Femra shkruan për të mbijetuar, burri për të triumfuar / Nga : Rezart Palluqi

 

Femra shkruan për të mbijetuar, burri për të triumfuar

 

 

rezart palluqi

Nga : Rezart Palluqi

 

 

Për të kuptuar letërsinë femërore, mendoj se duhen shikuar përpara marrëdhëniet e femrës me babanë e saj, dhe më vonë, përvojën e saj me burrat dashnorë, bashkëshortët apo vëllezërit dhe kolegët meshkuj. Gruaja përpara se të bëjë art, vuan prej një pasigurie të madhe shpirtërore.

Pozicioni i saj në botën e egër mashkullore bëhet delikat. Por kjo pasiguri rritet dyfish, kur femra foshnje në vend që të merret/ merej në mbrojtje nga babai i saj, ajo në të kundërtën shpesh është keqtrajtuar ose përbuzur prej tij.

Atëherë, femra foshnje, më vonë shkrimtare, i duhet të përballet me dy lloj tiranish mashkullore: dhimbjes që i ka shkaktuar babai i saj, dhe torturave ose presionit, përbuzjes, diskriminim të burrave që ajo ndesh në të ardhmen, qofshin ata dashnorët e saj, bashkëshorti, kolegët e punës apo vëllezërit.

 

Nuk është aspak e rastësishme, që në letërsinë femërore, ndeshim më shumë heroina ose heronj, se sa në letërsinë e meshkujve. Femrave i duhen heroinat për të mundur burrin, ndërsa meshkujve i duhen heronjtë për të mundur gjininë e tyre, burrin rival. Prandaj meshkujve nuk i duhen edhe aq heronjtë legjendarë në histori, ngaqë ata ndjehen vetë heronj, përderisa dominojnë me forcën e tyre mashkullore, por edhe racionalitetit të tyre.

Rrjedhimisht, ata kanë bërë letërsi më të ekuilibruar dhe largpamëse se femrat shkrimtare. Sidoqoftë, një efekt domino, e vërejmë edhe tek letërsia mashkullore shqiptare ose ballkanike. Meqenëse, nënat shqiptare, shpesh keqtrajtohen, rrihen ose përbuzen, burrat shkrimtarë ose e mohojnë atë totalisht në letërsi, (trauma psikologjike, duke e fshehur dhimbjen për nënën/gruan/motrën, thellë në shpirt) ose e ngrenë atë në piedestal, si të shenjtë, të përkryer, ose e zhvlerëson totalisht…

Janë të rralla ato gra që kanë ditur të bëjnë letërsi të madhe. Ç’është letërsia e madhe? Si dallohet ajo? Ajo nuk dallohet vetëm prej vizioneve apo formave të reja letrare, por edhe kur lexuesi gjatë leximit të romanit, poezisë, e ka të vështirë të dallojë nëse krijuesi i tij, është femër apo mashkull.

 

Që një femër apo mashkull ta arrijë këtë, ai/ajo përveç të tjerave, duhet të ketë gjetur në radhë të parë ekuilibrin e sekseve, paqen relative midis tyre… Fatkeqësisht, femra shkrimtare, e sheh kryesisht letërsinë ose artin VETËM si një mjet, pushtet për të mbrojtur vetveten. Kështu e pa edhe Sapfoja. Ajo u mbyll në kështjellën e poezisë, për t’u mbrojtur nga egërsia mashkullore ndaj femrave lesbike, ndërkohë që letërsia e madhe, i bashkon njerëzit/sekset.

Ky bashkim nuk ndodhi në rastin e Sapfosë, kryesisht prej injorancës dhe mosrespektit të burrit. Kështu e pësoi edhe Kavafis. Por izolimi i Kavafit ndryshon nga ai i Sapfosë, ngaqë Kavafis triumfoi me ironinë, mprehtësinë, vizionet filozofike dhe poezitë e tij historike.

Ai NUK na u paraqit vetëm si një homoseksual i dënuar, por edhe si një poet gjenial. Ai denoncoi dhe banalizoi luftërat e panevojshme të perandorëve romakë dhe bizantinë. Nëse nuk do t’i kishte shkruar këto poezi, Kavafi sot, kam frikë se nuk do të kishte mbijetuar. Por edhe nëse do t’i kishte mbijetuar shekujve, ne do ta mbanim mend vetëm si një poet i erosit mashkullor dhe kaq. Këtu çalon, sipas mendimit tim, letërsia femërore. Ajo, nuk duhet t’i përkushtohet një jetë të tërë, vetëm dramës së saj personale, por japë edhe vizionin e saj për botën dhe të ardhmen e saj.

 

Përndryshe, dashje pa dashje, ajo shndërron vetveten dhe letërsinë feministe në një monastir sa tragjik, aq edhe egoist, ashtu siç ndodhi edhe me poeten e mirënjohur, Emily Dikinson. Ajo pra, duhet që të reflektojë EDHE mençuri, filozofi të gjithanshme, sepse vetëm atëherë ajo tregon se arti i madh, në këtë rast letërsia, SI MJET, të ndihmon të kapërcesh traumat dhe fluturosh më lart se qielli i plagëve tuaja.

Në të kundërtën, arti i letërsisë, nuk është më shumë se një rrëfim poetik që bën një besimtar tek prifti, çdo javë. Arti lind prej dhimbjes ose bukurisë, dhe kompletohet prej rrugëzgjidhjeve ndaj dhimbjes. Që të mundësh plagët që të janë hapur padrejtësisht, ose pjesërisht edhe prej pafuqishmërisë së gruas për të mbrojtur vetveten, nuk duhet vetëm të kesh talent letrar. Duhet të kesh edhe një shpirt të madh.

 

Shpirti i madh, e përjeton plagën dhe e mund atë ose bashkëjeton mençurisht me të. Fatkeqësisht, edhe kur gruaja shkrimtare ka fituar lirinë krijuese, imponuar respektin femëror ndaj shoqërisë, ka rënë shpesh në kurthin klasik mashkullor: ka abuzuar me pushtetin që i është dhënë ose ka fituar. Ose e ka tepruar me romantizmin e saj për natyrën apo lirizmin ekstrem shpirtëror.

Letërsia zotëron instikte të fuqishme për t’u mbrojtur ndaj bishës politike dhe materializmit ekstrem. Prandaj letërsia, ndjenjës, ëndrrave dhe dhimbjes i jep SY të mençur, me qëllim që ato të përplasen sa më pak në muret përbindëshorë politike ose materiale.

Nuk mjafton pra vetëm dëshira për t’i kënduar fëmisë, qiellit, plagës ose trëndafilave, por na duhet edhe një njeri, realist, i vetëdijshëm për rreziqet që i kanosen. Në letërsinë femërore, shpesh dominon njeriu mjaft estetik, romantik, i dhimbshëm, njëkohësisht edhe naiv.

 

Femra letrare arratiset romantikisht nga e keqja, mashkulli përplaset me të, dhe prej përplasjeve,-ashtu siç ndodh mbas një vullkani- lindin format, idetë dhe vizionet e reja letrare. Janë të pakta ato shkrimtare femra, që më kanë magjepsur dhe ushqyer besimin tim të vjetër se në art, gjinia nuk është faktori kryesor për të bërë letërsi të madhe. Disa prej tyre, janë shkrimtaret Doris Lessing, dhe Nadine Gordimer. Te Lessing, e ndesha elementin femëror të theksuar, por ajo ruan ekuilibret, ajo ndaj femrës është edhe këshilltare, edhe doktoreshë. Ajo pranon plagët dhe rekomandon ilaçet e shërimit të tyre. Ajo e bën dallimin e madh prej shkrimtareve feministe, duke demonstruar vizionet e saj të mprehta politike, kulturore dhe artistike. Ndërsa tek Gordimer, nuk e pyeta veten në asnjë moment: a është burrë apo grua tektskrijuesi? Gordimer, është e bekuar me atë neutralitetin magjik racial, mbrujtur me mençuri, filozofi dhe talent letrar. Ka mundësi që Gordimer i ka pasur marëdhëniet e mira me babanë, mamanë. Por edhe nëse nuk i ka pasur marrëdhëniet e mira me prindërit, vëllezërit apo dashnorët, ajo ka ditur me siguri që nëpërmjet farmakut të letërsisë, ta mundë dhimbjen, ose në rastin më pak të volitshëm, ta vërë atë nën kontroll, me qëllim që mynxyra e së kaluarës së saj personale të mos e nxjerrë jashtë baraspeshës, letërsinë e saj.

 

Mendoj se në hapësirën shqiptare, letërsia femërore do të vazhdojë të lëngojë nga njëanshmëria fatale, për aq sa kohë mashkulli shkrimtar nënën, motrën e përdhunuar, izoluar, përbuzur ose do ta shenjtërojë ose zhvlerësojë në kurvë, kriminele …

Arti i politikës, pikturës apo letërsisë nuk i përket vetëm burrit, por edhe gruas, kur kjo e fundit përfshihet në të gjithë betejat e jetës. Që ta arrijë shkrimtarja femër këtë, ajo duhet që të fluturojë shumë më lart se viktimizimi i saj, të marrë përsipër përgjegjësitë e saj, se përse ajo shndërrohet përjetësisht viktimë e dhunës ose përjashtimit shoqëror prej mashkullit? Në mbyllje, që letërsia mashkullore shqiptare të zbusë elementin dominues mashkullor, duhet t’i krijojë hapësirë personazhit femër aty. Jo vetëm kaq. Të krijojë personazhe femra jo të përkryera, as kurva apo viktima budallaqe, por personazhe të vetëdijshëm, kur femra evoluon, dhe merr përgjegjësitë e saj pozitive apo negative në jetë. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë ndoshta edhe femrat shkrimtare shqiptare do të zbuten ndaj tyre dhe nuk do t’i skicojnë ata ose mbretër me koqe floriri ose përbindëshit e tyre. Ndoshta atëherë do t’i afrohemi atij ekuilibrit magjik racor dhe letrar, kur gjatë ditës gruaja merr timonin e anijes dhe burri kapiten, gjatë natës, ushqen foshnjen me qumësht dhe shkruan poezi ose e anasjellta…

 

Letërsia për mua, është shpirt, dritë Dielli që e gjejmë në Tokë, ndërsa stili dhe pasuria gjuhësore, janë kozmetikë, pra të rëndësisë dytësore. Personalisht unë besoj se NJERIU e BËN Letërsinë dhe JO Letërsia njeriun. Letërsia është drita e Diellit. Njeriu duhet të mësojë ta pijë atë dhe rrezatojë sa më shpesh në jetën e përditshme. Rrjedhimisht, rrymat letrare feministe apo maskuliste, janë të pakuptimta përballë Letërsisë së Madhe, Diellit gjithëpërfshirës… Gjithëpërfshirja letrare apo artistike vjen prej personaliteteve të kompletuar… Letërsia merr etiketat: femërore apo mashkullore, kur krijuesi, letërsibërësi, nuk ka formim të gjithanshëm dhe e sheh Botën të fragmentarizuar si dhe ushqen një fobi gjinore…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s