Poezi nga Miranda Shehu Xhilaga

Poezi nga Miranda Shehu Xhilaga

 

LIMBO

Ti do që unë të vdes.
Nuk është një shpresë morbide,
një trill për të vrarë,
një mendim kriminal.
Ti do që të vdes,
që ti të mund të psherëtish lehtë
e të thuash: ah, kaq e pati e mira ime,
dashuria, kaq e pat..
Ti do që unë të vdes
sepse të vdekurit i mendojmë idealë
ndërsa jetojmë të gazitur rilindjen
me dikë tjetër në krah.
Ti do që unë të vdes,
që të mos më qëndrosh më kurrë përballë,
i vetmi shans për të dëgjuar pëshpëritjen time
përpara një varri simetrik sajuar me një
gur të çmuar, të bardhë
me epitafin që lashë:
jo epitaph!
Ti do që unë të vdes.
Nuk ke frikë nga unë,
ke frikë nga vetvetja që vonë,
pas puthjes së fundit,
të fanitet, përposhtë të ve,
e çdo natë,
në të njëjtën orë,
të var!

 

SCHUBERTIADË 

Eja të shkojmë në një koncert!
Në atë që dëshiron të shkosh ti,
në atë ku luhet muzika jonë,
muzika e dëshirës sonë, e magjisë
ajo të cilën e dëgjojmë me sy të mbyllur.
Sytë e mbyllur penetrojnë më thellë
në shpirtin tënd, në timin prandaj
eja të shkojmë në një koncert!
Atje ku të shoh gjithnjë të përlotur
kur muzika dhe duart e tua
në të gjithë trupin më nderen
duke luajtur më të bukurën pjesë,
aty ku bëhet muzikë
e koncerti vazhdon për orë të tëra…
Ssshhh! Ka kaq shumë njerëz këtu!
Sytë e tyre janë të hapur,
shiko me kujdes, po qajnë
po luajnë një Moxart orkestrat e shpirtrave tanë
që përgjatë rrugës kthehet në Chopin,
Hendel dhe më pas në një Schubert,
e pastaj i gjithë koncerti shndërrohet në një Schubertiadë
dhe emri im bëhet Terezë
si quhesh ti tani i dashuri im? “Love”?

Ç’nota të përkora për një funeral
këtë natë pentagramesh qiellorë!
Në koncert e në vdekje
na përket kjo natë…

 

NJË HISTORI E VËRTETË ME BIÇIKLETË

Im bir kishte një biçikletë blu,
me zile të hareshme,
me dy rrota.
Një nga ato dhurata që blihen para kohe,
që nuk e ngiste dot,
që e donte pa fund,
e që i dilte çdo natë në ëndrra.
Sikur pedalonte përmes pishash shtatlarta,
në diell,
sikur atij pylli qosh më qosh i binte,
sikur në krah i rrinte një vajzë e bukur,
bjonde e kaçurrele.
E nuk dinte ç’ti thoshte,
e nuk dinte ç’të bënte.
Sikur një ditë, më në fund,
e vuri në shale,
me mjekrën në sup
e dalëngadalë,
të dy ndanë një rrëkeje u ndalën,
të prehen.
E nuk dinin ç’të flisnin,
e nuk donin të ngrihen.
Pastaj, siç shkon kjo punë
e ëndrrës së gjatë,
sikur në fshat u kthyen edhe një natë,
nën yje të zjarrtë e qiej të ndezur,
pa folur gjatë,
trup e duar mpleksur,
u bënë një…
e pa bërë zë…oh
Ah! U zbardh….
Dielli i mëngjesit ia behu në derë!
E nuk u bëra gjyshe,
e nuk u bëra vjehrrë…

 

METEOR

Qetësi shurdhuese,
mendime mospërfshirëse,
germa që nuk më drejtohen,
harresa.

Kur ti më harron
jam vija e drejtë e një EKG-je.
Përcëllojnë në shqitje
buzët e thara.
Një maskë oksigjeni
për këtë “nil by heart”
më kot rri në pritje.

Kilometrike sekondat,
minutat, orët.
Yje që shuhen në heshtje,
zjarre të pafryrë,
gra të harruara,
janë meteorët…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s