Vetëvrasja / Tregim nga Teuta Kodra Keli

Tregim nga Teuta Kodra Keli

 

Vetëvrasja

Në rrugët e qytetit një qen u vetvra. Sapo e morën vesh, të gjithë rendën për ta parë nga afër këtë marrëzi.

Kohët e fundit, në këtë vend fliteshe shpesh për vetvrasje. Kjo ishte bërë diçka e zakonshme dhe shikohej si një nga mënyrat normale të largimit të dikujt nga jeta. Mjaftonte që për dikë jeta të mos paraqiste ndonjë motiv interesant, dhe ai e rregullonte vetë veten, ashtu si donte.

Shumë debate kishte pasur për këtë fenomen të ri. Njerëzit ndanin me njeri-tjetrin mendimet e tyre të kundërta, dhe thua sikur të flitej për specie jashtëtokësore, dilnin në përfundime me parrulla fikse: kjo duhet dhe kjo nuk duhet.

Për atë pjesë, që quhej rëndomtë pjesa udhëheqëse e shoqërisë, fillimisht ky fenoment nuk ishte shqetësues. Kishte mjaft rrugë, të cilat duheshin arnuar, lumenjtë kishin filluar që të mos u pëlqente më shtrati i tyre, dhe ashtu vjedhurazi shkonin dhe futeshin nëpër shtretërit e qyteteve.

Nëse dikujt, nuk i pëlqente më të jetonte, lë të mos jetonte. Problemi qendronte tek ata njerëz që donin të jetonin dhe nuk kishin mundësinë se si. Ja, për këtë pjesë njerëzish merakosej paria e vendit.

Në disa deklarata që ata kishin dhënë për pjesën pritëse të shoqërisë, fenomeni i vetvrasjes ishte komentuar si liri e plotë e të drejtave të njeriut. U mendua gjatë që këtë të drejtë, ta vendosnin edhe në Kushtetutë, tek pjesa e të drejtave themelore të njeriut, por pala opozitare e qeverisë, e cila enkas sajonte konflikte, kishte kërkuar referendum për këtë gjë. Vendi po jetonte kohë të vështira, dhe nuk ishte aspak momenti i duhur për të luajtur më lojë ndjenjash, prandaj çështja e referendumit, u la mënjanë, dhe nëse ky fenomen do vazhdonte të lulëzonte, ashtu le të bëhej. Së paku ky ishte fenomeni më i vogël kriminal,  që po jetonte vendi, krahasuar me gjithë të tjerat që gjallonin.

Aq e rëndomtë ishte kjo gjë kohët e fundit, sa në shkakun e vdekjes, mjeku ligjor shkruante: “si të gjithë”.

Sot ishte thyer normaliteti, në rrugë, në mënyrë të bujshme, ishte vetvrarë një qen. E gjithë kjo kishte ndodhur në një prej kryqëzimeve kryesore të qytetit, në të cilën qeni kishte bërë ritin.

Kishte ndodhur ajo që të gjithë druheshin, se mund të ndodhte. Fenomeni i vetvrasjes ishte transmetuar edhe tek kafshët.

Përfaqësuesit e shtetit dhe të njëqind feve, që ndodhen këtu pa arsye, vrapuan për tek vendi i ngjarjes. Për këtë rast nuk u pranua asnjë televizion, asnjë xhirim nuk duhej të bëhej publik. Lajmi nuk duhej të dilte përtej vendit. Nuk duhet ta dinte njeri, se çfarë u behej kafshëve këtu.

Kjo çështje u analizua gjatë, shumë punonjës social, psiokolog dhanë mendimin e tyre, rreth asaj çfarë kishte ndodhur. Kudo dëgjoje biografinë e tij, e cila pak a shumë përmblidhej kështu: Ky qen ishte një qen i zakonshëm, me një histori familjare relativisht të qetë. Vërtetë që ishte braktisur disa herë, kur ishte i vogël, por fundja qen ishte, e kishte kaluar shpejt këtë fazë, sepse ishte birësuar nga një familje tjetër qensh. Më tej, sipas disa dëshmive, ai ishte birësuar nga një familje njerëzish, me emër të mirë në qytet. Për arsye të pakuptueshme, qeni këtë birësim nuk e kishte pritur mirë dhe aty kishte shfaqur shenjat e parat të depresionit. I zoti i tij, ai që e kishte birësuar, para pak kohësh ishte vetvrarë, por në qetësi, pa zhurmë, ashtu sikurse bënin të gjithë. Dukej, se qenit nuk i bëri aspak përshtypje kjo gjë, kishte vazhduar rutinën e jetës së vet, po njëlloj, thua sikur në atë shtëpi të mos mungonte dikush. Deri këtu, analiza e të gjithëve shkonte mirë: kishin mendime, argumenta dhe fjalë justifikuese për atë çfarë kishte ndodhur.

Por, më tej çfarë kishte ndodhur? Si ka mundësi që një qen të vetëvritet?! Nëse ky do ishte një rast i vetëm, i izoluar, nuk do të ishte aspak problem, por dihej se në këtë vend nuk njiheshin raste të vetme, nëse çmenduria hidhte farën, ajo lulëzonte dhe jetonte aty përjetë.

-Duhet marrë vendimi, çfarë duhet të bëjmë me kafshët e gjora? Duhet marrë një vendim sa më shpejt, i thoshte këshilltari i shtetit të parit të vendit. Frika ekziston nëse ky lajm përçohet nëpër botë, sepse do na duhet që të presim një masë të madhe turistësh dhe ti e di që ne këtë nuk e përballojmë dot, jemi një vend mjaft i vogël.

Të gjithë rrinin në pritje, prisnin me ankth se si do zgjidhej ky problem. Fundja kjo ishte një sprovë e madhe për pjesën udhëheqëse, me këtë do tregonin se sa mirë dinin të zgjidhnin probleme kaq madhore.

-E di zgjidhjen, foli i pari i vendit. Të ndalojmë njerëzit që të rrinë me kafshët, me qellim që të mos infektojnë vetvrasjen!

-Nuk është më mirë, që të ndalojmë kafshët që të rrinë më njerëzit? Kafshët i bindim më lehtë, i tha këshilltari i shtetit, eprorit të vet.

-Ashtu bëjeni! u përgjigj tjetri. Për mua pak rëndësi ka, mjafton të mos dëgjoj më të ndodhin gjëra të tilla.

-Po, sikur kjo të kërkojë referendum, si do t’ia bëjmë? pyeti këshilltari

-Referendum do të bëjmë, tha tjetri, por këtë herë referendum për kafshët, se mjaft votuan njerëzit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s