Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

 

ËNDRRAT E ZHVESHURA

 

Ti kot mërzitesh me mua,
unë vetëm lindjen e diellit
e mar seriozisht.
Hënën
s’e zbres dot në tokë,
edhe të dua,
as zjarrin e yjeve
natyrisht.

Ti kot i mbanë sytë nga deti,
i dogja gjithë anijet
që kam lundruar.
Më ka mbetur
vetëm shpirti i poetit,
të tjerat
ty t’i kam dorëzuar.

Ti kot kërkon
të gjesh ndonjë çelës,
të futesh në ëndrrat e mia
të zhveshura,
Ato u mbyllën
në arshivën e kujtesës,
siç mbulon dimri
gjethet e zverdhura!

 

 

 

PO PASTAJ?

 

Po pastaj?…..Po pastaj?!
Si një zog e trembur pyet.
Unë ndihem si në faj
Unë fajtori që buzëqesh!

Buzëqesh, se çfarë të them
Kërkoj frutin ta shijoj
Nuk i mbaj sytë mbi pemë
Veç tek fjala mbirë në gojë.

Po pastaj edhe më tutje,
Sa do zgjas kjo hënë e qiellit?
Syt e tu si ikonë lutje
Si dy rreze nga të diellit.

Po pastaj?…..Po pastaj?
Si Krishtin më kryqëzove
Një jetë është, dreqi ta haj
Është bosh po s’dashurove!

Nuk ka kohë, mos më pyet
Nuk shikon si digjen vitet?
Pse t’i mbajmë sytë tek retë
Pse s’shijojmë mjaltin e ditëve?

Po pastaj?….Po pastaj?
S’ka pastaj, ka vetëm “tani”!
Ne të dy fajtorë pa faj
Të “dënuar me përjetësi”!

 

 

 

BESOMË

 

Pse nuk më beson
kur them:
Sa ty nuk kam dashur njeri tjetër?
Apo të pëlqen
të më shohësh gjithmonë
dallgë e çmendur për shkëmbin e etur!

Për mua s’ka kthim pas,
me çfarë të iki,
(edhe të dua),
ku të shkoj pa shpirt e pa zemër?

Besomë,
pa ty ndihem si varkë
busullthyer e velagrisur,
lidhur në një ishull pa emër!

 

 

 

DO UDHËTOJMË GJATË

 

Tek ata lotë ta lexova shpirtin
Njoha veten në pasqyrën e tyre
Aty ishte dhe kalendari i atij viti
Kur shkëmbyem zjarrin e syve.

Atëhere nuk e dinim kush ishim,
E ku e kishte atë fuqi imagjinata.
Se vinte një ditë që aq magjishëm
Në një breg do na nxirrte dallga.

Sytë folën me heshtjen e bukur,
(Një përmendore për atë heshtje!)
Në simfoninë e dallgëve u lutëm:
Të dehemi me mjaltin e kësaj jete!

Do udhëtojme gjatë, si legjendat,
Dashuria jonë mbi detin mister
Në gjurmët e heshtjes mbirë këngët
Në çdo notë pikon një diell.

Rrathët e viteve-pergamen i shkruar,
Vetëm yjet do dinë ta lexojnë.
Ne do të jemi duke udhëtuar
Nëpër ëndrrat e planetit tonë.

 

 

 

PEMA E JETËS

 

Në pasqyrën e syve t’i mora lotët
Dhe i treta në një gotë me verë
M’u duke vetja si mbret i botës
Sikur dhe natën e dehëm me diell.

Nga buza jote e mblodha prushin
Dhe ndeza gjysmën e hënës së ikur
Zemrës s’arrita t’ja mat dot pulsin,
Ku matet zjarr i vullkanit të pafikur!

Nga fjala të mora rrënjët e besës
Dhe frymën tënde për frymën time
Shkëndia çelën lulet e shpresës
Si harku i çmendur i një violine!

Nga gjoksi yt mora përjetësinë
Të rrënjëzova në eshtrën e shpirtit
Në pemën e jetës vjelim dashurinë
Aty perëndojnë dhe rinisin vitet.

 

 

 

SHTEGTIM

 

Shtegtoj nëpër stinë,
si era,
si malli,
si këngët,
si avulli yt në psherëtimë.

Me një ikonë në dorë,
marrë në “Altarin e Lutjeve”
kërkoj gjurmët e gjysmëëndrrës,
në heshtjen tënde të bukur.

Shtegtoj, shtegtojmë…
Të etur si apostujt
kërkojmë shtegun e dritës
për të puthur
syrin e shpresë së lumtur.

Shtegtojmë të dy…
Gjithë jetën për dashurinë
nomad në shtegtim!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s