Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

 

AJO QË SHISTE LULE

 

Ajo shiste lule,
Por jo vetëm lule,
Në dorën e majtë mbante
Një shportë,
I mbante edhe dhimbjet e pashëruara.

Sa herë që fliste
Me blerësit e luleve,
Nga sytë i pikonin nga pak lot;
Ajo nuk shiste vetëm lule,
Por edhe dhimbje.

Në heshtje të fundosur shiste lule,
Nga fjalët e saj derdhej pikëllimi,
Dy sy gështenje
Si dy dritare që s’hapen;
Në qytetin tim
Shesin lule të zeza mëllage.

 

 

 

E LEDHATONTE EDHE DËSHPRIMIN

 

Asaj iu kishin fundosur
Të gjitha anijet,
Ishte ulur mbi dëshpërimin e trishtimit
Dhe qante,
Si një zog i braktisur.

Nëpër flokët e thinjura
Çmendurisht kalonte era,
Binte edhe nga pak shi;
Nëpër kujtimet e hidhura
Binte një lloj trishtimi i paparë.

I kishte kaluar të dyzetat,
Por sipas thinjave
Ishte dy herë më larg
prej viteve të saja të hidhura,
E kishin dërmuar shembjet e përditshme.

Qëndronte kacule
Mbi pikëllimin e dhimbjes e saj,
Si një kërthi e mbante në prehër
Dhe e ledhatonte dëshpërimin,
Duke shikuar në heshtje,
Se si fundosej për çdo ditë nga pak.

 

 

 

KUR ISHA I GJALLË

 
kur isha i gjallë
Ah kur isha
Në sytë e tua të gështenjta
Duart e mia prej mishi
Preknin
Lakuriqësinë e qiellit
Nuk lash yll as meteor
Pi kalëruar
Sa që pa dashje i këputa
Të gjitha dizgjinët e flokëve
Të tua të mëndafshta
kur isha i gjallë
Ah kur i përngjaja erës
Si Uliksi dinak
Mund të hyja
Nën fustanet e vashave
Ku duart e mia prej mishi
I shkundnin
Të gjitha yjet e universit
kur isha i gjallë
Ah kur isha
Më duket se fluturoja
Më krenar se shpendi i shenjtë
Qielli ishte aq i vogël
Sa që i mbushja xhepat
Me kristale prej yjeve

 

2


Po ju them
kur isha i gjallë
Me frymën tim e prej adoleshenti
I shkundja të gjitha gjethet
E njoma të rrapeve
Kur isha i ri
Kafshoja hekurin me dhëmb
Kurse sot
Sa herë që më zë kolla
Më ikin nga goja
Dhëmbët e mia artificial
kur isha i gjallë
Ah kur isha i gjallë
Më duket se
Nga guri i stralltë buronte
Një dashuri e madhe prej zjarri.

 

 

 

BAJRAKTARËT E VATANIT

 

Bajraktarët merakosen
Për të varfrit andej përroit
E nëpër mejhane po na krekosen
Duke i rënë thumbit e patkoit

Partia ime ka një qëllim
Me i dalë Zot Kosovës nënë
Mbushe gotën more Qerim
Kështu ne do bëjmë “famë”…!

Bluajnë grurin si t’ju do qejfi
Besa shpesh në disa gurë
Duke thënë :”kështu do mileti’’
Populli e ha këtë bullgur

Trimëri shesin si Halit Feta
Me dy grushte “bam” tavolinës
Për Kosovën tonë heroike
-“I këpusin telat violinës.”

Nam po bëjnë krerët e Kosovës
Njëri-tjetrin duke e sharë
Mu si derrat pranë kasolles
Kur i nisin për në Pazar

Sa për vatan nuk qajnë kokën
Prej mejhaneve dirigjojnë
Të parëve tanë tua japësh botën
Ata kolltukët dot nuk i lëshojnë

Kur pushka krisi te hambari
Si strucët kokën e futën në zall
Ata veç në sofër dinë të ulën së mbari
U bënë përrallë për shtatë mëhallë.

 

 

 

KALUAN CA MOTE TË LIGA

 

Pa trokitur
Në xhamat e katit të parë,
Ti, hapma derën;
Sonte nuk jam vetëm,
Me mua janë të gjitha kujtimet e viteve,
Që kaluan në urat e Lumëbardhit.

Të lutem, hapma derën!
Sonte hyri vjeshta,
Koha e shirave veç ka filluar;
Druaj se do të më lagen fjalët,
Të cilat një kohë të gjatë
Po i ruaj si sytë e ballit;
Po i ruaj
Si letrat e shkruara
Dhe ato, që kurrë nuk u shkruan.

E di, ndiej se edhe ti je sonte
Me vetminë tënde,
Kaluan do mote të liga.
Të lutem, mos t’i lëmë peng ditët!
Hapma derën
Dhe shpirtin tënd të shkyçur.
Është koha e fundit,
T’i mbyllim sytë para gabimeve tona.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s