Poezi nga Mark Kuzhnini / Shkëputur nga Vëllimi Poetik ” Himni i Kohës”

 

mark kuzhini

Poezi nga Mark Kuzhnini

 

 

 

11948137_916191355085409_1701932313_n

 

Shkëputur nga Vëllimi Poetik ” Himni i Kohës”

 

 

 

RIMISHËRIM

 

E kur koha po përfundonte

i hapa sytë në çastin e duhur,

edhe heshtja po belbëzonte

me gjuhë trazonte pluhur.

 

E kur jetës ia sheh mbarimin,

s’paske parë mirë, me sa duket!

Jeta në fund e mban fillimin,

pastaj vdekja gjithmonë zhduket.

 

E kur shpresa të vdesë e fundit

ti para saj i gjallë je shpallur ,

Kur jeta të thotë lamtumirë,

tjetra të thotë: “mirë se ke ardhur”…

 

E kur zhdukesh sikur gjethe,

trupi e ka shtëpi varrin ,

Tjetri trup të pret pa ethe,

se më shpirti s’e ndjen acarin.

 

Ëndrrat le të vdesin në këtë botë,

s’të duhen asgjë pas vete.

Harroje këtë jetë të kotë,

se tjetrën jetë ti e gjete …

 

 

 

 

KUR TË VRASIN,  PËRSËRI BESO

 

Flasin vitet nëse s’flet njeriu,

Flet era kur të bie shiu ,

Tregon i ftohuri nga është veriu …

Mos fli gjumë, zotëri! Ngrihu!

 

Flet zëri, veshi dëgjon,

Tek e liga e keqja të fton ,

Mos shko! Thuaj: jo mjafton.

Ndaj teje ai gjithmonë lufton.

 

Jeton ëndrra, me të mos jeto,

kur të vrasin, përsëri beso ,

Kur të lënë në errësirë, mëso …

Mos hezito, dashuri dhuro .

 

Jeton vdekja këtu në jetë me ty,

ti nuk e sheh atë vërtet me sy,

pasi  të vdesësh, prapë do të të fyejnë

s’të qajnë me lot, prapë të pështyjnë.

 

 

 

MË DUHET NJË PENË

 

Kulla ime pa minare e kambana.

Zoti më ka folur, kur më ka lindur nëna.

Miq, erdhi pranvera, ka lulëzuar thana,

në takimet e mia merr pjesë edhe hëna.

 

Unë vetë vdekjen do ta bëj me lot,

shpesh gabohem kur fjala s’e thotë,

shpirti s’dorëzohet kur është not,

jeta oqean, është trazuar sot …

 

A e kemi një jetë apo na pret tjetra?

Jetojmë me disa fjalë të vjetra!

Shkruajmë, s’kemi aq shumë letra.

Një penë më duhet, shqipja gjuan ketra.

 

Toka s’mbillet asnjëherë vetvetiu.

Bima s’dhuron frute nëse s’bie shiu.

Kafsha a të vret nëse s’është bariu?

Kafsha shpesh ka kulturë më shumë se njeriu!

 

 

 

 

MË DUHET NJË HESHTJE

TA MËSOJ TË FLASË

 

Më duhet një fletë që t’i fal jetë

e ta paraqes në kohën e duhur.

Do t’i flas të ju udhëzojë drejt,

të ecni në rrugë pa baltë e pluhur.

 

Më duhet një mbiemër qoftë pa emër,

veç ta kem gjatë prezantimit,

çka do qoftë, djalë apo vetëm ëndërr ,

të bindet, unë jam zëri i zgjimit.

 

Më duhet një heshtje ta mësoj të flasë

dhe një vetmi në këtë jetë ta martoj,

të dyja i njoh e iu bërtas ,

paqe e dashuri mes njerëzve të dhuroj .

 

 

 

 

KUR VËRSHOI VALA

 

Interesant! Dikur keqkuptoi fëmija.

Pas një dekade gjumë i humbi vetëdija.

U zgjua vonë kur iu plak rinia.

Mbeti pa asgjë, e kaploi varfëria.

 

Lëkura ishte rrudhur e balli ishte plakur.

Jeta ishte furur pranë tij e lagur.

Iu kishte zbardhur koka, dukej i shtangur !

Ishte mbushur plot në tërësi i mangët …

 

Ç’kishte me vete në fundin e kësaj jete?

Veç disa pika loti në sy si mbetje.

Fliste plaku pranë meje, ishte me etje,

po vdiste urie, i zhytur në tretje.

 

Ishte i pangopur me jetë, e jo me bukë.

Kur fliste, ulërinte si ujk.

I ka pritur të korrurat ndryshe ai bujk.

Ka korrur ferra, ndërsa ka mbjellë pambuk.

 

Po linte amanete në frymën e fundit!

Unë i thashë pse mbete në robërinë e gjumit?!

Më tha: isha si peshku në breg të lumit,

kur më vërshoi vala, mbeta i fundit.

 

 

 

HIJA E GJAMËS

 

Jemi të mbështjellë me rrjetë merimange.

Koha është rrokullisur nëpër shkëmbinj.

Burrat u përcollën nën hijen e gjamës,

e sot me valle për në të fundit shtëpi.

 

Sot nënat vajtojnë së  bashku.

Zërat shkulin qimet e kokës.

Bota po shembet nga mëkatet njerëzore!

Mallkimet ngrijnë edhe poret e tokës.

 

Injorantët pastrojnë fytyrën pranë ylberit.

Të pa denjët, pa fytyrë udhëtojnë!

Kjo jetë e stërmbushur me bij të ferrit!

Engjëjt si engjëj nga të tjerët shumë dallojnë.

 

Hija e gjamës endet nuk e prek kurrë ylberin …

Në cilën valle ikë ti për në banesë të fundit  …

 

 

 

 

 

PËSHTYJ ZHGËNJIM

 

Ndershmëri kërkova, rrallëkund gjeta!.

Tek asnjëra kohë që erdhi e shkoi.

Me dhimbje e zhgënjim këtu mbeta,

vetmia e mjerë vetëm plagë më shtoi.

 

Një kohë gënjeshtare, e tjetra lavire!

Me kohën e paluajtshme jam miqësuar.

Një ëndërr mëkatare fare e ndershme,

Ishte e dalë fare dhe i kam besuar.

 

Një e pacipë që atëherë më ishte ngjitur,

në çastin kur koha është ndërtuar.

Një që më ka vërvitur e s’e kam pritur,

Nuk është mërzitur që më ka lënduar.

 

Tani pështyj zhgënjimin por jo ty ,

Ti vjen ditën tjetër ,

Ndoshta të dielen …

 

 

 

 

SHPIRT I NDRYDHUR

 

Sa ndihen si unë?

Sa nuk kanë gjumë?

Edhe pse sytë janë mbyllur,

përse nuk bën punë?

Koha ushtron dhunë

mbi shpirtin e ndrydhur.

 

Sa qajnë pa lot?

A ka të tillë plot?

Brendësia i ka vajtuar

dhe s’e gjejnë dot

fatin as sot!

Me tradhtinë kurrë

s’janë pajtuar.

 

Sa të vetmuar!

Në burgun e çmuar,

janë mbyllur dhe qëndrojnë vetëm!

Ku janë drejtuar?

Kur pak dhimbja ka pushuar.

Ishin skllevër, por janë ndierë mbretër.

 

Po  ti e kërkon shpirtin e ndryshur a burgun e çmuar …

 

 

 

ME NJË TJEGULL S’MBAHET SHPRESA

 

Ndal, pse qan, moj nënë loke,

dera mbyllur të ka ngelur?!

Nuk ke zogj nëpër oborre,

askush pragun s’të ka shkelur?!

 

Çfarë mendon, ke mbetur vetëm.

Të u bë shpirti shkrumb e hi.

Djemtë e larguar po i pret,

Ata kanë tretur në kurbet të zi.

 

Ti dëshiron nipa e mbesa,

të lozin aty në kullë.

Me një tjegull s’mbahet shpresa,

kur të zë bora me vrull.

 

Në derë askush s’të ka trokitur,

ndonjë që do të ta hiqte mallin,

ke mbetur vetëm, duke pritur,

kthimin e bijve të ta puthin ballin.

 

 

 

 

AMANETI IM

 

Amanet, o dheu im.

Amanet, o prag ku të kam shkelur.

Mos vuaj, o shpirti im,

mos mendo që vetëm ke ngelur.

 

Amanet, moj nënë e dashur.

Amanet, dhe ty o babë.

Ma mbani atë flamur që e kam pasur,

me një fushë të kuqe dhe në mes një shkabë.

 

Amanet, oj e dashura ime.

Amanet, dhe juve o shokë.

Mos më sillni mbi varr kujtime,

se ma lëndoni zemrën edhe në tokë.

 

Amanet, oj penë, mikeshë e vjetër.

Amanet po ta lë këtë gjak.

Ta hedhësh një shkrim në letër,

për flamur kuq e zi, të marrim hak.

 

 

 

 

AS MURGESHË, AS SIRENË

 

Mos u shtir si murgeshë,

ti e tillë s’mund të jesh,

nderin dhe besnikërinë

në rrugë s’mund t’i gjesh.

 

Mos u shtir si sirenë,

e tillë s’je, si s’e vëren!?

Ngopesh me mashtrime,

ndërsa epshe bren.

 

Mos u shtir si zanë,

kur sillesh në një anë,

dridhesh si thupër,

si me pas qenë thanë.

 

Mos u shtir si bukuri,

se bukuria nuk të duhet,

bëhu sadopak njeri,

që bukuria nga koha të mos shuhet …

 

 

 

MOS

 

Mos të parandiesh, koha të tradhton.

Mos shpreso para kohe lumturi.

Mos prit që nesër dikush të përqafon

e të ndan përjetësisht nga e mjera vetmi.

 

Mos prit të të tërheqin miqtë nga balta.

Mos mendo se ka dashuri si më parë.

Mos i prit fjalët e tyre që i kanë si mjalta!

Përgatitu vetes lotin për t’ia tharë.

 

Mos prit që agu të të gjejë të lënduar.

Mos prit rreze dielli në muajin dhjetor.

Mos prit gojëhapur duke u menduar,

Falu të tjerëve gjithçka që ke në dorë.

 

Mos ëndërro, ëndrrat janë mashtrime.

Mos kërko ujë në Saharën e pjekur.

Mos i këndo këngë, mos i mbaj ligjërime,

Heshtjes e vetmisë edhe pse të kanë ndjekur.

 

Tani ik nga heshtja e vetmisë shko tek loti i tharë ,

Një ditë me shi do të kthehesh tek koha e tradhëtuar …

 

 

 

 BALADË ËNDRRASH

 

Vdiqën ëndrrat pa i parë,

humbën ndjenjat si të mos ishin,

mbeti zemra në mes e ndarë,

vetëm fjalët kujtim kishim.

 

Vdiq pranvera e sapolindur,

ndërsa dimri mbeti i qeshur,

çdo kohë që iku më ka bindur:

vjeshta është lavire e zhveshur!

 

Vdiq lumnia, vajz’ e madhe;

vdiq pa e lënë një amanet;

ah, e mjera, kishte shumë halle,

vdiq me shpresën në aksident.

 

Vdiq durimi, qesh në varrim:

plot dhimbje, një lamtumirë;

vdiq nga sëmundja pa shërim,

shumë ka pritë, jetoi vështirë.

 

 

 

E PËRQAFOVA  JETËN

 

E gjeta shtegun  për përjetësi

kundër vdekjes kam triumfuar,

e zura heshtjen në qetësi

heshtjen që letër më ka shkruar.

 

E zura njërin duke vjedhur

kishte fshehur akrepa ore,

një palë mend që i kishte vjelur,

dhe një thënie mbante për dore.

 

E zura vetminë, qe shoqëruar,

mjerimin shok ajo e mbante,

mes vete të dashuruar,

askush s’mundi t’i ndante.

 

E zura ikjen pak pa ikur,

e pyeta se pse më tradhton?

Përse dëshiron t’ia mbathë?

A s’e vuri re që po më lëndon?

 

E zura lepurin pa vrapuar,

i palodhur, si nuhatës me erë,

e zura jetën s’e kam besuar!

Ishte duke puthur kohën pa ndërprerë.

 

 

 

ZOTI MË DHA SHUMË HIRE

 

Zoti më dha ca pika ujë,

t’i shndërroj në disa dete,

dhe pas deteve një statujë,

që mbante lëkurë e eshtra.

 

Zoti ma dha këtë detyrë,

ndër detyrat më të rënda,

ta përshkruaj një fytyrë,

atë që mban trupi brenda.

 

Zoti më tha shpirtin t’i shihja,

a ngjason me fytyrën e saj,

unë shpirtin ende s’ia njihja,

por sytë në mendje ia mbaj.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s