SAKO NË KËRKIM TË DASMËS / Nga: Prof. Dr. Resmi Osmani  

SAKO  NË  KËRKIM  TË DASMËS

 

Nga: Prof. dr.Resmi Osmani  

Novelën “Dasma e sakos”, shkrimtari Vath Koreshi, e shkroi në fundvitin 1979, një vit më pas që, kishte shkruar edhe novelen tjeter “Haxhiu i Frakullës”. Për të, në vitin 1980 u laurua me “ Çmimin e Republikës”.Të dyja i kanë qëndruar kohës dhe lexohen me ëndje edhe sot e kësaj dite dhe besoj edhe më pas, pasi i takojnë kategorisë së librave të mirë. Përveç afërsise  kohore kur u shkruan, këto dy novela, janë vijimësi e njëra-tjetrës, me të njëjtën tipologji, por të çvendosura në kohë dhe hapësirë, me personazhe që vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore, por që i përafron  ideja e shkrimtarit: që njeriu gjithë jetën,pavarësisht shtresës shoqërore që i përket, është në kërkim të përhershëm të dashurisë dhe lumturisë, si prirje natyrore e lindur bashkë me të, por që jetërsohet dhe ndrit brenda unit të individit, kur një shkëndijë e ndez atë zjarr. Kjo shkëndijë për Haxhiun e Frakullës ishte Meremxheja, nga një familje perandorake, kurse e Sakos ishte Sela e bija e bashkfshatarit Dadan Mani . Të dyja të bukura si xhinde!

Për lehtësi kuptimi të ngjarjeve , interpretimit të tyre, tipizimin dhe sjelljen e personazheve, e shoh me vend ti vij në ndihmë lexuesit për kohën dhe mjedisin e zhvillimit të ngjarjeve të novelës në fjalë. Autori nuk na e thotë, por nga gjykimi i kohës dhe viteve, ngjarjet zhvillohen aty nga fillimi I viteve 20-të të shekullit të shkuar dhe shtrihen gjer nga fundi I viteve 30-të. Vendndodhja, është diku në Myzeqenë e Lushnjes, në lagunat e bregdetit, ku gjendeshin çifligjet e bejlerëve vendas. Me bujq, raja, e hysmeqarë të varfër, bir I të cilëve ishte Sakua dhe bejlerë të pasur si Bakëm beu i “Belikes së Etmit” qw, ishin zotër dhe bënin ligjin. Një shoqëri feudale anadollake.

Sakua, na jepet në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Në lule të moshës, kur shpirti ngazëllehet dhe zemra dashuron. Po a dashuron Sako? Vështirë ta thuash e ta quash dashuri të mirfilltë atë përjetim të tij. Ishte 17 vjeç kur hasi në Selën, vashën fshatare që ruante në livadh gjelat e detit.E bukur,njomzake, e brishtë, vashë në lulzim, me sy në ngjyrën e luleve të lirit, si lulja e manushaqes, flokë të plotë. Sakua u dalldis, me ta parë, me ti ndjerë zërin. Ishte një ndjesi e atypëratyshme. Në çast pas saj, Sakua ndjeu një të përqethur në trup, një vakësirë që ju përhap në tërë kraharorin, zemra i skallmonte gjoksin dhe gjunjët ju prenë krejt. Dashuri me shikim të parë? Jo. Më së shumti një ndjenjë e vetvetishme, njerëzore, instiktive që, flinte brënda tij, pjesë e unit, njëfarlloj  kompleksi frojdian. Dëshira për femrën. Selën takoi, Selën deshi. E njëjta do t’i ndodhte edhe me një tjetër vashë. Në mënyrë naive, me fjalë të thjeshta. ai i shpreh ndjenjën e atypëratyshme, i thotë se e pëlqen dhe do t’a kërkojë për nuse. Vasha, e befasuar nga kjo e paprtiur, nuk i përgjigjet veç e mbytin lotët. Sakos i hapet një plagë në shpirt. Dërgon lajmës. Kërkesa refuzohet. Pse? Mos Sako ishte djalë i paqënë për t’u bërë dhëndërr? Jo. Me prindër të vdekur, jetim i mbetur fillikat. Që jetonte në një kasolle të vidhisur.Pa mall pa gjë, pa tokë, fukara i këputur, që jetonte në natyrë si zogjtë me ç’të gjente. Në kohën që bëhet fjalë, martesa me dashuri ishte përjashtim. Martesa me shkuesi ishte rregull. Vajzat dhe djemte i martonin etërit, por Sakoja ishte jetim. Selën e martojnë në një shtëpi për të qënë. Sakos i mbetet vetëm kujtimi dhe një mall i pavdirë për vashën. Edhe pas shumë vitesh ai rënkon:Ah mor Dadan Mani, pse s’ma dhe Selën mua?

Ditë të vështira vinë për Sakon.Kur edhe burimet e pakta të jetesës mbyllen, nga makutëria e beut, për të mos vdekur nga uria, Sakua dorëzohet hysmeqar në sarajet dhe çifligun e Bakëm beut.Beu i premton se do ta bëjë bir për shpirt, do ti gjejë për nuse më të bukurën e vajzave dhe do të bëjë një dasmë të madhe që të mbahet mend. Këtu nis edhe drama. Që të kuptohet kjo dramë, ajo jetë që është i detyruar të jetojë, në mungesë të lirisë, si në një bujkrobëri të pashpallur, duhet ditur dhe kuptuar gjendja shoqërore-ekonomike, mjedisi që, janë faktori përcaktues(determinues) i mënyrës së jetesës dhe sjelljes, mjerimit dhe poshtërimit të tij për vite e vite me radhë sa kohë ai ishte në pritje të arritjes së një ëndërre, sipas fjalës së dhënë nga beu, që Sako e konsideronte të barasvlefshme me besën. Dhe besa e dhënë duhet të mbahet.Prit të presim. Është kjo ëndërr që përcillet nga dita në ditë, nga muaji në muaj e nga viti në vit. Dëshira që të merrte edhe ai nusen e vet,  të hapte edhe ai shtëpi me grua e kalamaj. Dilema midis deshirës dhe pamundesisë për tu arritur mbetet e hapur. Po atë kush do ta martojë? Martesa i kthehet në obsession. Në stinën e vjeshtës, kur në udhët e përbaltura shfaqen qerret e mbuluara me rrogoz dhe qilim të kuq që shpien nuset në shtëpitë e dhëndurrëve , shoqëruar me tam-tamet e daulleve dhe sazeve, Sakos i hapet plaga e shpirtit. Po dasma e tij kur do të bëhet? Bashkë me këtë pyetje, nusja e ëndërruar në një ditë vjeshte, vjeshta e dasmave, i fanitet midis mjegullës mëngjesore tej livadheve një grua….Jo, jo! Kjo s‘ishte një grua dosido dhe e panjohur….Kjo ishte nusja e Sakos, që vinte përmes livadheve, stolisur me shami qëndisur me hoja si kristalet e brymës, kishte veshur jelekun me temina, çitjanet e mermerit, mermeri ishte i bardhë si prej ari dhe prej drite dhe shpërndante nëpër fushë erën e trëndelinës. Por kjo ishte një përhitje.S’kishte asnjë nuse. Sakua përmendet dhe jeton mjerimin e vet por ama, edhe me shpresën se nusja një ditë do të vijë dhe ai do të bëjë dasmën e vet. Këtë ja ka premtuar beu, i ka dhënë besën.

Në këtë dramë me nota të dhimbshme baladeske, ku s’mungojnë edhe ato lirike, ka pak personazhe, por mjaftueshëm që novelisti të shpalosë artin dhe idetë e veta. Në qëndër të rrëfimit janë Sakua dhe Bakëm bej Valoma.Si dy skaje metaforike të së mirës dhe ligësisë. Sakua na jepet me nota,  ngjyresa e cilësi njerëzore të tilla, që lexuesi të gjejë tek ai brishtësinë, dashurinë, mirësinë, ëndërruesin, por disi naiv, që beson lehtë edhe pse e kupton se mashtrohet, janë këto cilsitë e njeriut që gjendet në zgrip të ekzistencës, për të cilat lexuesi ndjen jo vetëm simpati por edhe keqardhje për fatin e njeriut, pa të drejta, fillikat e me pamundësi për të jetuar e ndërtuar jetesën me dinjitet. Bakëm bej Valoma, zotruesi i çifligut “Belike e Etemit”, i një pasurie marramendëse, na jepet me pamje të përçudnuar, koprac që të kujton heronjtë e Balzakut dhe Molierit, që bën jetë të varfër midis pasurisë, sepse varfërinë dhe ligësinë i ka në shpirt, i ka mënyrë jetese. Edhe i biri,Alush  beu, i arsimuar në Romë, që hiqet reformator dhe modern, është po aq i lig dhe përbuzës ndaj hysmeqarëve sa edhe i ati.Si i ati dhe i biri.

Në dorën dhe mëshirën e këtyre dy njerëzve është jeta e Sakos.  Sakua punon, robtohet në çiflig e në saraje. Asnjë lloj shpërblimi për punen. Pagën e tij, Bakëm beu, gjoja e fut në një qese që kur të vijë koha ti bëjë dasmën dhe ta martojë Sakon. Vitet kalojnë, mosha ikën, shfaqen thinjat dhe rrudhat, por shpresa çuditërisht mbetet.Saku si një lypsar, çdo vjeshtë shkon  dhe i lutet beut që ta martojë e t’i bëjë dasmën. Të mbajë fjalën që i ka dhënë. Beu cinik,përbuzës, e shpotitës, gjen gjithmonë shkaqe për ta përcjellë hysmeqarin me refuzim dhe Sakua ikën për të jetuar mjerimin e vet në pritje se vitin tjetër beu do të ndërrojë mendje. Beu plak vdes. Sakua tashmë ka të bëjë me beun e ri. Vijon kalvari i refuzimeve talljeve dhe poshtërimeve. trembëdhjetë vite shërbim, trembëdhjetë vjet pritje. Më në fund Sakua rebelohet. Kupa është mbushur e s’mban më. Prushi i zemërimit që djeg nën mbulesën e hirit, nis e përvëlon. Ndodh ajo që lexuesi e priste. Sakua mbledh mendjen, trimërohet, vret druajtjen dhe frikën,bëhet kryeneç, kërkon hakën e punës dhe, pastaj të ikë nga sytë këmbët. Vjen refuzimi i kërkesës dhe kërcënimi: si guxon ky hysmeqar leckaman, harbut, që e kemi mbajtur me bukë që të mos vdiste urie!Pa le edhe trimërohet para beut!Pa kërkon edhe nuse, që të shtojë fisin me ca qurrashë e lapangjozë! Le t’ja mbathë nga të dojë, por nuk ka asnjë shpërblim. Po ku të shkojë Sakua, ku të mbytet? Askush se pret, askush nuk ka nevojë për krahët e tij, veç të dalë e të lypë për bukën e gojës. Qëndron në çiflig, por i vendosur, kryeneç, të marrë hakën që i takon nga gjithë ato vite të punës së papaguar. Pas kërkesave këmbëngulëse,një mbrëmje von, kur Alush beu ishte duke u argëtuar me miq, ndodh çudia: Alush beu, më në fund, vendos ta martojë  Sakon, brënda vjeshtës, ashtu siç do të bënte me një njeri të familjes, me një vëlla për shpirt! Mjafton një fjalë. Nuk vonon dhe  në konakët e hysmeqarëve ngrihet dasma, ushtojnë këngët dhe sazet. Vijnë miq e të ftuar, fshatarë dhe hysmeqarë. Theren mishrat.Rakia derdhet lumë! Po martohet Sakua. Thonë që nusja është pik e bukur, e ka gjetur beu te një mik i një fshati tjetër.Krushqit nisen me qerren e mbuluar me qilim të kuq që të marrin nusen. Sakua nuk arrin të gëzohet,është si në një ëndërr të pavetëdijshme, se ç’ka një paranojë, trupin e ka si të mpirë.

Janë faqet e fundit të novelës. Prozë e ngjeshur, si një materie e rëndë, vibrante, midis rreshtave ndjehet ai elektricitet që paraprin shpërthimin e shtrëngatës, cinizmi i aty-këtushëm i beut, ironia e hollë dhe mllefi në bisedën me miqtë, marrja e tij e kreut të shtëpisë në hidh e pritjen e urimeve, i parathonë lexuesit se ka për të ndodhur një gjëmë, por pa e menduar se çfarë. Kur bie muzgu, krushqit sjellin nusen.Vjen qerrja e ëndërruar, mbuluar me qilimin e kuq që, sjell nusen e Sakos. Gëzim, berihaj, kënga e grave, ushtima e sazeve. Nusen, e mbuluar me duvak që, si e do adeti është duke qarë, e zbresin dhe e fusin në dhomën e Sakos, në atë dhomë që ka trembëdhjetë vite që e prêt! Beu, shoqëruar nga miqtë e tij,thërret Sakon ti heqë duvakun nusen dhe ta shohë sa e bukur është! Hiqet duvaku.Shkrepëtin rrufeja, që djeg dhe bën hi e pluhur dasmën.Nusja është një dordolec lapangjoz, Muçi, një avdall gjysmë i marrë, që me mëndjelehtësi, pa i menduar rrjedhimet, vishet si nuse! Pasthirrmat e grave të lemerisura nga pamja, kontrastojnë me të qeshurat dhe të tallurat e beut dhe miqve të tij.Për Sakon ishte si të kishte mes dhomës xhenazen e ëndërrës së tij, për beun tallje e poshtërim e hysmeqarit dhe gjithë rajave, një shfaqje komike për miqt e tij:”Shihni sa i bukur na ka dalë nusja!”-u thotë atyre Alush beu tërë cinizëm.Miqtë qeshin me lot. Lexuesi e përjeton si një makth të dhimbshëm. Është kulmi i dramës, por jo fundi i saj. Të pranishmit largohen. Sakos i merren mendtë dhe këmbët, del perjashta duke u mbajtur në supet e grave.Ikën mes errësirës, në fushë, i lagur nga shiu dhe i përbaltur.

I vrarë shpirtërisht, i dërrmuar fizikisht, i çartur mendërisht, i poshtëruar dhe çnderuar para gjithë njerëzisë, i dorzohet errësirës së natës dhe shiut që s’pushon. E shoqëron veç monologu i tij, që po e citoj, pasi aty përmblidhet tërë kuptimi që ai i jep jetës së tij:

       “O zemër katran si nata! O i pashpirt! O qen e bir qeni! O biri i djallit që më nxive me këtë turp!Si ma bëre këtë gjëmë e këtë hata?Si më talle e më qeshe kështu? Një jetë të tërë që më gënjeni dhe unë mendjethari kam pritur mjaltë nga grerëza.helm keni ju, helm e zeher si shpirti juaj i poshtër.Vetëm të pini gjakun tonë si shushunja, vetëm këtë dini.Gjakun e fukarasë.Po do t’ju zërë në grykë ai, ta dini! Do të të zërë në grykë,or Alush bej, se djersa e gjaku I fukarasë çan gurin……Një jetë të tërë që punoj e robtohem, sepse kam dashur të kem shtëpinë time, të kem njerëzit e mi, fëmijët e mi.Se përse rron njeriu? Ç’i gëzohet jetës ai? Ja të lërë kalamajtë e vet, shtëpinë dhe katandinë e vet, të ketë njeri që ta qajë kur të vdesë, që t’i rrijë te koka e t’i dhimbset” Duke ecur nëpër natë, ai pyet veten: si do ta lajë këtë turp që iu bë, si do të dalë nesër në sy të njerëzisë?Por Alush beu i ka bërë llogaritë gabim, kur mendon se mund të qeshë e zgërdhihet me të, që i sosi jetën, e futi në dhe të gjallë, dhe kjo, atje në sarajin e tij  e kënaq dhe zbavit!

“Dale more Alush bej, prit!”

Kjo është vetgjyqësia.Vendimi është marrë. Dhe në mesnatë vjen hakmarrja. Alush beun e gjejnë të vdekur të mbytur në gjak. Kështu mbyllet novela. Se ç’u bë me Sakon autori nuk na e thotë, pas hakmarrjes, ai e le atë ta përpijë errësira e natës.

 Shtator 2020.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s