Femrat e zogut gjigant. / Tregim nga Teita Sadiku

Femrat  e  zogut gjigant.

 

 

Teuta

Tregim nga Teita Sadiku

 

 

E madhja quhej Plakë, nuk kishte gjoks fare,petë I qe bërë,aq shumë ia kishin thëthitur qumështin, si fëmijët e saj ,ashtu edhe bota.Të dytën e quanin Mesi, ishte belhollë,sa nuk I këputej ai bel,kur ecte, prej lodhjes,një jetë ngarkuar me dru, me kashtë, me thasë me grurë e miser.E treta ishte Sosja,por ia ndrruan emrin dhe e thërrisnin Mjaftime.

Vërdallë sillej dhe një qenie tjetër,që plotësonte treshen sa herë dilte nevoja. Askush nuk e kishte parë edhe pse flitej aq shumë për egzistencën e saj.Që të treja femrat rronin në konak dhe ajo e katërta kishte ndërtuar jetën e saj në një farë mënyre dhe rronin  secila në botën e tyre,nën pendët e shpendit gjigand.

Një ditë  e vogla erdhi në shtëpi me një zog nëpër duar,duke qarë me ngashërim.E kish gjetur diku,po nuk tregonte se ku.Ta shihje vërtet ishte për të qarë,një zog pa pendë,me një kokë të madhe në krahasim me trupin,thua se do nxirrte kokën e dytë,një zog I vogël I sapo lindur.Të treja femrat u mblodhën kokë më kokë  të bisedonin e të vendosnin  se nuk dinin se çfarë të bënin me atë zog.E mbështollën me çarçafët e pajës, të bardhë akull,e vunë mbi jastëkët e qëndisur mbushur me pupla për tiu  rritur pëndët,e për ta ngrohur e mbështollën me një këmishë të ngjyrosur me gjak  që varej para portës së shtëpisë,sepse e bardha e çarçafëve ngjasonte me borën që skishte ndërmend të shkrinte atyre anëve.

Që të treja vajzat bënin ç΄qe e mundur për ta mbajtur gjallë zogun, me shpresë se do të rritej një ditë,do e merte veten, e do të fluturonte mbi male akoma më lart ,në hapësirën qiellore.Mshehtas prej njera tjetrës,secila I shërbente zogut,kush ta bënte për vete, e mbase përfitonte diçka prej tij.Njera ia lante pendët e këmbët mëngjes e darkë, tjetra ia krihte pendët  here me  fjalë përkëdhelëse e here me krëhër për tiu dukur koka tjetrër ,e vogla ia priste thonjtë që I rriteshin  ,pasi ia vinte  ushqimin në gojë me duart e saj për mos tu bërë shpend grabitqar.

Zogu u rrit,u bë me dy kokë, me pendë korb të zeza, e me thonjtë si kthetra për tu mbrojtur .Që kur u ngrit më këmbë e mori veten e filloi të fluturonte  fillimisht në  ultësira,më vonë kur iu rritën e forcuan krahët fluturoi lart në male, në hapësirat qiellore dhe e bëri folenë në atë copë pëlhurë gjak të kuqe.Herë here fluturonte poshtë, mbi shtëpinë e vajzave që e kishin rritur e ishin kujdesur për të.

Ato ishin vajza ,që bëheshin gra si gjithë gratë e botës,të lindura diku në një vend që kishte shumë zogj, por në sy  binte më tepër  ai zog gjigant,që jetonte në male të thepisura ,që fluturonte lart në qiell dhe u bënte glasën në kokë njerzve,atje dhe atëherë kur ata nuk e prisnin.

Si çdo gjë e gjallë I erdhi vdekja dhe atij shpendi të madh dhe një ditë prej ditësh ,I mbylli sytë e dha shpirt po në duart e vajzave ,tashmë të rritura. Burrat e djemuria kishin ikur e endeshin rrugëve të botës ,I linin gratë,motrat e vajzat në shtëpi e për vete kërcisnin e iknin sa here rreziku afrohej në konak.Çburra ishin këta një zog e dinte, ai zogu me dy kokë, vetëm,që mburrej me trimat e me burrërinë e tyre aq sa edhe femrave që nuk binin në krevat me burra I quante burrnesha.

U mblodhën vajzat  e vendosën para se ti jepnin lamtumirën e fundit ti bënin të gjitha nderet e adetet e duhura sipas zakonit.Në fillim caktuan vendin se ku do bëhej varrimi,u zunë një copë herë se kush do ta këndonte ,prifti a hoxha,ndezën qirinjtë  e më në fund u ranë këmbanave varur në qafën e dhive e cjepëve përjashta në vathë.

Kur  ranë kambanat  djelmoshat e burrat prej dritareve  u hodhën ,kapërcyen jo vetëm ledhin,por edhe kufirin,të shpëtonin,kujtuan se rreziku po u trokiste në derë..Gratë, nënat, vajzat e motrat si gjithmonë I lanë pas ,brenda shtëpive,me preteksin se ato nuk kanoseshin nga rreziqet.Ata kishin frikë nga vdekja jo prej rrezikut ,as prej shkjaut.

Femrat  në tokën e shpendit me dy kokë u veshën kokë e këmbë në të zeza ,hapën shtëpinë  dhe e qanë shpendin pa jetë gjithë natën.Kujtonin ngjarje, histori,sillnin fakte e vende e data ,ku kishte kaluar si dhe përleshjet që kishte bërë me shpendë , kafshë e zvarranikë gjatë gjithë jetës së tij.

Papritur ,pasi u lodhën së qarri, me sytë e enjtura u kujtuan se duhej të ndanin rolet,që këtej e tutje.Më e madhja,Plaka, mori përsipër të ishte e jëma e shpendit, Mesi,vajza e dytë, që I kish dalë kurrizi nga peshat e rënda që kish ngritur tërë jetën,mori përsipër të ishte e bija .E vogla, Sosja, që tashmë quhej Mjaftime,nuk pranoi kursesi të ishte e motra e shpendit.Nuk pranonte në asnjë mënyrë ,të ishte e  motra ,pasi gjithë jetën, që nga balada e Gjergj Elez Alisë vetëm shërbente,e mbyllur brenda në shtëpi , duke larë, shpëlarë e ndrruar plagë lufte e jete vëllezërve .Më mirë pranonte të ishte gruaja e zogut,por kursesi e motra,që vuante aq shumë dhimbjen e të vëllait e lante me lot plagët e tij.Dhe kështu u vendos,e vogla të ishte gruaja e shpendit ,edhe pse po ti bije lapsit e llogarisje vitet , dilte më e vogël  në moshën e caktuar për martesë.Nuk ishte problem, mund tia ngrinin moshën në zyrat e komunës kundrejt një pagese.Nuk ishte problem,ashtu siç nuk ishte problem të ndërroje vendlindjen,kombësinë, e mbiemrin, fenë por gjithmonë kundrejt një shpërblimi me pasojë jo të vogël.

Megjithëse  lajmërimi ishte bërë e ishin hapur Portat e Artat përgjatë rrugës Via Egnatia, varrimi u vonua të bëhej në orën e caktuar,për shkak se në odën e miqve kishte ardhur dhe ajo qenia e katërt, që sillej vërdallë atyre anëve, kohët e fundit.Me inisiativën e saj,pa ia bërë syrri tërr e pa pikë turpi  edhe pse flitej e pëshpëritej nën buzë ajo erdhi në ditën e varrimit të zogut.

Të qarët me ulërima ,përplasej humnerave të Ballkanit e oshëtinte deri në Europën plakë të mësuar tashmë me këtë lloj vaji.Qanin femrat me lot e me ligje,për ligjet që mungonin  për mbrojtjen e  të drejtave të tyre .

-Kurrë nuk do isha dashnorja e dikujt , ta di se dhe me dorë do ti bija zogut tim,thosh  Sosja, që mori  rolin e gruas së shpendit dhe ia plasi të qarrit .

-Edhe unë,ia ktheu tjetra që hyri në rolin e së bijës së shpendit,sikur ta di që mbetem e paburtë tërë jetën time,si virgjëreshë e betuar, të vdes tha duke mbytur lotët e ngashërimet që po I mernin frymën.Ajo që mori përsipër rolin e të jëmës së shpendit, ndukte faqet e hidhte nga një vështrim të pështirë mbi atë të katërtën që flitej se ishte dashnorja e shpendit ,e pacipta në faqe  që kishte ardhur në ditën e varrimit.

Edhe pse me vonesë, kortezhi  I varrimit u nis  përgjatë rrugës Via Egnatia,duke përshkruar fortesat,murret dhe Portat e Arta mes përmes  qyteteve antike ,në Dyrrachion, në Scampis , më pas doli lart në  këmbët e Tesalonikut,duke çarë rrugën drejt Europës.Pa arritur mirë në Konstandinopojë , Sosja ,fërkoi sytë me një qepë të prerë në mes dhe ia plasi kujes,mbi një pllakë guri të lëmuar me kujdes në një nga këmbët e Harkut të Triumfit të qytet- fortetesës. Kortezhi vazhdonte rrugën nga një qytet në tjetrin nga një shtet në tjetrin,herë nga lindja e herë nga perëndimi.

-Ah, zogthi im ,o lele ,çna gjeti ne pa ty ,zogthi im,vajtonin në korr polifonik gratë e lotët u shkonin çurk si breshër.

Udhëtarët,përmatanë mureve të fortesës, mbanin këmbët e shihnin skenën që luhej nëpër gjithë Via Egnatia.

-Në gjuhën e kujt shteti  shfryn e qan ajo,pyeti njëri nga ana perëndimore e fortesës,të jëmën e zogut,kur ajo pushoi së qarri e hoqi në zemër.

-Ik e lëna rehat në dramën tonë, zotëri,ia ktheu e jëma e shpendit, mbuluar kokën me shami të zezë.Zotëria si shumë të tjerë kishte dëgjuar për dramat e tragjeditë po ato I përkisnin lashtësisë.Kaq vite një mur e një gardh me gjëmba I ndante dhe ata  perëndimorët akoma nuk dinin se çfarë gjuhe ishte ajo,biles  kishte nga ata që as nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë vendin e shpendit.Pa le kur mësuan se zogu na paskësh dhe dy kokë,qeshnin e tregonin barsaleta për zogjtëdhe kokat e tyre.. Shumë prej perëndimorëve nuk e dinin ose e kishin harruar se çishte lufta, ashtu si dhe shumë njerëz  e të afërm të shpendit me dy kokë nuk e dinin se çishte liria.

Tani që shpendin po e varrosnin atyre u bëri përshtypje jo vetëm gjuha,vaji me ligje, por edhe zakonet përgjatë ceremonisë së varrimit.

Kortezhi ndali për shkak të trafikut të madh në Via Egnatia.E jëma e bija dhe gruaja u mblodhën kokë më kokë e shihnim me përçmim e neveri atë, të katërtën,dashnoren e zogut e cila tashmë  qante prej vërteti.

-Mua  mës më shihni me përçmim.Mjaft më me këto broçkulla, doke e zakone se latë nam.Më jeni veshur kokë e këmbë korb të zeza ,për të më kujtuar  pendët e të ndjerit zog ,po prapa krahëve të tij qindin I punuat.Ju e shtitë në dhe të gjallë. E morët më qafë me shërbimet , me kujdesjet e përkujdesjet tuaja të tepruara.E latë gjysmak e invalid,I rrinit qiqër më këmbë sikur të ishte sakat. Sjam as e jëma ,as vajza e as gruaja e tij.Nuk u lë ta groposni.Po e pranoj,jam dashnorja e tij,e doja  dhe e dua me gjithë shpirt.Ku ishit ju kur ai kishte kaq nevojë për ju?! .Pse I kthyet kurrizin e patë vetëm punët e  pastërtinë e shtëpisë .

-Ja më thuaj ti gruaja e tij , pse nuk kujdeseshe për të edhe në shtrat, ku e lije natën vetëm të flinte ,në atë krevat të ftohtë martesor…..

-Po ti që më qan tani ,gjoja e bija e zogut, të dhëmb shpirti për babanë, vetëm, tokat e  lekët ,pasuritë e tij doje,I tha dashnorja mu para syve ,pa ia bërrë syrri tërr.

E bija e zogut,çështë e vërteta , e simpatizonte dashnoren e të jatit dhe do preferonte më mirë të kishte mama dashnoren,sesa, nënën e saj qarramane e të pazonjën,që gjithë ditën qahej e ankohej për fatin e saj të zi.Pa le si ishte katandisur,si plakë grifshë,me ato leshrat e lëshuara,me ato rrobat pa gusto të kohës së baba qemos .Kurse ajo dashnorja, dukej aq e freskët, e zhdërvjellët , e zonja e vetes, luftonte për të drejtat e saj , punonte për të jetuar , e dashuronte jetën e burrat pa u kapur pas cingla minglave e thashethemeve të botës.Flitej se dhe ajo kishte një zog të sajin, poshtë fustanit,por ia jepte kujt të donte ,përderisa ishte I saji, dhe nuk I jepte askujt llogari.

Gratë shkëmbenin vështrime të egra, përçmuese e mospërfillëse mes njera tjetrës sidomos drejt dashnores.

Më në fund kortezhi I gjatë nisi të lëviste dhe gratë u qetësuan disi.Fshinë sytë e hundët ,rregulluan fundet e zeza  deri në fund të këmbëve dhe nisën rrugën me hap të ngadaltë duke u lëkundur sa majtas dhe djathtas.Më e madhja, e jëma e shpendit I qetoi të tjerat duke u kujtuar një rit të vjetër, se në vdekje nuk viheshin re mëritë, zënkat, hasmëritë, kështu që edhe dashnorja ishte pjesë e atij morti me të njëjta të drejta si ato.Për ta qetuar dashnoren si dhe situatën e krijuar,  u kapën prej krahu të gjitha e vashduan rrugën.Dhe ashtu prej krahu të katërta parakalonin në sy të botës ,më tepër për sy e faqe ,e për tu bërë të njohura në botë se sa nga pikëllimi e dhimbja për zogun.Ato kishin flijuar jetën e tyre ,po zogu çfarë kishte bërë për to?!Brenda shtëpisë sillej si burrë zakoni, kurse jashtë ua dridhte me dashnoren.Ai pse e shkelte besën, kurse atyre femrave ua përdridhte kokën si

të zogut po qe se e shkelnin besën?!

Varrimi u bë me të gjitha ceremonitë , me ngrënien e drekës, me pirjen e kafesë me pritjen e përcjelljen e njerzve.Në kthim,do lanin jo vetëm duart por edhe llogaritë që kishin mbetur hapur e që kish lënë pas I ndjeri shpend.Më pas do të vendosnin  kur do të linin të tretat , të shtatat , të nëntat, e të dyzetat e të ndjerit,cilët njerës të largët do të ftonin  e lajmëronin në bazë të kushteve e rrethava të reja që ishin krijuar.Kur të vinte ora do të hapnin testamentin që kishte shkruar e lënë pas  I ndjeri shpend .

Ku ta dinin të gjorat femra se ato nuk përfshiheshin në testament.Një copë pension për patriotët,një ndihmë ekonomike për veteranët, një ledh, një mal dhe një pellg me ujë që kish mbetur , shpendi ua kish lënë trashëgim vetëm burrave dhe djemve të cilët endeshin rrugëve të Europës e botës.

-Poshtë zogjtë me dy koka,bërtiti gjithë mllef gruaja e shpendit,kur mësoi se nuk përfshihej në testament.

-Poshtë patriotët,bërtiti dashnorja e shpendit,kur mësoi se një pjesë e testamentit I kalonte patriotëve e luftëtarëve që endeshin rrugëve të botës.

-Poshtë besa,bërtitën e bija dhe e motra e shpendit të cilave u  kish ikur jeta duke u shërbyer një jetë të tërë  burrave të zakonit.

E jëma e shpendit u gëlltit pasi dëgjoi bërtimat,pasi donte të bërtiste  e të çante zemrën e barkun bashkë,po nuk kishte më fuqi. .Ndjehej fajtore sepse ajo e kish  marrë në qafë me dashurinë  e tepruare me ashpërsinë e pashoqe zogun deri sa qe bërë shpend  herë I përkëdhelur  tej mase e here I egër me femrat në vendin e tij.Jo nuk mund tia falte vetes .Por tani ishte tepër vonë .U mblodh kulaç në një cep e mbylli qepallat e syve si kapakët e rëndë të një libri të lashtë.

 

 Mars 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s