Kalendari poetik: Ángel Guinda 1948 / Përgatiti materilain Maksim Rakipaj

Posted on August 27, 2018

0


Ángel GUINDA

Kalendari poetik: Ángel Guinda 1948

Sot, më 26 gusht, mbush 70 vjeç Ángel Guinda, poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes spanjoll. Ja njëri prej shqipërimeve që kam prej tij:

AUTOBIOGRAFI

Beftas, për jetën time më pyet:
ç’të të them, qysh të përgjigjem?
Çka di për jetën time e fshin ajo çka nuk di;
fjalët s’mjaftojnë, kujtimet bëhen lëmsh.
Jeta ime është ajo ç’kam bërë,
kam prishur, kam lënë pa bërë.

Në do të dish për jetën time, për vdekjen mendo,
mendo për vete, që je gjallë dhe që do të jetosh pas meje.
Nuk di në do të kem kohë,
të jetoj çka nuk kam jetuar, të vras çka jetova,
vdekjen ta jetoj para se të vdes.
Jeta ime mëson nga të tjera jetë,
të mëparshmet, që u shërbej
si pasardhës besnik dhe tek unë mbijetojnë
-kam sy veç për të parë çka nuk shoh.

Natë është jeta ime, me dritën nuk përshtatet,
yll i arratisur i humbur në tokë;
fjala është, që ende s’më ka gjetur,
kumt i fshehtë që nuk do ta zbërthej.
Edhe pse jeta ime e vërtetë ndoshta, kuptimin do t’ia gjejë.

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Posted in: AUTORE