“NË KOPSHTIN E MUZAVE”, TË XHELADIN MJEKUT ( Meditim, rreth një libri ) / Shkruar nga: Viron KONA

 

 

“NË KOPSHTIN E MUZAVE”, TË XHELADIN MJEKUT

( Meditim, rreth një libri )

 

 

 

 

v 1

 

Shkruar nga: Viron KONA

 

 

Në tavolinën e punës mbaj prej javësh librin poetik “Në kopshtin e Muzave” të Xheladin Mjekut. Më ka dhënë kënaqësi gjatë leximit të parë, kështu që herë-herë e shfletoj dhe rilexoj poezitë. Janë të gjitha të bukura dhe, krahas kënaqësisë estetike, ato përçojnë te lexuesi ide dhe mesazhe të munguara e befasuese, bukuri artistike herë – herë tronditëse, të emocionojnë dhe të vënë në mendime, cilësi këto që i ka arti i vërtetë.

 

 

v2

 

Ballina e parë e librit…

 
Natyrisht që, të fokusosh e përgjithësosh vlerat e një personaliteti të kulturës, siç është Xheladin Mjeku, i paraqitur dhe i njohur me disa antologji poetike, me disa libra me kritikë letrare dhe të tjerë libra me poezi e tregime, duhet të lexosh rreth veprës së tij, në mënyrë që këndvështrimi të jetë sa më i gjerë. Por, siç thuhet, “që të provosh shijen dhe cilësinë e verës, mjafton një gotë, nuk është e nevojshme që ta pish të tërë fuçinë ”. Aq më tepër që Xheladin Mjekun e kemi lexuar shpesh herë në faqet e shtypit të shkruar dhe atij elektronik, me analiza dhe studime mbresëlënëse, me ide të qarta dhe shpresëdhënëse për drejtime të caktuara të jetës shoqërore, letrare dhe historike, por më së shumti, e kemi kontaktuar dhe jemi miqësuar me të, me analiza e komente të librave.

 

 

v3

 

              Autori: Xheladin Mjeku

 

 

E thënë drejtpërdrejtë, poeti Mjeku u dhuron lexuesve mesazhe të dëlira e plot figuracion, që kanë mbirë, hedhur shtat e lulëzuar pikërisht aty, “Në kopshtin e muzave”, e ku, poeti, të ofron me çiltërsi kupën e mendimit, si qerasje me nektarin e luleve më të bukura e më të ëmbla, të atij kopshti të bekuar. Poezi pas poezie, përjetojmë dhe ndiejmë vezullimin e mendimeve të pastra e vërshuese, duke dëshiruar që, bashkë me autorin, t`i hedhim sytë shigjetues “shekullit të mbarsur me lugetër”, ose të ndiejmë kushtrimin e freskët poetik dhe flakërues të lirisë ose dhe të zbojmë nga vetja çastet ëndërr-këqija, të provokuara nga kohë dhelparake e, mbi të gjitha, të rrugëtojmë mbarësisht e përherë me busullën poetike, drejt “shtigjeve të dritës.”
Muzat e Xheladin Mjekut, nuk janë çaste të rëndomta e të zakonshme, nuk janë ndalesa stacionesh. Ato janë ide dhe mesazhe vizionare për rrugëtime jete dhe drite, që ndrisin dukshëm në hapësirën letrare, duke u shoqëruar me stinët e jetës: me dimrin e ashpër, të bardhë, të akullt dhe me krisma gjëmimtare; me vjeshtën e përflakur e me bukuri ylberi; me verën e nxehtë, përzier me të qeshura vajzash e lojëra fëmijësh, me kaltërsi deti e këngë zogjsh; me pranverën e gjelbërimit, të sythave, gonxheve, dashurive dhe dallëndysheve.
Janë rrugëtime që na ftojnë, na japin dorën, na përqafojnë e na miqësojnë, na përfshijnë në “krosin” masiv të jetës, e ku “Vrapojmë përkrah sho`i-shoit/Dhe mbesim miq në jetë”.
Muzat e Xheladin Mjekut na ftojnë për një kuvend, te Rrapi i Mashkullorës, që ”miqësisht u përqafua me tokën/Dhe shtriu faqen mbi kraharorin e saj…”.Na bëjnë të ndalemi pak çaste dhe të dëgjojmë shekujt nëpërmjet trokut të kalit dhe vringëllimës së shpatave, në betejën e Valikardit. Na bëjnë të jemi dëshmitarë të një takimi të mundësuar, figurativisht, mes Lekë Dukagjinit dhe At Shtjefën Gjecovit, që “largësitë shekullore do t`i kthenin në lavdi”…

 

 

v4

 

                 Duke dhuruar libra…

 
Muzat na bëjnë të meditojmë, se “Gjithnjë udhëve të Evropës kërkuam shpëtimin/Dhe erdhëm në përmbyllje të shtegut të lirisë”, teksa, besojmë që poeti, me këto vargje, do që të na risjellë në vëmendje mësimin lapidar ndër shekuj, se “liria nuk kërkohet, por fitohet”. Apo, ato poezi, na bëjnë të ndalim një çast hapat dhe të nderojmë fronin e shenjtë e të pazëvendësueshëm të Naim Frashërit: “Përunjësisht të falemi/Për flakadanin e ndezur të dritës,/Këtu e një shekull udhë/Hirësi!”.”Besojmë se ti je burimi/Dhe Etja jemi ne,/Deri në shterje të pikës”. Të gjithë poetët e botës, duke qenë “fis” me Orfeun, kalërojnë me Pegasin, për të mbërritur në Parnas e, gjithësesi, atyre u duhet të ndalen e të shijojnë, për pak çaste, kopshtin e muzave, i cili e ngre “rezidencën” jo vetëm në Parnas, por te çdo njeri i mirë, i frymëzuar, zemërbujar e fisnik.
Kam në kujtesë takimet me Xheladinin dhe i ruaj ato në përfytyrim, gjersa vjen takimi i radhës ,që i pasuroi edhe më tej përshtypjet, ndërkohë që më bën përherë shoqëri dhe me falë gëzim libri i tij i mrekullueshëm poetik. Njeri i kërkuar është ai. Me pamjen e qetë e serioze, me butësinë dhe elegancën e fjalës shprehëse e komunikuese, me transparencën dhe vetëpërmbajtjen në bisedë, korrekt me vetëveten dhe me të tjerët, njeri që di, ku dhe si të zhvillojë më tej idenë dhe mendimin, di të arrijë të formulojë bindshëm komunikime të frytshme mes kolegësh ose njerëzish me interesa kulturore të ndryshme.
Ky klas i Xheladinit, pasqyron shpirtin e tij, dritën, mirësinë dhe bukurinë e mesazheve e shkrimeve, të poezive dhe analizave, duke kërkuar e veçuar vazhdimisht krijimtarinë më të bukur, më të ndjerë, më të freskët dhe më të arrirë, të cilën, kur ai e gjen, e respekton dhe i përkulet me nderim, por edhe ndihmon zjarrin krijues, teksa sheh që flakëzat kanë nevojë për pakëz frymë e nxitje.
Lexuesi ndjen respekt dhe emocion të veçantë ndaj shkrimeve dhe krijimtarisë mendimtare, të freskët e fjalëbukur të këtij poeti, i cili duke nderuar shenjtërinë e kopshtit të muzave, “nuk ia ndalë vrapin ëndrrës”, tregohet i kujdesshëm në krijimin e figuracionit poetik, duke ngacmuar kujtesën tonë me ëmbëlsinë e fjalës së bilbilenjve. Ai i zgjedh në atë kopsht lulet me ngjyra nga më të bukura, lulet aromëmira, që, duke u përkulur dhe lakuar pakëz kërcellin, harmonizohen me hijeshinë e flladeve të erërave të freskëta mëngjesore, mes-ditore dhe mbrëmësore të peizazhit shqiptar. Po, kur është e nevojshme, ai nuk i shmanget as zemërimit e dhimbjes e, atëherë, shpalos “Dallgët e mallit” ose “Dallgët e vargjeve që rebelohen”.
Teksa, në peizazhin e tij poetik, tingëllon si një drithërimë e meteor porosia e nënës, që përcjell birin në emigracion:
“Bir, ditën filloje me afshin e dashurisë,/Dhe nisu shtigjeve të jetës”. E, në vazhdim:
“Atdheu gëzohej nga kthimi,/A gëzimi ishte buzëqeshja e tij”.
Fjalët, shprehjet dhe mendimet e rralla, nuk mund të krijohen pa frymëzim, talent dhe transparencë; pa mundim kërkuesi diamantesh e zemrën zjarr, që të flakërojë dashuri, mirësi dhe fisnikëri.
Kam qenë i mendimit se komenti i poezive, mbase, është një tepri`, kjo për faktin se poezia e vërtetë, zor se rrëfehet e komentohet. Ajo, veçse ndjehet. E, megjithatë, teksa lexova e rilexova librin poetik “Në kopshtin e muzave”, nuk m`u ndenj pa i shprehur këto pak fjalë vlerësuese e të meritueshme, për poetin dhe poezitë e tij, si të dua t`i dhuroj për kënaqësi e për ta nderuar, një buqetë lulesh aromëmirë, me shënimin e thjeshtë në kartëvizitën shoqëruese:
“Faleminderit dhe urime, Xheladin Mjeku! “
“Faleminderit, edhe Klubit Letrar ”De Rada”, Ferizaj, që e keni vlerësuar këtë libër poetik me çmimin e parë, në Konkursin letrar, organizuar me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë”!

 

Tiranë, gusht 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s