Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë / Nga : Petro Luarasi

Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë

 

 

Petro , kisha blush

Nga : Petro Luarasi

 

 

Në median e adhuruar të intelektualit atdhetar Fatmir Terziu, me emrin kuptimplotë ‘’Fjala e Lirë’’, me interes të veçantë lexova kushtrimin ‘’Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane’’, të një zemre të dëlirë dhe shpirti të përmalluar atdhedashësi në mërgim.Mendja e begatë e një intelektuali të qetë dhe të ekuilibruar si Prof.Dr. Eshref Ymeri, shpërthen vullkanin që përvëlon e shkrumbon, por dhe pasuron truallin e të ardhmes kombëtare të begatë. Për qëllimin madhor ai përballet me shpifje e akuza, me teori konspirative dhe veprimtari të kobshme gjallesash kënetore dhe kultesh ‘’hyjnore’’ . Mesazhet e shkrimit, ku përmendem edhe unë tok me paraardhësit, më justifikojnë dhe detyrojnë të shpreh këndvështrimin si bashkatdhetar dhe pasues i grigjës ortodokse.

 

Urimi i Presidentit, mendimi i Keshilltarit dhe anonimi ”Pirro”

 

U informova nga mediat, por dhe u binda për lajmin e gëzueshëm (në adresënhttp://president.al/?p=23525) se në urimin për Krishtlindjet kreu i shtetit shqiptar kishte shprehur dëshirën që në krye të institucionit fetar katolik të vendosej një shqiptar. Akoma më shumë më entuziazmoi artikulli kuptimplotë i këshilltarit të Presidentit, zotit Ndriçim Kulla, i cili përmes përshkrimit historik dhe domosdoshmërisë objektive të realitetit kombëtar shqiptar orientonte dhe përkrahte ortodoksët shqiptarë në të drejtën e tyre për të patur edhe ata një shqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.(http://webcache.googleusercontent.co…&ct=clnk&gl=al)

Përkundër shkrimit të këshilltarit të Presidentit, më çuditi komenti i një personi me emërtim Pirro (i cili shfaqet edhe si Pirro10, me shkrimin ‘’Nje pergjigje per Ndricim (Erresim) Kullen dhe per te gjithe `Kullat` prej rere’’ (http://www.forumishqiptar.com/thread…llat-prej-rere)

Për të qenë korrekt me Pirron (apo Pirro10) po ia citoj disa pjesë teksti:

‘’Ne gazeten MAPO ne vend qe te botojë ndonje falenderim per Festen e Krishtlindjeve, z. Erresim Kulla ka botuar nje shkrim te turshem me titull `Tradita Jone e krishtere dhe sfida e Autoqefalise, ku zoteria ne vend te gezohet, vjell vrer, ne vend te uroje kerkon percarje, ne vend qe te flase per paqe flet per perplasje fetare.z. Erresim Kulla, nuk mund te flasesh per Autoqefaline dhe KOASH-in kur nuk je i komunitetit orthodoks… Ne e respektojme Kryepeshkopin Anastas sepse ai ka kontribuar ne menyre te shkelqyer per Shqiperine…Kjo eshte mikpritja shqiptare, keto jane ateistet ish-komuniste shqiptare qe kane shkaterruar cdo gje të mire ne Shqiperi dhe shohin se ka ndenjur pa u shkaterruar Koash… Patetizmi juaj duke i qare hallin KOASH-it bie ere klientelizem dhe eshte per te lene Nam…Harron qe edhe komuniteti Katolik ka nje te huaj ne krye. Per shqiptaret do te ishte mire qe edhe qeverite shqiptare te ardhme te drejtohen nga te huajt sepse ne nuk e drejtojme Shqiperine me njerez si puna juaj qe vjellin vrer ne cdo rast kur shikohet se nuk fiton ndonje gje. Nga KOASH-i nuk ke per te fituar ndonje lek prandaj rriji larg.’’

Nuk mund të përfshihem në ‘’lojën’’ Pirro (Pirro10) përderisa nuk paraqitet me identitet real, të plotë, se mund të na dalë rrobot dhe bëhem unë gaz i botës. Në rast se është njeri, për më tepër besimtar ortodoks, i drejtohem me dorë në zemër dhe shpirt të qetë se në artikullin e këshilltarit të Presidentit, nuk përmendet fare emri dhe veprimtaria e Fortlumturisë Anastas Janullatos, i cili vërtet është kreu aktual i KOASH-it, por aspak vetë institucioni tok me tërë grigjën ortodokse shqiptare dikur, sot e në të ardhmen.

Cilido shqiptar ka të drejtë dhe detyrim moral, aq më tepër si studjues dhe këshilltar i Presidentit, të shqetësohet dhe të japë mendime mbi baza shkencore edhe për komunitetet fetare shqiptare.

Në lidhje me mendimin për qeverisjen nga të huajt dhe akuzat për afera financiare, ato përmbajnë përgjegjësi penale…

 

Koment mbi artikullin tek gazeta ‘’Mapo’’

 

‘’ Po shkruaj me identitet të plotë, jam shqiptar i besimit ortodoks, i nipi i Petro Nini Luarasit, martirit të gjuhës shqipe dhe flamurtar për themelimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur nga diktati i klerit shovinist grek. Ai ka qenë krah për krah Fan Nolit në krijimin e konsolidimin e kishës ortodokse shqiptare në SHBA. Në kongresin e Dytë të Manastirit ka qenë përfaqësuesi i Lidhjes Ortodokse dhe i fshatrave Negovan e Ballkamen, u zgjodh sekretar dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për hallin e madh të ortodoksisë shqiptare në luftë të papajtueshme me qarqet klerikale shoviniste greke. Kur u helmua prej tyre, veprimtarinë e vazhdoi i biri i tij më i madh Dhimitri Petro Nini-Luarasi i cili së bashku me Sofron S.Borovën, qe delegat i Kolonjës, në kongresin e parë të Kishës Orhodhokse Kombëtare të Shqipërisë, që i zhvilloi punimet në Berat në shtator 1922, u zgjodh sekretar dhe nënshkroi statutin themeltar të KOASH.

Po paraqesim emrat e delegateve, Kongresi i Pare i KOASH, Berat 10/19 Shtator 1922 ( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)

Delegatët

Korça / Ikonom P. Josif, At Vasil Marko

Pogradeci / Dh. Haviari, Thanas P. Kerxhalli

Bilishti / At. Jorgj, Anastas Çekrezi Kolonja / Oshenar Sofron S.Borova, Dhimitri Petro Nini Luarasi

Leskoviku / At Vangjel Çamçe, Thoma K. Prifti

Përmeti / Dr. Stathi Koni V. Zoto

Berati / P. Kona Dh. Tutulani Vlora / Jan S. Shkrami, Tol S. Arapi

Fieri / Lon Xoxe, Dh. Killica

Lushnja / Llazar Boza, Tun. Gjergji

Durrësi / Arhi V. Xhuvani, G. Manushi

Kavaja / Pal Xhumari A. Ikonom

Tirana / Papa Simoni, Mark Hobdari

Elbasani / Vasil Llapushi, Simon Shuteriqi

Shpati / Taqi Buda, Dhi. Paparistja

Dibra / Arhit K. Pajtali Për L.Nishku, K.Paftali

Gjirokastra / Dr. Stathi Kondi

Libohova / Spiro Kati

Delvina / K. Thoma, S. Kondi

Shkodra / Risto Gjyrbabi, Gjoko Nikoliq (Gjok Nikolla, babai i Migjenit)

Kryetar / Ikonom P. Josifi

Nën-Kryetar / Pal Xhumari

Sekretarë / Dhimitri Petro NiniLuarasi, V. Elapushi

Komisar / H. Theodhosi

Përfaqësonjës i Prefekturës / Llazar Puli

( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)

 

Unë, familja Luarasi, farefisi dhe qindra ortodoksë shqiptarë të tjerë që njoh nuk e duam një të huaj ne krye, për këtë le të pyeten edhe pasardhësit e nënshkruesve të mësipërm). Në një format më të gjerë, në të gjithë Shqipërinë, numërohen me dhjetra mijra ortodoksë shqiptarë që nuk kanë pranuar të shënohen si ortodoksë në censusin e kryer, edhe që të distancohen nga realiteti konjuktural që shkel idealet dhe gjakun e martirëve të ortodoksisë shqiptare dhe veprën madhore të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kisit me shokë, për të patur një drejtues shqiptar në krye të grigjës ortodokse shqiptare.

 

Veprimtaria dhe Amaneti i paraardhësit martir.

 

Besojme se ka ardhur koha për të vendosur për ortodoksët shqiptarë të nëpërkëmbur në të drejtën e tyre të shenjtë dhe për këtë kërkojmë përkrahjen e shtetarëve tanë, të veprojnë dhe t’i perkrahin në realizimin e idealit rilindas të paraardhësve të tyre atdhetarë.’’

Bazohem edhe tek veprimtaria, mesazhet dhe amanetin e martirit të gjuhes shqipe dhe të kishës ortodokse shqiptare, Petro Nini Luarasit, që shkroi me gjak ‘’edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi’’, thirrje aktuale edhe për ortodoksët shqiptarë të sotëm.

Kontribut i Petro N. Luarasit për ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Historiografia shqiptare e ka minimizuar trajtimin e veprimtarisë atdhetare të ortodoksëve shqiptarë për përkthimin e literaturës ortodokese në shqip, përpjekjet për futjen e gjuhës shqipe në kishën ortodokse, ndërtimin e fundamentit të kishës ortodokse shqiptare me arritjen madhore të krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale me Fan Nolin në krye. Eshtë anashkaluar në tekstet shkollore e akademike heroizmi dhe nderimi ndaj martirëve të kishës ortodokse shqiptare. Në këtë aspekt e harruan edhe rolin e rëndësishëm të Petro Nini Luarasit në përdorimin e gjuhës shqipe në kishë ( në kishën e Luarasit dhe në ShBA), në ideimin dhe ndërtimin e themeleve të kishës ortodokse shqiptare të pavarur në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga martirët, por dhe çelësi për të trajtuar të vërtetën tragjike të vrasjes së tyre, të heshtjes kriminale ndaj tyre, të shtrembërimit të veprës dhe idealit të tyre, që u bëhet në ditët e sotme nga qarqe shoviniste grekofone edhe në mjedisin shqiptar. Po u drejtohemi fakteve.

Bashkëkohësi i tij, veterani Guri Sevo, tregon:

“Një ditë kam parë një plakë, të Simo Itës, që ish më fanatikja në punë feje: siç rrinim në hajat të kishës erdhi me një shkop në dorë, dalë nga dalë i shtrëngoi dorën Petros dhe i tha: “ Lum ajo nënë që të ka se ti sot në kishë me fjalën që na fole na bëre të derdhim lot të gjithë. Kurrë ndonjë herë në jetën time s’kam qarë kaq me mallëngjim sa sot”. Në kishë Petroja vinte gjithnjë çdo të djelë e të kremte. E kish vendin e tij më të djathtë ku psallnin dhe sanddejmi jepte fjalë dhe lëçiste shqip sa mundte. Kur vinte që kremtonin fshati, dita e Shën Marisë, më 15 gusht, dhe kish njerëz të huaj nga Vakëfet dhe nga Lubonja, Qafëzezi, Vodica, Blushi, Gostivishti, Orgocka, dhe nga gjithë fshatrat ku luarasllinjtë kishin miq e të njohur, Petroja jepte fjalë në kishë e iu shpjegonte ungjillin dhe i falenderonte mysafirët si nga ana e fshatit, si dhe nga ana e kishës. Se qe dhe epitrop. Dhe kështu me anën e kishës bënte propagandë nëpër fshatrat në mes të burravet dhe gravet, duke u folur në këtë mënyrë, dhe në mes të fëmijëve, të cilëve u jepte mësim edhe në shkollë e duke u përkthyer e duke u mësuar Apostollin, Pistevon, Paterimonin, e të tjera, që t’i thoshin edhe ata shqip në kishë”…Dhe kur u ktheva më 1886 në Luaras …Stefan Kostë Rrapo, më thotë: Dhaskali sivjet na ka mësuar vjershën e Shën Llazarit ta dimë pa kartë, e kemi kënduar ditën e shenjtit dhe e kemi mbledhur vezë më shumë nga motet e tjerë se na i jepnin nga dy e tri vezë në çdo shtëpi.”. (Petro Luarasi, Jeta dhe Vepra, f.30-31)

Veprimtarinë si ortodoks shqiptar e vazhdoi edhe në ShBA, ku qe emigrant politik.

“Zgjedhjet e shoqërisë Besa-Besë ( ku u diskutua edhe për të patur një prift shqiptar) Folën Kristo Dako dhe FanNoli …Pas priftit Jakob që bëri të njohur se arkipeshkopi rus Platoni do të ndihmojë, z.Petro Luarasi me një fjalë të shkurtër rrëfeu mirënjohjen që do të kenë shqiptarët në kishën ruse porsa të ndihmojë të fillojë kisha shqip. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur e plot gëzim nga kjo.’’ (Gazeta Kombi, 10 janar 1908)

 

Nga një rekord zyrtar i marrë tek arshiva e zyrës civile Hudson, të botuar më vonë në Kalendarin e botës, 1939, shkruhet

‘’U mbajt një mbledhje tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkojë kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Klintoni Mass të cilët u votuan prej delegatëve të Natic-ut,Balboro-it, dhe Hudson-itdhe fitoi Fan Noli që të dorëzohej prift’’

 

Veterani Guri Sevo, shkruan:

“Edhe në çështjen e kishës shqipe që lojti një rol të madh në lëvizjen kombëtare tonës, Petro Nini Luarasi ka qenë flamurtar i parë, jo vetëm në Shqipëri po e po, por edhe në Amerikë. Më 1905 me rastin e refuzimit të priftit grek të Wochester-it,Mass, që të mbulonte një shqiptar të vdekur, shqiptarët iu lutën Petros të bëhej prift…Për hir të çështjes shqiptare edhe prift do të kish pranuar të bëhej Petroja por ai ia lëshoi vendin një shqiptari më ‘’aksios’’ për këtë zyrë të shenjtë Fan Nolit…”

(Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.84-85)

 

‘’Pasi u dorëzua Fan Noli prift më 25 mars 1908 nxorri meshën e parë shqip në Boston i vetmi që mund të zinte vendin e psalltit qe Petro Luarasi…natyrisht nuk gjendej psallt tjetër në gjuhën shqipe i përgatitur. Z.Luarasi psallti mirë. Pas ungjillit mbajti një fjalë për këtë çështje dhe provoi dobitë që do të kish patur atdheu tonëporsa të kish përdorur gjuhën e vet në kishë. Si u mbarua mesha foli Petro Luarasi ërmbi këtë çështje shumë bukur.’’ Shumë shqiptarë porsa dëgjuan se ai (Fan Noli) u urdhërua (prift) prej episkopit rus u bindën se me të vërtetë është ortodoks. Pas kësaj ata që ishin më fanatikë ndjekës të Patrikanës, u bënë më të zjarrtit e kishës shqipe. Kuptuan se nuk është mëkat të përdoret gjuha shqipe në kishë si u kish thënë dhespoti dhe që të gjitha mallkimet kishin qëllim politik’’ (Kombi 22 mars 1908)

Guri Sevo shkruan: “Si mbaroi mesha Petro sa s’qante nga gëzimi! dikush i tha që prifti shqiptar qenkesh me të vërtetë shumë i zoti. Përndryshe nuk do të vinte mitron pa vënë kamillafin, iu përgjegj Petro për të caktuar kryelartësinë me të cilën e nxorri meshën e parë prifti i parë shqiptar’’ Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.86)

 

Mesha në Hudson Mass

Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare ‘’Nderi Shqiptar’’ prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur . (“ Kombi, 27 mars 1908)

Në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910, ku Petro Nini Luarasi mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”, i Negovanit e Ballkamenit, ai u shpreh:

“Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotnija juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësonjës i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishter orthodhoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Orthodhokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin editurisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonëduke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta , nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.

Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë ‘’Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete….

Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a dotë mos vuajnë keq kur tëshohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!

Andaj si anëtar i ‘’Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve” u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.

Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”

P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)

(P.Raullasi, Shqiptarët orthodhoksë dhe rregjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2) P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)

 

 

Petro Nini LUARASI (1865 – 1911)

KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE

 

Si shqiptarë që jemi

Shqip ne duhet të mësojmë

Dhe Zotin, të drejtë kemi,

Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

 

Epo ju gjuhën tonë

Doni ta humbisni fare

Dhe me mallkim e me nëmë

Shprehni ta shpini në varre.

 

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë

Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,

I urdhërojnë të zinjtë

Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

 

Po krye-priftërinjtë e tyre

Nëkëmbës t’ orthodoksisë

Shumë punë prej mynxyre

Bëjnë kundër Shqipërisë!

 

Të mallkojnë njerëzinë

Të nëmosin gjuhën tonë,

Të përçajnë Shqipërinë,

Zoti mos e pastë thënë!

 

Thonë s’ ditka Krishti shqip

Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,

Vetëm në gjuhën greqisht

Të dëgjon e të mban vesh!

 

Këto e shumë të tjera,

Që dëgjon në kishë brenda

Dhe na mallkojnë për hera

Gjuhën tonë që s’ ua k’ënda.

 

S’ kanë frikë as turpërohen

Që përçmojnë Perendinë,

Po mburren edhe lëvdohen

Sepse shërbejnë Greqinë!

 

Gjuhën e kemi tonë

Të vjetër dhe të vyer,

Nga Perendia ish thënë

Që ta ruajmë të çkëlqyer.

 

 

Aktualitet

 

Sikurse unë, ka me qindra e mijra pasardhës veprimtarësh ortodoksë shqiptarë që kanë menduar, punuar e sakrifikuar pasurinë e jetën për kishën ortodokse autoqefale me drejtues shqiptar në krye. Ne së bashku urojmë që viti 2015 të na sjellë një drejtues shqiptar në krye të grigjës sonë ortodokse shqiptare. Të gjithë njëzëri i lutemi Zotit dhe kërkojmë nga vëllezërit tanë të të gjitha komuniteteve fetare, tok me përfaqësuesit tanë në institucionet shtetërore e kudo, të ndihmojnë me sa munden në këtë mision të shenjtë që i kontribuon aq shumë unitetit kombëtar dhe mirëqenies sonë të përbashkët.

Gëzuar Vitin e Ri 2015,  bashkatdhetarë shqiptarë, pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie, përkatësie politike e ekonomike.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s