NUK JAM NJË AVATAR, POR AS EDHE OBLOMOV (Pjesa e I ) / Dialog i gazetares Anila Çuli me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé, botuar në Revistën ” ELITE ” , Gusht 2014.

NUK JAM NJË AVATAR, POR AS EDHE OBLOMOV.

Pjesa e I 

Anila Culi

Dialog i gazetares Anila Çuli me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé, botuar në Revistën  ” ELITE ” , Gusht 2014.

Z. Noé, kanë kaluar kohë që nga ikja juaj prej Shqipërie, nga 1992-shi e këtej. Prej më se 20 vitesh ju keni botuar mjaft libra të suksesshëm në prozë e poezi. Ka qenë kaq e vazhdueshme krijimtaria juaj?

Siç ndodh rëndom, edhe puna im letrare ka patur ngjitjet e zbritjet e saj. Sipas rrethanave, ajo është gërshetuar me gazetarinë, veçanërisht në vitet e luftës për demokracinë shqiptare. Ishte kohë sakrificash të mëdha kur vetvetja kalonte doemos në plan të dytë. Megjithatë, krijimtaria ime e atyre viteve nuk ishte ndërprerë plotësisht; ajo, në mos rridhte, pikonte, sidomos në zhanret e shkurtra. Ato që u ndërprenë në ato vite ishin botimet. Kjo vazhdoi edhe për një kohë të konsiderueshme gjatë periudhës së fillimit të azilit politik, sidomos për arësye të kushteve mjaft të vështira ekonomike në të cilat u ndodha për vite të tëra, pasi statusi i azilit politik në Itali nuk garantonte ndihma të asaj natyre. Megjithatë nuk reshta së shkruari dhe prisja vetëm çastin e duhur për tʼu rikthyer. Kjo ndodhi në vitin 1995, me librin “Il regno del proibito” (“Mbretëria e gjërave të ndaluara”) me krijime të reja dhe pjesë nga poezitë e ndaluara në Shqipëri.

Ikja juaj nga Shqipëria më kujton disi ikjen e Ismail Kadaresë. Sa qëndron kjo përshtypje?

Pa hyrë në paralelizma letrare që zgjojnë konflikte interesi, duhet të them se janë dy ikje mjaft të ndryshme. Së pari ndryshojnë personazhet. Unë, në kundërshtim me Kadarenë, nuk isha i përkëdheluri i regjimit. Atë e dërgoi shteti komunist të studionte në Moskë, ndërsa mua, edhe pse me nota shumë të mira në gjimnaz dhe me një kurrikulë aktivitetesh mjaft të pasur për moshën, më detyruan të frekuentoja auditorët e shkëmbinjve të ishullit të Sazanit. Ai, student, siç tregon edhe vetë, pati mundësinë të dashurohej me vajzat moskovite; unë në të njëjtën moshë bëja 12 orë shërbim në 24 orë, 8°° me14°° dhe 20°° me 2°°. Për tre vjet rresht ora dy e natës më ka zënë zgjuar në Sazan, ose merrja shërbimin, ose e lija. I vetmi dëfrim: numërimi i lepujve të egër që zbrisnin tek furrat e bukës së ishullit për të pirë ujë nga tubat e çara. As kur më vdiq babai oficerët nuk më lajmëruan. Këtë episod nuk mund ta shlyej nga mendja, edhe pse kalvari i vuajtjeve në ishull ishte i pafund. Së dyti, Kadareja nuk pati as durim e as guxim të sakrifikohej në fillimet e lëvizjes për demokraci. Ai u largua në 1990-ën. Unë, edhe pse shoqërova shokë të mi në Tiranë gjatë hapjes së ambasadave, edhe pse u gjenda brenda portit të Durrësit më 7 mars 1991, nuk u largova. Doja ta shikoja komunizmin në Shqipëri të rrëzuar dhe iu dhashë me mish e shpirt lëvizjes për demokraci. Në të gjitha fushat e mundshme: në organizimin e opozitave të ndryshme, në lindjen e shtypit të lirë, në rendjen nëpër baltrat e Myzeqesë, por edhe më gjërë, për antarësimin e njerëzve në partitë e opozitës. Gjithë kjo duke harruar veten, shpesh edhe familjen; duke rrezikuar kokën time e të njerëzve të mi më të dashur. Së treti: kur u largua Kadare, në Paris e prisnin, ai e kish përgatitur terrenin që më parë. Nuk dua të futem në detaje, është ai vetë që duhet të flasë se si u strehua, me çʼtë ardhura jetonte, ( pasi, edhe pse ishte i famshëm, nuk kam të dhëna për shitje të bujshme të librave të tij në Evropë e botë). Kur unë u detyrova të largohem në vitin 1992, nuk më priste askush në Itali. Fjeta për një kohë të gjatë me gruan dhe djalin e vogël nën tavan, – ambjent që më parë ish përdorur për tharje rrobash. Për të siguruar mbijetesën mʼu desh të rifilloj nga zeroja, të bëja punë nga më të mundimshmet, të provoja varfërinë ekstreme. Nuk harroj ditën kur, pas shumë vitesh azili politik, erdhi në Itali nëna ime për të më takuar. Ishim aq keq ekonomikisht, sa… Edhe biletat nuk ia kisha prerë unë. Ardhja i ishte mundësuar nga miqtë e Amnesty International të Romës. E vetmja paralele që mund të hiqet mes meje dhe Kadaresë është kjo: ai pohon deri diku se me ikjen e tij u përpoq të thosh se ata, politikanët shqiptarë, nuk mund të rinovohen. Ikja ime në prill të viti 1992 – pas zgjedhjeve – , në intervistat e para që dhashë në Itali, kërkoi tʼi thoshte botës se Shqipëria ishte akoma larg nga demokracia e vërtetë.

shpend

Shpend Sollaku Noé

Ju jeni shprehur shpesh mbi Kadarenë. Madje në fillimet tuaja ai ju ka vlerësuar si një ndër të rinjtë më të talentuar të atyre viteve. Si kanë ndryshuar opinionet tuaja të dikurshme për këtë shkrimtar, pas njohjes me ajkën e letërsisë botërore, kontaktin me të cilën ua kishte mohuar diktatura?

Unë e njoha Ismailin fizikisht kur isha mjaft i ri. E kam takuar vetëm dy herë. Në fillim në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku ai krejt rastësisht merr në dorë disa poezi të miat; më pas në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për të marrë përshtypjen rreth vargjeve të mia. Ai ishte idhulli i gjithë letrarëve të rinj të kohës dhe përshtypjet e mia qenë nga më pozitivet. Kishte namin e mizantropit, ndërsa mua mʼu duk mjaft njerëzor, pse jo edhe ironik e shakatar. Përshtypje këto që u ndriçuan më tej edhe nga reagimi i tij mjaft pozitiv për poezitë që kish marrë të lexonte. Pa u zgjatur më tej me këto detaje, dua të them se Kadarenë ne e konsideronim si më perëndimorin nga shkrimtarët shqiptarë. I kishte të gjitha mundësitë për të qenë i tillë: në radhë të parë talentin e pazakontë. Pastaj ai hynte e dilte në Francë ( dhe jo vetëm ) si në shtëpinë e tij. Mundësinë për të lexuar letërsinë e Perëndimit e kish të pakufizuar. Rrjedhimisht kjo eksperiencë pasqyrohej edhe në krijimtarinë e tij. Ne të tjerët, sidomos të rinjtë, mundnim të lexonim fshehurazi diçka që qarkullonte dorë më dorë e kishim një burim mjaft të kufizuar për të njohur letërsinë moderne. Ato pak libra të tillë që arrinin tʼi shpëtonin syrit qiklopik të cenzurës nuk arrinin kurrsesi të mbushnin boshllëkun e leximeve tona. Kjo mungesë plotësohej deri diku nga librat e rinj të Kadaresë, që në libraritë tona shiteshin më shpejt se buka në kohë zie. Tek Kadareja ne përpiqeshim të kuptonim se si shkruhej prozë e poezi bashkëkohore. Më vonë, kur të gjithë shqiptarëve iu dha mundësia të viheshin ne kontakt me artin e letërsinë botërore të mohuar më parë, pa diskutim që raporti mes Ismailit e lexuesit shqiptar do të ndryshonte. Nëse deri para 1990-ës kishte lexues apo edhe kritikë shqiptarë që e paraqisnin Kadarenë si shkrimtarin më të madh të kohës, sot mund të pohohet që ai është një shkrimtar i pazakontë, edhe i madh, por bota ka shumë të tillë, madje ka po aq shumë edhe shkrimtarë më të mëdhenj se ai. Kjo nuk do të thotë aspak ridimensionim i këtij autori, ai tashmë, pavarësisht nga historitë e tij të diskutueshme personale, është bërë pjesë e qëndrueshme e trashëgimisë botërore. Ky fakt, në fund të fundit, vetëm mirë i bën letërsisë shqiptare. Sulmet që vazhdojnë tʼi bëhen prej kundërshtarëve të tij të më të egër, në vend ta dobësojnë, shpesh shkojnë në drejtim të kundërt.

Me që ra fjala për letërsinë nën diktaturë, di që një libër i juaji ka mundur të mbijetojë vetëm pak orë nga botimi dhe më pas është penguar të hidhej në treg. Mund të më thoni ç’kishte ky libër që ne nuk duhej ta lexonim?

Sipas meje? Asgjë për tʼu dënuar. Sipas botuesit – nxirje e realitetit, nëpërmjet alegorirash të rrezikshme. Në fillim ky libër titullohej “Sfinksi”. Në vitin 1976, (siç nisa ta përmend më lart) për “Sfinksi”- n Ismail Kadaré i shkruante shefit të poezisë: «I dashur I.N., autori i këtyre vargjeve është një djalë … Ju kër­koj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri». Kërkesa e Kadaresë u hodh poshtë. “Sfinksi”-t iu mohua botimi dhe mua mʼu bë presion të kthehesha në klishenë tradicionale të realiz­mit socialist. Në shkurt 1987, pas njëmbëdhjetë vitesh çensure, arrij ta botoj me titullin “Mëzat e kaltër”. Por, ndërsa po shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve që tʼi gëzohesha suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpë­ritej fati i tij: në karton! I lajmëruar nën zë nga një tjerër autor i ri (T. K.), mësova se, pasi e kishte botuar, çensori kishte vendosur menjëherë ta zh­dukte librin tim. Bashkë me të fejuarën, renda në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipogra­fëve, të trembur prej “urdhërave nga lart” (Ky libër nuk duhet absolutisht të qarkullojë!), arrita “të vjedh” një kopje të vetme. Kur drejtori i “Naim Frashëri”-t, (G. B.) i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, unë nxora kopjen e“vjedhur” prej palltos. Ai i befasuar, pas orësh polemike, më detyroi të pranoj një “kompromis”: të lejohej të qarkullonte libri, por pa varg­jet e kriminalizuara! Unë nuk shkova më të interesohesha për fatin e atij vëllimi. «Bëni çʼtë doni u thashë, nuk më intereson më asgjë rreth këtij botimi». Por nuk më kish shkuar kurrë në mendje ajo që do të ndodhte vërtetë: në variantin e dytë të “Mëzat e kaltër” ishin grisur poezi të tëra, të tjera ishin sakatuar dhe shumë vargje ishin shkruar nga njëri prej redaktorëve! Aq banale ishte bërë girsja, saqë duken qartë edhe faqet “e reja” të ngjitura mbi“të vjetrat”. E vetmja kopje e plotë e këtij vëllimi gjendet në arkivin tim. Sidoqoftë nuk mund të harroj mbrojtjen që më bënë, edhe pa më njohur, shkrimtarët Nasho Jor­gaqi e Fatos Arapi, që u shprehën kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: «Të dërgosh këtë autor të ri në karton do të thotë inkuizicion mesjetar!»

Sipas jush çfarë duhet shpëtuar prej autorëve të traditës së realizmit socialist?

Mund edhe të shpëtohen ato vepra që nuk ishin politizuar deri në kompromentim të plotë. Në atë periudhë nuk është shkruar vetëm për Partinë dhe Enverin. Poezia ka njohur edhe kryevepra të mirëfillta, po ashtu edhe proza shqiptare. Vepra mjeshtërore ka, dhe nuk janë pak. Këtu përfshij edhe ato që autorët tanë i kishin në sirtar dhe nuk guxuan apo nuk mundën tʼi botojnë në atë periudhë për arësye të ndryshme. Po ashtu veprat e ndaluara gjatë asaj kohe pas botimit. Pas një seleksionimi të kujdesshëm Ismailit do tʼi shpëtoja romanet “Prilli i thyer”, “Viti i mbrapshtë” e ndonjë tjetër. Dritëroit lirikat e dashurisë, shumë prej tregimeve e kështu me radhë. Nuk mund të krijohet një boshllëk pesëdhjetëvjeçar në historinë e letërsisë shqiptare. Po tʼi seleksionojmë autorët sipas bindjeve politike, atëherë do të bënim të njëjtin gabim të kritikës letrare komuniste. Do të përjashtonim Fan Nolin dhe Migjenin si antizogistë, Gjergj Fishtën si supernacionalist, Kadarenë si kronikan të Enverit, apo autorë të tjerë, duke i vlerësuar ata sipas simpative ideologjike.

Si është bërë sipas jush rivlerësimi i autorëve që komunizmi i la në harresë apo i dënoi ?

Rinjohja e këtij grupi të larmishëm autorësh ka vite që ka filluar. Por kjo, deri tani, ka mbetur, si edhe jeta politike shqiptare, pre e një tranzicioni të pafund. Asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim serioz institucional. Rikthimi i natyrshëm në letërsinë shqiptare i këtyre autorëve ka filluar, por nuk është i plotë. Deri tani ai i është nënshtruar nismave personale të shkrimtarëve akoma në jetë apo të të afërmve të atyre që nuk janë më. Mendoj se këtë boshllëk duhet ta mbushë shteti shqiptar, duke zgjedhur autorë e vepra nëpërmjet një komisioni të posaçëm. Ministria e arësimit duhet të luajë një rol vendimtar në këtë proçes, duke filluar që nga riformulimi i teksteve shkollore. Edhe këtu duke u nisur nga një kriter i vetëm: cilësia e veprës letrare. Ka autorë që mund vetëm të përmenden, por ka edhe të tjerë të cilëve u duhet studiar e gjithë vepra. Sepse nëse fillojmë tʼi përmbahemi kriterit të viteve të burgimit apo të internimit të njerit apo tjetrit autor, do të biem në gabimet e rivlerësimit të letërsisë të menjëherë pasluftës, ku autorët partizanë apo komunistë pushtuan të gjithë hapësirën letrare të Shqipërisë.

Cili prej autorëve e meriton këtë, sipas mendimit tuaj?

Sipas opinionit tim modest, shoh më se normal një kapitull më vete në letërsinë e shkollave të mesme për shkrimtarë të nivelit të Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Havzi Nelës që e paguan me jetë dashurinë për të vërtetën, apo edhe për të tjerë që u dergjën burgjeve apo internimeve si Musine Kokalari, Lazër Radi, Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, Kasëm Trebeshina dhe pse jo, një tjetër kapitull për shkrimtarët që u detyruan të braktisnin atdheun, duke filluar nga Arshi Pipa e Bilal Xhaferri. Autorë të tjerë mund të kenë krijime të veçanta me vlerë, dhe mund të përfshihen në tekstet e cikleve më të ulëta. Në këtë mënyrë edhe lexuesi shqiptar fillon që në moshë të re të njihet me ta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s