“Masa dhe pushteti” Vepër sociologjiko-filozofike (Në dy vëllime) – ELIAS KANETI – *Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

ELIAS KANETI – *Laureat i Çmimit Nobel

“Masa dhe pushteti”
Vepër sociologjiko-filozofike
(Në dy vëllime)

Përpjekjet për t’i njohur kombet me rrënjë e me degë kanë vuajtur në më të shumtën e rasteve prej një të mete thelbësore. Kërkohej një përkufizim i kombit në përgjithësi; thuhej se komb është ky ose komb është ai. Njerëzit jetonin me bindjen se e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte të gjendej përkufizimi i drejtë. Mjafton të ekzistonte një përkufizim, se pastaj mund të përdorej njësoj për të gjitha kombet. Për këtë qëllim shfrytëzoheshin gjuha ose territori, letërsia e shkruar, historia, qeveria, e ashtuquajtura ndjenjë kombëtare, dhe gjithmonë përjashtimet qenë më të rëndësishme se vetë rregulla. Përherë dilte se kishe kapur diçka të gjallë pas një kindi të lirshëm të ndonjë petku rastësor, por ajo diçka rrëshqiste lehtë, dhe kështu mbeteshe duarbosh.

Përveç kësaj metode, që dukej si objektive, kishte edhe një metodë tjetër, e cila qe naive dhe interesohej vetëm për një komb, domethënë për kombin vetjak, kurse gjithë kombet e tjera as që i përfillte fare. Ajo ushqehej nga një pretendim i patundur epërsie, nga vegime profetike për madhështinë e tij, nga një përzierje e veçantë pretendimesh morale dhe kafshërore. Por s’duhet besuar që tërë këto ideologji kombëtare ngjajnë edhe në të vërtetë me njëra-tjetrën. Vetëm orekset dhe pretendimet bezdisëse bëjnë që të ngjajnë mes tyre. Mbase duan të gjitha të njëjtën gjë, por nuk janë e njëjta gjë. Ato kërkojnë zgjerim dhe e argumentojnë këtë me shumimin. Duket sikur e tërë bota i është premtuar solemnisht secilës prej tyre, dhe sikur është e natyrshme që e tërë bota t’i takojë secilës nga ato. Tërë të tjerat që i dëgjojnë këto pretendime ndihen të kërcënuara dhe në frikën e vet shohin vetëm kërcënimin.

Dhe kësisoj nuk vihet re se përmbajtjet konkrete, ideologjitë e mirëfillta të këtyre formave të pretendimeve kombëtare, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Duhet marrë mundimi të përcaktohet elementi karakteristik në rastin e çdo kombi, por pa i pranuar lakmitë e tij. Duhet të qëndrosh mënjanë, të mos varesh nga asnjë prej tyre, por ndërkaq të jesh i prirur për mirë e të interesohesh seriozisht për secilin. Duhet që mendërisht t’i kushtohesh njërit syresh në mënyrë të tillë sikur të ishe i dënuar t’i përkisje me të vërtetë për një pjesë të mirë të jetës sate. Por asnjë kombi s’duhet t’i përkasësh në mënyrë të tillë që të jesh nën pushtetin e tij në kurriz të të gjitha kombeve të tjera.

(Elias Canetti: “Masa dhe pushteti”, 
Titulli i origjinalit: “Masse und Macht”. 
Vepër sociologjiko-filozofike. 
Në dy vëllime, 720 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s