Poezi nga Dije Lohaj

Dije Lohaj

Poezi nga Dije Lohaj

 

 

 

BALADË PËR GJIRIN E ROZAFËS

 

Mbrëmë pash Rozafën në ëndërr,

Mbi trupin e mekur

Kishte lënë gjirin jashtë

Të birin me mall ta mëkonte.

Engjujt ethshëm nanurisnin kohën e djepit,

E gjiri pikonte qumështin e foshnjës,

Shtrënguar mes palë muresh të ftohta.

Rozafa buzëqeshte si Hyj drite

Kudo kuje kukuvajkash,

E ustallarët vëngër shikonin me sy

Lidhur me fije të këputura zanoresh,

Atje ku një copë varr

Kërkon lëmoshë ndjenjash

Mrekulluar me sy nëne,

Mrekulluar me sy foshnje,

Ah, mrekulluar me gji Rozafe…

Në pentagramin e melodisë së djepit

E bukura Rozafë është këtu

Ah, është atje,

Nën klithjet e foshnjës

Me pajë nusërie vinte ngadalë,

Me plumbin e kokës sime brenda,

Kur kokën kisha mbështetur

Për një rrasë guri,

Pranë varrit mbi tokë,

Nën hijen e një lulevarri,

Ëndrrat i thurra gërshet Rozafe

Me shkronja lirie stolisa

Gjoksin e trimit tim.

Dhe Gjergji me shpatë kërthizën me shpatë i preu

E mblodha flamujt betejave plotë plagë

Kumbarë zura detin e paanë

Me dallgë poshtë Urës së Qabesë

Nëpër ato stërkala balte

Sikur shkundnin pemën e jetës sime

Lagur me lotin e thinjur,

Me dendësi ferrash korb të zeza,

Mbuluar me zjarrin e truallit arbëror.

 

 

 

 

NËPËR MERIDIANET E SHPIRTIT

 

Mos u ngut!

Po sillma fluturen e parë të pranverës,

Sillmi edhe ninullat e dashurisë

Dhe, eja të vrapojmë symbylltas pas vegimit tonë.

 

Të vrapojmë zemrës së heshtjes,

Që kur t’i hapim sytë,

Do e kuptojmë

Se kot u trembem nga zjarri,

Kur, ai zjarr nuk ishte ndezur për ne

Për të na djegur mëkatin tonë,

Ai ishte drita nepër meridianet e shpirtit

Që nuk e pamë tek vraponim të egzaltuar…

 

A nuk të thash

Të mos i fshijsh gjurmët e mallit,

Të mos i matësh hijen e shpirtit

Edhe atëherë kur me thoshe:

Nëse një ndjenjë

Nuk ma ftohë prushin e zemrës

Apo nuk më ngrohë në acar shpirtin,

Ajo për mua nuk është e bukur.

Nëse më jep ankth e jo qetësi

Atëherë nuk është e madhërishme.

Nëse mbjell dyshim e jo siguri

Ajo nuk është lule, por ferrë

Që dikur do t’ i nxjerrë gjembat

E do të shpon epitafin e zemrës sonë….

 

Mos u ngut

Se mjafton ta shijojmë natyrshëm

Qoftë edhe pa nxjerrë një pasthirrmë kënaqësie,

Se ajo që del nga fjala jonë

Është me e mangët se atë që ndjejmë meridianeve të shpirtit..

 

 

 

 

GJËMË PËR GJËMËN E PAQES

 

E kjo kënga ime ka erën e dheut,

Erën e gjakut ka,

Gjemë e gjëmës së paqes është,

Në këtë tokë të butë,

Si djepi i nënës,

Kur era i freskon degët nga prushi,

Prandaj dheut të atdheut

Lehtë ia mikloj plagët e zemrës,

Në zemrën e përgjakur,

Si kufiri gjak,

Kafshuar nga demonët

E filizat i kanë marrë erërat në përqafim,

Kanë nisur vallen e lirisë,

Prandaj, mos u ngutni, demonë!

Janë djepvarret që thërrasin,

Kuajt shaluar janë nga të rënët,

Gatuar kanë megjen me gjakun e tyre,

Shkojnë shaluar këta kuaj,

A i shihni!

A dëgjoni lahuta e huta,

Që shkreptijnë sukave:

O çohuni, o trima, çohuni, bre!

Me ashtin tonë të vazhdojmë ciklin e lirisë,

Se dorë e zezë na vrau edhe një herë.

 

 

 

 

KËNGË NATE

 

Sonte më lë vetëm

E ike atje ku nuk mund të të arrij,

As me krahë zogu,

As me imagjinatën time…

 

Më lë vetëm

Si këtë natë skëterrë,

Që numëron

Të fjeturit e vet të arratisur,

Si këto xixa zjarri,

Që hirohen në vatrën e trishtë të braktisjes.

Nuk mund të të arrij as me fjalë,

As me ëndrra,

Që akull gjakun ma bëjnë.

Mund të flesh mes heshtjes,

Vetëm me emrin tënd dhe timin

As në çmendinë e vargut tim,

As në kohën e tashme,

Nga ike të mos jesh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s