DËSHMORËT E FJALËS JANË FATI I LIRISË / Nga: Petrit Ruka

DËSHMORËT E FJALËS JANË FATI I LIRISË

Sa do e çuditshme që të duket e sado e dhimbshme të jetë, do të ishte një anomali e pashpjegueshme, që kombit shqiptar t’i mungonte qoftë edhe një poet i vrarë prej shtetit në shekullin që sapo lamë pas. Kjo do të ishte për të vënë kujën dhe jo e kundërta. Sepse historia jonë do të nxinte me një vrimë bosh kozmike, po të mos të kish asnjë betejë të fjalës me shtetin. E për pasojë dhe dëshmorët e kësaj lufte. Është njësoj sikur liria të mungonte si një ndjenjë krejt e panjohur tek një popull i tërë dhe kjo mynxyrë, për fat, nuk u ka ndodhur kurrë shqiptarëve. Përkundrazi, është ajo me të cilën ne mund të krenohemi se këtë luftë e kemi zhvilluar mbase më shumë se sa fqinjët e tjerë dhe e kemi fituar. Me disa vdekje radhë, duke e filluar me atë të Trifon Xhagjikës në Tepelenë e për ta vazhduar me më të fundit, me Havzi Nelën në Kukës.
Midis tyre ka poetë të tjerë të burgosur e të vrarë, që ia rrisin lavdinë betejës së fjalës së lirë me shtetin. Me shtetin apo shtetet, që gjithmonë armikun e tyre më
të tmerrshëm kanë këngën e njeriut për liri.
Në pamundësi për të asgjësuar tërë lirinë që është e pafundme dhe e gjithëgjendshme tek çdo nënshtetas i gjallë, shteti dhe shtetet godasin dhe mbysin pa iu dridhur qerpiku poetët, farën e rrallë dhe më të mirë që mbin shenjtërisht brenda një kombi, marrin e shuajnë pikërisht atë frymë që është më e rrezikshmja, rrëzojnë tempujt që të mos ketë shenja për rrugë dhe vende për t’u falur.
E dinë që frymën dhe fjalën nuk e shpon plumbi dhe se lidh dot litari, por të dyja palët janë të dënuar që ta kryejnë këtë luftë për jetë a vdekje. Është një destin i lirisë, një lloj ADN e pandryshueshme e saj.
Kështu ka qenë e kështu do të jetë. Shqipëria nuk ka si të bëj përjashtim nga ky rregull jete. Dhe duhet të ndjehemi me fat në vend që të trishtohemi.
Është i vetmi rast i rrallë kur të rënët e kësaj lufte janë të mezi pritur njësoj si liria dhe ata janë shkallët e saj ku ajo ngjitet.
Detyra jonë, e tërë të tjerëve që fati nuk i shënoj për të tillë, është t’u përulemi e t’i nderojmë, t’u vëmë shenja kundra harresës e t’ua shpërndajmë
hirin dhe magjinë që zotëronin në sa më shumë kopje shpirtrash njerëzorë.
Ta rrethojmë shtetin me sa më shumë tempuj të tillë lirie e nderimi. Që pushtetarët të pengohen në sa më shumë prej këtyre shenjave, t’u ngatërrohen
këmbët e mendja në sa më shumë projektorë të tillë drite, t’u kujtohen sa më
shpesh humbjet në dyluftimet me ta dhe së fundi t’i detyrojmë turpërisht që të nënshkruajnë po vetë lejet e monumenteve të ngritura për ata.
Liria për fat të keq përparon milimetër pas milimetri se e ka rrugën të vështirë dhe të gjatë. Trifon Xhagjika e Havzi Nela për atë luftuan, për milimetrin e tyre të lirisë.
Por me nderimin ndaj tyre ndodh ndryshe. Sepse marrin pjesë qindra mijëra njerëz në të. Dhe vetëm me një frymëmarrje të tyre mund të bësh një
qiell të tërë dashurie e tua vendosësh si kurorë mbi kokë poetëve martirë.
Ne jemi me fat që Trifoni, Genci, Vilsoni, Havziu na i dhanë këtë luks jete. Mund të kishim ikur nga kjo jetë pa këtë mundësi, pa e provuar një nderim
kaq sublim si ky ndaj fjalës.
Si mund të kenë më ata ftohtë me tërë këtë frymë dhembshurie rreth tyre?
Apo jo Trifon?
A ke më ftohtë Havzi?!

Tiranë, 19 korrik 2018

 

Nga: Petrit Ruka

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s