Festimi i 28 Nëntor 1928 në Vjenë / Nga Petro S. Luarasi

???????????????????????????????

 

Festimi i 28 Nëntor 1928 në Vjenë

 

‘’28 Nëntor 1928, Dita e Flamurit, u festua në Vjenë nga studentët shqiptarë me shkëlqim. Në sallën  e hotelit ”Zur Stadt Paris” feksnin ngjyrat kuq e zi. Mbrëmavet më ora tetë kryetari i shoqëris ”Albania” z.Skënder Luarasi çeli mbledhjen duke folur mbi rëndësinë e ditës  dhe duke u thënë mirëseardhjen miqve të festimit. Pasi u këndua hymni i flamurit iu dha vendi i nderit z.Dr.Pekmezi, i cili me fjalë të zjarrta shpiegoi detyrat e mëdha  qi konfrontojnë dialërin shqiptare. Zotëris së tij iu përgjegj z.Kristo Maloki, i cili kishte ardhur si përfaqsonjës i studentëve shqiptarë të Gracit. Z.Maloki jo vetëm i preku të gjithë me fjalën e tij, por u gëzoi edhe zemrat  me pjesat nacionale të kompozuara vetë dhe të lojtura në violinë. Z. Nafiz Tela, student në Konservatorium t’atyshëm, i kënaqi dëgjonjësit me zërin e tij të kandshëm. Më së fundi z.Ahmet Duhanxhiu mbajti një bisedë të lartë  mbi nevojën e bashkimit dhe idealizmin e dialëris shqiptare. Z.Mitrushi tregoi shpresë për një lidhje të studentëvet shqiptarë që të mund të përfaqësohen dhe këta në kongreset e Konfederatës Internacionale të Studentëvet. Festimi mori fund ndaj mëngjezit të thellë  duke forcuar në zemrat e të gjithëve kujtimin dhe vleftën e ditës së pamvarësis shqiptare”.

 

S.LUARASI

 

  Skënder  Luarasi

 

”Zotërinj të nderuar! Shokë të dashur! Në këtë moment, kur mendjen dhe zemrën ia truajmë kujtimit më të ëmbël të jetës sonë kombëtare, i duket e vështirë gojës së pastërvitur të përshkruanjë me fjalë  gëzimin që rreh krahrorin  e çdo shqiptari. Nga ky shkak do të kisha dëshiruar më tepër të mendonja në heshtje  dhe në heshtje t’i falesha Perëndis për çastin fatbardhë q’i fali Shqipëris sonë të dashur gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Megjithatë jam i lumtur  që m’u dha rasti i shtrenjtë ta çel unë festën e simvjetme dhe t’ju them, miq të nderuar dhe shokë të dashur, një mirëseardhje  të përzemërtë në emër të shoqëris ”Albania”.

Bashkatdhetarë! Vjete me radhë po çduken. E njëzeteteta e Nëntorit kthehet për mot. Dhe ne jo vetëm s’e shtiem në harrim  por e kemi shënuar në kalendarin tonë si kryeditën e vitit. Kjo ka arësyen e saj.  Është arësyeja e mirënjohjes kundrejt ngjarjes q’i solli shpëtimin dhe çlirimin  një kombi të tërë. Përmbi faqen e dheut asnjë popull nuk ka përse të gëzohet më tepër  për lirin e vet sesa yni, që fati i pamëshirshëm e ka goditur më shumë se cilindo tjetër. Të lejmë vuajtjet e mëparshme mënjanë. Të pesë shekujt e sundimit turk, q’i rënduan përmbi krye shqiptarit, përbëjnë një nga periodat më të zeza  në historin e botës. Qindra mijë, milionë njerës që kishin të drejtën autoktone të banonin në truallin e trashëguar prej stërgjyshërvet të tyre  u ndodhën përpara rrezikut të math të humbisnin ekzistencën nacionale. Mund të themi se asnjë tirani e huaj  nuk ia shëmtoi shqiptarit shpirtin aqë keq sa robëria e gjatë nën Turqinë. Nën zotërimin e saj një jetë e tmerrshme  plot nevojë dhe dëshpërim filloi për vendin tonë, për të cilin çdo mot, po, çdo muaj e çdo ditë ishte një çast sakrifice. Kombsia shqiptare u dobsua e u rrëzua në një shkallë  ku pothuaj pritej të jepte shpirt. Të prerë nga marrëdhënjet me shtetet e kulturës perëndimore  u lamë fillthi në mëshirën e një forceje shkatërronjëse  orientale.  Shpërdorimet dhe shtypjet kapërxyen çdo kufi. Dhe ne duruam të rrëzuar.

Porse me gjithë tronditjet që pati populli ynë lëndërisht dhe shpirtërisht fuqit e tij qenë të pahepura. Shtypja shkaktoi kundërshtypjen. Trimërija e kohës së Skënderbeut, që bëri çudira njëherë, zuri të zgjohet. Shpatës gjaktare shqiptari  i tregoi gjoksin dhe ngriti krye për të fituar lirin e kushtueshme. Si shembëll të përpjekjeve të tija kreshnike le të përmenden kryengritjet e vitit 1571, 1737, kryengritjet nën Pashallarët e Shkodrës, t’Ali Pashë Tepelenës dhe veprën e njohur të Lidhjes së Prizrenit. Këto vërtet nuk suall ndonjë fitim të dukshëm, por prapë rrëfyen që fuqija e huaj, ndonëse popullin e shtypi dhe zhvillimin kombtar e bëri në shumë pikëpamje të pamundur, nacionalismën shqiptare nuk mundi ta çfaroste dot. Ay u dergj por kurrë nuk vdiq. Shqiptarët e thjeshtë në zemrën e të cilëve flaga e shenjtë  e patriotismës akoma qëndronte e pashuar, e sidomos ata patriotë q’urdhër i rreptë i tiranis i kishte shtrënguar t’arratisen  lark shtëpis, as në mërgim nuk e harruan vendin lindor dhe nuk rreshtën së vepëruari për çlirimin e tij. Mundimi i tyre u kurorëzua së pari  me prishjen e sundimit hamidian  dhe me ngrehjen e një qeverie konstitucionale në Turqi. Ndërkohë shkëputja e Shqipëris prej Turqis  në një shtet më vete  ishte një çështje dite. Aqë i math ka qenë përparimi i nacionalizmës shqiptare  në të katër vjetet pas të ashtuquajturit konstitucion, sa fqinjët lakmonjës të Ballkanit u tmerruan.  Sapo ahere kur ideali i liris shqiptare po realizohej afroi një kohë nga më të rrezikshmet për ne. Shpëtuam, si me thënë, prej shiut e ramë në breshër. Lufta ballkanike qe një çqetësim për ne se shikuam në fitimin e grekëvet, serbëvet dhe malzesvet humbjen e të drejtave tona. ç’vazhdoi i dimë fortmirë. Vetë si foshnja i kemi hequr të këqijat e kësaj lufte. Tokëria u bë hir i zjarrit t’ushtrisë greke  dhe Gegërija fli i çnjerëzimit serb. Shqiptarëvet s’u mbeti gjësend  tjetër veç se të marrin rrugën e perëndimit dhe të gjejnë strofkë e mbrojtje në Vlorën kreshnike. Aty, në kohën kur në të gjithë Shqipërinë dukej sikur ëndra e bukur për liri po venitej siç fishken fletët nën cikmën e vjeshtës, u ngrit  në mes të brohorive të një populli të ringjallur flamuri i Shqipërisë.

Sot e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë  shikuam në të shemburit e imperatoris osmane se në çfarë godinë të pa sigurtë kishim fjetur për aqë qindra vjete, se prej çfarë rrezikeve të mbëdhenj qemë rrethuar. Ahere erdhëm në vetëdijë të plotë  që do të shtypeshim nën atë gërmadhë po të mos lëviznim vendit. Lëvizëm e treguam se ç’mund të bënim po të donim. Vetë me duart tona e ngrehëm ndërtesën e re të  Shqipëris indipendente. Disa kërkojnë të na e mohojnë këtë shërbim dhe janë të mendjes së gabuar që ngrehja e shtetit të ri është përfundim i lodrave diplomatike. Kjo është një gënjeshtër. Përkundër, fakti e provon që Kaizerët dhe mbretlerët  për interesa të veçanta  kanë dashur ta bëjnë fli Shqipërin e gjorë. ”E përse kaq shumë kokëçarje për një fshat katërqind shtëpish !” thirri dikush nga monarkët për Korçën shqiptare q’e njihte për greke sepse donte t’ia jepte dhuratë të kunatit; edhe një tjetër syresh gjithashtu për Shkodrën e Teftës sepse nuk dëshëronte t’i prishte qefin të vjerrit!

Kjo mospërfillje e të drejtave tona s’u shfaq vetëm më 1913 prej atyreve q’i mbanin fatet e kombeve në dorë. Edhe dikush tjetër nga njerëzit e mëdhenj të kohës më së lashtë pati goditur njëherë me grushtin e hekurt trapezën e gjelbër në Kongresin e Berlinit duke thirrur: ”Nuk ka kombësi shqiptare!”. Më vonë pakë iu desh këtij zotëriu të dërgonte për turp e faqe të zezë të pushteteve të mëdhenj t’Europës një flotë internacionale kundër Ulqinit e një Dervish Pashë me disa hordhi turke kundër Lidhjes së Prizrenit e cila i tregoi gjithë botës që ”Ka kombsi shqiptare!”

Edhe në qoftë se kjo lëvizje patriotike u dërmua nën fuqinë brutale e të gjakshme të Sulltanit  e të fqinjëve të bashkuar me këtë, prapë se prapë zhvillimin e natyrshëm të gjërave nuk mundi ta ndalojë asnjë fuqi e dheut. Nga thelbi i popullit shqiptar dhe nga volla e tij doli më 28 Nëntor 1912 sundimi q’i pëlqente e i përshtatej atij.

Kurorën e liris shqiptare, po, nuk ia kemi borç diplomacis europiane. Kurorën e liris shqiptare ua kemi hua atyre atdhetarëve  që me mendjen e tyre ndritën popullin  me shkronja, patriotëve që të ngarkuar me brengat e një populli të tërë, udhëtonin fshat më fshat  dhe ngjallën në zemra gjysmë të vdekura  shpresa të mëdha e të ëmbla, dëshmorëve që në malet e Kosovës dhe në fushën e Korçës dhe të Vlorës e ngritën tempullin e kombit me gjakun dhe eshtrat e vet.

Vuajtjet që hoqi shteti ynë në dekadën e parë pas krijimit të tij – këtu dua të kapërxenj disa nga fletët e zeza të historis sonë – vërtet e vunë në prova të rënda por gjene treguan vullnetin e fortë të shqiptarit. Edhe kur djepi i rilindjes shqiptare ishte në dorë të huaj, shqiptarët me atë vullnet të hekurt qenë të zotë të bëjnë në Lushnjë një Vlorë të dytë e i thanë botës që duan të rrojnë të lirë me çdo çmim.. Pastaj që populli shqiptar, i cili arriu të gëzonjë një herë lirinë, me asnjë mënyrë nuk do t’i përunjet  ndonjë zgjedhe të re e provoj pakë më vonë ngjarja heroike e Vlorës më 1920.

Po; çështja e ekzistencës së shtetit shqiptar të lirë ka marrë fund. Jetën tonë kombëtare e ka siguruar një fuqi e mbinatyrëshme, përpara së cilës çdo fuqi e dheut duhet të hepet. Nuk janë shkruar më kot fjalët e vjershëtorit:

 

Mbi at flamur Perëndija

 

Me dor’ t’vetë e ka shkrue,

 

Për shqiptarë do t’jet Shqipnija;

 

Kush e prek aj qoft mallkue.

 

Kaqë mbi të shkuarën tonë. E në qoftë se që në pranverën e rilindjes sonë nacionale kemi treguar shenja gjallësije, ahere sa raste të mëdhenj po na jep e arthmja jonë të rrojmë e të vepërojmë e ta lartësojmë popullin tonë në sfera më të lumtura!

Në krahasim me këtë të pritme t’amëshueshme gjashtëmbëdhjetë vjetë të foshnjëris së një kombi nuk janë asgjë. Lirija nuk vjen në një ditë as dobit e saj nuk shprehen në një të katërtë shekulli. Puna jonë ndehet përpara syvet tonë jo prapa krahëvet. Pa të shohim se ç’vepra të mëdha mundim të mbarojmë kështu-tutje që prej atyreve të praktikës gjer në të theoris. Ja bujqësia që do improvuar për të bërë të lumtur jetën e bujkut  dhe bariut shqiptar; ja ekonomija për t’i ndihmuar tregëtarit të mbrohet kundër dëmeve të jashtëm; ja mjekësija për ta shpëtuar racën tonë prej smundjevet; ja arësimi  që pret akoma për t’u bërë baza e kulturës shqiptare. Dhe të gjitha këto mvaren prej nesh. E ne a do të kemi guxim t’i kundërshtojmë kësaj detyrës sonë, edhe sikur të na lypte therrorit më të mëdha? Një populli që ka vuajtur nën kushtet më të rënda , q’akoma vuan  dhe megjithë këtë s’kursen as kafshitën e gojës për të na arrësyer ne – një populli kaqë të mirë e fisnik  nuk do t’i mohojmë as më të rëndin shërbim! Mirënjohja jonë kundrejt tij do të na bënjë t’i harrojmë të gjitha pakënaqësit që mund të kenë ngjarë në mest të vëllazëris.

Përpara interesit të kombit duhet dhe do ta hedhim poshtë interesin vetiak. Përpara urdhërit të pakundërshtueshëm të këtij flamuri – bashkohemi që të mos na ndanjë asgjë në botë.Në këtë orë solemne le të largohemi nga dëshirat e kota  duke u lartësuar në regione  më të pastërta të idealismës. Le tu themi një ”ndjesë pastë” atyre heronjve që me besim të patundur  shkrinë jetën e lanë pas jetimë  që të na dhurojnë këtë ditë. Le të qëndrojmë një grimë në mendim vaji për vëllezrit tanë në veri e në jugë q’akoma rrojnë robër. Koha do të vinjë – dhëntë Zoti – që Kosova, atdheu i mbytur në gjakun e fatosave të liris arbnore dhe i larë me lotët e nënave fatkeqe, atdheu i puthur prej buzëvet të njoma foshnjash të pafajshme, që n’agoni shpirti bijen nën forcën e gjakpirësit: që Kosova jonë trime do të bashkohet me mëmën Shqipëri.

 

(Fjalim  i Skënder Luarasit,  gazeta ”Dialëria”,  nëntor 1928)

 

 

???????????????????????????????

 

  Shoqeria ”Albania”. Studentët shqiptarë në Austri

 

 

Të ulur në karrige, nga e majta në të djathtë:

 

Hipokrat Popa (1906-1940)

Gaspër Shoshi (1903-1983)

Skënder Luarasi (1900-1982)

Qani Panariti (1903-1945)

Naim Vreto (1905-1995)

Shaqir Kolonja (1910-1966)

Namik Hydi (1907-1959)

Suad Asllani(1904-1982)

Rexhep Krasniqi (1906-1996)

Syria Selenica (1906-1957)

Hajrulla Curri (1907-1955)

Maliq   Dibra (1907-….)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s