NË KËRKIM TË NJË FAJTORI… / Nga: Antela Spaho

NË KËRKIM TË NJË FAJTORI…

 

Nga: Antela Spaho

Në këto ditë të ftohta tmerri, shkatërrimi, humbjeje, vuajtjeje, vdekjeje, mbijetese… Në këto ditë përpjekjesh për të ndihmuar të mbeturit e pastrehë, për të ngushëlluar të mbeturit gjallë për të ikurit e tyre, mes lotësh e ngashërrimesh, kërkojmë edhe fajtorin e katastrofës… Si shqiptarë qē jemi, na duhet patjetër dikush që ta akuzojmë, që ta kryqëzojmë, që ta mallkojmë për gjithçka që na bëri! Na duhet medoemos një fajtor! E nëse e gjejmë fajtorin, do pyesja: a do ringrihen shtëpitë e pallatet si më parë? E nëse e gjejmë fajtorin, a do ringjallen ata që dhanë frymën e fundit nën rrënoja?! Jo, asgjë nga këto! E megjithatë, na duhet një fajtor…
Disa shikojnë nga qielli dhe luten e përgjërohen: O Zot, jo më o Zot! Përse pikërisht neve, o Zot?! Mos o Zot! Por të paktë janë ata që e kërkojnë fajtorin mes nesh, mes tyre… Po, mirë e thashë, mes tyre…
Sipas sizmologëve: “Durrësi është KRYEQYTETI i tërmeteve në Shqipëri… Tërmeti i fundit ka shënuar 25 mijë viktima dhe ka shkatërruar plotësisht qytetin…”.
Por sa shpejt i harron populli ynë këto fakte… Sa shpejt i harrojnë këto fakte edhe inxhinierët e ndërtimit, arkitektët, biznesmenët ndërtues… I harrojnë vallë me të vërtetë apo bëjnë sikur i harrojnë?!…
Ndërtime pa fund në vijën bregdetare në Durrës… Ndërtime mbi ish-kënetën e Durrësit… Ndërtime pa kod ndërtimi, pa asnjë masë sigurie, pa asnjë standard! A nuk e dinin inxhinierët e ndërtimit të cilët firmosën për këto ndërtime se në këto zona nuk duheshin hedhur kurrë themele?!… Le të flasë ndërgjegjja e tyre…
Mos kërkojmë më kot një fajtor lart në Qiell… Qielli ka bërë dhe do bëjë atë që dëshiron, edhe Toka po ashtu do bëjë të sajën. Nëse je ndërtues, inxhinier ndërtimi, arkitekt e biznesmën ndërtues, ji njeri së pari, mos firmos për ndërtime jashtë standardeve, në ranishte, në këneta, në breg të detit, atje ku asnjëherë nuk duhej të hidhej as edhe një themel i vetëm e jo më të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe, siç është bërë në Durrës! Ti biznesmen ndërtues mos firmos për fatkeqësinë e atyre që do jetojnë në këto ndërtime, vetëm e vetëm që ti të pasurohesh nga shitja e tyre!
Por edhe ti o popull, shpesh i painformuar për banesën që ke blerë apo do blesh, informohu mirë më parë për cilësinëe ndërtimit, të dish se ku po e fut kokën tënde dhe të fëmijëve të tu për të jetuar. Mos kontribuo me paratë e tua për fatkeqësinë tënde, duke blerë ndërtime të tilla të pasigurta! Mos u bëj fajtor pa pasur faj…
Ah, po, kemi edhe shtetin… Këtë shtet të pangopur që për disa dhjetëvjeçarë ka lejuar ndërtime të tilla që s’duhej të ndërtoheshin kurrë! Janë fajtorë këta shtetarë që mbushën xhepat nga dhënia e qindra e mijëra lejeve të ndërtimit që s’duhej t’i kishin dhënë kurrë!
Por, siç po e shikon sot o popull, këtij shteti e këtyre shtetarëve nuk po i dhimbsesh ti as fëmijët e të afërmit e tu që mbetën nën gërmadha… Këtij shteti nuk po i dhimbset askush që mbeti nën qiell të hapur mbështjellë me një batanije apo nën çadër… Mjaft që shtetarët, fëmijët dhe të afërmit e tyre të jenë mirë dhe gjithçka është mirë për ata.
Por ti harron edhe diçka shumë të rëndësishme o popull, harron se ky është shteti yt! Shteti që ti ke votuar, shteti që ti ke besuar ta kesh për udhëheqje për disa dekada, shteti që ti po e mban gjallë me heshtjen e frikën tënde shumëvjeçare…
Po tani?! Akoma do heshtësh o popull? Apo mos vallë do presësh tërmetin e radhës që të ngresh zërin për jetën tënde?!…

***

Por nuk qenka ai që mendonim… Jo. Nuk qenka fajtor shteti që lejoi ndërtimet me leje apo pa leje, kudo dhe kuturu… Nuk janë fajtorë shtetarët që u pasuruan me dhënien e lejeve fatzeza të ndërtimeve… Nuk janë fajtorë ata poltikanë të cilët zyrtarisht jetojnë me rroga shteti dhe që realisht kanë pasuri marramendëse brenda e jashtë Shqipërisë… Sepse njëri e ka pallatin dhuratë nga vjehrri e tjetri dhuratë nga gruaja… Njëri më fukara se tjetri… Ah, të gjorët politikanët tanë!
T’i lëmë pra të qetë në hallet e tyre… Madje ua prishëm kot qetësinë edhe ca kohë me protesta për Teatrin… U mbetën duart zgjatur në pritje të miliona parave që do merrnin pas shkatërrimit të Teatrit, i cili, edhe pse i vjetër dhe i amortizuar, çuditërisht nuk pësoi asgjë nga ky tërmet shkatërrues… Ç’mrekulli!
Menduam se përveç politikanëve, fajtorë janë edhe inxhinierët e ndërtimit, arkitektët & CO… E kam fjalën për ata të diplomuarit e dikurshëm, kur shkolla ishte shkollë e jo han me shtatë porta, ku hyn nga njëra portë gomar e nga tjetra del me diploma të çdo lloji: mjek, inxhinier, avokat, arkitekt etj. E kam fjalën për inxhinierët e vjetër… Eh, shumë prej tyre kanë dalë në pension… të tjerë kanë ikur nga Shqipëria prej kohësh… Dhe disa nga ata që mbetën, për përfitime e interesa të tyre, u bënë bashkëpunëtorë të biznesmenëve ndërtues dhe tani heshtin përballë gjëmës… Në vende të tjera të botës, në raste të ngjashme, arrestohen dhe çohen në gjyq të gjithë: lejelëshuesit, inxhinierët, arkitektët e të gjithë bashkëpunëtorët e tyre… Ndërsa në Shqipëri nuk ndodh kjo. Kë të arrestojë shteti, autor kryesor i kësaj tragjedie?!
Prandaj, të mos ua vëmë veshin arrestimeve të këtij lloji që bën bota. Nuk do bëjmë edhe ne si bota, as si Evropa, megjithëse kërkojmë dhe ëndërrojmë të jemi pjesë e saj… Nuk do arrestojmë as politikanë lejelëshues ndërtimesh, as inxhinierë, as ndërtues dhe as arkitektë! Asnjë!
Shteti shqiptar e di vetë se kë do arrestojë! Nuk do rrijë pa bërë gjë as kësaj here… por sipas mënyrës së tij… Dhe ja, nuk vonoi shumë, dhe shteti ynë e gjeti saktësisht se kë duhet të arrestojë: XHULIAN! Xhulia është fajtore! Xhulia, askush tjetër! E bukura Xhulia, e cila publikoi një paralajmërim për të mirën dhe sigurinë e banorëve të vendit të saj, bazuar në lajme e burime… Ja, për këtë, shteti ynë, supershtet për të gjetur fajtorë, e arrestoi Xhulian… Dhe tani që shteti shqiptar e arrestoi “kriminelen” Xhulia, dhimbja e shqiptarëve të mbetur gjallë nga tërmeti, dhimbja e familjarëve që varrosën të dashurit e tyre, dhimbja e mijëra të pastrehëve që ikën nga sytë këmbët nga frika andej-këndej Shqipërisë, në Kosovë, Itali e gjetkë, dhimbja e atyre që po gdhihen nëpër çadra dhe kanë një dimër përpara, dhimbja e të gjithëve u fashit, madje mund të themi se u shërua plotësisht! Besoj se edhe ti o populli im i tronditur nga tërmeti-tragjedi e pohon këtë, se edhe ti o popull je dakord me arrestimin e Xhulias…
Prandaj populli im, le të themi të gjithë njëzëri: Bravo supershteti ynë!
_________________________

 

Në foto Xhulia Aliaj, vajza e arrestuar nga shteti shqiptar, për shkak të një postimi paralajmërues për sigurinë e banorëve të Porto-Romanos në Facebook.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s