Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

KËNGA E MALLIT MËRGIMITAR

Mora rrugët anëve të anës, 
lashë prapa dashurinë,
o, lashë sytë e Perihanës,
duke pritur në lëndinë…

Kur u ndamë pranë katundit,
me lot e me psherëtimë,
Perihana tha fjalën e fundit,
do më priste, gjer në kthim…

Shkova në Greqi nga halli,
punoj me zezakë Kashmiri,
O, vdiqa më ka marrë malli,
t’i shoh Perihanës syrin!…

Në Itali në punë hamalli,
lodhem gjersa perëndon ylli,
O, vdiqa më ka marrë malli,
t’i shoh Perihanës syrin!…

Në Gjermani më çoi djalli,
këtu zanatit s’ia gjej fillin,
O, vdiqa më ka marrë malli,
t’i shoh Perihanës syrin!…

Mezi pres të kthehem prapë,
te shtëpia ndanë pyllit,
të çmallem me nën’ e babë,
t’i shoh Perihanës syrin!…

Të ngre shtëpizën ëndërr,
me oborr, pullaz e puse,
të bëhem së fundi dhëndër,
të shoh Perihanën nuse!…

 

PIRAMIDA E KUJTESËS

Jam faraon i kohës moderne, të antropogjenezës,
quhem Vullnet Remzi Mato, i pesëqindeshtatë.
Por emri im i vërtetë është, Vunemato Ramsisi,
pasardhës i Ramsisit të 5-të, të dinastisë Uzerkaf.

Ngrita piramidën time, me labirintet e kujtesës,
për dekada përjetimesh, qysh nga fëmijëria.
Në hemisferën e trurit, Sahara e mos-harresës,
ruan të gjitha ngjarjet dhe bëmat e mia.

Kjo piramidë ruan impresione kohësh të largëta,
kur ekuinokset më kanë ndriçuar fort energjinë,
ruan informacione, sa gjithë piramidat e lashta,
ndonëse, sa një kokërr arrë në tru, ka madhësinë.

Për ngritjen e kësaj strukture vigane, të fshehur,
nga sytë e ndonjë spiuni keqbërës e përgojues,
punuan miliona skllevër neokorteksi të zgjedhur,
prej neuroneve skllave, të specialitetit kultivues.

Duke i ushqyer me enë gjaku, direkt nga zemra,
ata më fiksuan përvojën, për të rimuar vargjet
dhe fjalorin e personazheve, në prozat me emra,
nga krahinat e ndryshme, ku kam vjelur ngjarjet.

Përveç fakteve hedhur, në dosjet me anale,
gjeneruar nga vetëdija, për disa pasione jete,
ruhen sarkofagët, me mumie dashurish ilegale,
balsamosur nga mjeshtër mumifikimesh sekrete.

Si çdo i ekspozuar, në vëmendjen femërore,
kam pasur edhe unë dy-tre Nefertitet e mia,
që s’duhet t’i dijë opinioni i kureshtjes rrethore,
sidomos gruaja, e qetësuar tashmë nga xhelozia.

Nuk jam personalitet i shquar, në dijet njerëzore,
kështuqë, piramida ime, nuk hapet, fatmirësisht,
për të zbuluar të fshehtat, e labirinteve trunore,
si në trurin e Ajnshtajnit, të kontrolluar imtësisht.

Vetëm pas shumë shekujve, arkeologjia kozmike,
mund të deshifrojë për stërnipat, imazhe të kokës,
por ata do thonë, s’na duhen këto mendime relikte,
kur ky njeri, ka qenë shumë vite drite, prapa botës…

 

PSE KAQ SHUMË ANTITEZA

Pse ku janë për t’u bërë shumë punë,
shteti ka shumë të varfër e të papunë?

Pse ku ka bakër, krom, hekurnikel,
ka më shumë parazitë dhe dembelë?

Pse ku ka shumë intelektual të shquar,
drejtojnë servilë dhe të pashkolluar?

Pse ku duhen njerëz me botëkuptim të ri,
kuadrot e kohës së shkuar, marrin fuqi?

Pse ku ekonomia, ka rreshqitur në batak,
të korruptuari vjedhin çdo qindarkë?…

Pse ku ka nevojë për drejtësi njerëzore,
juristët bëjnë çdo padrejtësi shoqërore?

Pse ku për nderin e femrës kriste pushka,
dalin jashtë shtetit më shumë prostituta?

Pse ku talentet lindin, si yje të dritës,
qeveritë sillen mizorisht me artistët?

Pse ku ka dy dete nuk pushojnë pensionistë,
po rrogat e larta dhe pensionistët turistë?…

Pse ku njeriu ka tapi me pronë të trashëguar,
ka mbetur prej vitesh lypsar me letra në duar?…

Pse jetojmë me kaq shumë antiteza,
me fare pak të bardha e shumë të zeza?…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s