VARRI NË GROPËN E SHTYLLËS SË TELEFONIT
(Poetit Havzi Nela në 30 vjetorin e varjes në litar)
Në cilën nga diktaturat në botë,
është varrosur poeti në një gropë,
ku është hequr një shtyllë telefoni,
pasi i dënuar, u var me litar nejloni?…
Kjo ka ndodhur vetëm në Kukës,
nga xhelatët e kuq të Partisë së Punës,
që varrosën poetin pa arkën qivur,
duke i vënë përsipër disa gurë;
Tmerre të tilla s’ka parë njerëzimi,
të varet në litar poet, si Havzi trimi,
vetëm se himnizonte fjalën e lirë,
në një vend gjakpirësish, vampirë.
Ku zhapinj policie me automatik ngjeshur,
dhe zhaba pushtetarësh të ngërdheshur,
trembeshin llahtarshëm nga vargjet si drita,
që tregonin të vërtetën burgosur nga frika.
Por mësuesi, poeti, martiri Hafzi Nela,
jehon sot prapë furishëm nëpër tela
dhe ashtu i varrosur në këmbë si shtyllë,
deklamon në mikrofon, direkt te një yll;
Të dëgjojë globi nga lindja në Perëndim,
se këtu ende s’dëgjohet asnjë pendim
dhe s’kërkojnë falje ata që i bënë gropën,
por krenohen duke aspiruar për Evropën…
Poezi nga Vullnet Mato