Fragment nga romani “ZËRA NË LAVJERRËS” të autorit Kristaq Turtulli

 
Fragment nga romani “ZËRA NË LAVJERRËS” të autorit Kristaq Turtulli
 
 
***
 
…Për çfarë u dashkan hëna dhe yjet, ne jemi nga ai takëm njerëz që bëjmë dhe pa to…
Instinktet ishin kokëforta, asnje nuk mund të krahasohej me Marinën. Lëkurën e saj të bardhë, era dehëse e kundërmimit të veçantë trupor. Oh! Ia shtrëngonte gjoksin, i pengonte frymëm. Marina ishte mushti i mushtit, mjaltë i mjaltit, pika e thekshme e ajrit të pranverës. Ajo do të ishte rinovimi i krejt sistemit të qarkullimit të gjakut të saj. Sonia e kishte të parathënë, femra leshrakuqe, do t’i falte rini e freski të pashoqe.
Sonia e përgjoi çdo natë çiftin e ri dhe vajzën e vogël nëpërmjet dritareve të rrugës. Zhbirimi i saj ishte i ethshëm, xheloz, lakmitar, nepsndezës, epshzhuritës. Ruante kohën, kur Marina çapitej lozonjare, lakuriq, drejt banjës. O shpellë nëmekeqe, mos më merr mendtë! Gjuha e saj lëpinte gurët e ftohtë të murit. Drithërohej deri në mundim. Trupi i derdhur, i mrekullueshëm, si llokum, e ndiznin, e bënin zjarr. Mbushej e gjitha me bulëza djerse. Me pas, nga palat e mishrave, rridhnin djersët si rrekëza uji. E përfshinte ulërima. Plasej përdhe duke kafshuar tulet e krahëve, për të mbytur klithmat e forta. Edhe ujqit do të ndjenin dhembshuri për stërmundimin e papërballueshëm të femrës së gjorë. Kur qetësohej, ngrinte kokën lart, ngulte sytë në qiell, fillonte mallkimet ndaj hënës që marrëzisht dhe çuditërisht qëndronte e plotë, e pathërrmuar, aty, në qiellin e pistë dhe ulërinte si ulkonjë.
Përsëri e përseri s’e shqiste nga mendja Marinën, bardhësinë dhe bukurinë e saj trupore, erë trëndelinën. Oh sa e rrëqethnin! I lëshonte goja jargë. Por në të njëjtën kohë i ngrinte krye hakmarrja
Fillimi i këtij instinkti shtazarak, pikënisja e çmendurisë. Krisja, tjetërsimi i parë, përmbysja njerëzore, kafshëria, ndodhi kur ardhësit shpërngulën vendasit prej trojeve të tyre dhe i therën kur shkonin karvan-karvan përgjatë Lumit të Bardhë. Ishte natë e thellë pa hënë. Çuditërisht gjaku i pafajshëm i të zbuarve, që rridhte rrëke, skuqi Lumin e Bardhë që u bë i kuq. Gjithë vendi u mbush me, rënkime dhe shkëndijime marramendëse…Ishin shpirtrat e të therurve.
 
 
 
KRISTAQ@TURTULLI
ZËRA NË LAVJERRËS, Libri i parë i Sagës ës madhe Shqiptare.
Prishtinë 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s