Cikël poetik nga Rabije Bytyqi / Shkëpitur nga Vëlimi Poetik ” Përmasa e eklipsit”

 

rabije bytyqi

Cikël poetik nga Rabije Bytyqi

 

Shkëpitur nga Vëlimi Poetik ” Përmasa e eklipsit”

 

 

 

Përmasa e eklipsit

 

Për çfarë sot të belbëzoj

Koha e huaj më ka katandisur

Duart të hedhura në ajër

nuk gjejnë ngushëllim

me çka ta shtjelloj detyrën e ditës?

 

 

Me epitafe të zbehta nëpër kujtesë

me eklipsin e zgjatur të diellit

me kaosin e djepave të thyer

me thëngjillin e çative të djegura

apo nga vaj i qyqes

t’i përgjërohem feniksit

për tokën e djegur

dhe trupat e mbjellë gjithandej

që  harresën  refuzojnë…

 

Për çfarë sot të belbëzoj

kur përmasat e jetës një copë buke

e turbullojnë qiellin

dhe lisat flasin jermishëm

të gjunjëzuar nga pesha e kohës..

 

Poezi e shpërblyer me çmimin e tretë në Flaka e Janariot 2014)

 

 

 

Prizreni

 

Në Kala prek damarët prej guri

Me mall puthë ca palë flamuri

Tek “Shtëpia e Lidhjes”

Emblemë e besës dhe fjalës së burrit,

për një komb,

tokë e lashtë, truall shqiptarie.

 

 

Këtu gjëmon sot e mot historia

E pena ime ndizet përherë nga lavdia.

 

Më deh e më gëzon ky peisazh, vegim.

Pena ime mbushet me frymëzim…..

 

 

 

Kala ulqinake  prej guri

 

U krenova me ty kala prej guri.

Sa bukur !

Bedenave të lartë, të valvitej kuq e zi flamuri ynë.

 

Legjendë Ilirie, o kala e vjetër!

Brezë pas brezi trimërinë e tretur

Në kohët e harresës ruajte lashtësinë

Me bukurinë antike ringre madhështinë.

 

Kur të prek gurët Kala Ulqinake,

sikur shoh

themelet e të lashtës Rozafatë

që ende pikojnë qumështin e gjirit,

për djepin e lindur ndër epe kreshnikësh.

 

 

 

Engjëjt e dritës

 

Mijëra engjëj vijnë tek unë

kërkojnë të fshijnë çdo gjurmë kujtimi,

që ndër vite kam kaluar…

 

Oh!

Kot e keni, kot…

Nuk ma helmoni dot jetën!

Unë e kam çelësin dhe kodin

e zemrës së trazuar.

Jeta e tronditur mbetet si dritë e zbehtë.

 

Nëse ekziston parajsa

deri në varr do e kërkoj

…, dhe do e pres

në kopshtin ku përherë ka lulëzuar.

 

 

 

Ah, kitara ime!

 

Ligështim mbjell në shpirt e zemër

Pikëllimin ta mbështjell me lumturi,

Mrekulli që orkestron burimin e jetës

Ah! kitara ime, e përjetshme simfoni.

 

I ligjëron ëndrrat në prehje e dehje,

vallen e engjëjve si një kumbim

Tingujt e tu, klithmë e shpirtit tim.

Ah! kitara ime, e përjetshme simfoni.

 

Jetës ia kthen magjinë e dikurshme,

Dashuritë e vjetra, si një sëmbim

e largëta  jehonë rikthehet tronditshëm

Ah, kitara ime, e përjetshme simfoni.

 

 

 

Ndoshta…

 

Sonte kam aq shumë dëshirë,

që dikush të më pëshpërisë lehtë

Të më thotë si dikur:  Të Dua!

…, dhe  pastaj le të vdes.

 

Më bren diçka në shpirt,

ndoshta…,

e lodhur nga kjo jetë

Yjet- dëshmitarë pres në angështim.

 

Hëna- qanë  me mua

E unë…,

det i rrebeluar valësh turfullim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s