ZËRA NË LAVJERRËS , pjesa e parë e Sagës: “Zërave dhe zhurmave” të autorit Kristaq Turtulli

ZËRA NË LAVJERRËS , pjesa e parë e Sagës: “Zërave dhe zhurmave” të autorit Kristaq Turtulli

Krejt ndryshe ndodhi me drejtorin e Liceut Mikel dhe motrën e tij Renatë. Qyteti u hutua. Mbeti i pagojë. Drejtori Mikel, i respektuari dhe enigmatiku i qytetit. Dikur, vite më parë, u propozua kandidat për deputet. Mblodhi shkollarët në sallën e kinemasë së qytetit, mbajti fjalimin më të çuditshëm të dëgjuar ndonjëherë. Ndërpreu pa e filluar mirë fushatën elektorale, pa u vënë veshin ankimeve, sharjeve, presioneve të partisë që e propozoi. Ithtarët më të zjarrtë të indinjuar u turrën drejt shtëpisë, me pishtarë ndër duar, sharë dhe ulëritur. Donin ta digjnin të gjallë. Armiku i dreqit, tradhtari, duhej ndëshkuar pa mëshirë. Fjalimi i drejtorit të Liceut Mikel ishte pështjellim, shpartallim, nxitje për fatalitet. Luftë e hapur kundër të gjitha partive. Ligjëratën e mbylli duke thënë:
‘Qytetasit e mi të dashur, drejtësia dhe e vërteta do jetë atëherë, kur partitë të përfaqësohen nga njërëz, që të mos kenë xhepa, ku të futin paratë e vjedhura, të rrëmbyera dhunshëm prej të varfërve, të pambrojtutueve, fatkeqëve. Gjithçka është idiotësi qytetasit e mi. Dhe unë që ju flas juve, jam pjesë e tërësisë idiote të kasaj shoqërie…’
Këshilli i lartë i drejtësisë së partisë ‘Dora e Zezë’ vendosi: t’i vihej zjarri shtëpisë, me një djegie spektakulare, të përshtatshme për Dorën e Zezë. Pushti drejtor zhduku besimin dhe nxori në shesh sekretin e madh. Të disiplinuar, me urrejtje, marshuan drejt shtëpisë kështjellë, ngarkuar me bidonë me benzinë.
‘Ç’ të bëjmë?’
‘Drejtori i fandaksur duhet përvëluar i gjallë.’
‘ Kë të besojmë dhe, kë të mos besojmë?’
Disa qytetarë të ndërsyer flakën pishtarët në oborrin me trëndafila të drejtorit.
‘S’ka mëshirë për ta,’ – hungëritën:- ‘ Veçse shkrumbimi.’
Dëgjuan klithma të tmerrshme.
– Shpo- rru- ni… . !
Te dera u shfaq si një shqiponjë, e çmendura, motra e drejtorit. Fustani i bardhë prej fanellate të trashë i zgjatej deri në fund të këmbëve. Flokët e rrallë, të bardhë, të çakërdisura si driza të rritura në tokë të thatë. Gungën që e mbulonte me kujdes, e shfaqi përbindshëm përpara turmës, si një qenie prehistorike. Klithmat e saj mpinë turmën, ishin të panatyrshme:
Në duar mbante kopanin e madh të rrobave.
– Gre-mi-su-ni!
Sokëllima e saj qe tmerr i vërtetë. Nuk ngjante si femër, por një tjetërsim i lemerishëm, i shkulur prej dheut. Kopanin e madh e vërtiste furishëm sa andej këndej. Në dritë hijet e pishtarëve, gunga e ngjante si një ngrehinë përbindëshi. Shenje e keqe. Njerëzit u prapsën:
– Doli kuçedra, – klithën të llahtarisur. Flakën pishtarët në rrugët e kalldrëmta dhe, ikën nga sytë këmbët.
Pak besonin që ajo qenie të qe motra misterioze e drejtorit të Liceut Mikel, por një shenjë e mbrapshtë mbirë nga dheu. Të lemeritur raponin nëpër natë.
Përfytyrimi i motrës së drejtorit Mikel, femrës pakët, të mefshtët, zëulët si pëshpërimë, shkurt, hije fatkeqe, ngelur aksidentalisht mbi dhe. Por uragani i saj qe i papërballueshëm, llahtarë. Fantazma s’ishte motra e drejtorit. Kush atëherë?! Ndoshta, drejtori, pjellë e së keqes, një dyfytyrësi, që shfaqet dhe humbet në terr. U dërguan përgjues të mernin informata të hollësishme. Dikush u përpoq të hapte derën, tinës, natën, të hynte në oborr. Shtëpia qëndronte hijerëndë, rënduar nga një shtresë e rëndë qindravjeçare. Vërtitej një ajër i ndenjur, i athët. Përgjuesi vështroi rreth e qark dhe u çapit në oborr. Asnjë frymë njeriu. Vendosi majat e gishtave në shkallinën e parë. I ngriu zemra. U drodh ajri nga sokëllima. Gjethet e pemëve u këputën, ranë përdhe. Në krye të shkalleve qëndronte fantazma me gjënë e frikshme në duar. S’mund të qe një kopan i thjeshtë druri, por ferri vetë. Përgjuesi u tërhoq i tromaksur dhe iku nga sytë këmbët…

 

Kristaq Turtulli

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s