Poezi nga Alma Zenellari
MOS HESHT…
Ti më tregove se heshtja ime nuk të mbron dot,
Se heshtja ime të ka gjymtuar,
ka lënë shenjë krahëve të tu të vegjël prej fluture.
Ka ngritur brenda teje mure ankthi, frike…
ndaj ti nuk do dish të fluturosh.
Ti më tregove se ke frikë të rritesh,
ke frikë të lulëzosh
se degët e tua do të thyhen
dhe lulet e bardha do të derdhen udhëve
shpërndarë pa kujdes nga erërat e trazuara.
Ti më tregove se ëndrrat s’mund të thurren
në një vend liliputësh
ku pëllumbat kanë frikë të gugasin,
dhe fluturimi i zogjve ndalohet.
Ti më tregove se lotët shkrumbojnë shpirtin, zemrën
kur përdhunohen,
shndërrohen lumenj gjaku thellë trupit,
përvëlojnë eshtrave.
E dhimbja nuk humb,
ulërin kohë pas kohë si ulkonjë e uritur.
Ti më tregove se bota është kaq e vogël sa një klithmë,
fillon tek përgjërimi i syve të tu
shpërthen dhe mbaron po aty…
EMOCION
Ti ke diçka që më tërheq,
diçka që s’di ç’emër ti vë.
Diçka që shpirtin ma trazon,
më lë pa frymë, pa zë.
Më kthen zambak, më kthen lulekuqe
më deh, më shtrydh, më lë pa fjalë
në çdo petal ndjej si përskuqem,
dhe kryet ul ngadalë.
Më kthen kaprolle syhutuar,
më kthen ketrushe që rend pa drojë,
Më bën të qesh mes gjelbërimit,
më bën të strukem nga kjo lojë.
Ti ke diçka që më magjeps
ti ke diçka që fort e dua…
në zë, në gishta ke një mister
Ndaj më trishtojnë ikjet e tua.