Mbi vëllimin poetik “Dashuria flet me zemrën e diellit / L’ amore parla dal cuore del sole ” të poetes Miradije Ramiqi / Nga Dr. Albana Alia

 

Mbi vëllimin poetik “Dashuria flet me zemrën e diellit / L’ amore parla dal cuore del sole”  të poetes Miradije Ramiqi

 

Albana Alia

Nga Dr. Albana Alia

 

Kuptimi i mirëfilltë i një poezie lidhet me vënien e strukturave të ndryshme në skenë nga vetë poeti për të realizuar një dramë gjuhësore, linguistic drama, që transmeton ndjenja e sensacione. Pikërisht për këtë, kritikja amerikane Helen Vendler shkuan: “The structures of a poem are the intellectual or logical shapes into which its thoughts are dynamically organized […] Perhaps the greatest pleasure given by poetry is the sense that dynamic structure and thought are so intimately connected that each gives coherence to the other. We sometimes express this by saying that the structure of the poem enacts (acts out, dramatizes) by way of a dynamic evolution of form what the poem says by way of assertion.” Poezia përdor një kod gjuhësor të veçantë. Procesi i dekodifikimit dhe i interpretimit nga ana e lexuesit përbën deri në një farë mase një përgjigje personale. Në vëllimin poetik të përzgjedhur “Dashuria flet me zemrën e diellit” Miradije Ramiqi projekton lidhjen mes dy arteve, letërsisë dhe arteve figurative, sipas idesë së Horacit në Ars poetica: ut pictura poesis (poezia është si pikturë). Ajo përdor një gjuhë ikonike që, nëpërmjet strukturës së veçantë të tekstit, arrin të krijojë imazhe progresive të ndërthurura, në rrafshin inventio që ofrohet nga poetët dhe realizohet nga piktorët, por edhe ekphrasis, përshkrim të një vepre arti në tekstin e saj poetik, pra një translacion të dyfishtë mes dy gjuhëve të përbëra prej elementësh të ndryshëm: forma, ngjyra, fjala.

 

Miradije Ramiqi

Miradije Ramiqi

 

Peizazhet, objektet materiale dhe vetë qenësia njerëzore, nëpërmjet vështrimit, do të reflektohen në brendësi të imagjinatës së poetes – piktore duke mundësuar një lloj rikrijimi të dyfishtë, të vargjeve dhe të imazhit në një shkallë të ngritur intelektuale të procesit mimesis, por edhe një njohje më të thellë të realitetit konkret e shpirtëror:

Ti nuk e njeh vetveten Ashtu si e ke në mua Peizazhi im i gjorë Sharro edhe më thellë Në kaltërsinë e syve të mi * Të ringjall Rinjohjen në ngjyrë Në pëlhurë i zë të gjitha ndodhitë e jetës

Dëshira, dashuria në rrafshin platonik dhe erotik, dëshpërimi, ëndërrimi, labirintet e shpirtit dhe mëkati, qoftë edhe për një natë të vetme, do të fiksohen në format e skalitura të statujës apo në ngjyrat e heshtura të pikturës që do të ruajnë sekretin e netëve me puhizë, erë lulesh apo sensualitet shtojzavallesh nën tingujt e muzikës së Vivaldit. Poeti lirik grek, Simonide, do të thoshte ”Piktura është një poezi e heshtur dhe poezia është një pikturë që flet”. Takimi mes tekstit figurativ dhe atij poetik do të mundësojë lojën e (ri)ndërtimit në anekdotën e Ciceronit ku dualizmi poete – piktore duhet të jetë në gjendje të krijojë një ndërlidhje harmonike mes çasteve e fragmenteve të bukurisë e të vërtetës. Poetja do të krijojë dhe modelojë vargjet duke arritur të paraqesë jo vetëm një imazh poetik:

Vazhdo udhëtimin nëpër varg aty ku ndizet e fiket qiriu në zemrën e pikturës kallen ngjyrat në pritje mbërthyer në nostalgji

por edhe tredimensionalitetin e skulpturës ta vizatova fytyrën dhe ta skalita buzëqeshjen. Në këtë mënyrë ajo shfaq një interes të veçantë për forcën shprehëse të imazheve, por edhe për lidhjen e tyre me fjalë e tinguj. Leonardo Da Vinci do të krahasonte pikturën me muzikën, ndërsa poezia do të gjente vend mes dy të parave, si sintezë e gjuhës ikonike dhe auditive. Të trija këto forma arti do të shtjelloheshin në hapësirë, harmoni e imagjinatë, mes konkretes e iluzjonit, mes përfaqësimit trupor e shprehjes shpirtërore, ngjyrave e fjalëve. Në dritëhije, pra në kontrastin mes dritës dhe hijes, shpaloset gradualisht bota e brendshme e poetes, ku pritja tashmë ka përfunduar megjithëse shenjat e të kaluarës do të vazhdojnë të mbeten të pashlyeshme:

shputat e këmbëve tua pellg vjeshte në rrugët e përgjethura me hapnin shtegun e panjohur në një çast magjie brenda pendimit të vonuar

Në vetmi të përbashkët të dashuruarit përjetojnë një mall, nostalgji e dashuri të largët në hapësirë, por të fiksuara në vargje, të përmbyllura në kornizën e artit. Qenësia e njeriut zhvillohet në sajë të ballafaqimit e të bashkimit të të kundërtave, prandaj dashuria dhe bukuria duhet të plotësohen me pikëllimin, dhimbjen dhe dëshpërimin. Ndërkohë zemrat e lënduara gjatë pritjes pa fund mundohen të gjejnë çelësin e shpëtimit të kësaj ndjenje të shtrenjtë. Për këtë arsye kupa e hidhur e mallit, elementi kryesor i një lloj riti dashurie e besnikërie, i cili i përket imagjinatës që projekton një përmasë të tretë në hapësirën psikike, tregon intimitet, një brendësi të lënduar, ku ngjyra si verë do të trasformohet në një simbol të jetës së fshehtë dhe do të fiksojë përgjithmonë pikëllimin mbi telajon e jetës në nivele të ndryshme të qenies.

 

mir

Dashuria flet me zemrën e diellit / L amore parla dal cuore del sole

 

Në kupën e hidhur të mallit U derdh ngjyra si verë

Vargje, forma, ngjyra e tinguj shoqërojnë udhëtimin e poetes që, në ipostazën e Vdekjes te figura e Sheherazades, Demetrës apo Penelopës, arrin të përcjellë mbretin/Uliksin e saj në bregun e jetës. Rruga për në zemër Është rrugë që shkon e nuk vjen Si lindja Si vdekja

Në rrjetën, labirintin, pëlhurën/thurimën e punuar në tezgjahun e saj të brendshëm, udhëtimi i tij utopik dhe rikthimi duke ndjekur fillin e jetës, do të bëhet paradigmë e realitetit të puthjeve të vyshkura në shi, të buzëqeshjes së varur, të përkëdheljeve që s’e njohin, të ftohtësisë.

Tash s’di A kam dalë nga vetvetja Apo jam mbyllur në të * shqetësimin e vazhdoj në pikturë me shpresën kryeneçe të takohemi një ditë

Pritja do të kthehet në lot që rrëshqet e bie në çanakun e Narçisit, miti i të cilit, sipas shumë filozofëve, interpretohet tashmë si pasqyrim në sipërfaqen e ujit të vetvetes që tradhton një lloj tendence idealizimi. Edhe te liqeni pa emër, qendër e imagjinatës së ethshme, do të përmbushet pritja e ndjeshme dhe hëna ofelike në versionin bachelardian, personifikim i trupit femëror dhe e vetëvrasjes shpirtërore, do të shkëlqejë dhe do të përhumbet në ujërat e mbytjes e të ringjalljes së dashurisë deri në vizionin sublim të pranverës së rilindur të Botticelli-t. Në ciklin dashuri, ndarje, pritje, dëshpërim e ringjallje të zjarrit të pritjes, ku hija, ëndrra nuk shkelet kurrë dhe ku të gjitha shqisat janë përfshirë në funksion të artit të fjalës, autorja arrin të qëndisë vargje me shi e buzëqeshje apo të skalisë një statujë ku, sic ndodh me Pigmalion-in, në një kontekst pagan onirik të përmbysur antropomorfizohet i dashuri, një statujë e përkryer nëpërmjet artit magjik. Struktura e këtij vëllimi ndërtohet kryesisht mbi bazën e një dialogu të vazhdueshëm, të drejtpërdrejtë ku notojmë në nuancat e ngjyrave të bekuara, apo të një lloj monologu dramatik të realizuar përmes kujtimeve të dashurisë, mes unit lirik dhe figurës së të dashurit që, i mbështjellë me tisin e natës, metamorfozohet në tingull, varg, në një pikturë të heshtur në brendësi të kornizës përmbyllëse të dashurisë, në një zog parajse, Olimpi (Zeusi në formën e mjellmës) apo totem të mallkuar, në një Mjeshtër iniziatik, në figura të ndryshme mitologjike që mishërojnë karakteristika të veçanta si: Uliksi hero, Narcizi vanitoz, Orfeu poet e muzikant, Argonauti, Kont Orgazi, deri te kalorësi i kaltër. Në këtë vëllim shqyrtohet sidomos tragjedia mitike e Orfeut dhe Euridikës, në një kontekst spekular ku ndërthuren subjekti i reflektuar dhe pasqyra që e reflekton apo e projekton në një version të dyfishtë të deformuar:

Portreti yt zgjohej nga ëndërrimi Përkëdhelte fytyrën në pasqyrë Me duar tona përqafuam bardhësinë

Në një situatë errësire e cegme polare, dëshpërimi e tragjedie shoqërore e personale, poetja reflektohet dhe riaktualizohet miti i Orfeut si poet e muzikant por, në këtë rast, me një vegël muzikore tipike shqiptare:

Të kërkova Orfe Me këngën e lahutës së lashtë Brenda errësirës që na mbuloi * Skenë teatri Luhet (p)lojë tragjike Zgjohem nga trishtimi i vonuar Thërras Orfeun të lozë Muzikën e tij magjepse Të thërrmojë në mua pikëllimin Shpirtin tim të ndruajtur Nga apokalipsa ta shpëtojë Në Prishtinë Skenë trishtimi Himn nate …

Vdekja dhe varrosja e Orfeut, sipas afreskut të Albrecht Dürer-it, do të frymëzojë perfeksionimin e artit në një ringjallje artistike, shkrirje të dy figurave në studion e poetes në një imazh të vetëm sublim.

Të varrosa Orfe Tri ditë pa vdekur Dhe qe, të krijova sërish Të përftoj në Studion time Me skalpelin-brushë

Dëshira e takimit midis objektit e subjektit lirik do të metamorfozohet në ëndrra, në hije, në tatuazh, në reflektim pasqyre apo në diçka amorfe që sfumon konturet e reales dhe shkrihet në një vizion sublim të fytyrës së vagët të të dashurit që humbet në mjegullën e syve, të syve të tij penetrues e shenjtërorë që veshin e zhveshin natën në pritjen e pafund të vjeshtës ku gjethet mbulojnë trupin femëror e sensual të tokës apo shtratin e shtruar me shi, ndërsa në një monolog të unit lirik vetmia ime/gërryen heshtjen brenda teje. Shpirti paraqet pikturën e heshtur shpirtit im pikturë e lagur të antropomorfizuar në vazhdimësi, që ndjek, dënes, merr forma, lëviz, pulson pareshtur. Dinamika e tij ndjek fluiditetin e dashurisë dhe format e saj të pafundme sensuale e monstruose, pozitive e shkatërruese në një kontekst realiteti e iluzioni, dhimbjeje e magjie. Në një përzierje ngjyrash e formash të pikturës surrealiste, në një konteks të transferimit të kuptimit e të çorientimit të shqisave ku ndërthuren Erosi e Thanatosi, arrihet të thyhet korniza/nga përkëdheljet e trupit e drithërimat që pëshpëritin, por edhe përjetohet sakrifica sublime, gozhdimi i vetë Krishtit. Poetja për një çast projekton vetveten në figurën e Safos, figurë letrare e shumë femërore, me një forcë tërheqëse të veçantë, por që përfundon në vetëvrasje për idealizim të një dashurie të paarritshme. Zjarri i pritjes do ta trasformojë në një Fenice që rilind prej hirit të vet falë dashurisë për jetën që triumfon. Mirëpo statuja antike zgjohet e hyn në shtratin e saj. Me dëshirën për të mbijetuar, autorja do të trasformohet në një krijuese demiurge që do të shpirtëzojë objektet e frymorët nëpërmjet magjisë së artit të fjalës apo majës së brushës e të skalpelit.

Fillova të skalis dorën e djathtë dhe syrin e majtë Ashtu i shëmtuar kërkova të flasësh pa gojë Dorën e drejtuar nga unë shikoje me një sy Rastësisht u shndërrove në çudi * Në majë gishtash ndalur Në pëlhurë t’i zë të gjitha ikjet Bukuria shndërrohet në pikturë Aty krijohet ëndrra e dhembjes

Vargjet e lira, që qëllimisht nuk respektojnë shenjat e pikësimit, shtjellohen në hapësirën mes dy vendeve: Kosovës dhe Parisit. Kosova, Prishtina, toka e saj e dhembshur ku gjakohen rrënjët, gjuha e Dom Mikel Tarabulluzit, vargjet e Azem Shkrelit që thyenin heshtjen, metaforat e Anton Pashkut, Oh-et e jetës, arti i fjalës së Beqir Musliut, zakonet e lashta, aty ku gratë e Hasit të Thatë:

Gatuajnë bukë mbrume Për ta bërë gjeografinë e kurbetit Në trajtën e burrave të tyre Që ua kujtojnë dashurinë Lindjen e fëmijët Që i zëvendësojnë hijet e etërve

Dardania shekullore është truall apokaliptik që vazhdon të frymojë në Kosovën e re, ndërsa arkeologjia gërmon në Ulpianën antike e në kalanë e Ulqinit për të zbuluar shenjat e një identiteti të lashtë të kësaj toke të përvuajtur ku u derdh shumë gjak e dhimbje:

ndër shekuj ta dërmuan trupit tënd lakmues e gjakun e derdhen si lumë po ti apokaliptike mbijetove ngadalë duke u rizbuluar me artefakte arkeologjike mbi qiellin e hapur

Nëpërmjet objekteve arkeologjike Rozafa do të kthejë unazën e artë të mbretërisë që ende pikon gjak nga sakrifica e ri(ndërtimit) të kësaj toke, por edhe të krijesës artistike, të vargjeve plot dhimbje të poetes që dyzohet te kjo figurë e dhimbshme mitike, apo të poeteve të tjera në Vushtrri që me vargun e tyre qëndisin historinë e përjetojnë legjendën e murimit pas dymijë vjetësh pikëllimi nëpër kështjellat ku kalëron hijerëndë mbretëresha e Mesdheut Teuta. Në imazhin surreal të Parisit, mes bukurisë së ftohtë të lumit Sena të përgjumur e katedrales Notre Dame, Odeon-it e harkut të Triumfit ku nostalgjia shitet me grosh dhe përhumbjes onirike nëpër degët e qytetit-labirint, kërkohet e zbulohet një vizion romantik e mistik ku :

Të përcjellin klosharët e magjepsur Në kuajt e bardhë të ëndrrave

Parisi, mes realitetit e utopisë, përbën një model paradigmatik, një projeksion dëshirash i mbështjellë me një tis onirik ku shkarkohet tensioni i plagëve ende të pambyllura personale e shoqërore. Në një strukturë surrealiste me temën e dashurisë në qendër poetja krijon me mjeshtëri një izomorfizëm figurash femërore (Safo, Sena e personifikuar, Euridika, Rozafa, Teuta, Penelopa) në kundërvënie e bashkëngjitje me ato mashkullore në të gjitha aspektet e qenësisë: sensualitet fizik e inteligjencë, viktimizëm e pushtet, pikëllim e dashuri, duke shtjelluar në vargjet që rrjedhin lirshëm një linguistic drama e një ndjeshmëri të veçantë artistike nëpërmjet të cilave dashuria buron prej zemrës së diellit.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s