NUK JAM NJË AVATAR, POR AS EDHE OBLOMOV ( Pjesa e II ) / Dialog i gazetares Anila Çuli me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé, botuar në Revistën “ELITE”, Gusht 2014.

NUK JAM NJË AVATAR, POR AS EDHE OBLOMOV.

Pjesa e II

 

 

Anila Culi
Dialog i gazetares Anila Çuli me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé, botuar në  Revistën  “ELITE”,  Gusht 2014. 

 

 

 

 

Të mbetemi tek e sotmja e letërsisë shqiptare. Si ju duket gjendja e saj?

 

Kaos e përçarje totale, secili për vete, klani për pjesëtarin e klanit, pjesëtari i klanit për klanin. Jetojmë, përdreq, edhe pas kaq vitesh të rënies së komunizmit si sistem, në një ambient lufte klasash edhe në letërsi. Kam përshtypjen se vazhdojmë ta përjetojmë pa ndërpreje këtë luftë që në kohen kur ajo nisi të merrte formën e saj më të egër, që pas fundit të luftës se dytë botërore. Gjatë komunizmit dihet sesi u zhvillua ajo, dihet edhe sesi vazhdoi në emër të antikomunizmit, sidomos nga vetë ish-ët. Kjo luftë klasash, e bërë brenda llojit, në fakt la jashtë loje shumicën e atyre që artin e të shkruarit e kishin paguar me jetë apo burgime të frikshme. Me përjashtim të një aristokracie ekzistuese që u riqarkullua, – të përbërë nga ata që kontrollonin edhe gazetat e botimet e djeshme – një pjesë e vogël e autorëve ish të dënuar u mbajtën ngrohtë prej ish komunistëve pseudodemokratë, sepse u vlenin për të krijuar imazhin e rremë demokratik. Në këtë luftë të sotme mungojnë, fatmirësisht, dënimet apo eliminimet fizike të kundërshtarëve letrarë. Por vriten ata me mënjanim apo denigrim. Kjo luftë klasash që vazhdon të mbjellë urrejtje, pasqyrohet edhe në trjatimin e temave apo në qendrimin e opinionit ndaj veprave letrare. Kalohet nga ekstremi i injorimit të gjithckaje të krijuar në të kaluarën, deri në himnizimin e saj. Ashtu si edhe në polikë, në letërsi vazhdojnë të shquhen dy kampe armike: autorë pasues të traditës dhe nihilistë të plotë të saj.

 

 

 

shpend

 

      Shpend Sollaku  Noé

 

 

 

Deri në çʼmasë kanë përgjegjësi botuesit shqiptarë për këtë gjendje të letërsisë tonë?

 

 

Niveli i një letërsie është i lidhur ngushtë me nivelin e botimeve. Roli i botuesve në seleksionimin e sukseseve të vërteta letrare është i pazëvendësueshëm. Nuk shoh sot për sot në Shqipëri botues mecenatë që rrezikojnë sidomos në rolin talent scuot. Shumica e tyre, për të mos thënë të gjithë, kërkojnë para prej autorëve. Dhe nuk janë të interesuar për shitjen e librit. Mirëpo autorët, sidomos të rinj, kanë nevojë të përballohen me lexuesin. Tek ne mithi i shtëpisë botuese është i trashëguar prej të kaluarës, kur botimi do të thoshte “vepër e denjë”.Prandaj edhe krijuesit rendin pas tyre. Zhvillimet e sotme të editorisë botërore tentojnë seriozisht të përmbysin këtë raport botues-shkrimtar. Sot të rinjtë, sidomos në Evropë, botojnë vërtetë duke u vetëfinaciuar, por pa patur nevojën e një botuesi si mbështetje. Eksistojnë shumë site on line që, me shumë pak para, sigurojnë botimin e një libri. Autori në fjalë e ndjek vetë krijimin e tij, që nga faqosja, kopertina e deri tek shitjet. Këto site ofrojnë botime me kod ISBN dhe garantojnë deri në 70% të drejtë autori. Emri më i spikatur? Amazon. Librin mund ta botosh në e-book formats por edhe në letër. Kultura e vetëfinacimit dhe shitja on line, sidomos në format elektronik, janë tendenca e sotme dhe e ardhmja e botimeve. Kjo dukuri do të shënojë edhe fundin e botuesve spekullatorë. Aq i vërtetë është ky fenomen, saqë edhe botues mjaft të fuqishëm si “Mondadori” janë duke menduar seriozisht sesi të përfshijnë zyrtarisht në mënyrat e tyre të fitimit edhe vetëfinacimin nga ana e autorëve.

 

 

Në intervistat e mëparshme ju keni shprehur nevojën e krijimit në Shqipëri të figurës së agjentit letrar.

 

 

Vazhdoj të mbetem i mendimit se ndërmjetësia e agjentit letrar mes shkrimtarit dhe botuesit është domosdoshmëri për gjetjen e botuesit më të volitshëm si dhe për sigurimin e të drejtave të autorit.

 

 

Po për “Nobelin” çʼmendim keni, a mund tʼi jepet ndonjë ditë një autori shqiptar dhe, sipas gjykimit tuaj, cili mund të jetë i denjë për këtë çmim?

 

 

Pse jo, kombi ynë ka dhënë prova që është i aftë të pjellë edhe letërsi të madhe. Edhe pse në dhënien e Nobelit shpesh kanë qenë vendimtare konjukturat. Unë mendoj se në kaosin e sotëm të letërsisë shqiptare, janë duke lindur, ose nuk janë zbuluar ende, shkrimtarë të mëdhenj. Por kjo nuk mjafton. Duhen institucione me peshë për tʼi propozuar e mbështetur në Stockholm, nuk mjaftojnë lavdërimet në gazeta apo grupet në social network-ë. Autoriteti i një kombi në fund të fundit duket edhe këtu: në aftësinë e imponimit në komisionet e Nobelit.

 

 

Një pjesë e krijimtarisë tuaj është përkthyer në 21 gjuhë të huaja në vende me kultura të ndryshme të Europës, Azisë, Amerikës e Afrikës. A e prisnit këtë sukses?

 

 

Asnjë shkrimtar nuk mund të parashikojë një gjë të tillë. Është mirë të mos mendohet paraprakisht as suksesi dhe as dështimi, ndryshe shkrimtari duhet të heqë dorë nga të shkruarit, sidomos nëse është pesimist për të ardhmen e krijimtarisë së tij.

 

 

Tek poema juaj “Barkodë” stigmatizohet bota e sotme me bankat e kthyera në perëndi. Kjo poemë ka patur një jehonë globale. Ajo është shkruar para fillimit të krizës së fundit botërore që nisi me falimentimin e Lehman Brothers. Ku bazohet suksesi i saj?

 

 

Shumë kënaqësira më ka dhënë kjo poemë. Suksesi i saj? Ndoshta në aktualitetin, në guximin për të thënë me forcë ide që të tjerëve në atë kohë as që u shkonin ndërmend.

 

 

Poema “Mare Nostrum” duket sikur është shkruar sot.

 

 

Me gjithë shpirt do të doja që tema e kësaj poeme – Mesdheu i kthyer në një varrezë stërmadhe – të ishte tejkaluar.

 

 

Në poemën tuaj “Murus Noster” pasqyrohet ndarja e botës së sotme nga mure fizikë dhe moralë, në kohën kur gjithnjë e më shumë flitet për globalizim.

 

 

Për fat të keq kjo mbetet një e vërtetë e hidhur. Sa më shumë borgjezia e madhe botërore i mëshon globalizimit ekonomik, aq më tepër racizëm e dëshirë për tʼu veçuar gjen tek njerëzit e thjeshtë. Shpesh ndjenja e frikës prej tjetrit që nuk është si ty apo prej të huajit që kërcënon vendin tënd të punës po vazhdon të ushqejë konflikte të thella shoqërore. Dhe tendenca nuk ngjan të dobësohet, përkundrazi.

 

 

Pse mbetet aktuale poema “Check up Homerit”?

 

 

Ndoshta sepse është një poemë që stigmatizon nacionalizmat e sëmura.

 

 

Më bën përshtypje që nuk jeni shumë i pranishëm në vendin tonë, a e keni menduar të paraqisni veprën tuaj edhe në Tiranë?

 

 

E kam menduar shpesh kthimin tim letrar në Shqipëri, por kjo nuk varet prej meje. Kur atje të kem një botues që ia vlen, pse jo.

 

 

Cilat tema ju ngacmojnë më shumë në krijimtarinë tuaj?

 

 

Drejtësia shoqërore, konflikti i përhershëm midis intelektualit dhe pushtetit politik apo mafioz.

 

 

Shpesh herë thuhet se të shkruarit kërkon edhe kushte komode, që jo të gjithë i kanë.

 

 

Mendoj se nuk është thënie që mund të thuhet edhe për mua. Kam qenë dhe jam në gjendje vuajtjeje të shumëanshme e të vazhdueshme. Komoditeti do të më kishte vrarë si krijues. Nuk mund të ketë art të vërtetë që nuk lind nga dhimbja e vuajtja.

 

 

Çfarë ju mungon nga Shqipëria?

 

 

Gjithçka shqiptare që nuk mund të preket me dorë nga larg.

 

 

Dhe çfarë ju ndihmon në të qenit larg atdheut?

 

 

Ndoshta është një iluzion, pasi lidhja ime me shqiptarët dhe Shqipërinë është e përditdhme. Por të qenit larg fizikisht herë-herë të shpie në mendimin se ndoshta kjo rrethanë të mban në distancë nga klanet dhe prapaskenat e letërsisë shqiptare dhe forcon në vetvete ndjenjën e pavarësisë krijuese.

 

 

Berati vitin e kaluar ju ka nderuar me targën Albanian exellence”.

 

 

Ishte vërtetë dhurata më e bukur që mund të më bëhej nga qyteti i lashtë; realizimi i ëndrës së babait, që ishte shtërnguar ta braktiste Beratin me gjithë familje shumë vite më parë, dhe që nuk u kthye dot atje sa ishte gjallë, për arësye që i kam shpjeguar tashmë në shkrime të tjera.

 

 

Me Korçën keni vendosur një feeling të veçantë. Si e shpjegoni?

 

 

Në Korçë kam miq të mëdhenj, sidomos poetin e pashoq Skënder Rusi si dhe shkencëtaren Irena Nikaj. Askush si korçarët nuk është kujtuar tʼu hyje thellë poemave të mia të vështira, të organizojë me vargjet e mia një teatër poezie, të recituar nga aktorët e tij më të mirë.

 

 

A e vizitoni shpesh Lushnjen? Si është raporti i borxheve mes jush dhe qytetit tuaj të lindjes?

 

 

Lushnjen e vizitoj pothuaj çdo vit. Kam akoma dy vëllezër atje dhe nënën që jeton me njerin prej tyre. Pastaj kam edhe mjaft miq të fëmijërisë dhe të cikleve të ndryshme të shkollës. Me ata miq ndoshta jam në borxh, pasi jo gjithmonë kam patur kohë tʼi takoj. Ndërsa më Lushnjen zyrtare, atë që ka ikur e që ka ardhur në pushtet, jo; mendoj se është ajo në borxh me mua, nëse ky borxh ka të bëje me ato që kemi dhënë e kemi marrë nga njeri-tjetri. Faktet janë këto: që fëmijë e deri sa u detyrova të largohem, i kam dhënë Lushnjes shpirtin, kam sakrifikuar kohën time të lirë, kam rrezikuar edhe kokën për të. Nga duhet ta filloj? Nga konkursi i parë në Radio Tirana, ku mora pjesë që në klasën e parë apo në atë kombëtar të kimisë për shkollat tetëvjeçare, ku vetëm prej pisllëqeve të jurisë dhe sepse vinim nga Lushnja, u renditëm të dytët, menjëherë pas kryeqytetit? Apo të përmend aktivizimin si aktor duke filluar nga teatri i Shtëpisë së Pionierit tek ai i qytetit në moshë të rritur? Apo pjesëmarrjen në estradën apo festivalet e qytetit si aktor, këngëtar dhe autor? Apo organizimin e dy seminareve kombëtare të letërsisë për të rinj, me krijime dhe prezantime të mia? Apo botimet letrare në organet qendrore që në moshë të njomë? Duhet tʼi kujtoj Lushnjes edhe botimin dhe drejtimin nga ana ime dhe e miqve të mi të të parës gazetë opozitare të Shqipërisë në rrethe, “Ora e fjalës”? I ka harruar sakrificat a mia në organizimin e degëve të të dyja partive kryesore opozitare në luftën për demokraci, kur shumë prej atyre që venë e vijnë atje në pushtet fshiheshin pas fustaneve të grave? Lushnja zyrtare më ka shumë borxhe, që mbase do të shlyhen vetëm kur atje do të jetë shuar vërtetë lufta e klasave dhe do të shkruhet historia e saj ashtu siç ka ndodhur.

 

 

Ju keni qenë edhe një profesor i ri i pasionuar i letërsisë, në Çermë e në Lushnje. Çʼpërfaqësojnë ato vite për ju? Çʼraport kishit me nxënësit dhe a i ruani kontaktet me ta?

 

 

Ato vite zënë një vend të rëndësishëm në jetën time, që më shpunë jo vetëm drejt pjekurisë profesionale por, sidomos, asaj njerëzore. Kur më emëruan në Çermë-Shkumbin unë kisha shumë pak përvojë të mëparshme mësimdhënieje: një farë stazhi në shkollën “Kongresi i Lushnjes”. Drejtori i atëhershëm i asaj shkolle, Veli Dalani, u përpoq të më mbante, por iu tha se Partia kish nevojë për mua në një front më të vështirë. Çermë-Shkumbini i asaj kohe (ishte viti 1982) kishte problemet e të gjithë fshatrave shqiptare; kooperativa socialiste ekzistonte sa për emër dhe varfëria kishte katandisur banorët e saj në pikë të hallit. Që në fillim pata vështirësitë e atij që ndeshej për herë të parë me mësimdhënien në ato kushte. Në fillim edhe revoltohesha me nxënësit e atjeshëm, por, sa më shumë kohë kalonte, aq më mirë i njihja dhe aq më shumë i doja. Me kohë kuptova që mospasja nuk kishte zbehur në ta dëshirën për të studiuar. Ngrita menjëherë rrethin e parë letrar si mësues dhe shpejt krijuesit e rinj të Çermës arritën të botojnë edhe në organet e Tiranës për moshën. Ftoja shpesh atje edhe krijues të njohur në rang kombëtar, për të thyer izolimin e tyre intelektual. Nuk mund të harroj çʼmë tha njëherë njeri prej prindërve të tyre: «Pse, o mësues, ka edhe shkrimtarë të gjallë?». I ruaj edhe sot e kësaj dite kontaktet me shumë prej tyre. Nuk mund të mos përmend që midis nxënësve të mi kish edhe bij të të internuarve politikë, që u përpoqa, edhe duke rrezukuar, tʼi aktivizoj. Prania e Kampit – kështu e quanin atë copëz fshati mes baltrave – ndikoi shumë edhe në konsolidimin e ideve të mia antidiktatoriale.

 

 

Në shkrimet tuaja publiçistike, por edhe në veprën letrare, politika është shpesh e pranishme. Me sa gërmoj në CV-në tuaj shoh se keni qenë një ndër të parët e forcave të djathta. A mendoni tʼi riktheheni politikës aktive?

 

 

Tani për tani letërsia nuk më lë kohë të pushoj as të dielave. Për nesër? Mai dire mai. Megjithatë nuk pretendoj të jem një avatar – mishërim i zotit në tokë, as një elf, i aftë të lexojë edhe errësirën më të thellë të politikës shqiptare. Nuk vij as nga e ardhmja, por nuk jam as Oblomov, as edhe i dorëzohem të keqes. Në mënyrën më të përulur mendoj të kem, si shumë të tjerë, një shqisë të lindur për të parashikuar të nesërmen. Megjithatë nuk kam për tʼu kandiduar asnjëherë me forca ish komuniste. Edhe pse të djathtën e kuptoj jo në mënyrën klasike, por si një shkrimtar, në mbrojtjen e ligjit dhe më të dobëtit. Ata që sot pretendojnë të jenë të djathtë në Shqipëri e identifikojnë atë drejtim politik vetëm si antikomunizëm. Programe të vërteta të djathta nuk kam parë akoma. Unë e shoh veten në modernizimin e vazhdueshëm të politikës sipas mënyrës euroamerikane të Margareth Thatcher apo Ronald Reagan, të përshtatur kushteve kombëtare të vendit tonë, në të cilin duhet të mbretërojnë kombi, ligji, ekonomia e shëndoshë, pastërtia morale dhe ecja përpara e individit sipas meritës

 

 

Ju jeni gjithashtu mbështetës i “Amnesty Internacional”, në mbrojtje të drejtave themelore të njeriut, sidomos të emigrantëve dhe azilantëve politikë. Cilat janë problemet e tyre të sotme?

 

 

Të shumta dhe të shumëllojshme. Shpesh të drejtat e tyre sipas Konvencionit të Gjenevës merren nëpër këmbë. Mungojnë, edhe në Evropën e qytetëruar, ligje të njësuara për ta. Gjithashtu zbatimi i ligjeve ekzistuese lë për të dëshiruar.

 

 

Të mbetemi edhe pak tek politika: si e keni përjetuar dhënien Shqipërisë të statusit të shtetit kandidat për në BE?

 

 

Kjo nuk është vetëm politikë, por dhe sidomos histori. Pranimi i nesërm i vendit tonë në Evropën e bashkuar sʼështë gjë tjetër veçse rikthimi i tij në origjinë. Është për të parë se sa kohë do tʼu duhet shqiptarëve të plotësojnë realisht kushtet e pranimit përfundimtar; nëse do të jenë lealë me BE-në apo do tʼi fshehin të vërtetat si qeveria greke ca vite më parë. Në rastin e dytë nuk ua uroj patriotëve të mi atë austerity të egër që u detyrua të përballojë populli grek. Sepse Evropa e sotme është në radhë të parë bashkim ekonomik. A janë gati shqiptarët, për shembull, të paguajnë rregullisht taksat si evropianët?

 

 

Ndër të tjera, çʼmund të përfitojnë emigrantët shqiptarë prej hyrjes së atdheut të tyre në Evropë?

 

 

Ajo më kryesorja është moshumbja e kontributeve të derdhura për pension në dhe të huaj. Shumë prej atyre që jetojnë në vende të BE-së duan të kthehen por humbja e viteve të pensionit i frenon të bëjnë atë hap jetik. Mendoj se ritmi i kthimeve në atdhe përgjithmonë do të ketë një hop të rëndësishëm për ta dhe, pse jo, edhe për të ardhmen e Shqipërisë.

 

 

Ju jeni europeist apo euroskeptik?

 

 

Totalisht europeist, edhe më gjërë: globalist.

 

 

Nëse do të ktheheshit pas në kohë, çfarë do të reviziononit nga jeta juaj?

 

 

Absolutisht asgjë që varej prej meje.

 

 

Pas suksesit të romanit Il confine della nebbia (Kufiri i mjegullës), çfarë do tʼi paraqesni lexuesit së shpejti?

 

 

Në shqip jam në përgatitjet e fundit të një përmbledhjeje të re poemash. Në italisht kam mbaruar së shkruari pentalogjinë “Bij të Saturnit” – pesë romane me tituj të ndryshëm që lidhen mes tyre nëpërmjet temës e personazheve, por që kanë edhe një jetë të pavarur nga njeri-tjetri.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s