

kujtiml

Nga Kujtim Mateli

 

Ishim mësuar që ta shihnim Bardhyl London si poet, vargjet e të cilit kanë frymëzuar disa breza. Niveli i lartë artistik i poezisë së tij u gërshetua me frymën qytetare që në fund të viteve 80-të po formësohej si një frymë kundër vetë sistemit socialist, i cili po shikohej si një sistem pa të ardhme. Londo u bë shprehësi më i qartë i kësaj aspirate dhe u ngrit kundër partisë-shtet që kishte projektuar rregjimi komunist, u ngrit kundër privilegjeve të tyre:

“Ç`je ti vallë? Presidium, a pronë private?

Rrogë e majme… Privilegje….Një tufë servilash te pragu …

Pronë absurde, pa investime nga xhepi

Dikush tjetër investon për të : gjaku”. (Bardhyl Londo, Thirrjet e gjakut”).

Poezia e Bardhyl Londos doli në pararojë të letërsisë shqiptare. Ajo e dha qartë portretin e zyrtarit më të lartë të shtetit, të atij që organizonte dhe zinte vend në presidiume.
Cili ishte ky njeri që i kishte kthyer institucionet në pronë private?
Cili ishte ky njeri me rrogë të majme e privilegje të veçanta?
Cili ishte ky njeri që i rrinin një tufë servilash te pragu?

 

bardhyl-londo-620x350

Bardhyl Londo

 

Londo me vargjet e tij iu drejtua drejtpërdrejt piramidës shtetërore, në një kohë, kur për vargje të tilla të priste dera e burgut. Poetët janë zëri i kombit, dhe janë ata që nuk heshtin përballë rreziqesh individuale, kur është në rrezik shoqëria. Në periudhën kritike, në të cilën gjendej Shqipëria në vitet 80-të, ajo u bë dhe alternativa politike e shqiptarëve. Kjo qeveri dhe kjo klasë politike duhej përmbysur. Vite më vonë, shqiptarët e përmbysën rregjimin për të cilin Londo kishte bërë thirrje vite më parë.
Tridhjetë vite më vonë, i rikthehet periudhës së fundit të regjimit komunist, me një roman që titullohet “Nata e verbër”. Ngjarjet e romanit vendosen në një qytet të vogël. Si kudo, edhe aty, në qendër të qytetit është monumenti gjigant i udhëheqësit prej të cilit banorët kishin parë veç vuajtje e ndëshkime. Personazhet e romanit janë njerëz që kishin jetuar në atë qytet prej brezash,  nga ku vështirë se  mund të arrihej tek zanafifilla e vendosjes së të parëve të tyre aty dhe që kurrë nuk kishin dëgjuar që për shkak të një statuje të përndiqeshin apo të përfundonin burgjeve. Një statujë e ngritur kohë më parë, ishte bërë tmerri i qytetit për disa dhjetëvjeçarë dhe ende vazhdonte me të njëjtën egërsi. Monumenti ngjante si një grackë e madhe ku kishin rënë brenda saj, dhjetëra viktima. Radha i erdhi Ilo Laminorit. Një fjalë e thënë nga një shpirt që  dhembte, aty pranë monumentit. Po ky,-tha një ditë Ilio Laminori,- ç`na krekoset kështu? Sikur ka në dorë të gjitha tapitë  tona….

 

15218468_1339243629427534_1763305322_n

Nata e verbër

 

Dalin në skenë dy personazhe të tjerë. I pari është spiuni Zydi Langori. I dyti është gjykatësi Ndreçi Bumbreçka, i specializuar në mbrotje të monumentit.
Në grackën e monumentit ra dhe studentja e vitit të katërt për gjuhë angleze, Naze Mëllenja, pastaj dhe i treti, fshesaxhiu i qytetit Teki Rrangalla. Në episode të ndryshme që kalojnë njëri pas tjetrit, secili prej personazheve është shfaqur si karakter, si përfaqsues i një shtrese të caktuar shoqërore. Aty gjen guximin e njeriut të ndershëm dhe dinakërinë e përfaqësuesit të pushtetit. Përballë një studenteje si Naze Mëllenja qëndron një gjyqësor i shpërfytyruar deri në inde.
Me nota groteske jepen në roman disa personazhe që kishin marrë përsipër t`u jepnin zgjidhje problemeve të qytetit dhe bënin prognoza politike për ardhmërinë e tij. I tillë ishte Zenel Mustaqe Stalini, i cili e hiqte veten të pagabueshëm. Grupi i tij plotësohej nga Pilo Bajamka, cili u vetëshpall Knaç, sepse kishte lindur më 16 shtator, ditën e themelimit të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Tjetri ishte Kile Nevriku, të cilit i vunë pseudonimin Trocki. Në kushtet, kur sistemi komunist po përjetonte të tatëpjetën e vet, ata ende kërkonin që dukuritë e reja që ndodhnin në qytetin e tyre, t`i shpjegonin sipas teorisë komuniste. Veprimet e tyre janë jashtë realitetit të kohës. Në një nga ditët e festave, nisen të takojnë Kryetarin e tyre shpirtëror, vdekur vite më parë. Në errësirën e natës, duke kujtuar se ndodheshin mbi varrin e një dëshmori, bënin homazhe mbi varrin e një dervishi. Po absurditeti arrin në kufijtë e vet, kur mendojnë se ndodheshin në një fshat që kishte qenë bazë e Luftës. Hëngrën bukë e dhallë, kjo dhe si kujtim i atyre ditëve, por morën vesh se ndodheshin në një fshat që kishte qenë i lidhur me Ballin. Ulen ndanë një përroi dhe vjellin atë çfarë kishin ngrënë për të pastruar shpirtin.
Të gjithë personazhet e këtij romani, nuk kanë mbiemër. Në vend të mbiemrit janë nofkat që, ose ia kishin ngjitur vetë vetes, ose ua kishin vënë të tjerët. Jetohej në një kohë kur kishte humbur identiteti i individit, i fisit, madje dhe i vetë qytetit. Një kohë pa emër, që deformohej vazhdimisht. Një qytet pa simbolet e veta. Një qytet me personalitete njerëzor të deformuar. Deformimi kishte arritur deri në skaje, deri tek njerëzit më të vafër, deri tek hamalli Ahmet, Fadili i papunë apo Qakua i Vjenos. Një qytet që artin dhe letërsinë i kishte zëvendësuar me pandehmat. Ato ishin i vetmi burim shpirtëror me të cilat ushqehej qyteti. Një figurë e realizuar në roman është dhe kronikani, Kiçi i Oshafeve. Ai është i paralizuar, por jo i huaj për qytetin. Ai rron me lëvizjet e njerëzve që i shikon nga dritarja e shtëpisë ku banon, por Monumenti Udhëheqësit e pengon për t`i parë disa pjesë të qytetit, të cilat mbeten të panjohura për të. Është i detyruar që disa pamje t`i shohë nën harkun që krijohet nga këmbët e gjata të statujës. Nën këtë hark e shikonin qytetin e tyre dhe banorë të tjerë. Statuja gjigante ia kishte ngushtuar frymëmarrjen dhe shikimin këtij qytetit. Kishte bërë që banorët e tij, në vend të një letërsie të vërtetë, të shkruanin pandehma. Statuja gjigante, nuk kishte të bënte vetëm me hapësirën që mbulonte dhe nuk i linte njerëzit të shihnin më tej, por me jetën apo vdekjen e tyre. Me rrëzimin e monumentit, shënohet dhe lindja e epokës së re demokratike.
Me këtë roman,  Bardhyl Londo tregon se është  një rrëfimtar i spikatur. Personazhe dhe ngjarje të skalitura me mjeshtëri përshkrojnë faqet e romanit. Aty është përditshmëria e jetës njerëzore. Pasi e ke lexuar, kupton dhe filozofinë e autorit që ka përcjellë në faqet e romanit: me diktaturat, të cilësdo periudhe historike qofshin, asnjëherë nuk duhet të jetosh i gjunjëzuar, por të përballesh me të gjersa ta mundësh e ta zhdukësh përfundimisht. Autori ka bërë personazhe kryesore të veprës së tij,  njerëzit e thjeshtë, tek të cilët beson se janë dhe forca lëvizëse që e shtyn drejt krahut pozitiv jetën njerëzore.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s