Dy milionë euro burrë ! / Tregim nga Silvana Berki

Dy milionë euro burrë ! 

silvana

 Tregim nga Silvana Berki

kop Silvana

 Shkëputur nga libri me tregime “Më jep vetëm 15 ditë !” 

Ajo vështronte të ëmën tek paloste rrobat e saj mbi krevat dhe nuk po arrinte të kuptonte se çfarë po ndodhte.

 – Nesër do të bëhet varrimi yt, – dëgjoi tek i foli me zërin e saj të zakonshëm, thua sikur po i thoshte se nesër do të shkonin në ndonjë celebrim. I vështroi rrobat e shtrira dhe të hekurosura mbi krevat dhe nuk e kuptoi pse iu dukën të huaja.Befas doli rrëmbimthi jashtë dhe filloi të rendte nëpër rrugët e qytetit, sikur donte të çmallej me to për herë të fundit, dhe ashtu si e shastisur gati sa nuk u përplas me një çift, të cilët vetëm kur i pa drejt e në sy u kujtua se cilët ishin. Kushërira e saj qëndronte, çuditërisht, para këmbëve të saj. Sa shumë vite kishin kaluar! Ashtu e mallëngjyer iu hodh në qafë dhe e përqafoi fort. Kushërira, pak e befasuar nga ai përqafim i ngrohtë, por dhe e shtangur nga kjo ndjesi e pazakontë, dëgjoi tek i pëshpëriti në vesh me zë të mekur:

– Nesër do të jetë varrimi im.

Vajza dukej sikur ia thoshte më shumë vetes së saj këto fjalë, e për t’u bindur se ishte duke jetuar çastet e fundit të kësaj jete që Zoti ia kish dhënë dhuratë, filloi të vështrojë e hutuar qytetin e saj të plakur dhe të freskët të asaj mbrëmjeje.

Qyteti kishte rënë në gjumë të kobshëm, dhe me atë ngjyrën gri të veshur dukej sikur e bënte edhe më të panjohur rrugën në të cilën po ecte. Përreth, si për inat, shikonte vetëm gjethe të zverdhura, të cilat ngacmonin sfondin e djegur të asaj mbrëmjeje. Iu afrua pellgut të ujit që i doli përpara dhe filloi të ecë ngadalë përkundrejt tij, sikur të donte të kalonte në anën tjetër mbi atë copë qelqi. Befas një dorë e kapi mbrapa dhe e tërhoqi pas vetes.

– Ku po shkon?

Ajo ktheu menjëherë kokën.

I hodhi një shikim burrit me kostum, por nuk i tha gjë.

Burri, rreth të dyzetave, u habit nga heshtja e saj. Dikur ajo i hidhej në qafë, dikur çmendej pas tij… ndërsa tani ajo e vështronte me ca sy të ftohtë akull.

Ai u ngrit si çdo mëngjes, u kollaris mirë, u parfumos me parfumin e tij të preferuar dhe, duke përshëndetur gruan që po merrej me fëmijën e tyre foshnjë, u largua për te kafeneja e zakonshme ku lexonte edhe gazetën e ditës. Nuk kishte mbaruar së piri kafenë kur dëgjoi t’i binte telefoni.

– Agim, ku je në këtë moment? – e pyeti zëri në telefon.

– Te gruaja, – iu përgjigj ai me një nënqeshje në buzë.

– Te gruaja e di, por te cila? – vazhdoi tjetri po me ironi.

– Jam te kjo në Tiranë. Deshe gjë? – u përgjigj ai me nota mërzie.

– Asaj turçelies i ka vdekur nëna dhe ka kohë që po përpiqet t’ju kontaktojë. Pash Zotin hape atë numër telefoni se gjendja e saj është vërtet katastrofë, – i tha gati me ton lutës shoku.

Për një çast iu bë sikur çdo gjë ngriu në vend.

– Kur ka vdekur? – ishin të vetmet fjalë që i dolën nga goja.

– Sot në mëngjes ka vdekur dhe nesër bëhet varrimi. Mundohu të marrësh pjesë në ceremoninë e varrimit. Hajria ka nevojë për ty këto ditë, – i tha shoku, edhe pse e dinte se një “sheik” si miku i vet nuk mund ta kritikonte apo ta këshillonte.

– Ani, do të mundohem të vij. Kalofsh mirë, – iu përgjigj thatë tek mbylli telefonin.

Për një çast e kaploi një siklet dhe një ndjenjë mërzie. E kishte trajtuar vërtet keq atë vajzën e bukur “turçelie”, siç e thërrisnin në Prishtinë.

Ishte duke pirë pikat e fundit të kafesë kur filxhani i mbeti në buzë. Në kafene sapo hyri një femër tërheqëse dhe me flokë si të bukuroshes së tij turçelie. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo iu kthye përballë, dhe vetëm atëherë iu kujtua. Ajo, me flokët kaçurrelë dhe me erën e mrekullueshme që gjithmonë i parfumonte, dhe ai, eh, ai vetëm lundronte në ato erëra që e lumturonin. Ashtu, i futur në ato kujtime, iu kujtua kur e pati marrë në Tiranë dhe pa i treguar se nuk e kish bërë divorcin e martesës së parë akoma, celebrohet me të. Sa e lumtur i dukej ajo atëherë, si një trëndafil i sapoçelur të cilin e mbante në vazo për hijeshi! Më e keqja në atë moment ishte se nuk i kishte treguar që ishte kredhur në borxhe deri në fyt, dhe kjo ishte edhe arsyeja pse rrinte më shumë jashtë Kosove.

Atë natë që ishin kthyer në Prishtinë, ish-gruaja e tij e kishte thirrur në telefon dhe ajo turçelia i ishte përgjigjur telefonit të tij:

– Kush jeni ju që i përgjigjeni telefonit të Agimit? – e kish pyetur ish-gruaja. Dhe ajo, pa të keq, i ish përgjigjur:

– Unë jam gruaja e Agimit.

– Ouuu, e unë kush qenkam, atëherë, nëse ti je gruaja e tij? – i pati thënë zëri përtej telefonit me qesëndi.

Ajo, e tronditur nga këto fjalë, kishte vazhduar bisedën:

– Unë? Po, unë jam gruaja e tij. Kush jeni ju? – dhe nga ana tjetër kishte dëgjuar përplasjen e mbylljes së telefonit.

Në atë kohë ai kishte qenë duke fjetur, ndaj ajo nuk e kishte zgjuar që t’i tregonte se çfarë kishte ngjarë. Pas pak kohe dëgjohet përsëri telefoni, por këtë herë përgjigjet ai. Ajo po përgatiste darkën kur ai hyri me vrull në kuzhinë dhe e qëlloi me shuplakë në faqe me gjithë forcën e krahut.

– Guxo herë tjetër t’i përgjigjesh telefonit tim?!

Me lot në sy ajo e vështroi si ndonjë fëmijë i pafaj. Ishte në muajin e pestë të shtatzënisë dhe ky sulm i ashpër i të shoqit e trembi më shumë. Pasi e kish mbledhur pak veten, e vështroi të shoqin sikur donte ta pyeste se përse ajo grua i kish folur ashtu në telefon, por atë natë nuk i tha gjë, sepseai iku dhe nuk erdhi më për disa net. Kishte shkuar tek ish-gruaja me të cilën kishte akoma kurorë. U çmall me fëmijët dhe ajo e mbajti për darkë, si të mos kishte ndodhur asgjë mes tyre.

Qëndroi atje derisa grindjet me të filluan përsëri. Ky ishte sinjali më i mirë për t’u rikthyer përsëri te turçelia.

Sa herë që kthehej, ajo e priste në derë si e ngrirë, pa i thënë asnjë fjalë. Më vonë ajo e kishte pyetur se pse e kishte mbajtur telefonin të mbyllur gjatë gjithë kohës, sepse ajo dhe e ëma e saj ishin shqetësuar shumë, por pas heshtjes së tij nuk kishte guxuar më ta pyeste.

Turçelia jetonte me të ëmën, pasi ishte vajzë e vetme, ndërsa i ati, tashmë i vdekur, i kishte lënë trashëgim shumë toka, gjithashtu edhe apartamentin ku jetonin. Kjo ishte edhe arsyeja që Agimi ishte joshur pas kësaj vajze turçelie.

Në këto mendime të trazuara, e shkëputi kamerieri, i cili i zgjati faturën. Bëri pagesën, por akoma nuk po lëvizte nga vendi. Nuk dinte nga t’u jepte këmbëve. Të shkonte në punë dhe në mbrëmje të kthehej te nusja e tij e bukur tiranase me të cilën kishte dhe një foshnjë, apo të nisej për në Kosovë. Nënën e Hajries e kishte takuar vetëm një vit më parë, kur ai kishte qenë në Turqi. Eh, si kishte shpëtuar nga ai siklet i tmerrshëm kontrabande armësh! Sa e kishin torturuar atje në qeli, bile i kishin marrë edhe pasaportën për të mos u larguar dot, derisa të plotësonte dënimin! Me vjehrrën u desh të aktronte si biznesmen i suksesshëm, dhe takimi në atë hotel luksoz justifikonte gjithçka. Faktin që shoqërohej me një tjetër femër nga Maqedonia, u mundua t’ia zbehte plotësisht, duke i treguar foton e Hajries dhe të vajzës së tyre, të cilën e mbante në portofol dhe i puthte përnatë kur bënte lutjen e mbrëmjes, që Zoti t’i ruante gjatë kohës kur ai nuk ishte pranë familjes. Me lajka dhe shtirje të tepruara i kishte mbushur edhe mendjen se pa bërë gati paratë që i kishte marrë borxh, nuk mund të kthehej në Kosovë.

– Jo, nanë, ti e shite tokën e burrit tënd të ndjerë dhe shtëpinë, për me më ndihmu mu. E si mund të kthehem unë në Kosovë kur ju jetoni në shtëpi me qira për fajin tim? Uroj Zotin të mbaroj sa më parë këtë biznes fitimprurës, ku janë në pyetjemiliona pará, dhe pastaj gjithçka do të ndreqet. Kështu thuaj edhe Hajries.

Dhe ajo me sytë gjithë lot e kishte përqafuar dhe uruar që kishte një dhëndër kaq të mirë.

Eh, tani… paska vdekur. Kushedi sa më ka mallkuar kur ka kuptuar se asgjë nuk doli nga ato që i premtova”, mendoi ai, dhe ashtu sikur të kishte mbartur peshën e gjithë halleve të botës, u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë në drejtim të derës.

* * *

– Eja, – i zgjati ai dorën asaj me druajtje, se mos zhdukej vegimi që po shikonte. Por ajo, sikur të mos ishte aty, vazhdoi të ecë në heshtje, me kujdes, thua se mos e lëndonte tokën ku shkelte, por kësaj herë jo në drejtim të ujit, por në anën tjetër të rrugës. Ai filloi ta ndiqte në heshtje, duke mos ditur ku po shkonte dhe duke mos guxuar as ta pyeste. Kuptoi se personi që ecte para tij ishte fantazma e saj që ai kishte lënë vetëm para dy vitesh. Si kishte humbur gjithë ajo bukuri, ajo ëmbëlsi, ajo freski brenda kaq pak vitesh?! Ndërsa ai sa vinte dhe zbukurohej. Gra kishte pothuaj në të gjitha shtetet rajonale përreth. Ndërsa ajo ecte zvarrë, vetëm, nëpër rrugë të qytetit si një zog i plagosur duke dhënë shpirt.

Befas vuri re se kishte hyrë në varrezat e qytetit, dhe ashtu e ulur ajo lëmonte tokën me dorë.

– Këtu do të varrosem nesër. E mban mend këtë vend? Eja këtu nesër dhe ma bjer edhe çikën sa herë të vish vetë. Amanet, kujdesu për nanën sa është gjallë. Ajo ka bërë shumë për ty. Ik tani, se të pret biznesi. Mos harro milionat e mi, lërja çikës sonë. Ik tani, se t’u bë vonë, – derdhi ajo lumin e hidhur të fjalëve sa therëse, aq edhe të ftohta.

– Ç’ka je tuj fol? Pse po flet nga këto marrira? Ngrehu të shkojmë nga shtëpia se i ke lënë mysafirët vetëm, – iu përgjigj ai duke iu afruar për ta ngritur. Por menjëherë ngriu si një trung i kalbur, kur ndjeu se krahu i saj u shndërrua në një hekur të fortë, të ftohtë, të cilin nuk mundi ta lëvizë e jo më ta ngrinte prej aty. Ajo iu kthye me një vështrim të pakuptimtë, aq sa ai epati të vështirë të lexonte mimikën e saj. Sa i pafuqishëm iu duk vetja në ato momente, sikur në mes tyre të ishte ngritur një mur transparent i pakapërcyeshëm, ku e vetmja mundësi ishte vetëm ta shikonte, vetëm ta përcillte nga ku po shkonte ajo.

Ajo u ngrit. Fillimisht shtyu me vështirësi këmbët e saj të drunjta dhe më pas ia dha vrapit sikur ai të mos ishte fare aty, ndërsa atij iu mor fryma duke u munduar ta ndiqte me po të njëjtën shpejtësi, derisa arriti te hyrja e pallatit. Jashtë pallatit burrat po pinin cigare, por vështrimi i tyre i habitur sikur donte të thoshte diçka: “Prej nga mbiu ky këtu?” Ky vështrime shpoi thershëm tejpërtej. Deshi ta ndiqte Hajrien menjëherë lart, por mendoi të ndalte pak, të merrte frymë dhe të pinte një cigare për ta mbledhur veten. Pa e mbaruar mirë cigaren, dëgjoi ulërimat e grave që vinin prej shtëpisë së vjehrrës. U step. Pa u menduar shumë, së bashku me të tjerët që ishin aty, u turr drejt shkallëve për të parë ç’po ndodhte. Hajria u afrua tek arkivoli i nënës së saj. Dukej sikur donte të hynte edhe vetë brenda, ndërsa gratë, të tmerruara, mundoheshin ta largonin me forcë.

Befas ajo theu heshtjen. Një qetësi e kobshme mbuloi dhomën mortore.

– Nesër bëhet varrimi im! Nanë, tregoju që m’i ke bërë gati teshat ke krevati. Tregoju që m’i ke palosur sendet e mia për rrugë. S’kuptoj pse këto duan të vënë ty aty e jo mua. A nuk më the mbrëmë se unë do varrosem nesër?

Ashtu e humbur në atë botë ku nuk i kishte mbetur më asgjë, dukej sikur ajo i fliste më shumë vetes sesa të pranishmëve të cilët i shikonte me sytë gjithë lot e pikëllim. Ndërsa ajo nuk ndiente më asgjë. Asgjë! E pse duhej të qante? Ashtu si ishte katandisur, s’kish pse t’i vinte keq që të ikte nga kjo botë. Ai, Agimi i saj, dashuria e saj e madhe, mori gjithçka kish: dashuri, pasuri, katandi dhe e la shtatzënë vetëm me të ëmën.

Në atë gjendje pikëllimi vuri re t’i afrohej burri që i kish dalë atje në rrugë. S’po i kujtohej kush ishte, por afër tij vuri re një fëmijë të vogël që u afrua drejt saj duke i folur me frikë:

– Mami…!

Ajo e vështroi atë filiz të njomë drejt e në sy. Dhoma kishte kohë që kishte rënë në qetësi, njëlloj si dhomat e varrezave katolike.

– Dy milionë pará kushton baba yt, çika ime! Ato janë të tuat, – i tha ajo, dhe duke hapur krahët e rrëmbeu fort në gjirin e saj të tharë prej kohës së maskarenjve. 

2 thoughts on “Dy milionë euro burrë ! / Tregim nga Silvana Berki

  1. This article is very informative but it took me a long time to find it in google.
    I found it on 19 spot, you should focus on quality backlinks
    building, it will help you to increase traffic.
    And i know how to help you, just search in google – k2 seo tips

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s