Poezi nga Adem Zaplluzha

adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

 

 

NË CILËN DEGË TË PIKËLLIMIT TË ULEM

 

Nënë, diçka po më dhemb në shpirt,
Një gur i rëndë
Si jeta peshon në mua.
Largoji këto gjethe të njoma,
Po ia verbojnë sytë pranverës.

Mes fjalëve të njerëzve
Ka çelur gështenja e egër,
Moj nënë,
Ka çelur si trishtimi;
Afromi duart e tua të lodhura,
Të më përqafojnë sonte.

Çdo gjë e boshatisur në shpirtin tim,
Po fryn një erë e acartë.
Kam të ftohtë, moj nënë,
Po më ngrihet gjaku ndër dej;
Ajo iku andej ose këndej,
Por iku diku, moj nënë.

Më lë këtu me duar të ngritura lart
Ose më lë pa duar, moj nënë.
Si t’ia bëjë sonte,
Në cilën degë të pikëllimit të ulem
E të këndoj si kukuvajka, moj nënë?!

 

 

 

MERRNI, ÇFARË TË DONI, NGA VARFËRIA IME

 

Mos më leni sonte të flas,
Mund të shkulni çdo gjë nga shpirti im,
Por dashurinë nuk ua jap;
As me tërë botën
Nuk e ndërroj një fije floku të saj.

Heu, dreqi ju marrtë, o njerëz!
Mos provoni kot,
Nuk mundeni me ma marrë dashurinë;
Diçka, që nuk ma keni dhënë,
Si mund ta merrni,
Ajo ka qenë dhe është vetëm e imja.

Merrni çfarë të doni, nga varfëria ime;
Mund t’i merrni
Edhe këto lëkura të regjura dhensh,
Kërrabën dhe të gjitha këto dele,
Por mbi ogiçin e vathit dhe dashurinë time,
S’ka njeri që vë dorë, në këtë botë.

 

 

 

DYMIJË VJET JAM DUKE PRITUR

 

Eca si i dehur nëpër natë,
Kudo dritare,
Dhe dyer të mbyllura,
Mbi një gjeth të verdhë melankolie,
Si mbi një varkë të thyer,
Notonte vetmia.

Ti, e dashur,
I kishe lënë duart dhe puthjet e tua
Mbi ullukët e çatisë;
I kishe lënë
Si amanet zogjve shtegtarë,
Që të m’i sjellin këtu, një natë.

Dymijë vjet jam duke pritur
Lindjen e diellit.
Mbrëmë në përparësen tënde
Shkundej,
Çmendurisht shkundej trishtimi.

Në këtë vjeshtë,
Si morti i zi,
Më erdhi një lajm kobndjellës;
Kurse unë e di fare mirë, e di
Se në vjeshtë
Fillojnë dasmat në qytetin tonë.

 

 

 

OSE PRANVERA E PUTHJEVE TONA

 

Sonte nuk kam kohë për asnjë serenatë,
Kjo natë dallon shumë
Nga netët e tjera të çmendura.
Hyra fshehurazi
Nën rrënjët e zambakëve;

Hyra dhe prita gati një shekull,
Prita një mëngjes të vesuar;
Si sytë e tua
Prita guximin tënd,
Që t’i marrësh erë zambakut,
Që njëkohësisht
Unë t’u marr erë flokëve tua.

Prita, o sa me padurim prita
Shkundjen e gjetheve,
Sepse në vendin tonë vetëm në vjeshtë
Bëhen dasmat;
Vetëm ditëve të gjetheve të arta,
Nëpër degë ngarkuar me fryte,
Shkundet pjalmimi i puthjeve të zjarrta.

Sonte nuk kam kohë për asnjë serenatë,
Është vjeshtë
Ose pranvera e puthjeve tona,
Që aq shumë vite pritëm të çelin nerenxat.

 

 

 

TA DHASHË VETËM DORËN

 

Erdha, e dashur në kopshtin tënd,
Si hajdut hyra
Në shpirtin e aromave
Dhe asnjëherë nuk mendova se kaq keq
Ke me m’i lidhur duart dhe këmbët!

Ishte ditë e diel,
Kur i tërë fshati shkonte në meshë;
Kurse ti, mes detit të këtyre luleve,
Ishe lulja më e bukur,
Që m’i mori mentë.

Ta dhashë vetëm dorën,
Kurse ti
More dhjetëfish më shumë;
Asgjë nuk mbeti nga lëkura ime,
Përpos puthjeve të ngrohta të stinës,
Nëpër degët e shelgjeve të gëzuara.

 

 

 

NË SYTË E TUA TË GËSHTENJTA

 

Mund të jetë kudo ai vend,
Kur ne u takuam:
Në kaltërsinë e qiellit
Ose në mes të hapësirës së mjegullt.

Mund të jetë edhe në ëndrrat tona,
Por ne u pamë atë ditë,
Kur çelnin lulet e bardha,
Në sytë e tua të gështenjta.

Ishin disa çaste të ngarkuara,
Pak me lot
E pak më shumë
Me një dozë dyshimi.

Në ajrin e dendur të mëngjesit
Sillej vërdallë
Kokëfortësia e erës,
Që i shkundte gjethet.

Mes kësaj përzierjeje, si engjëllushë
E dalë nga dheu, ishe ti;
Ishin edhe duart e tua,
Që i përngjanin lëvizjeve të lashta
Të zogjve parahistorikë.

Nuk di, ku i kishe mësuar
Këto cicërima,
Si të ishin ariet e Shopenit!
Por sa bukur atë ditë
Bisedoje për dashurinë,
Në një gjuhë kaq arkaike zogjsh.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s