Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

CENSORI I KUQ ÇON LETRA ANONIME

Shkrova një tregim për ngjarje nga jeta, 
siç e kërkon arti, me emra ndryshuar.
Shpalosa për lexuesit disa të vërteta,
të ruajtura në kujtesë të dokumentuar.

Aty flitet për një ngjarje në fshat të thellë,
që më tregoi me vërtetësi një nënë plakë,
kur s’kishte në kasolle as bukë, as gjellë,
për të armatosurit, që i shkuan për darkë.

Më tregoi, kur kisha me vete magnetofon,
për muzeun që i duheshin fakte të sakta,
për të mos u bazuar, te fjalët në opinion,
ku lavdërohej partia, ndryshe nga plaka.

Ajo tha me bardhësi shpirti, të ndritur:
“Ata, or bir, kishin një fytyrë, të tërë
dhe më erdhën në mesnatë të uritur,
kur fliste pushka, po mos jepje të ngrënë.

Me emrat njësoj, quheshin veç “shoku”,
nuk dihej kush ishin dhe as ku shkonin.
Fshati qe larg kasolles tonë, te shtogu,
dhe s’kishim bukë hua, ku të kërkonim.

Njëri me shajakë, na dha florinj të verdhë,
për dhinë që kish parë, kur hynë te dera.
Djali pranoi, megjithëse s’desha ta ther,
se me ato para, do blinim dy dhi të tjera.

Të panjohurit hëngrën dhinë e ikën pa gdhirë,
kaq di unë, – tha plaka,- për atë natë mynxyre,
më vonë njerëzit shpifën, si u erdhi për mirë,
sikur ma bënë kasollen mal, me byrekët tyre…”

Tani kur zbulohen petët byrekut pa ngrënë,
shpifësit e privilegjeve me histori të rreme,
dëgjojnë të vërtetat, e pa lëvizur, gur nuk lënë,
që u mungojnë emrat fiksuar me thashetheme.

Një censor i kuq, që jetoi gjysmën e shekullit,
në poste partie, me lavdinë e “byrekut” të vet,
çon letra anonime, për botimin sipas rregullit,
në tregimin me personazhe artistik, në gazetë.

Ndonëse është e drejta, si autor për të shkruar,
duke ngritur në art, ngjarje me fakte historie,
mjafton emrat konkret dhe vende pa caktuar,
të ndriçoj të vërtetat, që koha dje, la në hije…

 

CA VEJUSHA NË SHISHTUFINË

Në Shishtufinë, në qytetin me të vdekur,
vajtojnë shamizeza me zëra të mekur.
Mes tyre ka gra, me përmallim vajtimi,
me buzë të fshira, pa shenja kuqëlimi.

Por janë ca vejusha, pa lot pranë varrit,
shtyjnë me freskore, vapën e beharit.
Ndanë kangjellave, me smalto të rjepur,
ca burra i presin me cigaret ndezur.

Burrat mbrehin plugjet në parmëndë,
vejushat presin të shkelin retë me këmbë.
Takimin me të vdekurit mezi e durojnë,
ekstazën e të gjallëve, ferrave të fillojnë…

Më pas në ferra, lënë gazetat dyshek,
copa plastmasi, prezervativa dhe brekë.
Ndërkohë shtëpitë dhe farefisi familjar,
presin nuse të ënjtura, me sy të përqarë…

S’besoj se ka, më të shëmtuar oreks,
pranë varrit, të bësh të poshtrin seks,
duke e përdhosur, ta kujtosh të ndjerin,
kur as qielli as toka, s’ta çmojnë nderin…

 

FTESË NGA BUZA E NJË DETI

Më fton një buzë deti, valëzuar me ëndrra,
në Jugun e largët, ku flenë kaltërsitë e mia.
Më fton të kridhem në ditët stinore me tënda,
ku ndjehem i përkëdhelur ëmbël nga vetmia.

Ku deti mjekërthinjur me pelerinën e kaltër,
nga kanë dalë në tokë, gjithë qeniet e gjalla,
më thërret si stërgjysh, që më ka nip me hatër,
të më shushuritë në vesh, të lashtat përralla.

Aty ku dielli i artë, ul kokën, për të pirë i etur,
pasi Jonin e ka bërë gotë me lëng portokalli,
ku pi dhe unë hallet e një jete të pjerdhur,
për vete dhe për këdo, që e ka si unë hallin.

Ku nga mëngjesi në mesnatë, jetoj i zhveshur,
si në muzgjet e largëta të parahistorisë,
kur s’kish lindur politika e sherrit të kërleshur,
dhe mendimet notonin në detin e qetësisë.

Ku mbulohem i tëri me gjethe palmash,
pasi ushqehem me tul guacash shkëmbore
dhe nuk skuqem, kur me gjinj zbuluar, vajzat,
më falin pa kokëçarje, ndonjë puthje diellore.

Më fton zanafilla ime, me joshje të largëta,
por më pengon, syri i Hënës së zbrazëtisë,
që përgjon pas reve dhe del nga mesnata,
më kujton portofolin bosh të pamundësisë…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s