Fabula nga Iliaz Bobaj
DY KUAJT
Një kalë ngarkese,
i tha kalit të pushtetit:
– Ty nuk të mungon gjë,
si kalit të mbretit,
ndaj je i fortë si dori.
Mua më bie bretku në punë
dhe prapë uria, uri.
– Koleg i dashur,
kot sa më thua,
kjo shpina ime,
e di se ç’vuan.
S’i njihke mirë,
njerëzit e pushtetit,
po ta hipën në shpinë,
nuk dinë të zbresin.
FJALA DHE LULJA
Një luleje me ngjyra të gjalla,
anës e anës,
fjalën ia bie fjala:
-Të bukura i ke ngjyrat edhe ti,
po tek fjala,
ngjyra arrin në përsosmëri.
Tha lulja:
-Mua ngjyrat,
m’i jep nëna natyrë,
se ajo ua njeh,
luleve sekretin,
ndërsa ty, moj fjalë,
gjithkush e di,
të ngjyros goja sipas qejfit.
MALI DHE PËRRENJTË
Thonë se malit nga përrenjtë,
nuk i prishet aspak puna.
Po e di ç’thotë mali vetë?
– Nga përrenjtë i kam rrudhat.
GOMARI I DEHUR
Gjeti të hapur fuçinë,
tek porta e një qilari,
verën e mori për ujë,
piu sa deshi gomari.
Dhe nisi nga marrëzitë,
duke pallur, duke u hedhur.
Qeshën kafshët me gjithë shpirt,
kur panë gomarin të dehur.
Midis kafshëve që qeshnin,
seriozisht foli një brumbull:
– Ky nuk mbahet kur është esëll,
jo tani që është bërë xurxull.