Recensë për librin me poezi “Këmisha” të autores Rita Hoxha, botuar nga Shtëpia Botuese “Atunis”, Prishtinë 2015 / Nga Hasije Selishta Kryeziu

rita 1

 

Recensë për librin me poezi “Këmisha” të autores Rita Hoxha, botuar nga Shtëpia Botuese “Atunis”, Prishtinë 2015

 

Nga Hasije Selishta Kryeziu

 

 

 

 Përmasa e dhembjes dhe e dashurisë në jetën mes dy gadishujve

 

Ardhja e poeteshës Rita Hoxha me vëllimin poetik “Këmisha” në mesin e lexuesëve është një pritshmëri e paralajmëruar, sepse ajo  me praninë e vrullshme si në periodikun letrar në Shqipëri por edhe në Itali ku jeton dhe vepron, qoftë si bashkëpunëtore e gazetave ku rezymon aktivitetet dhe zërat e bashkëatdhetarëve  dhe  poshtu edhe në përditshmërinë komunikuese nëpër  faqet elektronike kishte vënë një komunikim të denjë poetik , qoftë real apo virtual me lexuesin dhe shijuesin e fjalëve të bukura të artit të të shkruarit. Kjo tashmë kishte miratuar  kërkesën e heshtur të shumë adhuruesve të saj për të kurorëzuar në mes kopertinash një thesar magjiplotë. Kjo ishte edhe ajo dëshirë e brendshme e shpërblimit, e dhuratës më  të çmuar që mund të bënte për dashamirësit e flakërimave poetike. Pandaj, ajo me këtë vëllim vjen si bindje, si përvojë me atë prurje artistike duke dëshmuar përkushtimin, dhuntinë, realizimin dhe interpretimin cilësor të akumulimit shpirtëror poetik.

 

 

????????????????????????????????????

Hasije Selishta Kryeziu

 

Vargjet e Ritës shquhen  për ekspresion  të pasur figurativ, mesazhe të qarta, artikulim të  saktë të ritmikës dhe metaforës si shenjim elitar dhe strukturimit emblematik të subjektit. Si një arkeologe e dhembjes dhe e dashurisë, si një kumtuese  dhe përkujtuese e tërë lëvizjeve nëpër horizonte estetike e meditative, shtegëton  me përkushtim edhe përtej asaj që na ishte një refren që tronditë në shekuj “ Moj e Bukura More…

Bukuri vargu, sharm poetik, hijeshi në rradhitje, kultivim i ndjeshëm i simboleve, saktësi portretizimi, semiotikë e përkujdesshme, meditim parabolik i tejpërshkueshëm nëpër tërë poezinë, imagjinatë e çmuar për fiksim e fanitje nëpër retinën joshëse për të zbërthyer valëzimet e një fatamorganë emocionale, me një rezonancë të lartë përkushtimi, me një dridhje si mjeshtri ekzekutuese e një simfonie që po fillon apo tashmë po luhet si uvertyrë e tejmbushur me mallëngjim si “ …ku të lash e më s’të pashë…

Duke filluar me poemën “ Këmisha” si aks meditativ, idiomë dhe teoremë e hyjnizuar dhe e metaforizuar si koncept jete, këmisha si simbiozë e tërë atij fluksi shtegëtimi, që nga toka e lindjes, largimi nëpër atë kalvar mbi mbështjellsin e dallgëve në mes dy gadishujve, vendoset në kohë dhe hapësirë dhe  shndërrohet jo vetëm në simbol, por edhe metaforë që fton të mirën që e la prapa të mos venitet, dashurinë që ta shoqëroje, dritën mbi relievin atdhetar, demokracinë për të triumfuar, përpjekjen dhe besimin deri në përmasa si thelb i eksistencës. Ajo, e vetëdijshme se ishte nisur dikah, por që pasthirrma i vinin nga pas shkruan:

 

“Këmisha jote

është membranë e detit,

ku Jesu Krishti kaloi tej e tej

me shputat e këmbëve.

Këmisha jote

Vesh një pemë në dimër

Që të mos të thahet

E të nxis limfën.”

 

 

 

rita

Rita Hoxha (Oxha)

 

 

Prandaj këtu nuk është vetëm prekja e valëzimit të detit, dallgoreve të tij, por është tejmallëngjim që si kostum stinor e sinonim i dashurisë, i sakrificës hyjnore e vendosë dikund si veshje Anteu. Është një nga krijimet më të bukura që shpreh thelbin e jetës dhe dashurinë  për njerëzit e lënë nëpër geto tundimi. Ishte ai det që e shoqëroi që nga lindja dhe  po ai që e krijoi mundësinë të largohet  nga Atdheu me një shkas të drithërueshëm, ku për shumë vite familja e saj u persekutua. Por, është pikërisht ky det, i cili e bashkon me Atdheun nëpërmjet dy brigjeve që i bashkon poezia. Poezia e saj shpreh mallin me thellësinë e detit, jehonat e dallgëve, lozjen e valëve e transmetimit të ndjesive. Ajo shihet qartë te poezia“Qyteti im”, ku shprehet:

 

“Në mërgim

Jam peng e fëminisë

Dhe e shtëpisë buzë detit.”

Ka një mesazh tronditës  në mallin e saj, në largimin e saj, aq sa të duket se poezia vjen nga shekujt, që kur ikën arbëreshët të cilët sikurse përmendëm më lart mallin e kthyen në këngë e lotë.

Poezia “Dita e largimitështë  e ndier, elegjiake, që nuk shoqëron vetëm njerëzit, por dhe dheun e braktisur:

 

“Durrës mos qaj nga dhembja e largimit,

mbështjellë ulërimash shpirtthyera,

Dheu im mos qaj për mua …”

Poezitë kushtuar prindërve, sidomos nënës. “Kam mall”, ridimenzion një dhembje universale, por janë shkruar dhe në formë homazhi për të veçuar si këto:

 

“Kam mall për ty o nënë / dua të sodis me syrin

tim shtegtar”,   ose”Kulla e Pizës përkulet dhe më tepër nga dhembja

E ndoshta një tjetër si unë

Ka pasur mall për prindërit, kur i shikoi afër

Ndaj u kërrus e qëndron në gatirënie..”

te poezia për prindërit, ku kovergjon si metaforë  nga diagrami mendor për përmasën e dhembjes dhe nostalgjisë, kujtimit dhe përgjërimit.

Pastaj sikur bëhet aleate me hijet që i mendon nga larg se si këta vizitorë të padukshëm, na flet te “Shtëpia”: “Shtëpia s’ka ndriçim , Shpirtrat

ecin ngadalë mos më zgjojnë”, ku ajo takon në realitet ata që janë bërë ëngjëj mbrojtës.

Se jeta është një udhëtim i pashmangshëm, afrim e zgjatje distancash; jeta është një kujtim, një segment ku në mes pikës së tashme pafundëisht e shkurtër si koncept kohor, ndanë dy hemisfera; atë të nostalgjisë ( e kaluara) dhe në atë të shpresës( e ardhmja), Rita e transmeton  atë përceptim. Prandaj, kur ai diagram i mendjes në lëvizje vepron dhe atë energji vepruese dhe si kreacion  meditativ,duke dhënë mesazhin qoftë si filozofi, kronikë poetike apo sugjestion të estetikës asociative, atëherë si zgjim nga ndrydhja e madhe, si lansim në unazat qiellore duke bartur  dhembjen kujtesë, afron deri te ajo pikë kur lutja për bekimin e asaj kohe shpirtërore të poetes  i sjellin një përgjigje metaforike nga një mesazh  se fjala ruan kujtimin dhe prandaj tërë ai shtegtim nëpër trajektoritë artistike sublimojnë në rezonimin poetik.

Deti, dashuria dhe malli për vendin e lindjes të lënë janë trinomi poetik i realizar, që në shumë koordinata sugjestive i përshfaqë  herë me ndrojtje e herë me jehona kumbuese që vijnë bukur si këto vargje:

“Ne të dy na ndan një det

oqean në mes të ëndrrës:

Me prit zemër pa trishtim

Po të vij si pikë e lotit,

Në fund të detit unë trazim

ti bekim i dhënë prej Zotit…

Ne të dy deti s’na ndan,

Ëndërra bëhet oqean…”

Në këto vargje ku poetja ka bërë një shtegëtim të bukur poetik dhe duke u lëshuar thellësive asociative e duke u ngjitur majave të meditimit, kopozicioni metaforik është qëndisur përmallshëm në gjergjefin ndjesor gjeografik, tërë atë rrugëtim nëpër ngjarje që lënë gjurmë e që foforizojnë, që japin shpresë dhe lumturojnë, që nga toka amërore e nëpër tërë trajektoritë e mallit ku sfondi artistik është projektuar dhe është realizuar mjeshtrisht.

Në të vërtetë ky libër poetik është një vibrim i shpjegueshëm i një drithërime shpirtërore ku ngjizet koshienca dhe subkozhienca në nuanca tingëllore të shpërthimit poetik i metaforizuar deri në sublimimin ndjesor të dhembjes, keqardhjes dhe gjakimit për ndjenjën më të çiltër të afshit të trazuar nga një fiksim dhe jehonës magjepse të klithjes si pasthirrmë e etshme për të afruar deshirën deri tek një oazë ashtu si thotë poetja, tek një fanitje mistralli e një puhie që do të dëgjonte lutjet deri në muret e themelet e Portës së shpirtit, që është flijimi më sublim për hirë të dashurisë njërzore, zotimit para tempullit trashëgues që lartëson atë si lajtmotiv dhe shtegëton  në tri qytete pikëllimi  që mos të mungoj kulmi i nostalgjisë, asaj ndjenje hyjnore që vezullon si flakërimë nëpër imazhet poetike që poetja i kultivon si për idhuj. Te poezia “Më prit” ajo hedh bukur premise asociative:

 

“Molla ka në qëndrën e saj

Një çift duke u puthur:

Më prit!

Jemi ne që po puthemi prej shekujsh

Në atë mollë të Kopështit të Edenit…”

Vezullon edhe kjo poezi dhe si një kompozim i bukur dhe i prekshëm që poetja mediton, transmeton dhe na dhuron të bukurën artistike me mjeshtri të lartë. Idea, mesazhi, ndërlidhja vargnore dhe kapërcimi meditativ dhe qendisma metaforike moderne e bëjnë poezinë e saj të dalluar dhe të rezonoj si një frymëzim i transmetuar me dinjitet përkushtues.Tërë poezia është një mrekulli e kurorëzuar mallëngjyeshëm dhe e vendosur në koordinata  përcepcioni të cilat përsëri ia dedikon po atij trinomi deti – dashuria – malli dhe pastaj e tërë atmosfera poetike katandisëse nga gurgullima semantike, simbolika e realizuar magjishëm dhe shpresa krijojnë piramidën emocionale që e ka ravijëzuar drithërueshëm dhe artistikisht.

 

 

  Gusht 2015, Prishtinë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s