REMITANCAT MILIONA DOLLARËSHE PËRBALLË POLITIKËS ETNOCENTRISTE

Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me Bilall Kasamin, doktor i shkencave ekonomike dhe ligjërues në International Balkan University

 

REMITANCAT MILIONA DOLLARËSHE PËRBALLË POLITIKËS ETNOCENTRISTE 

 

Foto 2

 

“Zhurnal Plus”: Pse u përcaktuat që t`i studioni dhe ta mbroni tezën e doktoraturës për remitancat?

 

Bilall Kasami: Problematika e remitancave, këtu në Maqedoni, është njëra ndër çështjet më pak të diskutuara edhe pse paraqet shtyllën kryesore të ekonomisë së vendit dhe burimin kryesor të mirëqenies së qytetarëve të Maqedonisë. Arsyeja e dytë, që në mënyrë më serioze t`i qasem kësaj problematike ka qenë ajo e bazuar në njohuritë paraprake që i kisha, se pjesa dominante e këtyre prurjeve vinin nga mërgata shqiptare. Si të thuash, kjo ishte një motiv i dyfishtë që të arrij të tregoj sesa të rëndësishme janë remitancat për ekonominë e vendit dhe pozicionin e komunitetit shqiptar përballë remitancave.

 

“Zhurnal Plus”: Çka janë remitancat?

 

Bilall Kasami: Bazuar në definicionet që jepen nga institucionet financiare ndërkombëtare si BB (Banka Botërore) dhe FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) remitancat paraqesin totalin e dërgesave në para apo produkte të tjera pa kompensim në vendin e tyre amë, nga punëtorët të cilët janë të angazhuar me punë të përkohshme apo të përhershme jashtë vendit të tyre amë.

foto 3

“Zhurnal Plus”: Sa janë të rëndësishme remitancat për një shtet?

 

Bilall Kasami: Fluksi i remitancave është i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm të pothuajse të gjitha ekonomive në zhvillim dhe në veçanti për ruajtjen e stabilitetit social të këtyre vendeve. Nëse futemi në një analizë më të detajuar, do të shohim se për disa vende fluksi i remitancave për vitin që lamë pas paraqet gati gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto (Taxhikistani 47% e PBB) apo më shumë se çereku i Produktit të Brendshëm Bruto (Liberia 31% e PBB, Kirgistani 29% e PBB dhe Lesoto 27 % e PBB). Nëse e analizojmë totalin e remitancave të pranuar për po të njëjtin vit, në krye të listës gjendet pa konkurrencë India me 70 miliardë dollarë duke u pasuar nga Kina me 66 miliardë dollarë amerikan.

 

foto 4

“Zhurnal Plus”: Rëndësia e remitancave në nivel global?

 

Bilall Kasami: Rëndësia e remitancave mund të shihet edhe nga vet madhësia e fluksit të remitancave për vendet në zhvillim, fluks ky që në vitin 2012 tejkalon totalin e 400 miliardë dollarëve amerikan bazuar në të dhënat e Bankës Botërore. Nëse bëjmë një analizë rajonale do të shohim se ndër rajonet e vendeve në zhvillim, Azia Jugore dhe Lindja e Mesme bashkë me Afrikën e Veriut kanë rritjen më të madhe të fluksit të remitancave të pranuara vitin e kaluar. Fluksi i remitancave në Amerikën Latine dhe Karaibe është mbështetur nga një ekonomi që po shërohet dhe e moderuar nga përmirësimi i tregut të punës në SHBA, por u moderua edhe nga një ekonomi e dobët europiane. Vendet në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura,  fqinje të Rusisë kanë përfituar edhe nga një ekonomi ruse në lulëzim e diktuar nga çmimet e larta të naftës. Evropa Lindore dhe vendet e Azisë Qendrore që dërgojnë emigrantët në Evropën Perëndimore kanë pasur flukse të pakta remitancash për shkak të  tregjeve të dobëta të punës në vendet e destinacionit.

 

“Zhurnal Plus”: Po në nivel rajonal?

 

Bilall Kasami: Për rëndësinë e remitancave për vendet balkanike flet vetë tabela e mëposhtëme ku mund të shohim se në vitin 2010 prurjet nga remitancat në 7 vendet e Ballkanit kalojnë  shifrën marramendëse prej 14 miliardë dollarë amerikan. Dhe nëse këtë fluks të remitancave e analizojmë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë së këtyre vendeve, na del shifra prej 489 dollarë amerikan për kokë banori. Këto shifra, rajonin e Ballkanit e vendosin lartë në listën e regjioneve pranuese të remitancave në nivel global.

 

Viti 2010
Popullsia
(Milion)
Remitancat
(Miliard $)
Remitancat për kokë banori në $
Maqedonia
2,0
1,949
974
Serbia
7,3
5,406
740
Bosna dhe Herceg.
3,8
2,228
586
Shqipëria
3,2
1,285
402
Kosova
1,8
0,700
389
Kroacia
4,4
1,545
351
Bullgaria
7,6
1,602
211
Totali
30,1
14,715
489

 

 

“Zhurnal Plus”: Maqedonia në raport me remitancat?

 

Bilall Kasami: Prurjet e remitancave kanë një domethënie jetike për Maqedoninë. Nëse i analizojmë të dhënat e Bankës Qendrore të Maqedonisë, të prezantuara në tabelën e mëposhtme, do të shomim se këto 6 vitet e fundit kemi një rritje permanente të këtyre prurjeve edhe pse shtetet ku janë përkohësisht të vendosur mërgimtarët tanë ballafoqohen më një recesion të vazhdueshm. Remitancat në Maqedoni kulminacionin e tyre e arritën në vitin 2011 kur vlera e tyre ishte pothuajse 2 miliardë dollarë amerikan. Edhe indikatori i remitencave për krye banori, që për vitin 2010 është 974 dollarë amerikan, Maqedoninë e vendos në krye të listës së vendeve ballkanike dhe që paraqet gati dyfishin e mesatares së këtyre vendeve. Nëse e llogarisim totalin e prurjeve nga remitancat për këto 6 vitet e fundit na del një shifër prej 8,2 miliardë dollarë amerikan dhe që është më shumë se Produkti i Brendshëm Bruto i Maqedonisë për vitin 2007 (7,85 miliardë dollarë amerikan).

 

Viti
Remitancat(Milion $)
Remitancat për krye banori
(regjistrimi i vitit 2002 =2.022.547 banorë)
2006
1.158
573
2007
1.333
659
2008
1.450
717
2009
1.549
766
2010
1.969
974
2011
1.977
977

 

 

“Zhurnal Plus”: Në çfarë përfundimesh më të rëndësishme keni ardhur me studimin Tuaj për remitancat?

 

Bilall Kasami:Punimi i doktoraturës më së shumti ka qenë i orientur në gjetjen e alternativave se si këto prurje kaq të rëndësishme për Maqedoninë të orientohen në projekte rentabile dhe që do të ishin në funksion të rritjes ekonomike të vendit. Në kuadër të temës në fjalë janë ofruar shumë mundësi se si këto mjete të futen në shërbim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Maqedonisë. Duke pasur parasysh faktin se deri tani roli i shtetit dhe institucioneve përkatëse ka qenë minimal në orientimin e këtyre resurseve për projekte investuese, sot ne ballafaqohemi me një pradoks që edhe pse në Maqedoni në nivel vjetor futen miliarda dollarë amerikan përmes remitancave, ekonomia e Maqedonisë është ndër ekonomitë më të pazhvilluara të rajonit. Pas një analize më serioze të situatës në terren, në punimim në fjalë erdha në përfundim se në mënyrë dominante këto mjete shkojnë për konsum të gjerë (shtëpi, vetura luksoze dhe  dasma holivudiane) si dhe për plotësimin e nevojave minimale të anëtarëve të familjes që jetojnë në Maqedoni. Shumë të paktë janë shembujt e mërgimtarëve tanë të cilët janë kthyer dhe i kanë investuar paratë e fituara në kurbet për hapjen e ndonjë biznesi në Maqedoni.

 

foto 5

“Zhurnal Plus”: A mund të na sillni disa statistika më konkrete për remitancat e diasporës shqiptare të Maqedonisë!

 

Bilall Kasami:Diaspora shqiptare është elementi i vetëm falë të cilit Maqedonia eksiston sot si shtet. Kjo nuk është fare e ekzagjeruar po të meren parasysh faktet në rafshim makroekonomik. Nëse e shikojmë bilancin pagesor të Maqedonisë këto dhjetë vitet e fundit, do të shohim se në vazhdimësi dërgesat e mërgimtarëve apo remitancat paraqesin mbi 1/3 e të ardhurave nga eksporti. Dhe këto në numra paraqesin jo më pak se një miliard dollarë amerikan në nivel vjetor. Poashtu edhe në rafshin mikroekonomik situata reflekton e njëjtë. Bizneset në Maqedoni, në mënyrë të drejtëpërdrejt ato shqiptare të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe në mënyrë indirekte edhe ato maqedone të pjesëve tjera të vendit, varen nga fuqia blerëse e konsumatorëve të vendit që në mënyrë absolute janë nën varshmërinë e remitancave. Dhe po të bëhet një skenim më i thellë i situatës shumë lehtë mund të konstatohet se pjesa dërrmuese e dërgesave të mërgimtarëve për në Maqedoni prejardhjen e kanë nga mërgata shqiptare.

 

“Zhurnal Plus”: Sa është mirënjohëse Maqedonia ndaj atyre që sjellin kaq shumë të hyra në buxhetin e këtij shteti, si u kundërpërgjigjet, sa lehtësime u krijon për të investuar në vendlindje?

 

Bilall Kasami:Një pjesë të përgjigjes së kësaj pyetjeje veçse e elaborova më lartë. Këtu do të shtojë edhe atë se, fatkeqësisht, edhe pse pushteti ku bëjnë pjesë edhe shqiptrarët në mënyrë deklarative promovon vendin para investitorëve të jashtëm, kur janë në pyetje mërgimtarët shqiptrarë qasja është krejtë e kundërt. Fytyrën e vërtet të pushtetit ndaj mërgimtarëve shqiptarë e tregoi vetë numri një i ekzekutivit, i cili në vazhdimësi nëpër tubimet parazgjedhore për dy qytetet prej ku vijnë pjesa më e madhe e mërgatës shqiptare, deklaroi se “ata dëshirojnë që me qytetarë që kanë mërguar para 10, 20 deri dhe 30 viteve të na marrin këto qytete”. Shtrohet pyetja se kush janë ata? A janë ata të cilët sjellin miliarda dollarë në Maqedoni? A janë ata, pa dërgesat e të cilëve Maqedonia do të kishte bankrotuar qëmoti? Pra, këtu mendoj se gjithçka më është e qartë, se nga politika e tillë e dyfyshtë e pushtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj mërgatës shqiptare në veçanti, shtetin e ka prurë buzë greminës. Për të treguar se vërtet pushteti ka qasje serioze dhe vizionare për fatin e shtetit, mendoj se vetë numri një i qeverisë do to duhej që në rastin e këtyre dy qyteteve të insistonte dhe propozonte që bartësit e pushtetit lokal të vijnë nga diaspora shqiptare. Ky do të ishte një sinjal i fortë për mërgimtarët tanë që të kthehen dhe kursimet e tyre t`i investojnë për ngritjen e mirëqenies ekonomike të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

 

“Zhurnal Plus”: Kur ka kaq shumë të hyra, si e shpjegoni agoninë ekonomike që mbretëron në këtë shtet?

 

Bilall Kasami: Kjo nga shkaku se shteti ka një qasje të mbrapshtë ndaj mërgatës shqiptare. Qasje kjo që shihet gjithandej që nga trajtimi i mëgimtarëve në kufi nga ana e doganave dhe policisë e deri në trajtimin e investimeve të mundshme që vijnë nga mërgata shqiptrare. Në favor të këtij konstatimi është fakti se sot pjesa më e madhe e kapaciteteve shqiptare që kanë arritur të zhvillohen si kapacitete të një rëndësie nacionale për Maqedonin janë investime të mërgimtarëve tanë (RENOVA, VEZË SHARRI e shunë të tjera. Ky kapital i investuar nga këta mërgimtarë është shumë pak po të krahasohej me miliardat e dollarëve që hyjnë çdo vit në Maqedoni. Fatkeqësisht, shembujt e mërgimtarëve tanë, investimet e të cilëve kanë arritur të mbijetojnë në Maqedoni, janë shumë të paktë në raport me tentimet e pasuksesshme të qindra e qindra të tjerëve. Dhe mu këtu qëndron edhe problemi. Shteti në Maqedoni deri sot ka pasur rolin e penguesit dhe jo të stimuluesit për investime produktive të remitancave.

 

 

“Zhurnal Plus”: Nëpërmjet punimit tuaj çfarë rrugëzgjidhjesh dhe propozimesh keni sjellë për shfrytëzimin e remitancave në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve?

 

Bilall Kasami: Mendoj se thelbësore është që njëherë e përgjithmonë pushteti duhet të ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe mërgatës shqiptare në veçanti. Dhe kur të ndodh kjo, zgjidhja është shumë e thjeshtë. Nevojitet vetëm një qasje sistemore përmes një strategjie shtetërore që këto prurje të orientohen në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Maqedonisë. Mendoj se, jo vetëm punimi im, por kohët e fundit ka edhe punime të tjera që e trajtojnë problematikën e remitancave, do të ishin një bazë e shëndoshë për përgatitjen e një strategjie të tillë gjithpërfshirëse për shfrytëzimin e tyre në projekte produktive ekonomike. Duke mos dashur t`i lodh më shumë lexuesit, do të japë vetëm një shembull se si do të ishte mirë që shteti t`i përkrah mërgimtarët tanë që kursimet e tyre në kurbet t`i investojnë në projekte produktive në Maqedoni. Kjo më së miri do të bëhej përmes themelimit të të ashtuquajturve Inkubatorë Ekonomik. Roli i këtyre inkubatorëve ekonomik do të ishte që në një periudhë prej jo më shumë se 5 vjet t`i përkrah mërgimtarët tanë që nga fillimi i biznesit të tyre, ku nënkuptoj përkrahjen që nga përgatitja e planeve të biznesit e deri sa këto biznese të jenë të gatshëm që të dalin nga inkubatori dhe në mënyrë të suksesshme të ballafaqohen me realitetin ekonomik të Maqedonisë. Përmes këtyre inkubatorëve ekonomik, shteti në mënyrë të drejtpërdrejt do të eliminonte pengesën e vetme që unë e shoh për sa i përket faktit se përse mërgimtarët tanë nuk investojnë në Maqedoni. Ata, jo se nuk kanë ide, jo se nuk disponojnë me kursime të bollshme për të investuar, jo se nuk dinë se si ta implementojnë idenë e tyre, por problemi i vetëm është ballafaqimi me aparatin shtetëror, i cili për ata, fatkeqësisht, është dezinkurajues dhe dëshpërues. Edhe sot e kësaj dite mentaliteti shoqëror këtu në Maqedoni bënë që mërgimtarët t`i shohim si pula që bëjnë vezë të arta. Dhe kjo është në veçanti e theksuar kur ndonjë funskionar shtetëror apo edhe ndonjë administrator i thjeshtë ka përballë ndonjë mërgimtarë të interesuar për të investuar në Maqedoni.

 

PS: Në këtë intervistë janë shfrytëzuar të dhëna që janë marrë nga faqet zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Qendrore të Maqedonisë dhe Ministrisë së Financave të Maqedonisë.

 

Intervistoi: E. Neziri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s