Poezi nga Ollga Selmani
Njeriëndërr
Shiu tingëllon mbi natë .
Qielli ëndërrat zbraz mbi rrugë ,
ëndërrat e njeriut përposh,
që është a s’është në gjumë .
Njeriu prej mishi dhe kocke
edhe prej floriri po të ish,
në se s’do përbëhej prej ëndërre,
do të qe, një dështim i gjithë .
Kjo natë me tingëllimë shiu,
ka një ëndërr në çdo pikë .
Mbi njeriëndërrën bien shira
e shkrihen qiejtë në trup të tij .
Ne
Jemi rob ëndërrash, biri im.
Asnjë herë nuk i dimë rrugët.
Ne, shkelim mbi botën e madhe.
Aty këtu i thyejmë gjunjët.
Aty, në gjakderdhje e sipër,
njohim dhimbjen dhe erën e gjakut.
Njohim pyllin, drurët e tij,
ajrin për rreth dhe rrugën e hapur.
Ne, s’e durojmë dot robërimin.
Nuk e ndalim dot vrapin.
Na fiken ëndërra, nëpër duar.
Të tjera thurim për t’i kapur.
Ti dhe vjeshta
Jashtë fryn vjeshta.
Nxitojnë erërat siç bëjmë kur jemi për udhë,
nga mallet që kemi për ata që lëmë, ata
me të cilët s’u ngopëm kurrë .
Kjo vjeshtë e bukur ngjan me ty,
që vjen e shkon si erë,
që shfaqesh ashtu si di ti,
e qeshur e tëra në derë .
Ti vjen e shkon si vjeshta .
Ti shkon e vjen si erë .
Fryn ajo apo shfaqesh ti,
e njëjtë ndjesi më vjen.
Sot
Më dhëmb Atdheu i vrarë,
ku të gjithë kemi heshtur.
Të vrarët, kanë mbetur nën mure përposh .
Të gjallët, nuk shkulen pa i gjetur.