Kalendari poetik: Victor Hugo (1802-1885) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Victor Hugo

Kalendari poetik: Victor Hugo (1802-1885)

26 shkurti është data e lindjes për Victor-Marie Hugo, shkrimtar, poet, dramaturg dhe politikan frëng, mbahet si ati i Romantizmit në Francë. Për jetën e tij gjen plot të dhëna (shumica mjaft të dhimbshme) në wikipedia, ndaj nuk po zgjatem me hollësira. Mikesha e tij Juliette Drouet (aktore teatri) e shpëtoi prej arrestimit kur u bë grushti i shtetit i Napoleonit III dhe Hygo u shtërngua të merrte rrugën e mërgimit, në vitin 1851. Pas disa vitesh, Napoleoni III, bëri amnisti për të arratisurit politikë, me kusht që kur të ktheheshin në Francë ta mbështesnin pa kushte. Merret vesh, Hygoi refuzoi me përbuzje ofertën, kjo poezi qe përgjigja e tij. Asaj kohe i përket poezia e sotme, paksa e gjatë poezia, unë s’përtova ta shqipëroj dhe ju mos përtoni ta lexoni:

FJALA E FUNDIT (Ultima Verba)

Ndërgjegja njerëzore vdiq, qef o qef,
Përkulet mbi të, kufoma i pëlqen;
Fitimtar, me syt’ e skuqur vjen vërdallë,
Pastaj kthehet i del kufomës përballë.

E ushqen kurvërimi i Drejtësisë.
Priftat trullosin njerzit e Perëndisë;
Pastaj rrëmojnë çantat të çakërritur;
Sibour* shiti zotin, që Juda pat shitur.

Na thonë: Qezari mbret. Zot i ushtrive
E zgjodhi. Binduni, bjerini burive!
Dhe duar bashkuar këndojnë në kisha,
Pa fshehur monedhat e arta ndër gishta.

Do ta shohim në fron këtë princ lipsar,
Me bekim nga papa, këtë mbret zuzar,
Në një dorë skeptrin, darët në tjetrën,
Karl i Madh sajuar, nga shejtani vetë.

Sa kohë atje do të zhgrryhet si derr,
Do të llupë besë, virtut, fe dhe nder,
Dehur mbi lavdinë tonë do të vjellë;
Në ndëjçim ta shohim si diell në qiell.

Kur ndër njerëz shtohet sa s’mban, poshtërimi
N’atë pikë nis adhurohet mashtrimi;
Pastaj dalin tok Angli dhe Amerikë
Dhe i thonë mërgimtarit: Ik, kemi frikë!

Kur të bëhemi si kjo gjethe e tharë,
Të rilindemi, si ka qef ky Qezar;
Kur të ligjtë të shkojnë derë më derë,
Ndër njerëz katandisur si zhel’ e mjerë;

Kur Zoti nga shkretinat qortime dërgon,
Preja nis gjuan, hajni vjen arreston;
Në fund, i trëmbur, më shumë se të tjerët,
Varri jashtë, të vdekurit do t’i nxjerrë.

Por unë s’thyhem! Pa bërë fare zhurmë,
Me brengë në zemër, do ta përbuz turmën,
Ju përqafoj, nga i hidhuri mërgim,
Atdhe, o altar! Liri, flamuri im!

E ruaj besën tuaj, o miq besnikë,
S’harroj, ç’na bashkoi, qe kjo Republikë.
Ata që vuajtën, do t’i lavdëroj,
Ata q’u llastuan, do t’i poshtëroj!

Do të jetoj këtej, keq e mos më keq,
Ca zëra thonë: mos! të tjerë: fatkeq!
Kur servilët e tu Luvrin të rrëfejnë,
Unë ty, Qezar, do të t’rrëfej halenë.

Para tradhtarëve dhe atyre që s’flasin,
Gjithë pezm jam, por qetë, s’e çfaq marazin.
Besnikëria pa fund për ç’u rrëzua,
Qoftë mbështetja dhe fuqia për mua.

Ende je atje, dorzohesh, a qëndron
Francë, që ke dashur të qajmë gjithmonë,
Ku kanë folenë dashurit’ e mia,
Mall edhe për varret, sa doja të t’shihja!

S’do ta shikoj më bregun, që aq fort më josh,
Francë ku katandise, zor që ta harrosh.
Do të gjej strehë mes atyre që iu dhëmb;
Në mërgim mbetem, por gjithsesi më këmbë.

Gjithsesi, pranova mërgimin e hidhur,
Pa marrë parasysh dhe pa llogaritur
Që ndokush s’del aq i fortë sa mendojmë,
Sado të shkojnë, ne duhet të qëndrojmë.

Do të rri dhe unë, në qofshin me mijra!
Dhe me një qint qëndroj, më fort se sa Shila;
Në qëndrofshin dhjetë, do të jem i dhjeti;
Dhe një në qëndroftë, do të jem i vetmi!

Sibour* – Marie Dominique Auguste Sibour 1792-1857, kryepeshkop i Parisit dhe senator i emëruar nga Napoleoni III

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s