Individi / Tregim nga Istref Haxhillari

Tregim nga Istref Haxhillari

 

Individi

Ca më parë e ca më vonë, tërë fshati hyri në kooperativë. Njerëzit me zor e përtypën këtë emër të huaj. U vriste veshin, shumë i gjatë, pastaj me dy “o” sikur nuk soste njëra. Vështirë e patën edhe me fjalë të tilla si asamble, brigadë, emulacion, që hynë bashkë me kooperativën, zunë rrënjë si ato shkorretet e dendura pranë kumbullave dhe arrave të fshatit. Skuadra dhe brigada në luftë domosdo hynin në punë, po tani dukeshin pa lezet, dalë boje.

Murat Kajaçkës as që i hynte në punë kooperativa me ata emrat e huaj të çuditshëm. Atij nuk i pëlqente dhe pikë. Nuk hyri me të tjerët, mbeti jashtë saj, individ. Fshati  e shikonte me habi këtë punë. Disa thoshin se e kishte rregulluar poshtë me ata të mëdhenjtë. Pati qenë partizan gjer në fund të luftës, madje jo dosido, po komandant skuadre.

Kur kujtonte atë kohë thoshte:

-Përzumë hasmin e huaj.

Vetëm kaq mund t’i nxirrje me zor. Më tej heshtte, sado ta ngacmoje. Nuk shkonte kurrë në takimet me nxënësit e shkollës, ku e thërrisnin si ish partizan. Shmangej ngadalë, butësisht me gënjeshtra bindëse. Njëherë mësuesja e djalit iu lut shumë dhe ai pranoi, megjithatë nuk vajti.

-Pata sëmurë lopën, – i tha të nesërmen.

Gojët e liga thoshin se qe bërë pishman për punën e kësaj kooperativës ardhur pas lufte, po ata kishin punën e tyre, s’i bëhej vonë nga fjalët e botës. Kurse për kooperativën ruante mendim të palëkundur.

-Është vullnetare, – arsyetonte, – të bëhet mirë hyn, s’të bëhet mirë nuk hyn. Mua nuk më bëhet mirë.

Kur i futeshin shumë me argumente të forta, shkonte ca më tej në kundërshtinë e vet.

-Nuk kam grua, më del ndonjë fjalë.

Jetonte me djalin e madh. Gruan e ndau tre vjet më parë. Ajo i mori  djalin tjetër më të vogël.

-Nuk qe grua për të qenë, – përgjigjej kur e pyesnin.

Po të pinte ndonjë gotë shtonte nëpër dhëmbë i mërzitur, me dy mendje.

-Pisanjose, as hundët nuk fshinte, shtëpia qelbej. E përse duhet një grua që nuk di të mbajë pastër shtëpinë?

Në fshat tregonin se gruaja e tij ishte zonjë, po ai… Eh, ku mbahej burrë një gërnjar si Murati. E kishin parë kur e rrihte. Herën e fundit e goditi aq shumë sa mbeti sakate. Krahun e  djathtë nuk e lëvizte lirisht, me zor e ngrinte gjer te mesi. Pas kësaj nuk bëhej fjalë për pastërti, s’ishte e zonja të lante e fshinte.

E përzuri. Gjyqi ia dha gruas të dy djemtë, ajo mbajti të voglin.

-Me këtë krah gjysmak nuk i ushqej dot dy gojë – i tha me lot në sy gjykatësit.

Dikur, nga fillimi i kooperativës, një komision propagande e thirri në zyrat e fshatit. Kryetari i komisionit lokal, shumë i ri për atë barrë hijerëndë, i kërkoi të bashkohej me të tjerët.

-Është direktivë, – u përpoq t’i mbushte mendjen.

-E di, – tha Murati dhe u mblodh nga ajo fjalë e huaj. – Pa shiko ç’u pjell mendja! Hej dreq, direktivë!

-Atëherë?

-Me baza vullnetare, – u përgjigj, – kush do hyn, kush nuk do s’hyn.

-Ti s’je më i mirë se të tjerët, – u krekos kryetari i komisionit lokal.

-Sigurisht,- tha Murati, – ka më të mirë, ka edhe më të këqij.

-Po bëhesh pengesë.

-Secili ka mendjen e vet.

-S’e ke mirë, – ngriti zërin i deleguari.

-I zoti e di ku i pikon çatia, – u përgjigj gjakftohtë.

-Unë të lidh, – u nxeh tjetri, ngaqë nuk dinte ç’të thoshte.

-Lidhmë, – tha Murati.

Kryetari i komisionit lokal urdhëroi policin t’i vinte prangat. Murati zgjati duart pa asnjë kundërshtim. Ashtu vajti në lokalitet ku ndodhej kryetari i komisionit të rrethit. Ky qe burrë i moshuar trupmadh, kockanjar nga ata autoritarët e rëndë, që të shtypin me peshën e tyre. Vinte në këtë detyrë nga lufta, pasi pati kryer me sukses të tjera më pak të rëndësishme nga kjo e krijimit të kooperativave bujqësore.

-Murat, po ti?

-Më lidhi ky shoku yt, – i tha pa e shikuar drejt.

-Përse kjo marrëzi!? – u habit kryetari i rrethit.

Në luftë e kishte pasur komandant Muratin, e njihte trim dhe të besës. Përreth u grumbulluan kureshtarët. Shikonin të habitur burrin me duar të lidhura, që nuk e prishte terezinë.

Situata u përkeqësua.

-Kundërshton të hyjë në kooperativë, – tha me krenari kryetari buzëqumësht i komisionit lokal.

-Hajvan! – e shau kryetari i rrethit, – lirojeni!

Polici u afrua ta zgjidhte, Murati nuk pranoi.

-Dua të shkoj kështu në Komitet.

-S’është nevoja, – u përpoq ta bindte kryetari i rrethit.

-Është, – tha Murat dhe ngriti zërin për herë të parë, – ikën ky, vjen një tjetër. Të mësohen, kooperativa është vullnetare, kush do hyn, kush s’do nuk hyn.

Kështu mbeti individ, nuk e ngau më njeri.

Kryetarin e komisionit lokal e shkarkuan dhe një vit më vonë e burgosën për shkelje me qëllim të parimit vullnetar në krijimin e kooperativave bujqësore.

Kur e thirrën dëshmitar, Murati e mbrojti.

-Mos i vini faj djalit, aq dinte, aq bëri.

Murat Kajaçka qe burrë i shkurtër e i fortë me supe të ngritura. Trupin e mbante drejt, qiri, kokën lart. Me sytë e mëdhenj pa ngjyrë vështronte përreth duke kthyer kryet siç bën kau futur në zgjedhë. Vështrimi i tij depërtonte deri në shpirt si turjelë. Flokët e zbërdhulur tamam kashtë elbi, nuk u thinjën, as i ranë si shumë të tjerëve në fshat. Xhaketën e vishte vetëm me mëngën e krahut të djathtë, të majtin e mbante zhveshur. Kapa e kadifesë, rrasur gjer përmbi sy, i jepte fytyrës së rrumbull pamje dinake e tallëse.

Të jepte përshtypjen e njeriut të qetë, të sigurt.

E veçanta e tij qenë buzët e trasha, pak të përveshura. Buza e poshtme, më e përveshur se e sipërmja, e tregonte buzagaz përherë, saqë nuk merrej vesh në qe i mërzitur apo i gëzuar. Vështirë të harrohej kollaj fytyra e tij stoike e padepërtueshme, që ia fshihte aq mrekullisht emocionet.

Shumë gjëra kishte parë në këtë jetë të turbullt Murati.

Një pjesë e njerëzve, sidomos të rinjtë, e shikonin vëngër. Ai nuk mërzitej, u fliste të gjithëve me dashuri. Shumica e donin. E donin dhe u vinte keq se ishte individ, pa grua, vuante shumë.

Ndonjëherë e këshillonin të hynte në kooperativë se do ta kishte më lehtë.

-E ç’do të bëjë kooperativa, më marton dot në këtë moshë? – bënte shaka dhe buza e poshtme i përvishej më shumë.

-Sidoqoftë, me shokë, – i thoshin.

-Me shokë, po qesja veç, – ua kthente.

E vështirë, gati e pamundur,  të haheshe me Muratin. Për çdo gjë e kishte përgjigjen në majë të gjuhës. Në fjalët e tij nuk gjeje asgjë kundër kooperativës.

Operativi i zonës dinte të krijonte situata të besueshme, ku patën rënë njerëz jo aq mendjelehtë, sidomos nga të prekurit. Murati e kishte këtë cen si individ. Operativi u mundua  t’i gjente ndonjë kleçkë.

-Rrëmujë kjo kooperativa, – i tha një ditë i mërzitur. Kërkonte mendim të pjekur për ndryshimin e gjendjes.

-Pse? – e pyeti Murati.

-Po ja s’e merr vesh i pari të dytin.

-Nuk e di, unë jam individ. Duhet të bisedosh me ata që janë në kooperativë.

-Ti e shikon si venë punët.

-Për sa e shikoj më duket në rregull, – i tha, – hynë me dëshirën e tyre, u bëhej mirë, ndryshe pse do të hynin?

Operativi e shikoi me dyshim. Mos tallej ky burrë qesharak me buzët e përveshura dhe kapën vendosur çapraz mbi kokë?

U largua i zymtë, pa thënë asnjë fjalë tjetër.

Murati donte të hynte në diskutime në prani të njerëzve përreth. Ata e dëgjonin të vëmendshëm, vinin buzën në gaz me argumentet e tij. Asnjë nuk ishte i zoti sa Murati. Filozofia e tij e thjeshtë përmblidhej në pak fjalë:

“Mos bjer kurrë në duart e të tjerëve, të jesh zot i vetes në çdo rrethanë”.

Të mbushte mendjen me të butë, nuk shante njeri, as mërzitej kurrë. Të deleguarit duronin sa duronin, pastaj shpërthenin dhe tërë propaganda e tyre thërrmohej. Të shumtët tërhiqeshin të mundur, bëheshin qesharakë në sy të njerëzve.

-Nuk e ke mirë, – i tha një ditë Hekurani të cilën e respektonte se qe i drejtë, pa hile.

-Është vullnetare, – ia ktheu, – kush do hyn, mua nuk më bëhet mirë.

-Lëri përçartjet, fol drejt, nuk je në mbledhje këtu, – u nxeh Hekurani.

Murati  vuri buzën në gaz. Ato fjalë i qenë bërë mburojë, i shpaloste vend e pa vend.

-E di si është puna Hekuran, mua nuk më pëlqen kooperativa jo vetëm për ata emrat e huaj të ngatërruar. Dua të shkoj në punë kur bëhet mirë e jo kur të më thonë të tjerët, purtekën s’e kam qejf, as urdhrat. Në luftë qe ndryshe. Pa ndërlidhje, pa u marrë vesh nuk shporrej armiku i huaj. Po tani përse?

Sikur u bë pishman ngaqë përmendi luftën. U mendua një copë herë pastaj vazhdoi.

-E di që nuk më nxjerr fjalë.

Hekurani e shikoi me bezdi e inat.

-E de, se thashë nuk të rashë, – ia ktheu Murati. – Pa më thuaj si je me ekonominë tënde ti?

-Njëfarësoj, – u përgjigj Hekurani, – ka më keq.

-Këtë dimër u kam dhënë bereqet disave.

-Epo, punon vetë, merr vetë.

-Aty ta kam.

-Mirë o mirë po nuk i bihet murit me kokë, – i tha Hekurani butë, njerëzisht dhe e shikoi drejt në sy.

Ai qeshi përsëri, buza e përveshur iu mbush me pështymë. Sytë dinakë e përshkuan tejpërtej Hekuranin babaxhan.

-E di atë historinë e dhenve ti?

-Ku e ke fjalën?

Tregoi historinë, që nuk dihej në e shpiku vetë apo e pati dëgjuar.

-Tre barinj mbanin nga një tufë dhen. Vuanin shumë, po puna u ecte. Gjë e gjallë shtohej, bulmeti po ashtu. Njërit i vajti mendja të bashkonin tufat, të punonin së toku dhe të ndanin prodhimin barabar mes tyre.

Ngriti kokën e vështroi në dritën e syve.

-Si puna e kësaj kooperativës, – nënqeshi me djallëzi.

Hekurani u vrenjt i dokëndisur.

-Të tjerët e gjetën me mend kërkesën dhe u bashkuan, – vazhdoi në të tijën. –  Kaloi vetëm ndonjë vit e pak, hyri hilja në mes. Ai që kishte radhën i çonte afër, nuk e kërkonte kullotën.

“I shpije tjetri nesër”, – thoshte me vete.

Njëlloj shpresonin edhe shokët e tij. Zuri të bjerë prodhimi, të firohet bagëtia, shkurt rrokullimë. E panë, nuk ishte gjë ajo punë dhe mallkuan.

“Gjënë e bashkët e dhjeftë qeni”.

Ndanë ato që u mbetën. U desh kohë e gjatë të arrinin derexhenë e mëparshme, të rregullonin atë që prishën me duart e veta.

Hekurani tundi kokën i menduar.

-Gjëra me zarar, – tha dhe iku në punën e vet.

Njerëzit e shihnin Muratin si të prapambetur. E quanin konservator, të mykur me mbeturina te vjetra patriarkale. Fjala “individ” lëshohej me përbuzje si të thoshin kurvar apo hajdut. Ai bënte sikur s’kuptonte. Më shumë e dokëndisnin fjalët e huaja të gjata si fshikull shkoze me noga.

Ta shanin vendçe do të qe më mirë.

Të gjithë shkonin tok në punë sapo binte çanga, bënin shaka, mbanin nëpër gojë njëri-tjetrin. Fillonin punë me urdhër, pushonin me urdhër, e ndërprisnin po ashtu. Murati përgatitej me nge i vetëm me bagëtitë dhe djalin e vogël.

Edhe ai bënte shaka me të birin, qetë, kalin sipas mënyrës së tij.

-Si thua, ne e kemi mirë apo ata? – pyeste djalin.

-Nuk e di, shokët më thonë” individ”, – ia kthente vogëlushi.

-Pse nuk u thua kanë lopë e bagëti ata?

-U kam thënë.

-E?

-I mbajmë stallave thonë, jo në shtëpi.

-Stallat i ka kooperativa.

Djali ngrinte supet.

-Duro, do ta shikosh ne jemi më mirë se ata, – e mbyllte i ati.

Kooperativa filloi të mos i pëlqente edhe për mbledhjet e shpeshta, çangën që binte tri herë në ditë, urdhrat poshtë e lart.

Më shumë nga të gjitha nuk e donte për fukarallëkun e njerëzve.

-Nga do të punosh nesër? – e pyeti një mbrëmje Hekuranin.

-Ku të na thotë Konia, – u përgjigj ai pa i rënë hiles.

Kone i thoshin Ferikut, brigadierit, që e kishte zërin e fortë e të hollë si prej gruaje,  thërriste tërë ditën. Nga larg dëgjohej si e lehur.

-Feriku s’ka pasur tokë e gjë të gjallë ndonjëherë, ku e di radhën e punës?

-E po, brigadier hesapi, – u vrenjt Hekurani dhe ndjeu sikur iu derdh në shpirt një trishtim i ëmbël i sinqertë.

Tjetri  u zgërdhi, buza e poshtme iu përvesh.

-Ju të kooperativës nuk duhet të mërziteni, – i tha, – ndryshe puna ime, jam individ.

-Mjaft, – i tha Hekurani, – kooperativa është poshtërsi, janë bërë njerëzit të flasin me vete. Kujt i shkoi mendja për këtë budallallëk?

I pati vajtur në majë të hundës. Të gjitha i duroi, fukarallëkun jo. Në djall të vinte, më keq se aq!…

Nuk fliste me njeri, vetëm në shtëpi thërriste, nxirrte dufin me të shoqen, Selvikon. Ajo, e frikësuar, i fliste ngaherë.

-Mjaft o derëzi, do të na marrësh në qafë.

Tani nuk duroi, iu hap Muratit.

-Paske qenë i mençur, – i tha.

-Ç ’thua, përse?

-Epo ja de nuk hyre në kooperativë.

-Me zor nuk të futën, – ia ktheu, – deshe vetë pa hyre. Mua nuk m ’u bë mirë.

-Tani s’dal dot se, – i tha Hekurani dhe qeshi për herë të parë me fjalët e përçarta të individit Murat Kajaçka.

 

Pogradec,

E premte, 20 gusht 2010.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s