Cikël me poezi nga VEHBI SKËNDERI / Përgatiti për publikim Fatime Kulli

vehbi skenderi

Cikël me poezi nga VEHBI SKËNDERI

 

 

Përgatiti për publikim Fatime Kulli

 

 

ORËT E MINUTAT, SI KËMISHA TË NGUSHTA FËMIJËSH

Më shtrëngojnë fort ditët e mia. Dilema!
Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh.
Paqja çdo çast sjell dhembje.
Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?
Jam tradhtuar nga Lufta e nga Paqja.

Ditët e mia të shkurtëra.
Jam stërnginjur nga etika e kallaisur. (Me aliazhe sulfuri.)
Nga retorika e papagajve parlamentarë.
Nga patetika minashkrehëse e ulemajve.
Ditët e mia. Orët e minutat.
Si biruca të ngushta!

Jam veleritur nga sfilata e “gjenuinëve” të gjelbër.
Nga edukata raciste e Aparteidit. Kultura e Pinguinëve të Anatol Francit.
Dhe kultura e Polifemit.

Nuk po e nxenë dot as kultura e odiçkës sime 3×3. (Në Bazel)
As kultura e filxhanit, që pi kafe. Dhe as kubatura e Oqeanit!

Po më ndrydhin fytin:
Shpirti primitiv i fluturimeve. Dhe shiu reaktiv.
Po më mbytin!

Orët e minutat lemeri! Pa fantazi e pa oksigjen.
Ditët e mia të ngushta, si këmish’ e Centaurit, nuk nxënë dot
As këtë zhuzhak të artë,
Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.

Ditët e mia të shkurtëra.

 

 

 

THUAJA HËNËS

Kur ke diçka për të më thënë –
diçka që nuk të shqitet e s’e mban dot për vete,
që s’avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s’ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !

Kur s’u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s’mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës – prit sa të vijë mbrëmja.

Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?

Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.

 

 

NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË

Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.

 

 

 

Ike edhe u ktheve!

Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.
“Nga jeni,” pyes kot. “Nuk e di,” më thua.
Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaj çdo prangë do ta këputë.
(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.
Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.
Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.

 

 

 

Po pse në Dashuri ndërron moti çdo minutë?

Sa e njerëzishme ishe kaq e çuditëshme e joshëse.
Si Hëna bukuroshe në Bazel në një mbrëmje vere.
Dhe melodi e largët, dhe çokollatë esmere!

Ti je Mjelmë Shtegtare e xixë nëpër natë.
Apo thjesht “kalimtare” një e tetëdhjetë e shtatë.
A ndoshta je «puhizë» që i vjen Botës përqark.
Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!

Apo një Pllakë Guri ndoshta miliarda vjeçe,
që s’dihet çfarë fsheh.
E vëren çdo Gjeneratë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s