Skica nga Blerim Rreci

 
Skica nga Blerim Rreci
 
 
Tregimth i përdredhur
 
Dikur. Diku. Në një vend. Çfarë hyrje misteroze e enigmatike sikur të isha duke bërë fjalë për ndonjë vend sekret, bazë ushtarake, seli anijeje kozmike, a dhomë parapërgatitjeje për zbritje në ndonjë planet të panjohur, si p.sh., për hënë e mars. E jam unë ai i cili mund të tregoj se për ç’mjedis bëhet fjalë, ose ta “zhvendos” këtë diku tjetër, siç bëhet me emra personazhesh nëpër libra, a ndërrime identitetesh nëpër filma. Po pse? Për qejf! Fjalën e kam për një dhomë brenda një objekti, me madhësi aty rreth 4 metra me 3. Me tri tavolina përreth, dollape pështetur në murin përballë, një dritare e madhe, poashtu ballëpërballë derës. E në fund, pranë dritares me perde, e vendosur një nxehmëse e tipit të vjetër që atëbotë njiheshin me emrin “termo”, ndërsa në pjesën lart, në cep të dritares rregulluesja e temperaturës, me kablo që duken mbrenda e jashtë, pra kjo që njihet me emrin “klima”. Mbi ata tela të jashtëm mjaft shpesh, vije e duket një trumcak, e më rrallë ndonjë shpend tjetër. Është verë. Dhe duke u endur nëpër këtë ambient, afrohem te dritarja, shoh e marr librin e titulluar “Tregime të zgjedhura”. Mbase titulli mund të ishte dhe “Tregime të përzgjedhura” dhe për këtë s’jam i sigurtë. I sigurt jam se kush e ka shkruar, një autor ose një autore (ndonëse emrin ia kam harruar, e edhe po të më mbysni s’më kujtohet), por s’do t’ua them gjininë. Pse t’i nxjerr vetes telashe duke u akuzuar për maskulist a feminist, ndonëse veten e ndjej si njeri (njerizist, po të dua mund ta quaj veten). E librin e pata marrë, e pata shfletuar, ia pata filluar për ta lexuar. Nuk mund të them, asgjë as për mbresat, as për vlerat, pasi që ka kaluar mjaft kohë, dhe s’mbaj ndonjë gjë të më këtë mbetur në mbamendje, veçse diçka e turbullt, e as kapakët e tij nuk më kujtohen. Ndoshta, pasi vetë kushedi se në ç’gjendje kam qenë, dhe mbasi ai libër, mund të gjendet aty ku e kam lënë, dhe pa e patur përsëri në duar s’kam se çfarë them për të. Por pjesa e titullit “… të (për)zgjedhura”, më së shumti më pat bërë (për)shtypje. E pata menduar, që mbase do filloj ndonjëherë dhe unë të shkruaj, ndonjë tregim, a ca tregime, sa për një përmbledhje, të cilën do ta titulloja “Tregime të (për)dredhura”. Po, pse, pata filluar komunikimin me veten. Paj, duket qartësisht turbull se ka kohë që jeta që bëjmë është e tillë. Na ka rënë të përdredhemi jo vetëm shpirtërisht, por edhe trupërisht, edhe ndonjë herë iu kemi besuar bestytnive, se nëse na ngjeshin (na bëjnë masazh) ata që Zoti u ka falur fëmijë binjakë, përdredhja do të na kalojë së shpejti.
Sidoqoftë, vazhdojmë të përdredhemi qoftë nga frika e droja, nga qejfi e nga zori, por ndonjëherë edhe nga mirësjellja. Kur? Tash. Ku? N’banesë. Në ç’vend? N’Kosovë, jo fort larg kryeqytetit. Pas gati dy vjetësh. Kjo është kur të shkruash diçka e kur ta merr mendja se ke thënë diçka. Ndoshta s’qenka keq të mendoj të shkruaj nja shtatë-tetë tregimthe të tilla. Ose të rrumbullaksoj me një dhjetëshe. S’e di, ta shoh…
 
 
 
Një tjetër ditë…
 
Më thirri njëri nga shokët. Dhe dola. Binte një borë aq e shpeshtë saqë ishte zbardhuar dukshëm horizonti. Vije njëri nga taksistët dhe ulem në karrikën tjetër të përparme pasi ishte e lirë. Fluskat e borës binin furishëm mbi xhamat e veturës dhe ishte e nevojshme t’i lëshohen lëvizëset e jashtme për të parë më mirë përpara. Rruga ishte bërë e rrëshqitshme dhe shoferi përpak i goditi disa këmbësorë që e kalonin rrugën në njërin nga semaforët. Të gjithë sikur u lehtësuam nga kjo, zbrita për të vazhduar duke ecur. Mezi hapje sytë nga fërfëllima bardhoshe. Mbërriva përafërsisht aty ku duhej dhe e telefonova. Më tha se ishin pak metra më tej në një tjetër lokal. Hapa derën e asaj kafeneje me karrika të portokallta dhe u ula. Fola u përshëndeta dhe ata të dy vazhduan bisedën që ishin duke e bërë. Flitej për një çështje provimi në fakultet që përmbante dhe një pakënaqësi. “Pse hala po beson në këtë sistem?!”, thashë unë dhe pasoj një heshtje e shkurtër. Mbi tavolinë qëndronin dy filxhanë tashmë të zbrazur dhe unë kur erdhi kamarierja e porosita një çaj frutash.Vazhduam ashtu bisedën e rëndshme e të lodhur. Bisedat kanë filluar të bëhen gjithherë e më të këtilla sikur thashë me vete. Njëri nga shokët u çua dhe shkoi në punë të vet. Mbetëm të dy duke folur ashtu me njëfarë rutine të stërbajatshme. Në ndërkohë në tavolinën tonë vij një tjetër i njohur emri i të cilit siç thuhet ndonjëherë në ndonjërin nga artikujt është i njohur për redaksinë. Sikur ta incizonim këtë e ato biseda veç ndonjë socio-psikolog fort i kthjellët do të na fliste diç për gjendjen tonë. Erdhi koha dhe u ngritën. Përcollëm njërin deri diku afër redaksisë dhe u kthyem për ta vazhduar rrugën sepse ai kishte provim. Sapo mbërrijmë në hyrje të fakultetit e pamë atë profën e tij që zbriti nga vetura. Ti ku po hip në cilin stacion, më tha ai. Thashë po ec pak deri sa të mbërrij te një tjetër më i largët. Por isha disi i pavendosur se çfarë të bëja. Vendosa për ta ndërruar kahjen e drejtimit dhe për t’ia mësyer Gërmisë. Më pas diku pas orës tre e gjysmë do gjendem asaj rruge malore me drunjë anash, atij rripi, të zbardhur bore, do vazhdoj duke ecur për gati dy orë me kapelë në kokë dhe dorëza në duar. Ngadalë-ngadalë. Hapat e mi e prishnin qetësinë e madhe që mbizotëronte. Gjatë këtij dyorëshi do të takohem edhe me pak njerëz që kalojnë andej. Por edhe do dëgjoj ndonjë zhurmë të rrallë shpendi. Do më kujtohet edhe një shëti e tillë që e pata bërë në njërën nga ditët e verës. Edhe tash ndalem te krojet por flutura nuk shoh asgjëkundi. Degëve e drunjëve mbanin mbi supet e tyre gjithë atë sasi bore. Kthehem duke ecur dhe duke menduar për shumë gjëra që kanë të bëjnë me mua dhe me të tjerët. Dhe muzgu ia mbërrin. Ato drita si në të portokalltë të asaj vile-kafe-picerie të bënin të ndjeje fort se mali ka filluar të merrte flakë… Dëgjova edhe ndonjë krismë, ndonjë fëshërimë gjetheje të rënë shkaktuar nga ajo erë që fryente, por edhe fëshfërimë të palltos shkaktuar nga të ecurit tim e lëvizjet e mia, edhe lehje qensh…
 
 
 
Letër grrithëse
 
Dita fillon me zgjimin. Ditë e zgjim në i thënçin. Duke braktisur shtratin. Ora mund të jetë nëntë, dhjetë, më herët, më vonë. Hap derën, e para pragut merr tri letra. Njëra është fatura e rrymës. Tjetra letër reklamuese e njërit prej supermarketeve të mëdhenj. Një letër tjetër informuese nga komuna për regjistrimin e pronës. Faturën e lëmë diku në ndonjë dollap dhe vazhdojmë me komentimin e saj. E me dy letrat tjera bëj dy aeroplanë dhe loja me ta fillon. Kushedi se kush mund të nxjerr jashtë mureve, një zile a një thirrje telefonike a një ftesë nga facebooku. Vazhdojmë me ecje, a ndeja të (pa)planifikuara si pjesëtarë të këtij mozaiku që pos tjerash me dy fjalë mund ta quajmë: tollovi kaotike. Fjalë, fjalë, vetëm fjalë çfryese e psherëtima vullkanike. Me pak fjalë neveria është e gjallë e po lulëzon si kurrë më parë . Orë të tëra nëpër kafene, pranë ekraneve të televizioneve, kompjuterëve, telefonëve, herë herë sytë në ndonjë gazetë a libër. Copra ngjarjesh, ankimesh, lajmesh, kronikash, serialesh, thëniesh, fotosh e motosh qarkullojnë kokave e qenieve tona dhe gjaku na është përzier me to. I përdorim ndejë pas ndeje, bisedë pas bisede…Ç’të bësh e ç’të bëjmë? Mbase ky është roli i spektatorëve që s’kanë gjë në dorë përpos asaj që iu ofrohet. Sytë përtej dritareve shohin një grumbull pensionistësh para degës së një banke…Eh, ç’pritje të gjata burokratike…Vjen përsëri një kohë kur shqyrton mundësinë për t’ia dërguar një letër vetvetes. Kjo mund të bëhet lehtë nëse ke dy adresa në email. Mund ta shkruani dhe në letër dhe ta lexoni me zë a pa të. Dhe çohesh e merr një copë të tepruar letër grrithëse në shpajz dhe kësaj cope letre i jep edhe kuptim figurativ…
 
Dhe ditët rrjedhin, jeta vazhdon, ikje autobusësh nga Kosova, lëvizje, fjalë, protesta. Realiteti hedh valle. Kërkohet shteg për kaosin, shteg për status quonë…
 
 
 
Vargje realizmi tranzicionist
 
Shkon një ditë vjen një tjetër. Diç sikur jemi bllokuar. Si një veturë që ndalet e edhe pas përpjekjesh s’i ndizet motori. Jepi, jepi, provo, provo, çohu e shtyje. Kërko ndihmë. Shprehu shqetësueshëm. Lëre krejt. Përsëri provo. Bë ecejake rreth e përqark. Duke kërkuar zgjidhje. Dhe… Nxjerr telefonin nga xhepi. Pranon pyetjen çka po kqyr në të. Përpiqesh duke klikuar ta gjesh një këngë të dëgjuar kohë e kohë më parë. Dhe kujton gjithë nga ajo që të ka ngelur në mendje, e endet stacioneve të kujtesës, ndonëse dhe kjo pak e turbullt, pak e mjegullt. Se di as titullin e këngës, as emrin e këngëtarit vetëm fjalët e melodinë: ‘Nëse mbetesh vetëm, e kerri të mbetet pa benzin, mos ngurro lajmërohu në numrin tim… Më thirr mos ngurro, për ty gjithmonë kam kohë, kam kohë…’ Derisa mendja vërtitet te lidhjet e ligështuara familjare e shoqërore në për-gjithësi, për vizita e takime të rralla, ankesa për shpërndarje të afërmish, miqsh e shokësh dyerve të botës…Por edhe për kujdesin që duhet ta kemi gjatë takimeve, sepse na ka kapluar lodhja, kriza e ftohja tek e cila pak po ndikon antifrizi…Ankesat vazhdojnë dhe dikush shprehet më ashpër e dikush bën arsyetime më mirëkuptuese për këtë gjendje pikllëlluese. Sa mbrapshtë. E mirë, e bukur shkarravitëm deri këtu a jo, po…!? E gjithë kjo vazhdon në arenën e kësaj fletoreje të dhuruar para gati një dekade, në një ndërrim motmotesh. Një fletore kulturore me vulën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e shtatorit 2009. Pas 5 fletëve ose më mirë 10 faqeve pason fleta(faqja) foto-kolor, njëra anë e medaljes me ca artefakte, një shpellë, një lokalitet antik, një kështjellë, një hamam, një tyrbe, një kishë, një teqe, një xhami, dy ura dhe ana tjetër e medaljes mban shënimet informuese me hartën e Kosovës me numrin që tregon vendndodhjen e tyre. Dhe po ha tash shkopinj të njelmët me susam. E troshat dhe susami po mbesin derisa të fshihen. E sillu e pështillu dhe merr rrugën jashtë mureve, qoftë për ndonjë detyrë a obligim, ftesë, me qejf a përtesë. E kushedi se çdo të vëhet në shportën e kujtesës, çfarë detaje, ndodhi, ngjarje. Dhe ecim. Në drurin e oborrit të shkollës kanë hipur disa nxënës vocërrak, ata edhe bisedojnë për detyrën që kanë marrë për të vizatuar hartën e Kosovës, duke theksuar lokalitetet e saj. Më vonë po këta fëmijë zënë njërën nga tavolinat e drunjta e bojëkafe të hapësirës katrore rrethuar me shumëkatëshe. Shkarkohen nga barra e rëndë e çantave dhe në një fletë të gjelbër hameri vizatojnë kufinjtë e kësaj Kosove. Duke parë dhe në librin:Njeriu dhe Natyra. Kanë dhe një hartë arkitektonike të Prishtinës. Por fëmijët sa lozin, sa vizatojnë, në fund lënë vizatimin, janë të pakënaqur me punën e tyre por magjishëm e pavetëdijshëm mbase me ndihmën e engjëjve kanë fshirë kufirin shqiptaro-shqiptar Kosovë-Shqipëri. Nga veranda e këtij restauranti njerëzit shijojnë këto çaste të kësaj dite të butë vjeshte e cila s’i zbut fjalët për përditshmërinë e halleve.E sytë hidhen edhe kah një pupël e bardhë shpendi që bartet duke u përkëdhelur nga puhiza e në shoqërinë e lehtë të ca tingujve instrumentalë, vazhdon rrugëtimin njashtu si një fluskë bore. Paramendoni që krahët e kësaj fluskeje të na hedhin tek një supermarket ku fillimi i muajit, marrja e të ardhurave, rrogave, qirave, bën dyndjen e blerësve dhe aty takohen edhe bashkëpunëtor deri dje të afërt partie e sot me rrugë të ndara, e pyetja kureshtare është se a thua u përshëndetën. Hej, njëmend a po shkojmë në zgjedhje thotë dikush veç sa për të thënë diçka derisa mendjen e ka te paratë që do t’ia rrëmbejë kjo shportë me gjësende ushqimore e jo ushqimore familjare. Mbase sërish do fillojnë të bëhen premtime për investime prej miliona, qindra miliona e miliarda fjalësh premtuese. Derisa gjërat ngatërrohen e ngatërrohen, e po po vazhdohet me kultivim pengesash e ngatërresash, e po, po vazhdohet në vend se…Të bie në mend një varg i poezisë që pe e lexove së fundi të Alda Merinit që bukur po niste: ‘Hapësira, hapësira unë dua…’ Dhe ndodhemi te ndonjë hapësirë e rrallë, (edhe kjo s’dihet sa do të mbijetojë), fëmijët lozin e ne mund të vështrojmë luleradhiqet ‘parashutiste’ të cilat s’mund të fluturojnë pasi janë mbërthyer nëpër fije të endura merimangash…
 
 
 
Alarmi i orës që blemë dje
 
Ka nisje, arritje në cak dhe rrugë kthimi. Me një autobus deri në stacion i cili mund të jetë strehëz e xhamtë, trup e çati e rëndë metalike, kësulëverdhë e ndryshkur dhe e lëvorisur nga koha, mund të jetë stacion pa asnjë nga këto shenja, si çati qiellhapur. Derisa dikush nget këtë multikultivator. Sidoqoftë, vazhdojmë udhëtimin me autobusin që mban këtë numër, për të vazhduar nëpër vijën e vet qarkulluese, duke u ndalur vendpritjeve të njëpasnjëshme, ndonjëherë duke marrë edhe ndokë që duke ngre e ul dorën si të ishte polic. Zbresim duke na dhënë përparësi këta që rrijnë gatitu si ushtarët, para se të hipin. Kalim udhe dhe tash pritje në stacion treni. Bashkime. Përshëndetje e ndarje. Lutje për më të mirën. Dy-tre hapa dhe hip në autobusin e verdhë që vije dhe treni fytyrëkuq e kokëhirtë, me shenjën: “trainkos”. Ne qëndrojmë ulur ose në këmbë derisa mjetet bartëse vazhdojnë të ecin në të njejtin drejtim e ballëpërballë, derisa të shkëputen nga njëri-tjetri, duke marrë me vete pritësit tjerë që kanë zënë prita nëpër pritore. Fëshfërima zhurmëbutë e hapjes së dyerve t’autobusit na mundëson të zbresim me këmbë në tokë. Nëpër tollovinë e rrëmujshme të një vendi të plagosur rëndë arkitektonisht. Jemi duke u kthyer nga njëra nga çerdhet me fëmijë përdore, një grumbull fëmijësh në hapësirën e ca shumëkatësheve kërkojnë ndihmë pasi që topi u ka ngelur në ballkonin e parë, në vargjet e ballkoneve varg e vijë. E mbajmë për këmbe e shputa këmbësh këtë fëmijë të shkathët, që duke u kacavarur spajdermençe kapet për harkun mbrojtës të alumintë, zbret në ballkon, shuton topin pas të cilit vrapojnë shokët e tij, i zgjas duart për ta ndihmuar të zbres, e vazhdon loja e ndërprerë dhe vazhdojnë hapat tanë. Vera është kthyer në këto ditë tetori dhe artësia e faqeve të maleve ta tërheq shikimin dhe copa dukati që kanë marrë formë gjethesh bien edhe përtokë. (Për)jeto çastet, thotë dikush. Ka çaste që thërret të tjerët për të kaluar kohë së bashku, e ndodh që të tjerët janë të zënë. Ftesa pret e i lë për t’i dërguar tjetër herë. Endemi jetës duke parë dromcat e panumërta të saj, siç shohim çudinë në sytë e këtij fëmije që shfaqet derisa një gjethe bije nga ky dru që ndodhet jo larg kësaj lokomotive në tampon zonën e stacionit të trenit dhe atij të autobusit. Na vije në mend fjala: “S’ka gjeth që bije që Zoti mos ta dije”. Ja dhe një detaj, ja dhe një tjetër. I mbledhim sikur që mblidhnim ca arashka derisa punonim në një arë. A ca bujashka për të ndezur një zjarr derisa nga ulësja bojëkaftë e drurit shohim dikë që po çan dru, mbase për cpirra ndihmësndezëse, ka kohë. Dhe kthehemi në vatër për të lexuar tri a katër faqet e një tregimi që na doli e na zuri udhë, mbase pak më vonë për të vazhduar me gjysmën e mbetur të këtij libri që morëm në paradhomën e asaj klinike…Dikur shtrihemi shtretërve. Në mëngjes pos e pas alarmit të telefonit, lëshon za edhe alarmi i orës së verdhë katërkëndëshe, që e blemë dje…
 
 
 
Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë
 
Në këtë mesditë udhën marrim për te vendi që ka kohë që po e quajmë “Te fushat “. Unë me fëmijët përdore. Gjatë fillimit të periudhës së koronavirusit ky vend u pat shndrruar në një lloj shëtitoreje, në një lloj azili, ku shfrytëzoheshin periudhat e orareve me numra letërnjoftimi. Kishte shumë nga ata që dilnin e thonin, po vend i mirë, e hapësirë çlodhëse për të ecur e kaluar kohën. Këndej s’dukeshin policë, e s’i nënshtroheshe farë kontrolli.
 
Ka vite që dal këtej, sidomos verës, me fëmijët e vëllezërve, djalin e motrës e fëmijët e mi, herë bashkarisht e herë ndaras. Tashmë “boemët e pandemisë” këtej paksa janë pakësuar.
 
Kroit që ndodhet, jo fort larg kodrinave të hirit të hedhur të termoelektranave, tash mund t’i afrohet edhe ndonjë punëtor arash, ndonjë mbikëqyrësh parcelash, mbjellur me trupa e fidane pemësh, ndonjë zog, pilivesë…
 
Nëpër këto “vise” ndodhet dhe një kënetë, një kotec pëllumbash ca punëtori të firmave ndërtimore dhe ngrehina e lënë tashmë sa kohë ashtu, si një magazinë e madhe çatimbuluar e muregjysmëzhveshur prej llamarine. Këtej, në këtë tampon zone të gjelbër ku në njëren anë duket kryeqyteti e në tjetrën kryeqyteza, po vazhdojmë të dalim ndonjëherë. Sot morëm këtë udhë pas mëdyshjeve: po nisemi, po për kah… Harruam maskat por po vazhdojmë hapat. Derisa shpesh çadrat e kam zakon t’i harroj pasi të kem dalur me to jashtë shtëpisë, nëpër kafene, autobusë, taksivetura, maskën po e harroj e po më bie në mend për të kur po dal prej shtëpie, e kur po has njerëzit tjerë me to. Herë po kthehem ta marr e herë jo, dhe ende se di se ky harrim a paraqet farë vepre penale a jo, bile po përtoj të informohem për këtë problem. Po, hajt se mësohesh dhe me këtë, tha dikush. Sikur kot mundohesh të gjesh përgjigje në vet-pyetjen: ç’është ky dembel-llëk, e ky vullnet-vakët nëpër qenien tënde! E me na ndal policia, do na dënojnë thotë i vogli për të na shtyer në debatin “rrugaç” (që s’ngjan, e është i tjetër niveli me tv-debatet) mua dhe djalin e madh.
 
Sido që të mund të na ndodh vazhdojmë rrugën dalngadalë duke hyrë rrugës mes ndërtesave bllokkuqe e të palyera e dritare veshura e zhveshura. Punëtorët vazhdojnë punën, një tufë dërrasash i tërheq për litari njëri vinç që kushedi se nga kush komandohet në këto çaste. Kalojmë rrugën hekurudhore, me telefonin që nxjerr nga xhepi zë një pamje jo dhe aq të qartë fluturimin bukurosh të një harabeli mbi liqenin me grurë kallinjartë. Si gjë të çmuar, si çdoherë me vete kam telefonin, shokun tim të mençur, të cilin e ngopa mirë e mirë me ushqim-infuzioni elektrik. Dhe sikurse ndonjë piktor që ia mësyen peisazheve natyrore me këmbëza druri, pëlhurë, penel e ngjyra edhe unë mundohem ta shfrytëzoj iPhone-in 5, për të fotografuar e për të shkruar. Të paktën, një udhë e dy punë.
 
Dielli është i fortë e djeg, ndërkohë dhe fëmijët mund të ta humbin qetësinë ndonjëherë, që siç tha dikush, nëse të bie të kalosh kohë të gjatë me ta s’të duhen kurrfarë ushtrimesh gjimnastikore a farë fitnesi. Nganjëherë tekat e tyre të lodhin shumë psiko-fizikisht. Jo vetëm mosha po e bëka të veten.
 
Hedh ca rreshta brenda “kutisë magjike” që nxjerr nga xhepi, për t’u lidhur papritur me një fije kujtimi të fëmijërisë sonë, me atë filmin vizatimor “Sport Billi”, që nxirrte çantën e tij të mrekullirave, si për të dashur me thënë se po shkruaj, a raportoj nga vendi i ngjarjes ku po qëndroj me ara gruri e misri, me copra livadhesh të kositura a të pakositura, me fusha dedelinash që majave janë të qëndisura kaltërsisht e me ngjyrë të jargovantë ku për bukuri enden ca flutura pikaloshe të kaltra. Rreth e përqark edhe lloje fluturash tjera krahëverdha, krahëportokallta, krahëbardha, e pikaloshe bardhezeza që fluturojnë e pushojnë, harabelë, insekte, lule kamomili, ca luledielli, re të bardha të zhytura në këtë kaltësi qielli që pakashumë është mozaiku ku po lundrojmë.
 
Kalon treni rrugës së tij, pasi është pak minuta pas orës dy, i cili tremb trumcakët e shkurreve me therra skajeve të binarëve. Si këta zogj marrim një rrugë kthimi duke u ndalur te mustaqet ngjyrë ari e diku dhe të një kuqrremteje, dhe bëhemi musteqoshë për ca çaste.
 
Shenjat e variantet e shumta në këtë hapësirë shumëhektarëshe shfaqen gjatë hapave që hedhim, duke lënë gjurmë në kujtesën tonë. E kujtesa mund të kthejë te ara e peisazhe nga vendlindja, a nga fshatra të afërmish, ku kemi qëndruar për vizita a kohë pushimesh. Tash seç më erdhi në mend ky element kujtese, kur përtypnin kokrra të pjekura gruri, e kur ato i përtypnim të papjekura u shndrronin në çamçakëz, e ne paksa habiteshim nga ky zbulim.
 
Sidoqoftë, ecim edhe kujtimeve, vrojtojmë.
 
I afrohem një lulekuqeje të vetme që rri mes një are me grurë që e shoh nga largësia, afrohem te kufiri i arës me grurë, duke qenë larg saj rreth dhjetë metra. Ndalem pak për ta vështruar dhe u përgjigjem pozitivisht thirrjes së fëmijëve: “Hajde, a po shkojmë ma…” Dhe kthehemi. Nëpër këto rreze dielli të forta e me njëfarë lloj energjie që morëm jashtë mureve që po na presin me mall që të kthehemi tek to…
 
…Dhe në mbrëmjen e sontme dolëm andej kah “fushat”. Me vëllaun këtë herë. Tashmë shumica e arave me grurë ishin korrur, kështu që më pëlqente të hyja sërrnishtave, duke shkelur mbi kallinjtë e kositur dhe të dëgjoja zhurmërimën që krijoja me hapat e mi. Një fluturim i vrullshëm thëllëzash përsëri më bën të mbetem me gishta në gojë, a në maskë më saktë, pa “ngrirë” pamjen e tyre. Më tej, i afrohem një luledielli dhe gjithë shkëlqimin që ia dhuronte ky diell që po udhëtonte drejt perëndimit, m’u duk se luledielli ma dhuronte mua. E unë kujt do ia dhuroj se… Këso përjetimesh pata dhe pas vështrimit të lulekamomileve në disa vende. Pas lodrimit sa këtu e sa atje, loza dhe pak me fjalë kësisoj: fort po rrezojnë këto lule për diellin e tyre. Dhe kah kthehemi rrugës shohim mjaft njerëz që kanë dal si këta dy fëmijë që ngasin biçikletat e mbrapa të mëdhenjtë që vijnë pas tyre. Marrim rrugë kthimi, rrugës takojmë një shok tonin që e kemi edhe fqinj, e unë vendos ta zgjas ndejën këtyre anëve me të. Rrugës furnizohemi me kokrra kajsishë, te dy trupa të tyre, njëri themi se qenkan bio e tjetri gjysëm bio, dhe duke shijuar ato, mbërrijmë te një hamullore e djegur, ku dy minj me të shpejtë ikin e strehohen në vrimat që kanë hapur vetë… Aty marrim dhe ca kallinj që kanë mbetur dhe zjarri i ka pjekur dhe pasi i provoj më ngjajnë me shijen e kokrrave të shtalbave. Vazhdojmë rrugën, ngjitemi kodrinës së hirit, mbuluar me barishte të gjata e therrishta për të parë tashmë kryeqytetin e qytezën si në shuplakë dore, e dritëndezura. Ngjitemi dhe më lart, te kjo pjesë e rrafshët dhe e kositur dhe pamja që shohim nga këtu vërtet mbresëlënëse dhe e bukur. Me të purpurtën magjike andej kah perëndimi. Rreth e rreth male e ne dukemi se jemi në qendër të tokës. Vështrojmë rreth e rrotull kah Prishtina e kah Gërmia, për të dalur në Çyqavicë, në Golesh e në Lypeten. Në qiellin e hapur shndrit hëna me ca yje. Marrim rrugë kthimi dhe shohim një dritë xixëllonje dhe ndalemi për të parë këtë mrekulli që ka kohë që s’e kemi parë. Ecim nëpër këtë qetësi të këndshme nate me fëshkëllimë gjinkallash. Dhe hyjmë në tollovinë e qytezës. Zëmë vend në njëren prej bijave të saj, nën ca kalaveshë të gjelbër rrushi të kësaj kafeneje. E shtyjmë ndejën me të qeshura, është nata e parë kur ka ndryshuar orari i ndalimqarkullimit…
 
 
 
Meny e ditëve që sapo shkuan
 
Jeta rrjedh si lum fjalish që ku do na hedh se çfarë na sjell kushedi, ku ta dijsh. Dhe ca shënime personale me pak rreshta e ca fjali po i thur për vete e për ju, sa më qartë e sa më shkurt.
 
Fillojmë me një piknik familjar me fli e prodhime të zgjedhura vendore nën hijen e mollës së egër në mes lugut të gjelbër të Gërmisë e cila si fqinje ka dardhën jo të butë, kokërrvogël, së cilës rrethepërqark trungut i rri e varur kjo tavolinë e drunjtë.
 
Ndeja kafeneje në ca prej të cilave si gjahtarit me zagar i bien në kurth, dy poezi që postohen në facebook të ilustruara me shkrepëtima fotografie, që më vonë mund të shërbejnë si përjetime estetike, po edhe si kujtime nostalgjie.
 
Copëra loje futbolli parë në telefon pasi që brenda lokaleve s’mund të ulemi për të parë në televizion, e mbase kështu e thotë ligji për pandemi, për kafiteri e gastronomi.
 
Takime, ecje nëpër rrugë qyteti e pritje në stacione duke folur për konkurse e projekte që na dalin në udhë, përpjekje, prova duke u mbështetur në punë, fat e sukses, për ecje përpara lidhur me besa-besë.
 
Një udhëtim i shkurtër me tren nëpër hekurudhën tonë që po e ha ndryshku me gjithë tranzicion që po kutërbon e tërbon, po ç’t’i bësh, s’ke ku e çon, s’ke as se si e rregullon, por ëndërron e imagjinon.
 
Një muzg me hënë që duket si bukë pogaçeje a simiteje siç bëjnë e mund të bëjnë krahasime poetë e shkrimtarë, e cila largon pak trishtim duke të kthyer te poezia e dikurshme sikurse edhe te një gjumë i ëmbël fëmije me një libërth përrallëzash dhe një kutizë bonbonesh mbi krye, dhe kjo pamje të duket si një ilustrim ëndrre që është duke e parë tash.
 
Hedhje hapash nëpër natë, e “rrëmbim” shtalbash, pasi që edhe pak do përfundoj sezona e tyre për këtë vit, nëpër rrugën që sivjet nuk u mbyll për shkak të numrit më të paktë të bashkatdhetarëve, për arsyet e ditura globale.
 
Shijim i vojsave të vockëla që ta çojnë mallin pakashumë me dardha të dugëta, dikur fshehur në qilar a rreth një mullari me kashtë, që t’u servuan si mysafir dhe ca të tjera që t’i dhanë si dhuratë për t’i marrë në shtëpi.
 
Dhe për mbirjen e meny-ve digjitale nëpër restaurante, si formë e re mbrojtjeje anti-covidiane.
 
Për marrëveshje e zotime e obligime në Shtëpinë e bardhë që koha do na tregojë shpejt a ngadalë se çfarë mund të dalë, edhe nga takimet në Bruksel ta shohim se çka po del…
 
Druhemi për mbrapshti ndonëse shpresojmë për mbarësi në gjithë këtë katrahurë opinionesh. Me një barcoletë po mundohemi me ba gjendjen ma të lehtë. Dëgjova për këtë pas bisedës me një shok, se edhe ai e kishte me të dëgjuar. Duke biseduar diku në një kafene, menjëherë pas lufte se kur do të bëhet mirë në Kosovë, një anglez a amerikan me punë në vendin tonë, kish pas thënë se pas 30 vjetësh këtu do të bëhet mirë. Bashkëbiseduesit e kishin kundërshtuar. Ai ua kishte kthyer, unë seriozisht mendoj se pas 50 vjetësh do bëhet mirë, ua hoqa njëzet vite, që po më duhet t’ua shtoj. Sipas kësaj logjike edhe 30 vite do bëhet mirë.
 
Mbas një dekade dorëzova në postë dokumentet e mia personale për t’i ndërruar. Para një muaji letërnjoftimin e sot edhe pasaportën. Letërnjoftimi më thanë nuk e dijmë se kur mund të vish ta marrësh, mbase andej para ose edhe pas vitit të ri, për shkak s’kemi brumë për gatimin e tyre po na thonë ata të ministrisë, për pasaportë të njoftojmë me anë të një porosie që do ta dërgojmë në telefon, më thanë paksa me përtesë dhe përtova të dëgjoja informata shtesë.
 
Ec, o jetë, o jetë, o jetë edhe me këto fjali që tash për tash përbëjnë aktualitet derisa fëmijët luajnë te kjo hapësirë me kënde lojërash që kanë hyrë në pleqëri të thellë (e po shkërmoqën dita-ditës) ku një i moshuar zë një vend aty dhe mban sytë mbi një libër, pasi afër vetes ka parkuar, të tijën biçikletë…
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s