Naimiada (Me rastin e 175-vjetorit te lindjes se poetit tonë kombëtar Naim Frashëri) / Nga: Namik Selmani

 
Naimiada
Me rastin e 175-vjetorit te lindjes se poetit tonë kombëtar Naim Frashëri
 
Shqiptarë të të tërë botës, a s’mund të jemi cazë më naimjanë!
Në kërkim tënjë NAIMIADE
 
E di që mbase mund të shihni kalimthi këtë si këshillë, lutje, përgjërim, kërkesë. Një zgjm nostalgjie, një lëçitje për patriotizëm që, për shumë njerëz, edhe nuk përmendet më në fjalorin e përditshmërisë. Ose më saktë, vështirë se testohet në njerëz të ndryshëm, të veçantë.…
Të gjitha mund t’i ketë ky shkrim. Mbase asnjë. Po mund të mbetej vetëm te radhitja e disa argumentavë, thënë me gjuhën e metaforës, të digresionit letrar, apo edhe të mbushur me një frymë optimizmi, mbase më shumë se duhet për kohën që jetojmë e që mjaft njerëz shqiptarë, me apo pa statusin e emigrantit modern, nuk do ta pranonin krejtësisht si frymë sociale, kombëtare, pak romantike, pak didaktike, pak realiste.
Do të ishte më se i mbrothësishëm një lloj bashkëpunimi me ju, apo me ata që do ta vijnë në këtë tokë apo do ta hapin një ditë në dyert e rëndë të kurbetit me disa motive jetësore për të ekzistuar sot e kah mot kjo NAIMIADË, nëse do ta formoja një fjalë z të re me atë që na dha që na frymoi në breza i madhi dhe i thjeshti Naim Frashëri.
Jemi pak të qetë se emrin e tij tashmë e kemi vënë në mure shkollash, në dëftesa nxënësish, në çmimet letrare të përvitshme në zona të caktuara duke u nisur që nga Përmeti, nga Frashëri me emrin e tij, në këngë popullore e të muzikës popullore, të lehtë e modern, në piktura e skulptura, në teqet e xhamitë, në medaljonë ..Në kartmonedhat ku vihet ajka e një kombi. Mos harroni se kartmonedha njëdollarëshe në Amerikë ka fytyrën e Xhorxh Uashingtonit që amerikanët e quajnë “Babai i kombit amerikan” pa harruar që edhe kryeqyteti i këtij shteti-kontinent, është pikërisht ai me emrin e tij Në Muzeume lokalë e kombëtare ia kemi caktuar vetrina të veçanta bashkë me Abdylin e Samiun. .
Ia kemi vënë jo rrallë emrin e tij djemve, po jo më pak dhe vajzave në Shqipëri e në Kosovë. Ka shumë Naimë e Naime në trevat tona. E me të ka dhe një ringjallje të veçantë emri i tij. Kemi medituar para shpatës së Skënderbeur ardhur nga Vjena e valseve duke mërmëritur vargjet e poemës “Histori e Skënderbeut” E kemi njësuar në heshtje pak veten me Kamanin e kohëve moderne që nuk i duhet më një shpatë, po një penë, një libër, një punë më të mirë mbrothësie.
Mbase historinanëve të letërsisë botërore do iu kujtohet një detaj që dua ta ndaj me një lexues mbarëshqiptar.
Biografët e Balzakut romancier e novelist, një filozof në kufirin e fundit të gjenialitetit kujtojnë se në tavolinën e punës së tij, ai kishte vënë një portret të Napoelon Bonopartit me një mbishkrim të tijin. Vetëm të tijin. Askush nuk mund që ta bënte këtë veç Balzakut. Ose më saktë, askush nuk mund ta realizonte atë në jetë.
“Atë që arriti Napoeloni ne pushkë e beteja, unë do ta arrij me penë”-pat shkruar Balzaku fjalëoqean.
Edhe pse i këndojmë sa e sa këngë malli, ai është më shumë se një bri modern për kohët që jetojmë e që vijnë. Jo nga ato që ftojnë të luftosh qoftë dhe me topat grykëgjatë.
Në një botë kaq të madhe e kaq të vogël, këshillat janë pak të tepërta për njerëz që, duke patur lirinë e shprehjes, mendojnë se liria dhe e vërteta është me ta, dhe vetëm me ta.
Po nuk bëj mëkat që t’u them se kur është një përvjetor i ndarjes nga jeta i poetit tonë kombëtar Naim Frashëri apo i lindjes së tij pranverore, të jetë porta e një kujtese të re.
120 vite pa të. 120 vite me të e kurdoherë me të do të jemi. Me frymën e palcën e shqiptarizmit që ai e kishte ditënetëve.
Mund të mburremi se kemi parë dhe kemi bërë sa e sa fotografi e video duke patur pas krahëve Luvrin, Milanon, Spanjën e toreaodorëve, Akropolin e Athinës, Koloseun e Romës, Bostonin e muzeumeve, Manhatanin e Njy jorkut, Niagarën e Kanadasë, zonjat japoneze, Murin e Madh Kinez, e pasataj nxitojmë t’i hedhim në instragam, në facebook. Ose të bëjmë albumin tënd vetjak.
Po ama, si shqiptar duhet që njëherë në jetë ta shohim, ta prekim të frymojmë në Frashër mes atyre maleve me pisha, ahe, në Frashër. Ku arrat dhe ftonjtë erëmirë janë më të rrallët në Shqipëri. Bash si detyrimet që kanë besimtarët e feve respektive.
Aty do të shohin atë djep të shqiptarizmit të rilindjes e, nëse bëjmë një pyetje retorike. “Si do të ishte bota shqiptare, mësuesit, shkollarët pa të? Si do ishte pa atë shprehje monumentale të kryepoetit “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”
E pata atë rast të lumtur në majin e vitit 1996. 150 vjet kur kisha fituar Çmimin e parë kombëtar në poezi me rastin e këtij përvjetori. Dhe ishte në rastësi e mrekullueshme që vajza poeteshë gjimnaziste ishte mbesë në Leusë dhe kjo më dha mundësinë që të isha brenda kristalimit të ujit të ftohtë të Leusësqë sikur ishte ndërtuar mbi një burim uji si përrallë.
Atëherë, por dhe sot nuk dua të kujtoj asnëherë vdekjen e poetit, se ai firmosi vetë pavdekësinë.
Metaforikisht ai ka një lindje pranverore më 25 maj dhe një ndarje nga jeta në një stinë vjeshtore 20 tetor. E pra, duhet të jesh cazë më shumë naimjanë nëse e nis nga Frashëri. Atje ku ai mori nga pas emrin Naim Bej. Nuk kishte lidhje me jetën e Stambollit të zhurmshëm që do ta mësonte, po edhe do ta ligështonte nga shëndeti, nga malli. E që një ditë atje në një lagje të Stambollit do t’i merrte dhe eshtrat e tij të drobitura, por jo shpirtin që fluturonte e sërish fluturon në qiellin e shqiptarisë,
Naim Frashëri ose Naim Beu do rrinte këtu 15 vite.
Derri në moshën 15 vjeç djalë ai Në Teqenë e Frashërit do të mësonte gjuhë të tilla si arabisht, turqisht osmanisht dhe persisht. Vetëm dispilna e rreptë mund të ishte një nga çelsat e fitores së kësaj kulture që po merrte atje mes maleve të Dangëllisë, Më tej te Zosimeja buzë Gjolit të Janinës, ai do mësonte greqishten e Lashtë dhe e Re, frëngjishten dhe italishten.
 
Më thoni ju që keni qëndruar në vendlindjes tuaj qoftë në një atmosferë urbane, qoftë dhe në majën më të lartë të Shqipërisë, apo në një fshat që nuk njihet shumë në një zone sa mbresa merr njeriu më vete në 15-16 vite jetë!
Ditët e fëmijërisë dhe rinisë janë “Akademia” e parë e moshës njerëzore.
Të hap portën në pjekurinë e moshës.
Ah, biografët e poetit! Të tregojnë për shkollën, po nuk tregon se si bridhte livadheve, si ftohej në kroje, si jetonte me mistikën e Teqes së Frashërllinjve e të atyre që futeshin në të. dhe me çfarë pasioni mësonte shkronjat e para të gjuhës.
Edhe kur dëgjonte rrëfimin e shehelerëve, mësuesve të tij të parë atje, në Frashërin mes maleve, ku kryqëzohen rrugë e mbarë Jugut e lartë se maja e Tomorit, të cilit do i kushtonte vargjet e tij si himn i vërtetë, ai e kuptonte se një majë e re po i shfaqej para tij.
Mbase aty do të ketë provuar dhe fytyrskuqjen djaloshare. Uji i freskët i gurave do e rriste para kohe. Xha Haliti babai dhe “Mësuesi” i të mëdhenjve” ishte më i lumturi dhe më bekimtari. Djemtë e tij nuk kishin në shtëpi poltronet, pianot, pikturat kopshet me lule ekzotike. muret e zbukuruara të shtëpive të Evropës që shpesh bënin garë salltanetesh.
Po kishin kostumet kombëtare, kishin odat ku vinin e shkonin sa e sa burra mëmëdhetarë. Kishin isopolifoninë që do të bë hej shumë kohë më vonë pasuri e UNESCOS.
… Kur vihemi në tribuma në auditorë në klasat e shkollave të mesme e spjegojmë madhështinë e Rilindjes evropiane e sidomos atë italiane, themi shprehjen që i vuri vulën kohës “Rilindja kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë:
Po me plot gojë e themi këtë dhe për rilindasit tanë Frashërllinj. Ata nuk vinin nga sallat e mëdha me shandanë, me kolltukë të rëndë e me perde të gjata, nuk vinin nga kalatë me labirinte shpesh misteriozë, me telajo e afreske. Nuk vinin nga salla me shandanë apo nga dysheme me mermer të zgjedhur.
Dhe Naimi ishte aty. Aty ku dhe ne duhet ta ndjejmë frymën e tij dhe të bëheni cazë më shumë naimjanë.
Kur ka zbritur tatëpjetën e maleve duke kaluar han më han për të shkuar në Janinë, nuk e dinte se si do shkonte jeta.
Edhe kur kalonte në korridorët e “Zosimeas” një lloj Universiteti për kohën, por edhe për sot.
Atë status që do ta merrte disa dekada më vonë Normalja e Elbasanit për djemtë e vajzat e kombit.
Mori një diplomë nga “Zosimeja”. Kaq, Nuk shkoi më shumë . Po me dhjetra, me qindra shqiptarë që kanë marrë diploma në Shqipëri e në Botë në këto 120 vite nuk maten dot me madheshtinë që ai na la pas. Ashtu si do ishte dhe Migjeni.
Në sytë e djaloshit Naim Beu lodronin valët e liqenit, zgjoheshin kujtimet e Ali Pashë Tepelenës dhe përvijohej pak nga pak Skënderbeu. Ishte një testament poetik që vetëm dy vite para vdekjes do ta hidhte në vargje poeme.
Ai do të ecte dhe garonte në jetë vetëm me atë Diplomë shkollore me atë formim kulturor, me të cilën do bënte poezitë, poemat, do të bënte përkthehet në gjuhën greke. Do të bëhej i dobishëm në atë karvan patriotësh, për të cilat kishim kaq shumë nevojë atëherë. Jo më pak dhe sot.
A nuk duhet të bëhemi cazë më shumë naimjanë kur mendojmë që pjesën më të madhe të nxënësve duan ta kalojmë me kopje?
Dhe karvani që do e dërgonte në Stambollin me zhurmë do e kthente shumë herë pas.
Një pjesë të madhe ai mori statusin e mërgimtarit.
Ai që e ka provuar bukën e mërgimit e di mirë, fort mirë se sa test është ai për veten për jetën e mbijetesën.
Ai gjoskkollituri sfiduesi, ëndërrimtari, mëmëdhetari , gjuhëtari, përkthyesi.
Për të shëruar sadopak mushkëritë që po i dëmtoheshin, Naimi mund të zgjidhte ca vende të bukura në Zvicër me veti shëruese. Mund të shkonte edhe në Evropë, se duhet thënë se edhe atje ka vende të bukura e të përshtatshme, po ai zgjodhi sërish malet e Frashërit, zgjodhi Beratin dhe Sarandën.
Në atë pak kohë ai u takua këtu me Konstandin Kristoforidhin, “Babain e Gjuhës Shqipe” dhe Hasan Tahsinin që më vonë do të bëhej mësuesi i Sami Frashërit dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit . U njoh edhe me Babë Dudë Karbunarën Mësues i Popullit” dhe punuan për ngritjen e shkolave shqipe. Dhe nuk kishte mbushur as 40 vite jetë, edhe se kolla e tuberkulozi po e shqetësonte.
Atje po filozofonin atë që e thonë mësuesit më të nderuar të kombit tonë të dashuruar me gjuhën. Mjafton thirrja e tij që të na skuqë fytyrën e të na shtojë obligimin.
 
Vëllëzër shqipëtarë,
Të prekim urtësinë!
Të zëmë udhë e mbarë!
Të ndritim Shqipërinë!
 
A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë???
Në vitin 1901, shumë kohë para se të bëhej Kongresi i Manastirit, për të vendosur një Alfabet për gjuhën shqipe, kur ende ne si komb as në Shqipëri e as në Kosovë, nuk kishim hapur shkollën tonë të mesme, i mirënjohuri patriot, publicist, filiz i shëndetshëm i shqiptarizmës dhe i Frashërllinjve, Mithat Frashëri, i njohur me pseudonimin Lumo Skendo, shkruante një shkrim homazh për xhaxhain e tij, Naim Frashëri.
Edhe pse Shqipëria kishte shumë probleme që lidheshin me lirinë e munguar, me çetat kundër pushtuesit, me mëvehtësinë, Mithat Frashëri merr në analizë një tipar shumë të qënësishëm të Naim Frashërit që edhe sot pas më se 10o vjetësh, nuk po përsëritet masivisht në radhën e intelektualëve shqiptarë, pse jo edhe në radhën e mësuesve që e kanë në “statusin “ e tyre këtë tipar., këtë detyrim. Ky shkrim po të ishte botuar në kohën tonë, do të kishte bërë një të papritur të këndëshme, nga ato që “peshkojnë“ çdo ditë kryeredaktorët e gazetave të shumta metropolitane në Tiranë e Prishtinë dhe ato të televizioneve shqipfolëse.
Bëhet fjalë për një “PUSHTIM” të padrejtë që kishte që në atë kohë leksiku i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja . “Në të shkruarë, Naimi bën qilizmë gjuhënë tënë dhe shkruan thjesht shqip, pa përzjerë fjalët e huaja”- shkruan ndër të tjera Mithat Frashëri.
Shihni se ku e dërgoi fjalën e gjuhëshqipes i palodhuri Naim Frashëri! Edhe pse kollitej fort, në rrugicat e Beratit e në shkallaret e Sarandës, nuk harronte që të shkruante tregime për këndonjësit e Mësonjtoreve të para shqipe.
Më thoni atë që është fare e thjeshtë! Kush ia jepte këtë urdhër poetit? Kush e paguante? Askush. Puna e tij mjaft e zakonshme që bënte nuk i mjaftonte besoj as për ditët që jetonte. Por, ah, nuk mund të themi askush. Ishte një zë i fortë që vinte që nga deti i shqiptarizmës.
E tani më kujtohen ato fletore që iu zverdheshin fletët që në ditët e para të hapjes që në ballë të tyre kishin atë fjalë-këshillë “ Punë, punë, natë e ditë që të shohim pakz dritë!
Puna e shqiptarit përherë ishte si një lloj dhimbje e pashkruar. Analfabetimi në mes të Evropës, më tej komunizimi që nuk e paguante si duhet atë, 30 vitet e fundit që e kanë “vrarë ” në mënyrën e vet, na duket se ringjallim sërish atë këshillë naimjane të Mësuesit të Brezave.
Shihni se si e himinzon ose më saktë çamërishten! Kush mund t’i jepte më parë e më vonë atë vlerësim meritor se sa ai shenjtërim i fjalës çamërishte tek i drejtohet dallandyshes së mallit
“Eni vjen pej Çamërie, me atë gluhë perëndie?”.
Naimi krijoi një Naimiadë dhe nuk duam që ta krahasojmë me meteorin, një epitet shumë i konsumuar. Madje as me shqiponjën. Se ai ishte biri ynë, biri i tokës sonë që e deshi si mund ta donte aid he vetëm ai. Këtë fjalë ua japim atyre që vijnë shpejt e ikin shpejt. Doemos do e donim më jetëgjatë Naimin. Se një “Naim” tjetër si De Rada në Shën Dhimitër Korone vdiq 93 vjeÇ duke u mësuar shqip djemve arbëreshë. Edhe pse jetonte varfërinë më të madhe pa folur për djemtë e vdekur njëri pas tjetrit. Mbase te Naimi ishte një lloj rizgjimi i vetvetes sonë, në një kohë kur e donim kaq shumë.
Titanët e Rilindjes e të mbarë Evropës, i dhanë vrull artit të Shkronjës, të Tingullit, të Penelit, të Daltës, e që më vonë do të kalonte edhe oqeanin për të shkuar në SHBA për të përtërirë forcat e idetë e atij shteti shumëkombësh që do të bëhej fuqi e vërtetë.
Naim Frashëri i kishte shumë më tepër se kaq, këtë frymë rilindjeje për kombin e tij. Shumë. Kishte shenjtërimin e shpërndarjen e shkronjëshqipes. Kishte punëdashjen dhe tokëdashjen. Kishte sakrificën e një qiriri që ende digjet para syve tanë që, për fat të keq jo gjithmonë ia shohim dritën e shpirtit të tij. A nuk e përdorim masivisht në botë qiririn si dritë shenjtërie? Ndaj dhe Naimi kërkon ta shenjtërojë dobinë e secilit për atë që duhet të bëjë për tokën e të parëve, pavarësisht se ku banon, ku jeton e ku vdes.
Përtej Naimiadës, të gdhendur në dhjetra rrugë të Shqipërisë, Iliridës, Kosovës, përtej emrave të shkollave, të rrugëve, të institucioneve me emrin e tij, përtej këngëve, pikturave, monumenteve, poezive, poemave, spektakleve, recitimeve le të kujtojmë pak vargjet Çajupianë
 
Vdiq Naimi! Vdekje e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë!
Mos i vdektë nami kurrë!
 
Mendjelarti, zemërtrimi, si do të thoshte Çajupi nuk na la jo thjesht një nam, po një model më vete, nje fenomen të madhërishëm, na la një naimiadë.
Përherë do të kemi brenda vetes atë rreznajë të syrit të tij xixëllues dhe aq sqimatar apo edhe atë mjekrrën e bukur me hire duke kujtuar se ai i përkste racës më të bukur të shqiptarizmës.
A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë? Sërish, qoftë edhe duke qenë më shumë pajtimtarë me veten pa droje, pa u lodhur të bëhemi më në fund Plaku i vërtetë i Mollëve për brezat e ardhshëm?
 
 
 

Nga: Namik Selmani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s