Poezi nga Alma Braja
Unë nuk mundem
Kujtove ndonjëherë çfarë pe në ëndërr,
Dhe ëndrrën pastaj ta jetosh,
u mundove?
Mos vallë u përpoqe ta ndryshosh,
e në masat e tua ta sjellësh?
Mendove ndonjëherë ëndrrën ta harrosh?
Mos re në gjumë të thellë,
për t’parë tjetër ëndërr?
Ëndërr të sajuar,
ëndërr të shndërruar,
dhe sytë hape i tmerruar?
Sajove ndonjëherë kujtime,
zhveshur kujtime prej ëndrrash,
thjesht të mos kërkosh?
E shkuara shpeshherë, është e ngurtësuar.
Ëndrra kurrë
Edhe pse e harruar.
Kujtove ndonjëherë ëndërr ngurtësuar?
Në statujë shndërruar?
Unë nuk mundem!