Poezi nga Dije Lohaj

Dije Lohaj

Poezi nga Dije Lohaj

 

 

 

VAJ E DITË PËR DRITËN

 

Udhëtojmë rrugës së bardhë qumështore,

Por vështrojmë frikshëm

Sfondin e bukur hënor,

E shkujdesshim vibrojmë

Nëpër vrima të zeza hapësinore

Dhe në baticën e hënës së plotë,

Të tkurrur rrimë në guacën tonë

Sa shumë shpirti ynë vuan e përballon

Errësirën e kundërt të natyrës sonë!

Të tkurrur e të trembur rënkojmë,

Të mbuluar në guacë,

Të jemi vetvetja nuk guxojmë,

E prapë nuk çlirohemi

Nga këto ndërhyrje negative,

Në simfoni të vallëzojmë,

Me mbarë trupat e gjithësisë,

Në një frekuencë perfekte,

Edhe atëherë kur kuptojmë,

Se diçka na mban të frenuar,

Duke na trembur

Me frikën për jetën,

Për bukën e gojës,

Me frikën e nxehjes globale,

Me frikën e kataklizmës e të vdekjes.

Çfarë të bëjmë?

A të jetojmë kështu,

Apo t’i flakim gjithë këto mashtrime?

A të jemi të lirë në hapësirë,

Apo të bëhemi zhurmues i valëve të jetës?

Shihni!

Koha ka rritur shpejtësinë

Dhe vitet ikin sa çel e mbyll sytë,

Disa thonë: Ajo nuk ekziston!

Të tjerë e ndërtojnë si krijim!

Nën perden e errësirës,

Dhe nga yshtjet djallëzore,

Të frikur rrimë e të mbyllur,

E koha ikën me vrap,

Apo ne e vrasim kot?

A ndoshta na e rrëmbejnë ata,

Që na mashtrojnë e na gënjejnë

Që të mos shkrihemi natyrshëm?

Andaj, eja të tretemi,

Në të pafundmen dritën tonë,

Të lirë në qetësinë hyjnore,

Jetën e shkurtër ta mbulojmë.

 

 

 

RRUGË VARGJESH

 

Sot dëgjova liqenin

Se si dremit ngadalë,

Se si valët trazojnë mallin,

Se si plagët e shkronjave

Lidhin fijet e vargjeve

Në sfondin e një koloriti vuajtjesh.

 

Dëgjo ritmin,

Atje ku diellit i beson

Dhe vezullimës së hënës,

Kur zbardhin agimet,

Shkodra,

Kosova.

 

Dallëndyshja vjen e këndo shqip

Në shenjtërinê e valëve të atdheut

E vargjet e Shirokës bëjnë hije,

Rrinë e pinë kafe liqeni me ne,

Rrinë e kujtojnë dorën e butë të nënës.

 

Vijnë vargjet e na i lajnë sytë,

Me mallin e dallëndysheve,

Në këtë puhizë pranvere,

Derisa me jetë të tërë,

Po perëndonin zvarrë brengat tona,

E detit i fshint ai kalloja

Bajlozët e historisë,

Të rinjë e të vjetër,

Me thekë të shamisë.

 

 

 

URATË NGA MESHA IME

 

Ja trupi, ja shpirti

Dhe gjethi lëkunden pa pushuar,

Do të kujtosh me mote

Freskinë që të kam dhuruar.

 

Të ëmblit sy që të shihnin,

Sa e sa bukuri të kanë dhënë,

Matur me tiktaket  zemrës,

Që fjala dot s’i ka thënë.

 

Duart e mia aq larg,

Drejt teje rrinë shtrirë,

Sot gjithkah pergamenave të tua,

Kambana po bie me të gdhirë.

 

Të të gjejnë kudp që të jesh

E të marrin në meshën time të rrallë,

Qoftë edhe një herë

Të belbëzodj muzgjeve atë përrallë.

 

Të shoh në pikë të ditëd,

Hënën të derdhur në dritën e diellit,

Thellë nga varri fus në gji

Të gjithë yjet e qiellit.

 

Të takoj vetëm edhe një herë,

Jo nuk do të jetë vonë,

E me ata gishtëtinjë zjarri e malli

Të shpupuritim hirin tonë.

 

Në vatrën legjendë piqet

Vetëm molla e dashurisë,

Me vetëtimat e shiut të verës,

Me bekimin tonë e të Perëndisë.

 

 

 

NË UJËVARËN E SYVE TË TU

 

Sytë e tu

Më erdhën si gurgullim ujvare,

Më trazuan si valë deti

E u futën në urnën time të bërë hi.

 

Desha të pi gjithë atë ujë,

Ku laheshin ata sy çdo mëngjes

E të shuaja etjen

Me zjarrin e gjirit.

 

Eh, ike ti,

Ike bashkë me sytë

Bashkë me ujin

Drejt oqeanit të pafund.

 

Pa pikë force

Të ndiqja gjurmen tënde

Në mesin e një koloriti valësh,

Vala mbulonte gjurmen,

Unë shpupuritja valën

Qindra kilometra larg detit e bregdetit.

 

Zëri yt melodik u mishërua

Me melodinë e Orfeut,

Buçet mbushur me dashuri gjigande,

E zemra ime e vogël,

Verbon terrin e natës,

Verbuar nga drita e ditës,

Por ata sy

E bënë aq të ndjerë,

Më të ndjerë

Sesa dashuria e pafund.

 

Aty  u rilinda,

Ndeza flakën në cdo gurrë

E në cdo ujëvarë.

Vallë,gjithë ato zana të jenë shuar

Në atë ujëvarë,

Që shikimi yt kaq i thellë

Kaq i thellë

Të rilind shikimun tim.

 

 

 

MASHTRIMI

 

Oh, ndjenjat janë zjarr i ndezur,

Gjemba të mprehta trëndafili,

Djerrinave vjeshtës me shi.

 

Mashtrimi shtrihet me brymë,

Frymëmekur tradhtia,

Shkun yjet pamëshirë.

 

Oh, shteroi qiellin e tempujve hynorë,

Se mashtrimi sonte perpiu shpirtin tim

Thitha të panjohurën e zemrës sate?

A thua dashuria qenka krim?!!!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s