Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

I NDARË NË PJESË

Vjen një kohë që ndihem mangët,
Ata që ikën nën dhè, morën pjesë.
Pjesë të tjera, m’i morën të gjallët,
Ndërsa endem, thjesht si mungesë.

Ndërsa kthyer, në gjysmë heshtje,
Them:-E kot të flas me të vdekur!
A për pjesët që më morën me vete,
Më mirë pyes për pjesën e mbetur.

Ndoshta jam i gjallë edhe në copa,
A ndoshta më flisni, si të jem i tëri.
Ndoshta me mua, u shtohet lodhja,
E pastaj më shani, sa ju meket zëri.

Ndoshta emrin tim, se kujtoni më,
S’kujtoni faktin, se kishit të gjallin.
Mos ngrini supet, nëse pyes për të,
Po më tregoni, ku ma bëtë varrin?!

 

FLAS PËR VETEN

Shpesh kur iki nëpër darka e pritje,
Ku ndrijnë gotat, shandanët, gratë.
E lë vetëm nënën, ulur në karrige,
Si tufë reshë me një kollë të thatë.

Sa herë unë iki larg, në ca dashuri,
Që kockën po ma bëjnë të mishtë.
Druhem se një imazh, thuajse gri,
Mes dekolteve do ishte aq i trishtë.

E ndërsa e kthej dhe ndonjë gotë,
Poet bëhem, a ndoshta dhe murg.
Një varg të vjetër, përtyp si idiot:
-Më mirë të kish lindur një trung.

Sonte po ndihem, mbytur në malle,
A lot që aty brenda askush s’i njeh.
Të tjerët, më keq harbojnë në valle,
Gotat trokasin:- Po qan se u deh!

As nuk u deha, as pija u bë shtysë,
Kam një tjetër shkak të jem me faj.
Që tavolinën se kthej dot përmbys,
Deri sa s’shoh nënën në krye të saj.

 

DRUHEM

Druhem se ca sherre, do i lë në mes,
Ndoshta një kohë tjetër, duke pritur.
Po nëse rri e pres,çastin kur do vdes,
Kur të vijë vdekja, unë do kem ikur.

Druhem se kam plotë gjëra të tjera,
E mbase s’ them, asnjë gjysmë zëri.
Po nëse unë pres, vdekjen tek dera,
Do të jem i kthyer në heshtje, i tëri.

Druhem se s’kam as besim tek vetja,
T’ua përplas në fytyrë, e të iki tutje.
Po nëse pres ditën kur të vijë vdekja,
Do jeni ju, që do më ngrini mbi supe.

E mbi supet tuaj, s’ju mbaj më inat,
Më mirë që s’fola, ja si vijnë punët.
Kur të më lëmoni brinjët me lopatë,
Do të shkelni syrin, se më mundët!

E pastaj në tavolinë, të ulur përball,
Ju do më kafshoni kujtimet të gjitha.
Nëse nuk më mundët, kur isha gjallë,
Thua se do më mundni, tani që ika!?

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s