Shëpia Botuese “EMAL” publikon vëllimin poetik “Valsi vallëzon vetëm…” të autores Rudina Muharremi-Beja me redaktim nga autori Demir Gjergji

Shëpia Botuese “EMAL” publikon vëllimin poetik “Valsi vallëzon vetëm…” të autores Rudina Muharremi-Beja me redaktim nga autori Demir Gjergji
 
Titulli: Valsi vallëzon vetëm…
 
Autorja: Rudina Muharremi-Beja
 
© Të gjitha të drejtat botuese janë të autores
 
Redaktor: Demir Gjergji
 
Botimet: EMAL
 
ISBN 978-9928-04-553-9
 
Grafika: Mimoza Vasku
 
Tabloja e kopertinës, dhuratë nga piktori Nazmi Hoxha
 
 
Lëkundjet e tokës, dridhjet e zemrës…
 
Koha që po ia kushtoj përgatitjes për botim kësaj përmbledhjeje poetike, të tretit në radhë (pa përfshirë monografinë “Im Atë, mjeku i të gjithëve”) të poetes Rudina Muharremi-Beja janë ditë fundvjeshte e fillimdimri. Është fundnëntori e fillimdhjetori i 2019- ës, që shqiptarët (dhe jo vetëm ata, por edhe miqtë e tyre) nuk do t’i harrojnë kurrë. Pas goditjes fatale, që shembi aq çerdhe njerëzore dhe ndali frymët e zemrat e mbi 50 jetëve, toka nuk gjen qetësi. Dridhet e shungullon mundimshëm duke vazhduar t’ua trembë gjumin fëmijëve dhe t’ua shtojë ankthin etërve e nënave të tyre.
I përfshirë në këtë gjendje të tmerrshme shpirtërore, përpiqem të gjej një mënyrë për ta harruar disi veten. Mendimi më erdhi vetëtimthi:
Pikërisht një ditë para tragjedisë Rudina, me kishte folur nga Italia:
 
– E kam gati librin me poezi. Të ta nis?
– Patjetër!
 
 
Rudina Muharremi-Beja
 
Por ajo që ndodhi e kishte flakur tej me dhunë këtë bisedë të brishtë për poezinë. Ashtu si tek gjithkush poezia ishte strukur në skutat e shpirtit për t’ia lënë vendin lotëve, rënkimeve nën gërmadha, thirrjeve për ndihmë. Shpirtrat brenda trupave të mbetur gjallë dhembnin më shumë se ata që tashmë kishin fluturuar në qiell!
Lëkundjet e tokës vazhdonin së thelli frikshëm dhe pikërisht në njërën prej këtyre trandjeve, Rudina më shkruan: “A jeni mirë? Bëni durim!”. Dhe pak më pas më nis poezinë e saj të saposhkruar: “Titaniku”
 
“U mbyt “Titaniku” dremitjes…
Natës së ftohtë,
Errësirës së pabesë.
U shkund fort prej fatit.
Klithma
Grisi qiejt,
Shtegtoi me retë,
E lutej!”
 
I lexova disa herë këto vargje të strofës së parë dhe m’u duk se lëkundja e tokës u përsërit, këtë herë disa ballë më shumë. Në të vërtetë, po më dridhej zemra prej asaj që po lexoja. Aty për aty i shkrova Rudinës:
“Kur të duash mund të m’i dërgosh poezitë.
Gjendja, që po përjetoj, po ma nxit dëshirën drejt librit tënd të ardhshëm.”
Dhe autorja nuk vonoi. E unë gjithashtu nuk e shtyva për asnjë çast më tej punën për përgatitjen e tij.
Kështu, harruar pas poezisë së Rudinës, në një farë mënyre, jam më larg ekraneve dhe mikrofonave trallisës dhe ndjehem si brenda një shpirti që po qetohet mundimshëm.
…Kam 3 orë i mbërthyer pas poezive të saj dhe tani, ndërsa po shkruaj këto radhë, ora është 1:50:45 PM e 3 dhjetorit. Përsëri toka u tund!Pikërisht në Lalëz, në vendlindjen e Rudinës. E ndërsa dheu po dridhet nga forcat e errëta zgafelleve të zjarrta të tij, mua më dridhet zemra dyfish: Nga pasojat e tragjedisë së këtij fillimdimr shqiptar dhe, njëherësh, nga emocionet që më përcjell poezia e kësaj poeteje, tashmë dinjitoze për t’iu imponuar salloneve të poezisë elitare.
Dhe së fundi, kur e pyet autoren për poezinë e saj, ajo shprehet: “Në botën e larmishme të krijimtarisë nuk ka hapësirë vetëm për të mëdhenj. Në shtigjet e pafundme të saj ka vend edhe për ndjenja autentike, një botë të brendshme me intensitetin e një jete të jetuar apo të ëndërruar.
Poezisë i qasem me një stil të veçantë, të dallueshëm që udhëton në të përditshmen, imagjinaren, simbolikën e metrikën e meditimit, me variete tonesh të një shpirti të ndjeshëm.”
 
 
 
Demi Gjergji
Tiranë, 3 dhjetor, 2019.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s