Fragment nga libri “Në udhëkryqet e kohës”, vëll. II : Mozart – Një festë e pambarimtë – In Memoriam (Më 5 dhjetor, si sot, në vitin 1791 ka vdekur gjeniu Mozart) / Nga: Luan Rama (Botuar në gazetën ABC, 6 shkurt 2006).

Mozart – Një festë e pambarimtë 
 
In Memoriam
(Më 5 dhjetor, si sot, në vitin 1791 ka vdekur gjeniu Mozart)
 
Fragment nga libri “Në udhëkryqet e kohës”, vëll. II
 
“De morte transire ad vitam” – “Përmes vdekjes, drejt jetës”!
 
Në historinë e shoqërisë njerëzore jeta e çdo gjeniu është jo thjesht një piketë, jo thjesht një majë e forcave shpirtërore dhe e asaj çka është i aftë të bëjë njeriu, por dhe një mësim i madh. 250 vjet pas lindjes së gjeniut të madh të muzikës, Amadeus Mozart, (Johannes Chrysostomos Wolfgang Theophilus Mozart), dhe më shumë se dy shekuj nga vdekja e tij, gjeneratat e sotme, veç artit të tij si një perfeksion kulminant i krijimit artistik, mund t’i referohen dhe dy prej tipareve themelore të tij:ndjenjës për të qënë i lirë e i pavarur si dhe të qënit human, pra si të prekësh në thellësitë më të mëdha të humnerave të shpirtit njerëzor. Shumë artistë të mëdhenj e kanë paguar rëndë lirinë dhe dëshirën e tyre për të qënë të pavarur nga politika, nga tutela etatike e çdo lloji apo nga komandat. Por,ndoshta Mozarti e pagoi këtë akoma më rëndë: artisti i kryeveprave më të mëdha botërore do të lihej i braktisur dhe anonim gjer në banesën e tij të fundit. Kuptohet, kjo nuk do të thotë të jesh kundër angazhimit të artistit në sfidat që duhet të përballojë shoqëria. Përkundrazi, e rëndësishme është të angazhohesh, por duke qënë i pavarur dhe i lirë në artin tënd, në fjalën tënde.Milosh Forman (më parë dhe Pushkini që shkroi pjesën “Mozarti dhe Salieri”) është nga të rrallët regjisorë të kinemasë dhe të teatrit që do të trajtonte në filmin e tij të mrekullueshëm Amadeus, pikërisht këtë raport të artistit me pushtetin dhe artistët e oborrit. Jo se Antonio Salieri ishte një artist i keq (nxënës të tij ishin shumë mjeshtër të mëdhenj të muzikës së shekullit XVIII), por sepse Mozarti nuk mund të pranonte të bëhej instrument i pushtetit (sado i ndritur ky instrument) në dëm të lirisë dhe pavarësisë së tij.
 
Njihet historia e Mozartit kur një pjesë muzikore u luajt para Perandorit dhe kur perandori i tha se “Kjo pjesë është më e bukur se ç’duhet dhe se ka më shumë nota se çdo të kishte nevojë”. Por Mozarti iishte përgjigjur prerë: “Më falni Madhëri, por kjo pjesë ka aq nota sa i duhen”. Madje dhe në mesin e karrierës së tij muzikore, kur mbreti i Prusisë ,Frederic Guillaume, i kërkoi në Berlin që ai të bëhej shefi muzikor i oborrit të tij mbretëror, ai e refuzoi me përulësi këtë, siç do ti jepte dorëheqjen dhe perandorit të Austro-Hungarisë, Jozef II. Por pushteti nuk do ta duronte këtë dhe shpejt Mozarti do ta paguante me vuajtje dhe me një jetë modeste, memargjinalizimin dhe cfilitjen që për të mbijetuar u detyrua të jepte mësime muzike, koncerte apo të botonte pjesët e tij muzikore. Ai nuk donte të komandohej, nuk donte as të ishte i zgjedhur i të “Plotfuqishmit”. Ai nuk donte të shkruante muzikë oborri. Brenda lirisë ishte dhe gjenia e tij… Ishte dheforca për të dëshmuar për kohën e tij. Siç shkruan dhe dramaturgu i famshëm italian Dario Fo, “Mozarti ishte kompozitori më i madh i teatrit satirik tëepokës së tij që evokon njëherësh tmerrin e tragjedisë dhe të qeshurën e shakasë. Në Dasma e Figaros gjen fillet e tragjedisë greke të Aristofanit, ku e qeshura therëse mplekset me denoncimin e padrejtësive dhe të hipokrizisë së shoqërisë”.
 
“Viti Mozart”
 
Viti 2006 ishte “Viti Mozart”, duke filluar që në këtë muaj, kur më 27 janar, në datëlindjen e gjeniut, në të gjitha teatrot e Vienës është interpretuar muzika e e tij; kur në kishat dhe katedralet do të luhen meshat dhe Requiem-i i tij. Kjo do të ndodhë në Vienë, ashtu siç do të ndodhë në Salzburg ku lindi gjeniu. Kjo do të ndodhë në Gjermani e në Zvicër, në Angli e në Francë, në Belgjikë e në Hollandë, në Itali, Çeki apo Sllovaki, pasi Mozart ishte një artist dhe qytetar i mbarë Europës. Italia i dha atij shijen e operas, Franca e nxiti të shkruajë simfoni, Viena i dha stilin e fortë dhe „galant“, duke krijuar kështu përmes dhuntisë së talentit, një ngjizmë që rrallëherë do të ndodhte në histori. Kudo që shkoi, ai la gjurmë të pashlyeshme, la muzikën në apoteozën e vet. Nga të gjitha shtëpitë ku Mozart ka jetuar në Vienë, vetëm njëra ka mbetur në këmbë; ajo me numrin 5, në rrugën Domgasse, e cila shumë kohë pas vdekjes së tij, në mesin e shekullit XX u kthyenë muze. Pikërisht atje, ai krijoi operan e famshme Dasma e Figaros. 250 vjet nuk janë pak dhe distanca nga ne deri në atë shtëpizë të krijimit të përjetshëm është tepër e shkurtër, pasi kur dëgjojmë muzikë të Mozartit, në shtëpi, në radio, TV, apo ndjekim një koncert, ose simfoni e opera, gjejmë papritur atë modernitet që askush nuk e kishte menduar në kohë të tij: ndoshta ishte vetëm ai që e krijoi atë: Amadeus Mozart!
 
Universi i muzikës mozartiane
 
Të jetosh me Mozartin është një privilegj. Eshtë një ndjesi dhe dëshirë sublime. Eshtë të vuash e njëkohësisht të çlirohesh nga vuajtja. Eshtë amëshim, rrëmbim i etshëm, ikje, delir, ekstazë. Eshtë kohë përtë dashuruar. Nuk çuditesh kur Papa Benedeto i XVI, që së fundi ishte përpushime në Val d’Aosta, luante në piano veçse Mozart. Siç do të shkruajë dhenjë nga studiueset e njohura të Mozartit, “Muzika e Mozartit është për mua njëunivers, një burim drite, bukurie e hijeshie. Zakonisht flitet për emocionet mozartiane.Por duhet shkuar dhe më thellë, pasi tek ai gjejmë ndjesinë tragjike. Mozarti për mua asnjëherë nuk ka qënë “hyjnori Mozart”, apo “ëngjëlli Mozart”, pasi për mua ai është një ndër qëniet më njerëzore”.
 
Shqiptarët dhe Mozarti
 
Shqiptarët e kanë pikëtakuar vonë Mozartin. Por edhe pse vonë, ata shpejt e bënë të tyren dhe nuk e ndanë atë as në vitet e errëta totalitare, kur kryeveprat e tjera u ndaluan. E kemi ndjekur gjeninë mozartiane në skenën e Teatrit të Operas dhe të Baletit, në simfonitë e orkestrave shqiptare, në koncertet e shkollave muzikore e të konservatoreve, në skenat e mëdha të artit muzikor, siç kemi dëgjuar meshat, apo Requiem-in e tij nga Inva Mula në skenat e Francës dhe të Europës, siç kemi parë atë ngjizje sublime të koreografisë mistike të Angjelin Prelocajt me ariet e Mozart, apo siç e kemi dëgjuar atë nën harkun e artë të Tedi Papavramit dhe të mjaft mjeshtërve të mëdhenj shqiptarë. Ja pse Mozart ka qënë dhe është një festë e pambarimtë. Jap se dhe në festën muzikore të fund vitit do të dëgjonim arie nga Dasma e Figaros, Cosi fan Tutte (Kështu bëjnë të gjitha), apo Fylli magjik… Mozart është një lumë i pashtershëm, një burim që vjen nga thellësia e shpirtit njerëzor, nga vetë humnerat e tij për të shoqëruar jetën tonë, vuajtjet dhe gëzimet, dramën dhe ekstazën tonë. Ashtu si Rafaelo në pikturën e tij, edhe Mozart i preku të gjitha zhanret, krijoi në të gjithë dimensionet muzikore: opera, simfoni, këngë, arie për balet… dhe në të gjitha ai ishte madhështor. Ja pse Hajden duke i folur atit të Mozartit do ti thoshte: “E konsideroj djalin tuaj si kompozitorin më të madh të të gjitha kohrave”.
 
Jeta e një gjeniu
 
Cili ishte pra ky gjeni, i cili që në fëmijëri e habiti botën muzikore që e rrethonte me talentin dhe gjenialitetin e tij?
 
Vogëlushi Mozart ishte 3 vjeç kur mori mësimet e para në klavinçel nga i jati i tij Leopold, atëhere kur ai i jepte mësim dhe të motrës së madhe të tij 7 vjeç. Që 4 vjeç, Mozart luante pjesë të vogla muzikore, ndërsa 5 vjeç ai filloi të kompozonte dhe t’i interpretonte vetë pjesët e tij. Ky talent e befasoi aq shumë të jatin e tij muzikant sa që ai vendosi ta ndajë këtë gjë dhe me muzikantët e qytetit të tij e më pas dhe më gjerë, duke nisur kështu udhëtimet e tij. Vizita e parë e familjes Mozart, që udhëtonte me karrocë, ishte në Mynih, ku një publik i zgjedhur dëgjoi dy virtuozët e vegjël të familjes Mozart. Pastaj ata interpretuan në Salzburg dhe në vjeshtën e vitit 1762 dhanë koncert para vetë perandorit Franz I në oborrin perandorak të Vienës. I habitur dhe i mrekulluar njëkohësisht, perandori, i cili admironte muzikën dhe teatrin, e ngacmoi fëmijën e vogël, duke i thënë: “Nuk është vështirë të luash me të gjitha gishtërinjtë, por e admirueshme do të ishte po të luash vetëm me një gisht dhe me tastiera të mbuluara që nuk i sheh me sy”. Habija ishte akoma më e madhe për perandorin, kur pa që Mozarti luante mbi një klavinçel të mbuluar me një përsosmëri të jashtzakonshme muzikore. Që atëhere, legjenda e virtuozit të vogël kapërceu dhe kufijtë e vetë perandorisë.Një vit më vonë, famija Mozart do të ndalonte për koncerte muzikore në Absburg, Manheim, Frankfurt, Koblenc e më pas do të merrte udhën e gjatë drejt Parisit, ku do të ndalonte në oborrin e Versajës për të dhënë koncerte para mbretit Luigji XV.
 
Për herë të parë, në kishën mbretërore, Mozart do të luante mbi organo. Në Versajë, ai kompozoi dy veprat e para të tij, të cilat ia dedikoi vajzës së mbretit dhe konteshës Tesse. Pas Francës ai do të interpretonte në oborrin mbretëror të Anglisë, në Londër, ku mjeshtri i muzikës së mbretëreshës, vetë Kristian Bah, e mbajti në prehër dhe interpretuan të dy në mënyrë alternative një sonatë të tërë. Mozarti, i cili tashmë quhej Amadeus,meqë emri i tij Gottlieb, përkthehej në Amadeus, apo “i dashur i Zotit”, kompozoi në Londër 8 sonata dhe atëherë u bë e zakonshme që kudo që shkonte aitë interpretonte kompozimet e tij. Hagë, Amsterdam, Bruksel, Lion, Gjenevë dhe përsëri në Gjermani e Austri, ku në oborrin e Vjenës, perandori i ri Jozef II,i kërkoi t’i kompozonte një “opera buffa”, të cilën ai nuk vonoi ta kompozonte dhe që do të titullohej Finta semplice. Por udhëtime akoma më interesante do të ishin ato në Itali dhe pikëtakimi i tij me romantikën italiane: koncertet në Milano (ku interpretoi kompozimin e tij të famshëm Mithridate), në Romë, në konservatorin muzikor “Conservatori alla Peita” të Napolit, në Bolonjë e gjetkë. Në Romë kërkoi ta takonte vetë Papa, i cili i dha një kryq dhe dekoratën “cavaliere”; në Bolonjë atë e shpallën anëtar dhe mjeshtër të Akademisë Filarmonike; në Verona e cilësuan “Il cavaliere filarmonico”.Pikërisht në Romë, në kapelën Sikstina, ku do të jepej „Pëshpirtja e së Premtes”, “Miserere dhe ku Papa e kishte ndaluar që partiturat e kësaj muzike t’i jepeshin dikujt tjetër, Mozarti e dëgjoi i mrekulluar dhe e regjistroi menjëherë në mendje. Kur u kthye, ai e shkroi gjithë pëshpirtjen e dëgjuar pa asnjë gabim. Kjo ishte pjesë e gjenisë së Mozartit dhe për këtë, që të nesërmen, do të fliste gjithë Roma.
 
Mozart në pallatin e kontit Durazzo
 
Në një botim për jetën e Mozartit, shkruhet dhe për udhëtimin e famshëm të Leopold Mozart me të birin Wolfgang Amadeus, të cilët do të zbarkonin në Venecie për të dhënë disa koncerte. Ishte viti 1771 dhe ky ishte udhëtimi i tyre i dytë, pas atij të një viti më parë, kur Amedeus14 vjeçar ishte paraqitur për t’u regjistruar në Academia Filarmonica di Bologna, ku drejtuesi i saj e kishte pranuar atë me shënimin “mjaftueshëm”. Tashmë ata vinin pas një itinerari koncertesh të dhëna në Verona, Torino e Milano. Në Venecie, ata mbërrijnë më 10 shkurt pas një rruge shtatë ditore. I priste miku i tyre, tregtari Giovanni Wider. Një pritje të veçantë do t’u rezervonte atyre konti me origjinë shqiptare, Giacomo Durazzo (i familjes se dozheve të famshëm të Republikës së Gjenovës, apo “Republikës Durazzina”, siç quhej në atë kohë), i cili kishte qënë emri më në zë në botën artistike të Vienës. Ky njeri, që ndihmoi të bënte të njohur të famshmin Gluck, i priti ata në banesën e tij. Pritja në pallatin Loredan, mbi Canal Grande, ku banonte Durazzo, ishte madhështore. Një ndërtesë tipike veneciane me një fasadë të mrekullueshme, dy ballkone të gdhendur me harqe dhe dy statueta mermeri të futura në mur, që më vonë do të quhej nga venecianët “Palazzo del Ambasciatore”, në kujtim të ambasadorit Durazzo. Për Leopoldin dhe birin e tij,konti Durazzo ishte një figurë e rëndësishme e botës muzikore evropiane. Ai kishte qenë mik shumë i afërt i kompozitorit Hasse, për të cilin në një nga letrat e tij, atë vit, më 2 nëntor, Mozart do të shkruante: “Sot jepet opera Ruggiero e Hasse, por meqë im atë nuk do të dalë, as unë nuk mund ta dëgjoj e ta shoh këtë opera. Lumturisht që i di përmendësh të gjitha ariet e saj. Kështu, edhe i mbyllur në shtëpi, në mendje mund të dëgjoj e të shoh gjithçka”. Më 5 mars të atij viti, konti Durazzo do të dëgjojë koncertin e instrumentistit të ri 15 vjeçar që ishte bërë tashmë i dëgjuar me talentin dhe virtuozitetin e tij në të gjitha oborret e Europës. Gjithë Venecia fliste për talentin e habitshëm të instrumentist Wolfgang, i cili në atë kohë po shkruante dhe një serenatë teatrale që ia kishte kërkuar vetë perandoresha e Austrisë, Maria-Teresa. Nuk dimë nëse konti Durazzo kashkruar diçka për gjeniun Amadeus. Më 12 mars, bashkë me të atin, Amadeus e la Venecien për t’u larguar drejt Salzburgut.
 
Një Requiem për Amadeus…
 
Vdekja e këtij gjeniu është nga vdekjet më të habitshme të njerëzve të mëdhenj të historisë njerëzore dhe jo më kot,regjisori i shquar Milosh Forman në filmin e tij mbi jetën e Mozartit, Amadeus, u përqëndrua aq shumë në këtë episod. Një legjendë apo një ngjarje e vërtetë?… Nga të parët që shkroi për vdekjen e tij ishte Stendali në veprën e tij Romani i një jete, por përtej romanit kushdo gjen të vërtetën e kobshme të asaj që artisti i mjerë dhe gjigand përjetoi njëkohësisht vdekjen e tij, duke shkruar dhe „Përshpirtjen“ e tij. Në vitet e fundit të tij, ai e jetonte jetën sikur do të vdiste të nesërmen: vdekja nuk e trembte, madje ishte mësuar me “fytyrën” e saj, aq sa dhe në letrat që i shkruante babait të tij, 4 vjet para se të vdiste ai i thoshte “E falenderoj Zotin që më dha rastin ta njoh vdekjen, me të cilën jam familjarizuar aq shumë, sa për mua kjo mike intime nuk është aspak e frikshme, por përkundrazi më preh dhe më jep paqe”.
 
Në nëntor – dhjetorin e vitit 1791, Amadeus ishte në fundin e jetës së tij. Gjashtë muaj më parë ai kishte kompozuar Fyellin magjik, që kishte mrekulluar teatrot dhe botën muzikore, por pas dhjetë shfaqjeve të para ai nuk mundi ta dirigjonte vetë atë. Opera dhe koncerti i kompozuar për kurorëzimin e mbretit të Bohemisë e kishin lodhur e cfilitur në mënyrë të jashtëzakonshme. Koncerti i fundit në publik kishte qënë Concerto K 595 dhe ja tani ky pikëtakim i çuditshëm me një mesazher të huaj e të panjohur që troket në shtëpinë e tij. Më vonë do ta mësojmë se ai vinte nga konti Ëalsegg, por mesazheri nuk i kishte zbuluar as emrin e tij, as emrin e porositësit fisnik, i cili kërkonte nga Mozarti t’i shkruante një Requiem. Po, një mbrëmje dhjetori, një karrocë kishte ndaluar para portës së tij dhe dikush kishte trokitur.
 
– Jam i ngarkuar nga një fisnik që nuk do të bëhet i ditur… ai ka humbur një njeri mjaft të dashur dhe kërkon nga ju t’i kompozoni një Requiem.
 
Atë ditë, Mozartit gjithçka i dukej e dhimbshme,mistike, e përcaktuar nga hyjnitë.
 
– Përdorni në përshpirtje gjithë talentin tuaj. Zotëria im është një njohës i thellë i muzikës. Sa kohë ju duhen?
 
– 4 javë!…
 
– Mirë atëherë, unë do të vij pas 4 javësh. Ja kui kini 100 dukate, – kishte thënë mesazheri dhe më pas ishte zhdukur.
 
I befasuar, pas një heshtje të gjatë, Mozarti mori penën dhe nisi të shkruante. Gjithçka ishte befasuese, tronditëse. Ai punoi atë natë, ditën që erdhi dhe përsëri natën tjetër në një ethe krijimi të jashtëzakonshme. Përshpirtja po bëhej dalëngadalë Requiem i tij, Requiem për vetveten. Në atë kllapi ai po ndjente se po shkruante Përshpirtjen e vdekjes që ai e ndjente se po i afrohej…
 
Pas katër javësh mesazheri i panjohur u shfaq sërish:
 
– Zotëri! Nuk e kam mbaruar ende, – i tha Mozarti kur e pa në derë. – Ajo që po bëj e tejkalon atë që mendova të bëja në fillim.
 
– Dhe sa kohë ju duhet ta mbaroni muzikën?
 
– Dhe 4 javë të tjera!
 
Dhe mesazheri, duke i zgjatur edhe 50 dukate të tjera ishte larguar duke i pëshpëritur:
 
– Vazhdoni mjeshtër ! Pas katër javësh do të vij përsëri.
 
Katër javë. Këto janë dhe javët e fundit të një jete të ndërprerë. Në shtrat, në delir, në një shtëpizë të mjerë dhe të rëndomtë, midis jetës dhe vdekjes, gjersa do të binte përfundimisht në koma nga një sëmundje pulmonare, gjeniu do të shkruante partiturat më të ndritura të tij. Do të shkruante në shtrat kryeveprën e kryeveprave të tij, tingujt e ngjizur midis jetës dhe vdekjes, në agoninë e humbjes dhe të përdëllimit, dëshirës për jetën dhe trokitjeve në portë, kur mendonte se vdekja po vinte ta merrte. Requiem-i i tij çante kështukupën e qiellit për të kapërcyer kohrat dhe për të hyrë në përjetësi.
 
Kur mesazheri erdhi, Mozarti nuk ishte më. Shpirti i mjeshtrit ishte ngjitur në qiell bashkë me Requiem-in e tij. Një natë më parë, në kllapi, Mozarti pyeste të kunatën në se ishin në Vienë, apo diku gjetkë, duke i kërkuar që të qëndronte pranë tij atë natë që ta shihte te vdiste. Ajo e pa në shtrat me buzët e tij të hapura e të ngrira, sikur po krijonin një notë muzikore që kishte mbetur pezull, në përjetësi. Nxënësit e tij i kishin kopjuar partiturat dhe i dhanë mesazherit kompozimin e pambaruar. Lumturisht Kostanca, gruaja e tij, kishte ruajtur origjinalet që askush të mos mund ta përvetësonte më pas krijimin më të bukur të tij.
 
“De morte transire ad vitam”
 
Ishte dhjetori i vitit 1791. Binte borë. Karro e të vdekurve të varfër e çonte atë të vetmuar dy kilometra larg qytetit në ato varreza ku trupin e tij, varrmihësi e hodhi në një gropë të përbashkët me njëmbëdhjetë të vdekur të tjerë. Askush gjer më sot nuk e di se ku gjenden eshtrat e Mozartit të madh, apo varri i tij. Trupi i gjeniut më të madh të botës muzikore zhdukej kështu në harresë për t’i lënë vendin Requiem-it, sonatave, “concerto”-ve të tij, operave të mrekullueshme dhe tronditëse: Dasma e Figaros, Fyelli magjik, apo Don Xhovani… Pesë ditë më vonë, nxënësit dhe miqtë e tij muzikantë do të luanin në meshë, pjesë të Requiem-it të tij. Luhej “Mozart” për Mozartin e vdekur. Luhej “Mozart” për artistin që u kthye në legjendë. Siç tregojnë, “kur ëngjëjt muzikantë duhet të luajnë për Zotin, ata zgjedhin të luajnë Mozart. Por mes tyre, ata në fakt luajnë Mozart dhe atëherë dhe vetë Zoti vjen në portë t’i dëgjojë”…
 
Kur vdiste Mozarti, Bethoveni ishte 21 vjeçar, Napoleoni i famshëm veçse 22 vjeçar. Hajdenit i kishin mbetur ende dhe 18 vjet për të jetuar… Mozarti ishte një gjeni që muzikën e ndërtonte fillimthi të gjithën në kokë, me të gjithë instrumentat, dhe pastaj e shkruante atë me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Ja pse në partiturat e tij nuk gjen nota, apo fraza muzikore të prishura. Gjithçka është e pastërt. Siç e shohim dhe në filmin Amadeus të Milosh Formanit, kur Salieri kishte shkuar në dhomën e tij dhe kishte parë partiturat pa asnjë notë të prishur, më pas ai kishte besuar se “vetë Zoti ishte mishëruar tek ky artist”. Një simfoni ai e shkruante për pesë ditë dhe një opera për tre-katër javë. Shumë vite më vonë, kur Shtrausi kishte dëgjuar dy masat adagio në finalen e aktit të parë të Don Zhuani-t, ai do të shprehej “Do t’i jepja me gjithë qejf tri operat e mia për t’i këmbyer me to”. Si interpret, ai ishte nga pianistët më të mëdhenj të Europës, duke luajtur me një shpejtësi e lehtësi të jashtzakonshme. Çmohej veçanërisht dora e majtë e tij, thua se të ishte një dorë magjike. A nuk jemi mrekulluar kur kemi dëgjuar muzikën e kompozuar të tij duke filluar së pari me Simfonia 25 në sol minor K.183 (uvertura e filmit Amadeus); Sonata në la mazhor me Marshin turk;Concerto per piano 21 en ut majeur K.467; Concerto për klarinetë en la majeur K.623; Muzikë e vogël nate në sol mazhor K.525; uverturat e operave Rrëmbimi në sarajet, Dasma e Figaros, apo aria e dytë e Mbretëresha e natës; Andante në fa mazhor K.616, apo Adagio et rondo K.617,, etj. Ndër 700 veprat muzikore të shkruara nga Mozarti, artistët më të mëdhenj interpretë kanë preferuar veç operave të tij si Dasma e Figaros, Don Zhuani, Fyelli magjik, që frymëzoi madje dhe Bergmanin e madh, edhe simfonitë, veprat vokale, variacionet në piano, koncertet, apo “quatuors” me korda, si dhe me klarinetë, me piano,flaut, etj. Për shumë kohë, shumë njerëz kanë pyetur se përse në partiturat e muzikës së Mozartit shënohet anash gërma “K” e shoqëruar me një numër. Në fakt,kjo gërmë dhe numrat nuk janë shkruar nga Mozart. Zoti “K”, një adhurues i madhi Mozartit, ishte Ludwig von Kochel, austriak, i cili pas vdekjes së Mozartit kishte nisur të mblidhte gjithë gjurmët e veprave të tij dhe botimet muzikore në të gjithë Europën. Ishte pikërisht ai që botoi repertorin e parë muzikor mbi veprën e Mozartit që në vitin 1862, me 450 vepra të gjeniut.
 
Dhe së fundi, janë kuptimplotë vargjet e fundit që ka shkruar dora e Mozartit: “De morte transire ad vitam”, që do të thotë “Përmes vdekjes, drejt jetës”. A nuk ka ndodhur vërtet kështu?
 
Gjeniu që kaperceu vdekjen e tij për të ardhur deri tek ne?!…
 
 
Nga: Luan Rama
 
[1] Botuar në gazetën ABC, 6 shkurt 2006.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s