Luftëtarët e parë antifashistë nacionalçlirimtarë shqiptarë. Ushtari i popullit dhe gjenerali. / Nga Petro Luarasi

 

 

Luftëtarët e parë antifashistë nacionalçlirimtarë shqiptarë.

Ushtari i popullit dhe gjenerali.

 

 

Petro-Luarasi-11

 

   Nga Petro Luarasi

 

 

Opinioni publik shqiptar njoftohet se më 27. 11. 2014 në disa stacione televizive do të diskutohet mbi luftën antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Bie fjala, në Top Channel (emisioni “Top Story” i Sokol Ballës) do të jetë kreu i shtetit Bujar Nishani i cili do të pyetet edhe për 70 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Ndërsa në Channel One, në “Debatin” e Roland Qafokut do të jepet një dokumentar për shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore me dëshmi ekskluzive të protagonistëve. Duke shpresuar se tematika do të konceptohet e vijohet nga balli dhe jo nga qafa, bishti apo hiçi, për hesapin e të vërtetës historike kujtoj luftëtarët e parë antifashistë nacionalçlirimtarë shqiptarë

Meqë po flitet për luftëtarët antifashistë shqiptarë, kujtoj opinionbërësit e mediave shqiptare se të parët që meritojnë të përmenden e të nderohen janë ata që e luftuan fashizmin në Spanjë (1936-1939)

 

Asim Vokshi, Zef Hoti, Urfi Agolli, Daut Muço Podgorani, Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Dhimitër Kosta, Emrush Myftari, Faik Dardha, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, lljaz Pashai, Justina Shkupi Kosta Kolombo, Mane Nishova, Mehmet Shehu, Musa Fratari, Petro Marko, Qamil Sherifi, Stefan Duni, Stivens Thanasi, Shaban Basha, Teni Konomi, Thimjo Gogozoto, Veli Dedi, Xhafer Miraka, Imer Puka, Zef Prela, Zihni Muço, Emin Agolli, Feim Muço, Hamdi Kolonja, Thoma Rushano, etj

 

 

Në historinë e Shqipërisë është trajtuar përciptas pjesëmarrja e bashkëkombasve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës, rëndësia që paraqiste veprimtaria e tyre antifashiste në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar dhe sidomos platforma e tyre për zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale pas fitores mbi fashizmin.

Thirrjes së qeverisë legjitime të Republikës Spanjolle: ‘‘Popuj të botës, ndihmomëni! Fashizmi po më mbyt!’’ iu përgjigjën: ‘‘No pasaran!’’ ‘‘ (Fashistët) Nuk do të kalojnë!’’ shtresat përparimtare të popujve anembanë botës. Krahas vullnetarëve nga 53 vende, dhjetra antifashistë shqiptarë shtrënguan duart e zemrat në ‘‘Vatrën e vëllazërimit të popujve’’ dhe u betuan: ‘‘Vdekje fashizmit!’’

 

‘‘Shumë djem të popullit lanë vëllezër e motra, prindër e fëmijë, i lanë nën terrorin e regjimit të urisë dhe ikën plot vullnet, plot zjarr, duke kaluar kufij shtetesh fashiste dhe erdhën këtu në truallin e përpjekjeve për lirinë e Spanjës dhe të botës nga rreziku i fashizmit ndërkombëtar’’.

(‘‘Përpara’’ e Korçës, në tetor 1938)

 

Kombi shqiptar u përfaqësua në këtë ‘‘vatër të vëllazërimit të popujve’’ me ushtarakë, infermierë, gazetarë e intelektualë, dhe, mbi të gjitha, me gruan e emancipuar, infermieren Justina Shkupi, e cila u shqua si asistente në krah të ‘‘doktorit të tre kontinenteve’’ Norman Betyn. Në luftën antifashiste të Spanjës u bashkuan tërë ‘‘copëzat’’ e kombit shqipar: shqiptari geg e tosk, kosovari, dibrani, çami, arvanitasi dhe bashkëkombasi emigrant nga diaspora.

 

Ata u bashkuan pa dallim feje, gjinie, gjendjeje shoqërore e niveli arsimor apo ekonomik: punëtorë, fshatarë, tregëtarë, ushtarakë e intelektualë, me bindje te ndryshme politike: anarkistë, sindikalistë, komunistë, socialistë, socialdemokratë, patriotë nacionalistë dhe pa parti, gjithë ata që i bashkonte ideali antifashist dhe dinjiteti njerëzor. Vullnetarët shqiptar në Luftën e Spanjës qenë njerëz të pjekur, objektivë në botëkuptimin e tyre politik, atdhetarë e humanë dhe nuk qenë aspak ‘‘mercenarë aventurë” apo ‘‘idealistë romantikë’’.

 

Një ndër ta qe edhe atdhetari antifashist Skënder Luarasin (apo Prof. Tomorri në romanin “Hasta la vista” të Petro Markos) i cili deklaronte se shqiptarët që vinin vullnetarë në Spanjë përmbushin një detyrë kryesisht kombëtare “se kështu do të kishin sy e faqe të kërkonin ndihmë në rast të një agresioni fashist kundër Atdheut tonë” por edhe për zgjidhjen e çështjes së drejtë të bashkimit kombëtar.

 

Po përmendim një shembull: S. Luarasi, pergjegjës i shqiptareve dhe përfaqësuesi i tyre ne Shtabin Ballkanik, që në fillim kembenguli dhe arriti të bindë Komandën e Lartë që regjistrimi i vullnetareve shqiptare te behej sipas kërkesës së tyre, jo vetem mbi bazën e nënshtetësisë por edhe të kombësisë. Per këtë aresye vullnetarët kosovare, çame, dibrane e bashkëkombas të tjerë nga diaspora u regjistruan si shqiptarë në batalionet që dëshironin.

Ky fakt shumë i rëndësishëm, që nuk duhet harruar, diktoi edhe në zgjidhjen e drejtë të një incidenti të rëndë, mes kosovarit Emrush Myftari dhe dy oficereve jugosllave, të cilët u grindën mbi përkatësinë e popullsisë së Kosovës. Kur e lajmëruan se ushtarakë jugosllavë e kishin arrestuar Emrush Myftarin si “provokator”, Skender Luarasi, nderhyri tek shefi i shtabit Ballkanik, slloveni Dragotin Gustinçiç dhe jo vetëm e liroi por kjo ngjarje shërbeu si shkak që Emrushit t’i kërkohej falje e të gradohej.

 

Skender Luarasi në emër të vullnetareve antifashistë e paralajmëroi popullin shqiptar për rrezikun e pushtimit fashist: ”Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së Kombit tonë…Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste. Për të shpëtuar duhet ti japim grushtin e vdekjes kudo…Kjo është, po, një përpjekje e rëndë për jetë a vdekje. Po nuk mund të qëndrojmë vetëm në këtë luftë të ashpër. As që mund të qëndrojmë vetëm. Sot e gjithë bota është ndarë në dy kampe të kundërta të fashizmit e të demokracisë…”

( S. Luarasi, 25 vjet indipendence, Vullnetari i Lirisë”, nr. 1, nëntor, 1937, f. 18)

 

Idetë e tij shprehin një platforme çlirimtare-demokratike e pluraliste: ” të ngjallim Frontin Popullor edhe në Shqipëri dhe ta drejtojmë kundër rregjimit. Me anën e Frontit Popullor do të përpiqemi të shembim regjimin diktatorial profashist dhe të sigurojmë bashkimin në themel të nevojave demokratike dhe të zhvillimit nacional…Përmes kësaj udhe duhet të kalojnë të gjitha fuqitë progresive të popullit, të gjithë patriotët dhe veteranët e kombit, e gjithë klasa e aristokratisë së rënë poshtë nga dynjallëku, të gjithë tregëtarët e dorës së mesme dhe industrialët që janë në rrezik të bënen borçllinj të kapitalizmës italiane, borgjezia progresive antiimperialiste, doemos të gjithë bujqtë e punëtorët, të gjithë, qofshin katolikë ose muhamedanë ose orthodhoksë, dhe, pa as më të voglën mungesë, e gjithë djalëria kombëtare përparimdashëse e Shqipërisë…”

(S. Luarasi, 25 vjet indipendence, Vullnetari i Lirisë”, nr. 1, nëntor, 1937, f. 20)

 

Në emisionet radiofonike dhe revistën “Vullnetari i Lirisë” ai dëshmoi që vullnetarët shqiptarë në Luftën e Spanjës, qenë atdhetarë të bashkuar në luftë klundër fashizmit pa dallim feje, krahine, ideje dhe përkatësie ekonomike. Ata besonin tek platforma ku shprehej qartë vetvendosja e kombeve. Ndaj edhe vullnetarët kosovarë u përfaqësuan me një përqindje relativisht të madhe në këtë luftë, me personalitete si, Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Ymer Puka, Xhemal Kada, Zef Hoti, Emrush Myftari, Shaban Basha, Veli Deda, Zef Prela pesë prej të cilëve u martirizuan në Spanjë (ndërsa Emrush Myftari u vra më pas nga shovinistët serbë si “irredentist” që kërkonte kinse“Shqipërinë e Madhe”)

 

Personalitete të luftës antifashiste në Shqipëri kanë dëshmuar për rolin e rëndësishëm të këtij informacioni në atë kohë.

 

Aktivitet madhor atdhetar e antifashist i vullnetarëve shqiptarë në luftën e Spanjës nuk njihet si duhet, shpesh minimizohet me të dhëna e opinione të pasakta të ndikuara nga rrethana politike konjukturale.

 

Trajtimi në historinë e Shqipërisë dhe qëndrimi i shtetit ndaj luftës antifashiste të Spanjës dhe vullnetarëve antifashistë shqiptarë deri në ditët e sotme është paradoksal, nuk ka ende asnjë simbolikë në nderimin kolektiv të tyre, ndërsa në botën demokratike: në Spanjë, Angli, Gjermani, SHBA, Kanada, Australi, në shtetet e Evropës Lindore, po se po, atyre u janë ngritur monumente.

 

Gjithashtu ende diskutohet në mënyrë “të pakuptimtë“ se cilën platformë duhet të përkrahnin shqiptarët si komb: atë të Frontit Antifashist, i cili ofronte edhe zgjidhjen e çështjes nacionale në një sistem demokratik pas lufte, apo atë të fashizmit që propagandonte “Shqipërinë e Madhe” nën pushtimin italo-gjerman.

 

Provohet me dokumenta se vullnetarët antifashistë kosovarë e nga gjymtyrë të tjera të kombit shqiptar u nisën në luftën antifashiste të Spanjës, jo vetëm për të luftuar fashizmin, për lirinë e drejtësinë e popullit spanjoll, por edhe me shpresë se pas fitores do të zbatohej platforma e vetvendosjes së kombeve të skllavëruar. Kjo është shprehur qartë edhe nga Skënder Luarasi që theksonte se udha e re “antifashiste, antifeudale, antizogolliste: është demokratike në bazë të një bashkimi dhe zhvillimi kombëtar…

Ja pra çasti historikisht i rëndësishëm për të gjithë patriotët e mirë që të provojmë se nuk e kemi humbur as shpresën, as vullnetin për të rifituar çdo gjë që kemi humbur, që na e kanë rrëmbyer. ”

Ai theksonte unitetin kombëtar edhe kur përmendte kreh për krah heronjtë: korçarin Teni Konomi, çamin Thimio Gogozoto dhe kosovarin Asimi Vokshi . “Juga dhe Veriu i Shqipërisë treten në kujtimin e këtyre dëshmorëve në një lutje, në një thirrje bashkimi kombëtar. ”

 

Zhvillimi i ngjarjeve provoi që platforma antifashiste e përkrahur nga Skënder Luarasi me shokë qe e drejtë dhe kontribuoi për propagandimin dhe shtrimin për zgjidhje të çështjes nacionale (pavarësisht se pas luftës ajo u sabotua nga qarqe të caktuara në Shqipëri e ish-Jugosllavi)

 

Me keqardhje kujtojmë paradoksin se në Shqipëri e Kosovë nuk është vendosur ende ndonjë pllakë përkujtimore në nderim të veprimtarisë së tyre, përkundër monumenteve në shumë vende demokratike të botës.

 

 

Ushtari i popullit dhe gjenerali.

 

(Vijon shënimin mbi luftëtarët antifashistë të Spanjës)

 

Populli shqiptar me institucionet e tij do të përkujtojnë përvjetorët e Shpalljes së Pavarësisë dhe fitores mbi pushtuesit nazifashistë, dy festa madhore që meritojnë nderimet dhe detyrimet përkatëse për organizimin e aktiviteteve, vlerësimin e personaliteteve dhe propagandimin e ngjarjeve historike me mesazhet përkatëse. Ndër gjithë publikimet mediatike të kësaj periudhe më ka lënë vragë të thellë shkrimi ‘’Pushtimi pas çlirimit’’ i ushtarakut madhor Piro Ahmetaj. Kujtoj ndër të tjera se dikur ai është qortuar për veprimet dhe mendimet përkatëse ( edhe mbi shitjen e hapësirës detare Greqisë) nga i nderuari Myslim Pasha (‘’Gjeneral Piro Ahmetaj thërret në konsultë Colin Powell’’: ‘’ Reagim miqësor ndaj replikës së Piro Ahmetajt: Respekt për njëri-tjetrin, jo luftë brenda llojit”, Panorama, 15 Prill 2014 )

Theksoj se shkruaj si qytetar modest kundrejt këtij ushtaraku madhor, eksperti më i cilësuar në fushën e sigurisë, i cili paguhet nga shqiptarët dhe gëzon goxha privilegje e përgjegjësi madhore në Republikën e Shqipërisë. Ndryshe duhej ta analizonte kreu i shtetit e shtatmadhoria si një shembull tipik se me çfarë koncepte englendiset kuadri ushtarak dhe vorbullat ku po çohet ushtria shqiptare, e cila edhe pse është anëtare dhe gëzon ndihmën e gjithanshme në NATO nuk bënka dot as edhe një paradë ushtarake për të qenë, në 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë!

Vërtet është apo sajohet kjo situatë për motivet politike përkatëse sa të justifikohet dhe legjitimohet propaganda se liria nuk fitohet, por dhurohet!

 

Në mënyrë të përmbledhur ushtaraku madhor thekson vendosjen e paqes sociale ndër shqiptarët në këtë moment ‘’ngjarjesh simbolike’’ përkundër ‘’tensionit ekstrem të shkaktuar nga propaganda e kuqe sipas platformës së Katovicës’’. Duke vlerësuar dëshirën e mirë për paqe e harmoni sociale ndër shqiptarët në fakt nuk zberthehet si duhet raporti shkak pasojë. Janë forcat e zeza, kolaboracioniste, revanshiste që kërkojnë të tjetërsojnë ngjarjet historike, personazhet e mesazhet për popullin dhe gjithë kombin shqiptar.

Ato arrijnë deri atje sa të mohojnë sakrificat reale dhe vlerat atdhetare e universale të fitores mbi pushtuesit barbarë nazifashistë. Dhe për të arritur këtë qëllim falsifikojnë e shpifin duke mbuluar fytyrën e zezë pas maskës së bardhë e të kuqe. Harrohet se Fronti Antifashist nuk ishte pjesë e lëvizjes komuniste, por e përmblidhte atë, edhe në rangun e koalicionit ndërkombetar anglo ruso amerikan, në luftën kundër rrezikut më të madh të kohës, për Shqipërinë dhe botën mbarë. Harrojnë kontekstin kohor, ideor, progresiv e strategjik, anashkalojnë personalitete ushtarake si kryekomandanti Spiro Moisiu duke u dhënë vlerë absolute atyre politikë dhe konjukturalë.

 

Mohohet coptimi eventual i Shqiperisë nëse nuk bashkohej në koalicionin fitues antifashist. Gjithë luftëtarët antifashistë paraqiten si dordolecë, aventurierë, agjentë kuqalashë, pa ndjenja kombëtare. Madje sponsorizohen, dekorohen e mitizohen xhambazë interesash antikombëtare, puthadorë e kolaboracionistë, me e pa veladon. Edhe dikush që guxon të poshtërojë ndjenjat dhe vlerat më sublime të femrës shqiptare në luftën për çlirimin e atdheut, të dëshmuara jo vetëm në luftën antifashiste, nga pëllumth rrenci glorifikohet shqiponjë.

Shumë mirë që ushtaraku madhor i NATOs përmend vlerat dhe krenarinë e popullit polak, por ato bazohen pikërisht në sakrificat dhe kurajon për të luftuar pa kompromis për pavarësinë e lirinë e vendit dhe aspak nga frika dhe dezertimi, përulja dhe lypja e lirisë ndaj të mëdhenjve.

Shembulli i dhënë për mbretin polak shpreh cungim arsimor e intelektual, degradim moral e profesional, mbron dezertimin akoma më të turpshëm të mbretit shqiptar përballë armikut fashist dhe i kundërvihet të gjithë principeve atdhetare dhe dinjitare të udhëheqësve që nga kohët më të lashta. Prijësi i të gjitha formateve gëzon nderime e privilegje pikërisht për të përmbushur betimin dhe përgjegjësitë ndaj njerëzve e vendit.

Katër pikat e theksuara nga ushtaraku madhor përblidhin termat ’’demoralizim, dezertim dhe tradhëti’’dhe zbërthehen nga kodet ushtarake, ndaj nuk vlen të trajtohen nga një njeri i zakonshëm si unë.

Aksioma e historisë është se atë e vulos fitimtari, por vetëm e vërteta e saj e ndihmon njerëzimin në rrugën e duhur. Në këtë kontekst duhet të shpaloset e mbrohet e vërteta përtej interesave të caktuara që rreken të diktojnë botën shumëpolare të sotme, të internetit dhe burimeve të fuqishme të informacionit.

I drejtohem ushtarakut madhor si qytetar i ndërgjegjshëm që të thellohet në përgjegjësinë e tij madhore dhe përtej imponimit të shprehë realitetin ku sfidohet bota e sotme e principeve demokratike. Standartet e shumëfishta e kanë rrokullisur arenën botërore në greminë. Pikërisht në Poloni disa ditë më parë, sikurse në Ukrainë prej një viti, forca të organizuara, të armatosura revanshiste, pasardhës të kriminelëve fashistë, kanë sulmuar institucionet demokratike të zgjedhura me votën e popullit. Këto më kujtuan sulmin fashist ndaj Republikës Spanjolle më 1936 dhe masakrën e popullit spanjoll, marrëveshjet famëkeqe të Mynihut, me rrjedhoja pushtimin e Shqipërisë, coptimin e Polonisë dhe luftën ku u sakatua e gjithë bota. Ushtaraku i mirë jo vetëm duhet të mbrojë mbi të gjitha atdheun e vet,  por duhet të dijë të kuptojë nga historia të vërtetën, e cila nuk mund të njehsohet pa etalonin përkatës të dijes e njehsimit të vlerave universale një nga tëcilat është lufta kundër fashizmit.

Në lidhje me të ashtuquajturin ‘’komunizëm shqiptar’’, e kam trajtuar dikur nën temën ‘’Heronjtë idealistë dhe tradhtarët’’ ku trajtoja falsifikimin e historikut të së majtës shqiptare dhe vrasjet e idealistëve të majtë nga shokër e tyre ‘’komunistë’’. Citoja edhe Prof. Adriatik Kallullin:

“Veç më vjen për të qeshur fort e më fort kur disa liderë partish ose gazetarë spekulantë shkruajnë e thonë: “Të shkulim nga Shqipëria çdo qelizë të komunizmit”. E saktë do të ishte “ Të shkulim nga Shqipëria çdo qelizë të pseudokomunizmit”, sepse tek ne asnjëherë nuk ka pasur komunizëm në ato aspirata që për shekuj me rradhë i ka përftuar njerëzimi dhe që shumë e shumë filozofë edhe të drejtimeve më antikomuniste i quajnë të paktën humane, por utopike. . . Nuk ka më keq se kur vlerat e proceset njihen sipërfaqësisht pasi Hoxha gjysmak të lë pa fe” Këtë mendim e kam hasur edhe në rrafsh botëror ku përgjithërisht diktatorë të ashtuquajtur “komunistë” njehsohen në falsitetin e tyre me profetët e vetëquajtur mëkëmbës të Zotit.

Që të mos ngjall keqkuptime theksoj se po i drejtohem gjeneralit si ithtar e luftëtar i devotshëm i rendit demokratik, pasardhës i një familje e cila me rrënjë e degë ka luftuar e sakrifikuar për lirinë e dinjitetin kombëtar shqiptar. Kështu rrekem të shpreh e mbroj mendimet e veprimet edhe të paraardhësve, edhetë tim eti që cilësohet si një ndër flamurtarët më të shquar të luftës kundër rregjimit anadollak zogist, luftës antifashiste dhe kreut të diktaturës, i persekutuari i të gjitha rregjimeve antidemokratike.

Ai ka qenë ndër ata intelektualë atdhetarë antifashistë që pasi luftoi fashizmin në Spanjë dhe vuajti kampet e përqëndrimit nazist në Francë, u kthye për të kontribuar në atdhe ku menjëherë, si deputeti i pare i Kolonjes, mblodhi parinë për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe dasinë politike për hir të Atdheut. Por kjo nënkuptonte njohjen e përgjegjësisë, pranimin e fajit, nderimin e fitimtarëve antifashistë dhe bashkimin për të ndërtuar një Shqipëri demokratike të popullit dhe për popullin.

Në këtë përpjekje ai u etiketua oportunist dhe u përball drejtpërdrejt me klanin dhe kreun e diktaturës, i cili diktonte mbi këdo me grushtin e hekurt. Ai theksonte se kurrë nuk duhet te unifikohet lufta antifashiste dhe rendi demokratik popullor me kreun e diktatures dhe pasuesit kriminelë të tij. Në mbretërira e diktatura sundon dhe dikton vetëm Njëshi, të tjerët janë bashkësi zerosh që duke e perkrahur amplifikojnë fuqinë dhe imazhin e tij, me te cilat gropos lehtazi cilindo.

Por përsa i përket të vërtetës dhe objektivitetit historik, askush nuk mund tia mohojë edhe kriminelit ekzistencën, veprimtarinë dhe njehsimin në raporte me kohën dhe krerët e tjerë të historisë shqiptare, nuk mund të krijohet një boshllëk për drejtuesin më jetëgjatë të shtetit shqiptar, i cili duam apo nuk duam i ka rrënjët e thella edhe në luftën antifashiste të popullit shqiptar. Mendoj edhe unë ushtari, sikurse gjenerali se ‘’paqes sociale dhe kohezionit qytetar i bën mirë e vërteta’’ e cila me kohë rrafshon ose gdhend vlera.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s