DASHURI NË HAPËSIRË / Tregim nga Pilo Zyba

DASHURI NË HAPËSIRË

 

 

pilo zyba

Tregim nga Pilo Zyba

 

Ishte ditë e shtunë si sot. Unë kisha dalë në qëndër të Londrës vetëm.Në fakt po prisja një mikun tim që të vinte. Mbi Parlamentin e madh të Britanisë në breg të lumit re të bukura të shtyra nga era, preknin dhe mblidheshin te maja më e lartë e kullës, e cila, është me gurë të gdhendur, të një stili me arkitekturë latine, dhe nga më të bukurat në botë.Rrezet e diellit që binin mbi to, të krijonin përshtypjen se kulla e lartë ishte magnetike dhe i thithte retë, ato dëndësoheshin dhe bëheshin herë si një dyshek i madh i butë, dhe herë si një jastëk i bukur, ku rrezet shkonin, i puthnin pak, dhe iknin për të mos u prishur bukurinë.

Mbi lumin e shtruar dhe të qetë të lumit të Tamizit fluturonin dhjetra pulëbardha si zarfe të mbyllur që niseshin në adresat e qiellit.Ato çukisnin ujin e kaltër, merrnin në sqep ujë si vesë të kristaltë dhe e ngjisnin lart, e duke rënë krijonin rruzuj të argjentë me bukuri përrallore nën rrezert e diellit.Kur binin në ujin e qetë dhe të mëdafshtë si gjumi i një femije të pa fajshëm, krijonin rrathë të vegjël, dhe sa më shumë hapeshin bëheshin më të mëdhenj, si valët elektronike të telefoneve, të radiove apo televizorëve.

Unë kisha qëndruar dhe po i shikoja, po i shikoja, dhe në ato çaste me trup isha në qëndër të Londrës por me mëndje isha me retë dhe te retë.

Ndërkohë fryu një erë e lehtë dhe i çvendosi retë e bukura.Nën penelatat e diellit ato morën forma të ndryshme, ngjyra të ndryshme, u bënë më të buta, si lesh i krehur, dhe u shpërndanë pak, u bënë endërrimtare, më pas u mblodhën përsëri bashkë, sikur kishin frikë se mos humbisnin njëra tjetrën.

Pastaj një re e vogël u tërhoq më poshtë, dhe u var si ujët e derdhur nga një gotë e madhe qiellore. Më tej u kthye në ujvarë nga bardhësia e dritës dhe rrezet e diellit. Mu duk se u kthye në një ujvarë flokësh, që derdheshin dhe më dukej se do vinin deri te unë.

Ajo re e bukur mori formën e flokëve të dashurisë time. U var deri mbi valët e lumit të Tamizit që rrjedh aty pranë prej mijra vjetësh. Herë më ngjante si ujvarë dhe herë si shkallë të bukura që të ngjisin në qiell.

Unë zbrita në bregun e lumit.. Vajta pranë shkallëve.Vura duart te flokët dhe i tërhoqa fort për të provuar se ato me mbanin, apo më lëshonin dhe vritesha. Mijra kalimtarë dhe turistë më shikonin të habitur. I tërhoqa edhe njëherë, dhe kuptova se ato vërtet ishin të varura nga qielli, por diku ishin mbërthyer dhe nuk më linin që të bija. Atëherë provova dhe hodha hapin tim të parë. U tendosa fort, që të kuptoja se përveç meje, kjo shkallë qiellore mbante peshë më shumë se pesha ime, që të mos bija kur isha në lartësi.

Nuk di pse doja të ngjitesha deri në qiell këtë të shtunë! Nuk di pse shpirti dhe dëshira kërkonte vetëm qiejt ti pushtonte, por dhe të pushtohej në thellësinë e tij.

Ndërkohë një pulbardhë u ngrit nga lumi dhe erdhi pranë meje.U trëmba se, mendova mos me krahët e saj, me sqepin e saj, ajo do të këpuste flokët e gjatë ku mbahesha, dhe do bija poshtë, se tashmë isha ngjitur shumë lart.

Qëndrën e Londrës e shikoja të gjithën. Ajo po me dukej gjithnjë dhe më e vogël, ndërsa vetja po më dukej më i madh. Flokët e gjatë i kisha kapur fort, si kapet një i mbytur pas një trungu që ia bie fati në rrjedhën e lumit.

Pulbardha shkruante në qiellit me nota me sqepin e saj. Shkruante një këngë që ma bënte trupin të lehtë, dhe dëshirën e ngjitjes më të madhe.

Kjo këngë e pa dëgjuar, por shumë e bukur, por dhe rrahjet e krahëve të saj, ma freskonin fytyrën, e ma bënin vështrimin më të qartë.

Tinguj, tinguj të harmonizuar, një koncert i madh qiellor, që shtynte retë sa në një krah në tjetrin, si tufa njerzish të zënë për duarsh, e që perkunden nën ritmin e këngëve.

Pulbardha me sqepin e saj si dirizhente drejtonte koncertin. Me krahët si duar, me levizje ritmike i jepte levizjet tingujve që kishin pushtuar hapësirat, dhe që i dëgjoja vetëm unë.Aty kuptova për herë të parë në jeten time, se, levizjet e reve janë koncerte të mëdhaja që luhen nga orkestra të mëdhaja, dhe vallzohen nga re të mëdhaja, balerina në skenën e madhe qiellore.

Për një çast pulbardha mblodhi krahët dhe më qëndrojë mbi sup. U trëmba, lëviza supin për ti thënë, “mos u ul aty se shtohet pesha dhe do biem”…por ajo u ul dhe po me çukishte me sqep në shpatull. Unë nuk i hiqja dot duart që ta trëmbja. Kisha frikë

se humbisja ekuilibrin dhe bija.

Çukiste diku në qiell sikur merrte ngjyrat, pastaj vizatonte në shpatullën time diçka që unë nuk e shikoja…

Atje ku shikonte se nuk e realizonte dot bukur pikturën e saj, me puplat e krahëve e fshinte si një gomë që fshin gërmat e shkruara gabim mbi një letër.

I shtyrë dhe nga frika, unë ngjitesha dhe më shumë lart, për të vajtur atje ku as vetë nuk e dija, por kuptoja se, sa më lart ngjitesha, ndihesha më mirë, me i sigurtë, dhe shtëllunga e reve ishte më e rëndë dhe me krijonte siguri. Hodha sytë poshtë. Nuk dija sa larg isha ngjitur, nuk shikoja asgjë përveç një bardhësie, dhe re të tjerrura e të shpërndara si ajri që nxjerrim mbas frymë nxjerrjes.

E pashë që isha ngjitur shumë lart, shumë. Mendova se tashme ishte më lehtë të ngjiteshe se sa të uleshe poshtë. Ngjitja më pëlqente më shumë, sepse në jetë gjithmonë kam kërkuar dhe dua lartesitë.

Fryu një erë disi e fortë. Pashë me frikë se, fllokët e gjatë ku mbahesha u rralluan, mendova se, tashmë do bija.Pulbardha që lexojë mendimet e mia u largua nga supi dhe e lehtësoi, por, prapë pesha e frikës nuk më iku.

Pulbardha kapi me sqep flokët e shpërndara të reve. Si një qëndistare e vogël ajo i bëri bashkë dhe mi pruri te dora, tek të dyja duart, dhe më bëri …cri-cri-cri! Nuk e kuptova gjuhën e saj, por kuptova se ajo po me thoshte, “hapi duart, dhe shtërngojë këto që po të jap.Sa më shumë flokë, aq më i sigurtë në ngjitje por dhe në qëndrim”.

Hapa njërën dorë dhe kapa fllokët e gjatë të resë, pastaj dhe dorën tjetër. U ndjeva më i sigurtë, por këmbët më dukej se i kisha në ajër.Pulbardha lexonte mendimet e mia, si duket atë e kishte derguar një engjell që të më ndihmonte në rrugën time në ngjitje drejt qiellit.Ajo u largua pak, dhe që nga largësia përplaste krahët. Shtynte retë në drejtimin e shkallëve të mia.Shkallët u bënë të sigurta. Flokët që vareshin më të sigurta, qëndrimi im më i sigurte.Buza me qeshi, sytë morën shkëlqimin e më parshëm, atë të shpresës dhe dëshirës për të kapur qiellin me dorë, e për të prekur endërrat e bukur.

Një re tjetër që ishte pak më larg në shpinën time, me jepte përballë resë që kisha pamjen e një pasqyre të madhe dhe të bukur, aty shikoja veten, por në pjesën time të shpatullave.Mbeta i habitur dhe i befasuar.

Në shpatullën time të djathtë, atje ku kishte qëndruar pulëbardha, kishte pikturuar me sqep dhe me ngjyra portretin tënd, dhe më poshtë në formën e një firme të stërgjatur kishte shkruar emrin tënd.Emrin dhe portretin tënd dashuria ime.

Ndjeva se kraharori mu mbush me dëshira të mëdha. Gjaku me rrahu fort nëpër damarë.Te gjitha venat mu kthyen në lumenj që qarkullonin në të gjithë hartën gjografike të trupit tim. Mu duk se dhe vetë isha kryer në një re, që mund te fluturoja pa u kapur askund, pa u mbajtur, pa pasur frikë.

Ai portret dhe ajo firmë ishin parashuta ime që më mbanin lart në ajër, të lehtë dhe puplor.

Provova dhe e lëshova njërën dorë. Nuk po ndjeja as frikë, as nevojën për tu mbajtur diku.Lëshova dhe dorën tjetër, dhe kuptova në vetvehte se isha kthyer në një zog dashurie, i cili prek me sqepin e tij qiejt, dhe kap me krahet e tij të gjitha hapësirat.

Pulëbardha që qëndronte përballë meje më kontrollonte të gjitha levizjet, me jepte kurajo…cri-cri-cri.

Fjalët e saj ishin dhe gezime dhe urdhëra.Ajo urdhëronte krijesën e saj në shpatullat e mia.

Fillova te ngjitem lart…lart…lart, por pa u larguar nga shkallët e mia, sepse mendoja që, nëse humbas forcën duhet të kapesha përsëri atje.

Pasi udhëtova ndjeshem dhe me deshirë, u ndjeva më i sigurtë. Hodha vështrimin lart. Bardhësi, bardhësi, pastërti në ajër, në ngjyra, dhe poshtë re të pambukta që lundronin si njerëz që vrapojnë pas punëve të tyre.

Me lart pashë një kështjellë të bardhë, të pambuktë, me dyer të hapura dhe me mure rrethues të mbushur me lule.Qëndrova pak, mora frymë, dhe u drejtova nga porta e madhe.Kur vajta te porta që ishte e hapur, pashë se ajo nuk kishte si nëpër filma mbrojtje me heshta, dhe në thellësi nuk kishte ndërtesa të fortifikuara. Kishte vetëm lule dhe një krevat të madh perandorie. Mbi të një mbretëreshë, që ishte veshur me fustan të bardhë resh, të qendisur nga dora magjiplotë e natyrës.Flokët i kishte të artë dhe të lëshuar, që i derdheshin mbi gjinj. E florinjta e tyre ngjante me rrezet e bukura te diellit, që shkëlqejnë dhe në rrugën dhe format e tyre flasin me gjuhën e stileve dhe artit të rrallë të bukurisë femërore.

Fshiva sytë. Hodha veshtrimin përsëri. Nuk isha në ëndërr, por ishte e vertetë.Ti qëndroje gjysëm e shtrirë me buzën e qeshur. Flokët ti mërrte era dhe të lëpinin sytë, e bukur, buzët e fryra si shegë e plasur, dhe gushën e larë e të mermertë.

U ngrite pak dhe me fole:

– Erdhe shpirti im? Kisha kaq kohë që të prisja!

– Erdha, të thashë, por ishe shumë lart, shumë lart, kam kaq kohë që ngjitem dhe sot munda që të arrij.

– Lartësitë duan mund, Pilushi im.Po nuk u zgjate, nuk i mërr dot në pemë frutet e mira dhe të pjekura.

Unë qendrova perpara krevatit, ti u ngrite në këmbë, u derdhe e tëra në dritë, por dhe në bukuri. Lëbyra sytë, sikur nuk besoaj se je aq e bukur, ndonse këtë bukuri e kam prekur dhe puthur.

Tunde flokët e gjatë si pema nga era, dhe lëshove mijra rruzuj si margaritare vese mbi krevat, mbi supe, por edhe mbi mua që qëndroja perballë.

Ndërkohë pashë dy pulëbardha të vogla që erdhën mbi supet e tua.Qendruan pak sa për të marrë frymë, dhe pastaj…ah…ah..pastaj!

Sejcila prej tyre kapi me sqep cepin e fustanit të gjatë dhe rrahën krahët, rrahën krahët fort, fort, fort.Fustani fillojë të ngjitej lart, lart, lart, dhe duke filluar nga poshtë unë fillova te shikoj pjesët e trupit tënd, që dukeshin gjithnjë e më qartë, si një ishull i bukur kur mbaron furtuna

mbi det. Nuk vonojë shumë dhe ti u shfaqe përpara meje e tëra, e bukur, më e bukur se kurrë, e larë me dritë, me ngjyra, e vertetë dhe e prekshme.Më ngjaje me Deidemonën, mbretëreshën e parë të botës.Me Deidemonën motrën e Pirros së tretë të pjesës së poshtme të Ilirisë, që mbretërojë në shekullin e tretë përpara Krishtit, atëhere kur bota e madhe jetonte shpellave, dhe ndiqte pyjeve drerët për ushqim.Kurse mbreteria e saj e pasur shpërndante në botë kulturën dhe bukurinë Ilire. Shikoja gjithçka, përpija gjithçka, shijoja gjithçka.Zemra rrihte fort sikur donte të dilte nga kraharori, sytë ishin të përqëndruar, donin të përpinin të gjithë qiellin tënd dhe gjithësinë që mbaje brënda.

Vajte te këndi i krevatit, që ishte si një aerodrom i madh dhe i mbuluar me bukurinë e dashurisë, më zgjate të dyja duart dhe më the:

– Eja shpirti im, eja!

Unë të preka dhe u bëra i lehtë, të preka dhe u bëra i tejdukshëm, u bëra një shpirt që nuk ka peshë, por vetëm krah, vetem nota dhe dëshira.

Unë u ngjita. Në ato çaste u duk se në kraharorin tënd u hap një porte e madhe, si dy krahë të bukur të mbushur me shpresa, dhe më përpiu brënda.

Në ato çaste dëgjoja vetëm renkimet e tua, dhe dihatjen e shpeshtë të frymëmarrjes time. U shfaq përballë një det i madh me dallgë, dhe ne të dy që luftonim që të kalonim mbi to për të arritur në ishullin tonë qiellor të premtuar.

Pas një lufte të madhe me dëshirat, deti fillojë të qetësohej dhe shpirtrat tanë morën sipërfaqen e kaltër dhe të bukur të lumturisë.Dëgjova një krisëm.Hapa sytë. Dritarja e dhomës ishte hapur.Jashtë frynte pak erë. Perdja e gjatë dhe e mendafshtë kishte dalë jashte dritares dhe valvitej si një dorë që përshëndeste dikë. Përshëndeste një re të bukur që lundronte në qiell. Unë pashë orën dhe u ngrita rrëmbimthi. Dashuria ime ishte shkëputur nga toka me aeroplanin e linjes “British Airways” dhe duhej të shkoja ta prisja në aerodromin Stansted në lindje të Londrës. Ajo vinte për herë të parë ashu si vjen pranvera e virgjër stinë me bukurinë dhe lulëzimin e saj.Dora e stërgjatur e perdes përkundej nga qielli dhe i thërriste reve të ndalonin për të pritur delegacionin e dashurisë.

 

One thought on “DASHURI NË HAPËSIRË / Tregim nga Pilo Zyba

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s