Kalendari poetik: Giuseppe Ungaretti (1888-1970) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Giuseppe Ungaretti

Kalendari poetik: Giuseppe Ungaretti (1888-1970)

Më 8 shkurt 1888 është data e lindjes së Xhuzepe Ungareti-t. U lind në Aleksandri (Egjipt) në një familje italiane me prejardhje nga Luka (Lucca), i ati punonte në hapjen e kanalit të Suezit. Ishte poet, shkrimtar, përkthyes e akademik italian dhe përfaqësues i rrymës së hermetizmit. Disa kohë punoi në një revistë bashkë poetin francez Zhak Prever. Në vitin 1954 qe fare pranë fitimit të çmimit Nobel. Kam shkruar edhe herë të tjera për Ungaretti-n, kam shqipëruar jo pak prej tij. Sot në 131 vjetorin e lindjes së poetit, përzgjodha këtë poezi:

MËSHIRA

1.
Jam i lënduar.
Dhe do të doja të shkoj
Më në fund të arrij
Mëshirën, ku i vënë veshin
Njeriut që është vetëm me veten.

Kam vetëm krenarinë dhe mirësinë.
Dhe mes të njerëzve i mërguar ndjehem.

Por për ata ndjej dhëmbje.
Nuk e meritoj të bëhem ai që isha?
Me emra kam mbushur heshtjen.
Copë mëndjen dhe zemrën bëra
Që fjalëve t’u shërbej?

Mbi fantazma mbretëroj.
O gjethe të thara,
shpirt që endesh kuturù…
Jo, e urrej erën dhe zërin e saj
Prej kafshe të stërlashtë.

O Zot, ata që të përdëllehen
Vetëm emrin të njohin?
Nga jeta më përzure.
Nga vdekja do të më përzesh?
Ndoshta njeriu as të shpresojë nuk e meriton.
Edhe burimi i brejtjes së ndërgjegjes shterroi?
Ç’rëndësi ka mëkati,
nëse në dlirësi nuk të shpie më.
Trupi nuk kujton dot
Që dikur qe aq i fortë.
I çmendur, i përdorur shpirti.
Zoti përkujdeset për dobësinë tonë.
Do të duam një siguri.
Me ne, as nuk qesh më të paktën?
Atëhere na vajto pra, o mizori.
Nuk mundem më të rri i mbyllur
Brenda dëshirës, pa dashuri.
Na rrëfe një gjurmë drejtësie.
Ligji yt cili është?
Godit me rrufe ndjenjat e mia të shkreta.
Prej shqetësimit çliromë.
U lodha së ulurituri pa zë.

2.
I zymtë ky trup, veç trishtim
ku dikur ziente nga gëzimi,
sytë mezi hapen nga një zgjim i lodhur,
e sheh, o shpirt i pjekur
se ç’do të jem kur të shkoj në dhe?
Udhë e të vdekurve ndër të gjallët është ,
ne jemi ai lum hijesh
ato janë gruri që harliset në ëndërr
e tyre është largësia që na mbetet
e tyre është hija që peshë i jep emrave,
shpresa e një turme hijesh,
kaq është fati ynë?
Po ti, nuk je veç ëndërr, o Zot?
Të paktën në ëndërr, me frikë,
duam të na ngjash.
Është lindje e marrëzisë më të shkoqur.
Që ndër degë resh nuk fërgëllon
si harabelat në mëngjez
ndër fijet e qepallave tona.
Dhe ne dergjemi nga një plagë e brendshme, e fshehtë.

3.
Drita që na çpon
është një fill gjithnjë e më i hollë.
Ti s’na verbon më, vetëm na vret?
Jepma këtë gëzim hyjnor.

4.
Njeriu, në këtë gjithësi të mërzitshme,
kujton se të mirat do t’i shtojë
por me duart që i dridhen
veç caqe të reja i vë vetes.

I lidhur në zbrazëti
me fillin e vet e të merimangës
nuk tremb e nuk josh gjë tjetër
veç klithmës së vet.

Mbulon rrënimin e vet duke hapur varre
dhe kur mendon për Ty, o i Përjetshëm,
veç mallkime nxjerr.

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s