LISAT E S H P I R T I T TË SABIT RRUSTEMIT (Shënime mbi librin e dymbëdhjetë të serisë HYJNORJA IME JE TI 1) / Nga: Timo Mërkuri

 
LISAT E S H P I R T I T TË SABIT RRUSTEMIT
Shënime mbi librin e dymbëdhjetë të serisë HYJNORJA IME JE TI 1
 
 
Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë…
Anton Nikë Berisha
 
I-Në qoftë se pas leximit të librave poetikë të serisë “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit do përballemi me thënien e Persi Shellit se: “Poezia është kujtesa e çasteve më të mira, më të lumtura të mëndjeve më të lumtura e më të mira” me siguri që këtë përkufizim do ta rezervonim pikërisht për poezinë e këtij autori dhe atë vetë, dhe këtë jo rastësisht. Sabit Rrustemi është i vetmi poet, jo vetëm në letërsinë shqipe që i ndërton dashurisë një tempull prej dymbëdhjetë vëllimesh poetike, shtrirë kjo në një hapësirë prej 14 vjetësh (2009-2021). Ajo që duhet theksuar me këtë rast është fakti se poezitë e këtyre vëllimeve janë krijuar në një moshë të pjekur krijimtarie, çka ka bërë që niveli i tyre artistik të jetë i rafshit të epërm, ndërkohë që kanë freskinë e moshës së re.. Që nga vargu i parë i librit të parë dhe gjer te vargu i fundit i librit të dymbëdhjetë, më shumëm se sa lexon, ndjen dhe përjeton një stinë dashurie në një botë ku “andralla” e vetme e jetës është dashuria, të cilën poeti na e “shet2”nëpërmjet vargjeve të tij.. Dihet që dashuria ka “andrallat” më të shumta të jetës, por edhe më të bukurat mbi dhe. Madje dashuria edhe dhimbjen e ka të “bukur”, si një poezi më vete.
Nuk na habit fakti që Sabit Rrustemi shkruan e “shet” poezi të bukura dashurie por të impresionon fakti se këto poezi dashurie, pavarësisht kohës kur janë shkruar, viteve kur janë përjetuar ende janë me aromë rinie e mbushur plot “gjelbërim”, thua se mosha e dashurisë nuk ka as vjeshtë e as dimër, por veç pranverim, ku dhe kur “rriten” lisat që synojnë yjet e qiellit. Vargjet çelin në poezi natyrshëm si bisqet e njomë në trungun a degët e një lisi të “moçëm”, duke formuar një kurorë të re, të gjelbër që të tregon për së largu se këtu është pranverë.
 
“Brenda Teje jam
nga zanafilla e këndej
më mirë askund s’ e kam
………………………………….
Koha e ikur
në një të nesërme kthehet
për t’më parë si të dua
 
E dashur
këtë ëmbëlsi të hidhur jete
që e kam shijuar
prapa këtyre qiejve po e lë
 
Deri në amshimin e pajetuar
më mjafton vetëm Ti”
 
(MË MJAFTON VETËM TI 17 dhjetor 2020)
 
II-Poezitë e dashurisë së Sabit Rrustemit kanë një muzikalitet nëpër vargje, që në rastin e parë të krijohet përshtypja se buron nga vetë tema e dashurisë, por mjafton të lexosh disa poezi të tij ku heroi qëndron pak i menduar a i “trishtuar” nga vonesa e vashës dhe të ndjesh të njëjtin muzikalitet nëpër vargje, të ngashëm me “melodinë” e gjetheve kur i ledhaton flladi që fryn nëpër lisa apo rrahjen e krahëve të një trumbe zogjsh që fluturojnë përmbi pyll.
 
“Një mal ëndrrash që i pashë e më ikën
i lashë mënjanë
e kah Ti u nisa.
 
Asnjë shenjë Tënden s’e kisha
pos një portreti shfaqur pas shiut
në murin e kaltër të shpirtit tim
sa qiellor
sa engjëllor
që s’arrihej
s’prekej
vetëm ndjehej e shijohej
si ëndrra më e pafajshme
që shkrihej syve të mi.”
 
(PËR SHPIRTIN TËND)
 
A nuk të vjen të marësh kitarën dhe t’i këndosh më zë rinie këtëo vargje? Nuk po ju sjell shëmbuj të tjerë se e ndjej që do ti këndoni gjatë çfletimit të librit.
Duke kërkuar burimin e këtij muzikaliteti në poezinë e tij, të tërheq vëmëndjen fakti se Sabit Rrustemi, pavarësisht se është një poet ndër më të mirët në poezinë shqipe, ndonëse kishte patur mundësinë dhe të drejtën të sistemohej në kryeqytet, jeton në Zhegër, pranë Gjilanit, në rrëzë të malit të Çepurit, shpatet e të cilit i ka “mbjellur” me lisa poezie, që janë rritur e kanë formuar një pyll, i cili të fton ta vizitosh shpesh.. Po të shohësh me vëmëndje poezitë e Sabit Rrustemit duket se janë shkruar diku rrëzë një shpati të këtij mali, te ndonjë gur a ndonjë krua, mbështetur te ndonjë lis a shtrirë në ndonjë livadh të cilëve shpesh herë u citon dhe toponimin. Është pikërisht ky ambient i frymëzimit poetik që i ka përcjellë nëpër vargje muzikalitetin e tij natyror. Tipike naimiane.
Këtu kuptojmë se Sabit Rrustemi për “hatër” të poezisë i ka qëndruar larg Prishtinës zyrtare dhe me “ndihmën“ e dashurisë ka ngritur një “kryeqytet” të ri poetik, ku zë fill meridiani zero i poezisë së dashurisë, si meridiani i Griuniçit. Ai që nga Zhegri i jep Prishtinës letrare orientimet dhe koordinatat estetike tëpoezisë së kohës sonë, sepse ai ka ngritur tempullin poetik të dashurisë me besimin se dashuria do e bëjë botën më të mirë. Ju ftoj të nisemi për te ky tempull, ku kryefalltari Sabit Rristemi do na thotë nëpërmjet vargjeve të ardhmen e dashurisë sonë. Unë kam besim te Sabiti dhe te varg-thënia e tij sepse ai është një poet i thellë në ndjenja e mendime, i mbushur me një qetësi poetike, ndonëse me një fije trishtimi, si të gjithë të dashuruarit që presin një shënjë a një fjalë nga Zoti a nga vajza.
Sabit Rrustemi është i dhën pas artit, më saktë duhet thënë se ai është shkrirë e bërë pjesë e artit poetik. Ai jeton nëpër poezi dhe kjo dallohet lehtë po të shohësh ritmikën e krijimeve të tija, gati të përditëshme. Ai frymon poezi dhe kjo është e dukëshme te vargjet e tij, të krijuara me një gjuhë të qartë e të lexueshme nga kushdo, si ajri që thithet njësoj nga të gjithë njerëzit.
III-Ka marë dhe diçka tjetër kjo poezi nga ambienti i frymëzimit. Sabit Rrustemi shkruan me varg të lirë, por pikërisht ky varg ka ndikuar që poezia e tij të jetë plotë dritë, si drita në pyjet me nivele të ndryshme lartësie pemësh. Po kështu dhe ajri mes vargjeve është plot oksigjen si ajri nëpër pyje. Nuk lodhesh duke e lexuar këtë poezi, qoftë edhe duke e lexuar me tonalitetin e një recitimi. Të duket se ajri i pastër i vargjeve mbush mushkëritë e tua gjatë leximit (Mushkëritë e mia/petaleve të saja marrin frymë/si vetë imja jetë) dhe kupton se nuk është efekti i temës së poezisë, por është efekti i stilit të tij poetik. Në poezitë e Sabit Rrustemit nuk rri të mendosh domethënien e vargjeve apo të metaforave, ato i ndjen menjëherë shpirtërisht edhe kur ndonjë fjalë a varg nuk e kupton shprehimisht, edhe kur ndonjë metaforë të “sheh” me sy të ulur, si shikimi i një djali të drojtur, në pritje të fjalës a shikimit të vajzës që e ka mbretëreshë nëpër ëndrat e tij.
IV-Sabit Rrustemi shkruan me me vargje të lira, madje edhe me strofa të paregullta, ndonëse me ritëm e ritmikë të brendëshme. Ka një afëri me stilin e vargut të Ali Podrimes dhe Mirko Gashit3, ndonëse me një nerv poetik të vetin, më të butë, më të ëmbël..
Ka stilin e tij në vargje, ku veç të tjerash, në një poezi ndërthuren edhe strofat me disa vargje të shoqëruar me strofat me dy ose një varg. Interesant është fakti se çdo strofë e poezive të Sabit Rrustemit, qoftë strofë shumë vargore apo një e dy vargore, e marë e shkëputur më vete ka edhe kuptimin e një poezie të shkurtër.
Ka edhe më vargu i tij, shpesh herë në mes të strofave, një varg i vetëm apo së paku dy vargje përbëjnë një strofë më vete, të paraprirë dhe të pasuar shpesh herë nga një strofë disa vargëshe. Këto vargje njëshe apo dyshe, në kontekstin e poezisë të konceptuar si “një pyll lisash” të lartë shpesh ngjajnë me trungje pemësh të rrëzuar mbi vija uji a përrenj, duke u bërë në këtë mënyrë “ura kalimi” për lexuesin për te strofa tjetër. Le ta shohim këtë që thamë psh te poezia
LULJA E JETËS:
 
“Në kopshtin e kësaj zemre
ngjitas meje sythoi
e çeli
 
Një botë me aromë plot
ma dhuroi
 
Erërash sa herë u shkund
a shirave u qull
imja dorë iu gjend pranë
dhe ky trup”
 
ndërsa te poezia SECILA STINË E ETUR ËSHTË PËR TY këtë fenomen e konstatojmë edhe me strofë një vargëshe:
 
“Ato që i la stina e mëparshme
s’janë më
e pangopshmja kohë i zhbiu
dhe ato fryte jete që sillnin kënaqësi
 
Trungje të zhveshura mbetëm
para stinës së bardhë
 
Ardhja jote me ngrohtësi na mbështjell
shprush dhe nëpër dej
gacat e një zjarri të pashuar mbledh
 
Mos praj së riguari
derisa t’i njomësh majat e rrënjëve
thellësive të paprekshme
aty ku fija e dritës sate
 
I jep jetë një sythi të ri
 
Pastaj kthehet ajo stina e re
me njomësinë e buzëve tua
na bekon me dashuri”
 
V- Shpesh dëgjojnë të thuhet se qysh nga Homeri e gjer më sot në poezi janë rrahur gjithë temat e jetës dhe s’ka mbetur asnjë për t’u rrahur nga poetët e sotëm. Qysh këtu nis keqkuptimi mbi temat e ezauruara nga poezia. Po të flasim psh për temën e dashurisë, duhet të themi se vete dashuria ka pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrash ku secili prej tyre është një poezi më vete. Në fakt, dashuria është një lëndinë e pamatë mbushur me lule të porsaçelura skaj më skaj, si hapësira qiellore mbushur plot me yje, ku çdonjëra prej tyre është një poezi më vete.
Rasti i poetit Sabit Rrustemi me dymbëdhjetë libra kushtuar dashurisë, pa pasur asnjë rast përsëritjeje (ndonëse edhe Homeri i urtë nganjërehë bie dhe fle gjumë mbi vargje) na tregon se edhe një temë si dashuria, për të cilën kanë kënduar të gjithë poetët e botës në të gjitha kohërat, ka një pafundësi kënd vështrimesh, mënyrash, stilesh e ngjyrash për të kënduar..
Pyesni po deshët Sabit Rrustemin, ai do t’jua thotë.
 
Sarandë, më 15.05.22021
 
1-Vëllimet e serisë HYJNORJA IME JE TI përfshijnë librat poetikë;
 
I-Vëllimi i parë përmban librat:
 
a-Nën atë strehë zemre. In Tima 2009
b-Mëkatet që nuk i themi. In Tima 2010
c-Pjesa e pashuar e ëndrës. In Tima 2011
 
II-Vëllimi i dytë përmban librat:
 
a-Stina mbetet ajo që është. In Tima 2012
b-Me bekimin e një të diele. In Tima 2013
c-Stinëve që erdhën pa ty. In Tima 2014
ç-Nëpër grimca të padukëshme. InTtima 2015
 
III-Vëllimi i tretë përmban librat
 
a-, MË NDEZ E PATHËNA JOTE In Tima, 2016/17
b-NËPËR ËNDRRA TË FJALËVE In Tima 2018/19
IV-Vëllimi i katërt përmban librat
a -Zoti nuk më thotë harroje In Tima, 2009 -2019 apo Libri i Dhjetë
b-. Era përpush ndjenjave të mia In Tima, 2020 apo Libri i Njëmbëdhjetë
c-.( Etna e shpirtit tim) In Tima 2021 apo Libri i Dymbëdhjetë.
2-Perifrazim i fjalës së Alda Merinit kur thotë: .” Çdo poet shet andrallat e tij më të mëdha”.
3-Ndoshta kjo përafëri ka ndikuar tek unë që shkrimin tim për Mirko Gashin ta titulloja “Mali me lisa” duke i riprurë lisat poetikë edhe te ky shkrim.
 
 
 

Nga: Timo Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s