DHEMBJA QË NUK FALET ( Recension për përmbledhjen e poezive të poetit Qazim Berisha, “Nuk ta fali dhembjen“, Lena Grafik, Prishtinë 2019.) / Nga: Brahim AVDYLI

DHEMBJA QË NUK FALET

Recension për përmbledhjen e poezive të poetit Qazim Berisha, “Nuk ta fali dhembjen“, Lena Grafik, Prishtinë 2019.

Të shkruash një recension për poetin e mirë, mikun tim të dhembjes, z. Qazim Berisha, i cili, në tërë krijimtarinë e vet i vie dhembja e përhershme si një parabollë e të dhënave poetike nga intertekstualiteti i poezive, të cilat na bashkojnë prej dy këndeve të Kosovës, jo vetëm se banojmë në një vend, por njihemi që moti, nga Barileva, Fushë Kosova e Prishtina. Të imponohet vetvetiu premisa e tyre dhe duhet që t`i lexosh këto poezi, me qëllim të një studimi, të përmbledhura në këtë vëllim, i cili është mjaft i gjerë.

Ne, do të kalojmë nëpër majat e artit të shkruar, d.m.th. nëpër disa poezi të tij, pa i vërejtur të gjitha, në tërësi, duke i lidhur me dhembjen, e cila asnjëherë nuk falet! Dhembja, pra është ajo që i lidhë pjesën dërmuese të poezive, madje si titull vie që në përmledhjen e dytë, por edhe te përmbledhja më e re. Marrë në përgjithësi, dhembja është një tërësi e parandjenjave të poezisë së tij, sikurse ka qene edhe intuita ime e tërë krijimtarisë së gjerë letrare e artistike, krahas anëve të tjera të shqetësimeve krijuese gjatë tërë jetës. Dhembja gjenë vend edhe në përmbledhjen e parë. Po e marrim kështu përmbledhjen e parë, të botuar që në fillim, Lot gjaku“, poezi, Prishtinë, 1995, i cili është libri i tij i parë, para Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës, e cila u kushtohet 105 martirëve e dëshmorëve, të rënë gjatë përpjekjes së tyre, në një periudhë prej vitit 1981-1991. Vetë ky libër i parë na vjen si një preokupim dhembjesh e përkujtimesh me gjakun e zemrës së tij poetike, të bashkuar intermedialisht me sakrificën suplementare e determinate të 105 dëshmorëve e martirëve, me jetën e tyre të dhënë drejt lirisë, por duke u njësuar me ta, pa e marrë parasysh shprehjen poetike se dhembja për ta është sakrifica më madhe e tij.

Nëpër të gjitha këto përplasje dhune midis vdekjesh e jetës, nëpër të gjitha dramat, gjallë përbri kësaj vdekjeje, i përjetonte ai këto humbje madhore, por nuk mund të vdesësh, madje në asnjë rast, sepse poeti e kishte për detyrë që ta përcjellë e të thotë tërë ate që nuk mund ta thuanin ata të cilët e jipnin jetën e tyre si sakrificë. Këtë gjë na e dëshmon, pikërisht, Qazim Berisha me krijimtarine shumëvjeçare, qoftë si pedagog, qoftë si bashkëkohës apo mik i përbashkët i tërë kësaj përballje të dhunshme. E tërë krijimtaria e tij është e shumëllojshme. Ajo vie si shprehje në shembëllin e krijuesit të kësaj bote.

Këtë na e dëshmon edhe përmbledhja e dytë poetike, e botuar që në vitin 2005, dhjetë vjet pauzë nga krijimtaria, „Në zemrën time banon dhembja“, apo vepra e dhjetë, Nuk ta fali dhembjen“ , që do të botohet sivjet, në dhjetor 2019, e cila del nga botimi njëkohësisht në 66 përvjetorin e lindjes së tij.

Përveç faleminderimeve për këtë përvjetor, na sillet sintagma e dhembjes. Kjo sintagmë na tregon se dhembja, sikurse të gjitha ndjenjat, është tipar i zemrës, e cila e ndjenë përherë. Pastaj mendja i bluan mendimet e njeriut, në këtë rast të pedagogut e poetit, krahas të tjerave, me gurin e mullirit lirik të poetikës së tij. Pra, në këtë pikë lidhet e përmbyllet kjo sintagmë, e cila vie si baraspeshë artistike e krijimtarisë së tij.

Vragat na bëhen në zemër dhe zemra është ajo që rrahë jetën si ora, deri sa të jeshë i gjallë; i përjetëson të ligat dhe të mirat e jetës, për të cilën vijnë pushtues pa shpirt e zemër, si bishat, dhe i bien jetës kudo; por zemra e madhe i duron plagët më të rënda të saj, si vdekjet që parakalojnë përbri jetës e të shikojnë me të gjitha përvuajtjet e tyre dhe sakrificat, edhe me jetë. E kam përvojë të gjallë të tërë krijimtarisë sime. Prandaj, këtë plagë e këto vraga i kuptoj si vulë e rëndë e pushtuesit të mbramë serbo-sllav, si patkoin e rëndë të hekurit mbi kokën tonë, pra goditjen më të rëndë që e ka pasur pushtusi, nga e cila edhe Qazim Berisha ka vuajtur e do të vuajë tërë jetën, qoftë gjatë humbjes dhe rënies së vetëdijshme të vëllait të tij, profesorit Selim Berisha, rënies së tij si hero kombëtar, të shprehur edhe në fejtonin „Rënia e profesor Selim Berishës“, në gazetën „Albania“, Tiranë, 1999, por edhe në poezinë e kësaj vepreje, „Fli i qetë vëllai im“, të shkruar me rastin e shpalljes si „Hero i Kosovës“, në njëzet vjetorin e rënies së tij, më 20 mas 2019, që të flinte i qetë në shtratin e përjetësisë, sepse Kosova po e pranonte de Jure e de Facto aktin e tij sublim.

“…Këto riga të syve

Nuk janë lot ligështie

Por janë riga malli…” – thotë poeti,

pas 20 pranverave pa të, sepse gjaku i tij ngritej si shpirti i feniksit, me zjarr të gjallë, anë e përtej kohërave. Gjaku i heronjëve ndrit si dritë e bardhë. Nga poezia paraprake, Ju jeni vetë liria”, poeti thot se kur askush nuk e dëgjoi kushtrimin e atdheut, e dëgjuan vetëm luftëtarët e vërtetë, të cilën e lëshonin ata të cilëve u rrahte zemra për atdheun. Krijuesi i kësaj bote i kishte sjellur edhe ata në këtë jetë. Në zemrën e tyre banonte pikërisht dhembja, e cila paraprakisht i ndjente këto vale të turbullta. Kështu qenë të gjithë dëshmorët e lirisë. Në një pikë kohore do t`i dilnin zot Atdheut. Do të kërkonin të shpaguanin demonët e nëntokës me forcën e shpirtit të tyre, me plumbat e lirisë, si rrezja e diellit. Kështu, do t`ia kthenin kuptimin e jetës.

Nuk dua t`i bëj një analizë tematike dhe eseistike të poezisë së këtushme, të figurave e të vargjeve, madje asnjë poezie të kësaj vepreje, pos përmbjatjes ideore, e cila lidhet me lajtmotivin ideor të veprës në fjalë. Nuk do mund të kuptojmë punën e qëllimtë të UDB-së, të cilën na e rikujton poetikisht poeti, me poezitë e tij. A janë të mira apo nuk janë të mira nuk po i gjykojmë, por këto vargje janë mjaft të qarta. Ndonjeherë kemi ndër to edhe metafora apo figura të tjera. Por, po ndalemi në një shënim, në fund të poezisë, “Nxënësve të mi”, kur për herë të parë, në vitin 1991, nxënësit e klasës së VIII-2, të shkollës fillore të Barilevës “Ali Kelmendi”, i grisin librat dhe fletoret e gjuhës serbishte, në prezencën e arsimtarit të serbishtes; i thanë JO gjuhës serbe, sepse Kushtetutën e Kosovës e patën suprimuar pikërisht ata dhe na i patën marrë të gjitha të drejtat. Kujdesar i kësaj klase ishte Qazim Berisha, i cili di të krenohet me ta, sepse si një edukator i kishte mësuar dhe edukuar ata si nxënës të veçantë, të cilët e kuptonin se çka është padrejtësia.

Të gjithë dëshmorëve e martirëve të zgjedhur nëpër këtë udhëtim vargjesh, deri te ideologu i parë, heroi i kombit, prijetari luftës sonë në Kosovë, Metush Krasniqi, e deri sa edhe në mitologjinë heroike shkon deri te Gjegj Elez Alia, i cili, edhe si emër na i lidh tre kolosë të njerëzimit: Gjergjin, që është mbreti i të gjithë shqiptarëve, Gjegj Kastrioti-Skenderbeu, dhe si emër Gjergji është shqiptar e të tjerët e quajnë “gjorgj”; Elezin, që është shqiptar, por në kombet e tjera e ka një rrotacion të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve në “Elsner”, dhe janë të veçantë; së fundit Alia, i cili del edhe si luftëtar, madje në mitologjinë pellazgo-ilire, por edhe islame, Hazreti Alia, të cilët janë kurrejsh, barabar me kuretët pellazgo-ilir, të cilët sot gjenden në Venedik, Alpe e Zvicër, si retoromanët. Ndër nëntë plagë zgjohet përherë i gjallë në luftë me bajlozin! Edhe numri nëntë është numër i Zotit. Poeti thot, se të gjithë “veprimtarët” po e çojnë ujin në mulli të armikut, se Kosovën dëshirojnë ta bëjnë një paçavër të djallit, pas sa vite të luftës e të rezistencës sonë. Me luftë fitojmë, por me paqe na gllabëron djalli, me dredhitë e tij të prapta e të pandalura…

Qazim Berisha

Vargjet janë të mbushura me dhembje e lot. Poezia me këtë titull është e shkruar, më 26 nëntor 2019. Ajo i kushtohet tërmetit të madh në Shqipëri. E tërë shqiptaria dhe bota perëndimore, por edhe shtetet arabe dhe të lindjes ngriten në këmbë për të ndihmuar këtë popull. Kjo është vetë tragjedia. Dhe, flamurin e Shqipërisë e pranojnë edhe shtetet arabe dhe e ngrisin në qendra qytetesh, si solidarizim me dhembjen e sakrificën e madhe të shqiptarisë e të botës perëndimore. Poeti, me lot në faqe shpërthen:

“E rëndë shumë e rëndë

Me dhembje e pikëllim

Është mbështjellur Shqipëria

Dhe tërë shqiptaria…“

(Nga poezia, “Dhembje e lot” )

Nuk ka nga të shkojë dhembja e poetit, pos të shpërthejë me lot. Me lot nuk tretet pikëllimi. U bë çka u bë, por vragat janë të thella. Shërimi i tyre në zemër nuk mund të bëhet, as jetët e përfunduara në tragjedi nuk mund të shlyhen nga zemrat delikate të njerëzve, që i ka lindur natyra të këtillë.

Shpirti i poetit rri gjithnjë i trazuar. E përcjellim nga poezia në poezi dhe pikërisht këtë ndjenjë dhe e ndjejmë fuqishëm, qoftë edhe në poezinë me të njëtin titull, “Shpirti i poetit”. Poeti shkruan:

“Nga optika e të vërtetës e sheh jetën

Vargjet i ka prushërisht të zjarrta

Është zëri i atdheut që i falë buzëqeshje.

Poeti e nis ditën me agun e mëngjesit

Ai shoqërohet me zogjtë e pranverës

Bashkë me lulet e vesëtisura në agim

Është i dashuruar në ngjyrat e ylberit pas shiut

Shpirti i rebelohet kur sheh atdheun e dremitur

E qiellin me re të mugëta atje lart në qiell

Lutet e lutet për ditë të mira që do vijnë…“

Ai lutet për këto ditë, por nuk dihet kah sillet e vërteta. Pikërisht, na trishtojnë të gjithëve, e edhe mua. Por po u kthehem poezive më të mira të kësaj përmbledhjeje. Njëra ndër to është dhembja jonë e madhe. Këtë titull e mbanë poezia që u kushtohet edhe atyre, që sipas nesh, “nuk u kthyen më”, as nuk e merr politika e armiqve tanë më të rreptë ndaj nesh, Serbisë, e cila me Shqipërinë ka ditur të rrahë politikën nënshtruese, qoftë edhe me të holla të turpshme ndaj politikanve të saj, në qoftë se guxojmë të themi, dhe politikanve tanë. Ne, kot përpiqemi “të rrahim ujë në havan”, por nuk bënë punë. Të gjithë që do të vendosin për këtë çështje të madhe të gjenocidit serb, sikur i kanë futur “vesht në lesh”. Poeti thërret edhe njëherë:

“Duhet ta bëjmë të pamundshmen

Fatin e tyre ta zbardhim sa më parë

Njëzet vite jetë ankth familjet po përjetojnë

Për njëmijë e katërqind shpirtra pritet

Që dikush të na e thotë një fjalë

Ku mbetën nga i tretën ku i çuan

Në cilën deltë i groposën medet!”

Të themi shkurt: ai bërtet! Po kush do të thotë ndonjë fjalë? Askush! Kjo është “Dhembja jonë e madhe”. Ka të drejtë plotësisht, kur thotë se duhet ta pyesim ndërgjegjen tonë, “çfarë bëra unë, çfarë bëre ti e çfarë bëri ai” për këto gjurmë që ende kullojnë gjak dhe nuk u dihet gropa e zhdukjes.

Kështu kanë dashur të na shohin armiqtë tanë të mëdhenj, sepse duan të zhdukin e shpopullojnë të vërtetën e origjinës së tyre me ne, ose të na i tretin mendtë prej kokës, sikur fluskë shamponi, e t`u themi të gjithë të tjerëve se ata janë të parët e ne jemi kopje e prishtë e tyre. Kjo është tragjedia jonë më madhe, sepse bëhet edhe me “shkencë”. Ata që gënjenjë popullin e vet për interesat vitale të gënjeshtarëve të mëdhenj e armiqve më të urryer, rreth e rreth tokave shqiptare, nuk janë shkenctarë, por tradhtarë. Edhe poeti i ynë me të madhe thërret, në poezinë kyqe, “A falet toka e qielli”:

“Pse gjithë kjo amulli në kokat tona

Bashkë me këtë mjegullnajë dehëse

Sikur kemi humbur drejtimin e rrugës

A ka kush këtu qe vë gisht në kokë…“

Jo, toka nuk falet! Një plis me dhé, është plis me ari! Fjala e urtë e popullit nuk përfillet as nga ata që i prijnë popullit të urtë dhe japin e shesin sa andej e këndej. Kosova është bërë pikë e vogël në detin e madh. Prandaj, shpërthen autori në poezinë prej të cilës e merr titullin përmbledhja:

“Nuk ta fali dhembjen

Në pranverën e luleve

As në verën e mërgimtarëve

Jo as në vjeshtën me shi

Nuk dua ta fali dhembjen

Në netët e dimrit të acartë…“

(Nga poezia, “Nuk ta fali dhembjen”)

Në dhembjen e poetit janë të gjitha vuajtjet e popullit të tij. Ka arritur diku në stacionin e fundit, rrugëve të gjata të jetës. Brenda digjet zjarri i eshkës. Vitet kalojnë dhe vie edhe vjetërsia e moshës. I thotë poeti në poezinë “Zjarri i eshkës”, e disa të tjera. Rrugëtimi vazhdon prej poezisë në poezi. Ndonjëra është edhe akrostik, për nxënësen e tij.

Ne, po e përfundojmë me kaq! Lexuesve u dëshirojmë që të ndihmojnë çështjen e madhe të lirisë e të zbusin të gjitha dhembjet tona për këtë ditë.

Studiuesit e mirëfilltë le ta dinë se kjo qe analiza ideore e tematike e kësaj vepreje, po me kohën do të zgjerohet në analiza letrare dhe gjuhësore…

 

Nga: Brahim AVDYLI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s